Cakolli: Nuk mund të ketë konsullatë dhe ambasadë në të njëjtin qytet

Aktuale

Cakolli: Nuk mund të ketë konsullatë dhe ambasadë në të njëjtin qytet

Nga: A.M. Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 20:38
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shfuqizuar katër dekrete për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë.

Ai në postimin e tij në Facebook, ka shkruar se nuk mund të ketë konsullatë dhe ambasadë në të njëjtin qytet.

“Që nga vendimi i GJND-së në korrik të vitit 2010, kemi fituar vetëm rreth 35 njohje, ndërsa vetëm prej vitit 2017 na janë tërhequr 15 sosh. Kemi dështuar të anëtarësohemi në agjencitë e OKB-së dhe organizata tjera ndërkombëtare, ku nuk na kanë votuar as shtetet njohëse”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i plotë:

Sa keq që tërheqja e konsujve duhet të bëhet duke u thirrur në parime dhe praktika diplomatike, gjegjësisht që nuk mund të ketë konsullatë dhe ambasadë në të njëjtin qytet.

Në një vend normal, ata duhet shkarkuar për faktin se ata janë emëruar në ato pozita thjesht pse kanë qenë familjarë apo vet zyrtarë të partive në pushtet - duke mos pasur as përgatitjet minimale, e shpesh edhe në kundërshtim me ligjin.

Efektet e një shërbimi të tillë diplomatik joprofesional dhe farefisnor, i shohim përditë në arenën ndërkombëtare. Sapo kanë "shteruar" njohjet e 'lehta', të siguruara nga lobimi intensiv i SHBA-ve dhe disa vendeve të BE-së, kemi stagnuar pothuajse tërësisht në planin ndërkombëtar.

Që nga vendimi i GJND-së në korrik të vitit 2010, kemi fituar vetëm rreth 35 njohje, ndërsa vetëm prej vitit 2017 na janë tërhequr 15 sosh. Kemi dështuar të anëtarësohemi në agjencitë e OKB-së dhe organizata tjera ndërkombëtare, ku nuk na kanë votuar as shtetet njohëse. E së fundi, jemi pajtuar që për një vit as të mos aplikojmë fare për anëtarësim. Ndonëse nuk kemi marrë obligim, në heshtje kemi pranuar as të mos lobojmë për njohje të reja.

Për më shumë, si shtet e kemi ende në fuqi Strategjinë për Arritjen e Njohjes së Plotë Ndërkombëtare, e miratuar gati para 10 viteve, që është krejtësisht e skaduar dhe jashtë kontekstit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat