Zyrtare nga KQZ: Shpejtim Bulliqi i VV-së fiton pa balotazh në Podujevë

Aktuale

Zyrtare nga KQZ: Shpejtim Bulliqi i VV-së fiton pa balotazh në Podujevë

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 07:48

(E plotësuar) - KQZ ka njoftuar se nga 100% të votave të numëruara, Shpejtim Bulliqi nga VV-ja ka fituar Podujevën pa balotazh.

Këto janë rezultatet:

Vetëvendosje - 51.6%

LDK-ja - 36%

PDK-ja - 12.4

***

​Rezultatet e para nga KQZ-ja, thonë se janë numëruar 90% të votave në Podujevë.

Nga kjo përqindje, Shpejtim Bulliqi deri më tani ka 50.06%, e pasuar nga LDK-ja me rreth 36%.

***

Drejtpërdrejt nga konferenca për media e LDK-së në Podujevë

Daka: Në Podujevë votuan 40% e qytetarëve

Pas mbylljes së vendvotimeve në Komunën e Podujevës si dhe në Mitrovicën veriore KQZ ka mbajtur konferencë për media, në të cilën Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka deklaroi se procesi zgjedhor në të dy komunat është zhvilluar pa probleme.

Ajo theksoi se në Podujevë kanë votuar 40.51% e votueseve,

Daka theksoi se që nga ora 19:00 ka filluar afati për të paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me zhvillimet në vendvotime gjatë ditës së sotme.

“Ju njoftoj se procesi i votimit në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut është përmbyllur.Ju njoftoj se duke u bazuar në të dhënat të cilat i kemi pranuar nga terreni, procesi i sotëm zgjedhor në këto dy komuna është zhvilluar pa probleme. Këtë e tregon më së miri edhe numri i vogël i rasteve që janë paraqitur në Dhomën Operative të KQZ-së, vetëm 6 gjatë gjithë ditës, e të cilat janë raste që nuk cënojnë integritetin e zgjedhjeve. Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 40.51% e votuesve 35 mijë e 400 nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 40 mijë e 162 votues apo 47.7%. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, kanë votuar 39.14% e votuesve apo 9 mijë e 124 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 269 votues apo 37.9%. Në fund, më lejoni që të falënderoj qytetarët e këtyre komunave, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme në kohë pandemie, morën pjesë në votime dhe ndihmuan KQZ-në në zbatimin e masave mbrojtëse të institucioneve shëndetësore”, tha Daka.

Tutje ajo shtoi se në emër të KQZ-së, falënderoj Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, që gjatë gjithë ditës luajtën rolin e tyre të pazëvendësueshëm në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës.

“Gjithashtu, falënderojmë edhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për punën e treguar deri më tani si dhe kërkoj nga ta që të respektojnë ligjin dhe procedurat gjatë fazës në vazhdim: numërimin e fletëvotimeve dhe përmbylljen e procedurave të parapara. Krejt në fund, falënderoj të gjitha mediat që pasqyqruan procesin e sotëm zgjedhor dhe gazetarët që vizituan kaq shumë qendra të votimit dhe sollën atmosferën e qetë të këtij procesi zgjedhor. Ju njoftoj se konferenca e radhës do të mbahet sapo të pranojmë rezultatet preliminare nga këto komuna dhe do t’iu njoftojmë përmes zëdhënësit. Ndërsa, nga ora 19:00 ka filluar afati për të paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me zhvillimet në vendvotime gjatë ditës së sotme”përfundoi ajo.

***

Sapo janë mbyllur në ora 19:00 vendvotimet në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut.

Rezultatet e para do të bëhen publike pas pak, e që mund të zgjasin deri në ora 22:00. 

***

Një orë nga përfundimi, rritet numri i qytetarëve që po votojnë në Podujevë

Kur kanë mbetur më pak se një orë nga mbyllja e vendvotimeve në Podujevë, është rritur numri i qytetarëve të kësaj komune që po shkojnë për të votuar.

Menaxheri i vendvotimit në shkollën e mesme të mjekësisë, “Isa Boletini” në Podujevë, Fehmi Zeqiri që është qendra më e madhe, ka thënë se deri në orën 17:00 në këtë qendër votimi kanë votuar rreth 4 mijë qytetarë, apo 30.4%.

“Ne në vazhdimësi kemi bërë krahasimin e daljes në vnedvotime. Para një ore, në orën 17:00, dalja ka qenë pak më pak se 4 mijë, që i bie 30.4%. Tani është rritur numri. Fluksi i votuesve është më i madh dhe kjo situatë natyrisht se do të ndryshojë. Nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar. Mund të jetë një përqindje më e vogël sesa nga zgjedhjet e fundit, por mbetet të dihet në përfundim”, ka thënë Zeqiri.

***

​Komisionerja e LVV-së në veri dyshohet se prishi procesin zgjedhor, shoqërohet në polici

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Veriut, Branisllav Radoviq ka konfirmuar për KP, se një person i gjinisë femërore me inicialet S.G, është shoqëruar në policisë, e cila me gjasë dyshohet se ka prishur procesin zgjedhor.

“Një komisionere e VV është shoqëruar në polici që dyshohet se ka prishur procesin zgjedhor. Pas marrjes së deklaratës ajo është liruar menjëherë, ndërsa prokurori është njoftuar dhe është duke u marrë me rastin”, ka thënë Radoviq.

***

Një person në Podujevë pas votimit, ka fotografuar votën. Këtë e ka dokumentuar duke e fotografuar edhe letërnjoftimin e tij.

Në bazë të ligjit dhe rregullore së KQZ-së, ky veprim është i ndaluar dhe i dënueshëm.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është thënë se nuk kanë pranuar ndonjë parregullsi.

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se procesi i votimit në Komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut është duke u zhvilluar qetë.

Image

(16:00) - Kurteshi kërkon që qytetarët të lejohen të votojnë me letërnjoftime të skaduar

Ka pasur një përplasje verbale ndërmjet anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi dhe kryetarës, Valdete Daka.

Kurteshi ka kërkuar që të merr fjalën dhe ka kërkuar që të lejohen të votojnë të gjithë ata që ju ka skaduar afati i letërnjoftimit me 1 janar të vitit 2020.

“Ka ankesa ka qytetarë që s’mujnë të votojnë për shkak se nuk kanë letërnjoftime të vlefshme. Ne si KQZ duhet m’i njoftu mediet që të gjithë njerëzit me i lanë me votu që i ka skaduar afati në janar të vitit 2020”

Ndërsa Valdete Daka ka thënë se KQZ-ja nuk e ka marr vendimin. Mirëpo, Daka ka thënë se sot nuk është momenti për të diskutuar sepse nuk është mbledhje por konferencë për procesin zgjedhor.

“Verdiktet e KQZ nuk merren në zgjedhjet me dokumentet dhe ato merren para ditës së zgjedhjeve dhe ne nuk jemi në mbledhje por jemi në konferencë dhe të gjitha vendimet merren në mbledhjen e KQZ-së”, tha Daka.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka dhënë detaje për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në komunën e Podujevës dhe Mitrovicën e Veriut.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se procesi zgjedhor në komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut është duke u zhvilluar në atmosferë të qetë dhe të kënaqshme.

Daka ka thënë se deri më tani, nuk kanë pranuar informacione për ndonjë parregullsi dhe se procesi i votimit është duke vijuar normalisht.

Sipas saj, në komunën e Podujevës deri në orën 15:00, duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve kanë votuar 29.76 për qind, ndërsa në komunën e Mitrovicës së Veriut deri në ora 15:00 kamë votuar 30.3 për qind.

“Në komunën e Podujevës, deri në orën 15:00 kanë votuar 29.76% e votuesve apo 26 mijë votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 26 mijë e 37 votues apo 31%. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve apo 7 mijë e 62 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 6 mijë e 275 votues apo 29%.”, ka thënë Daka.

Konferenca e katërt për ditën e sotme parashihet të mbahet në orën 19:30 dhe ka të bëjë me të gjithë ecurinë e procesit të votimit si dhe pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.

***

Procesi zgjedhor në Komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut është duke u zhvilluar në atmosferë të qetë dhe të kënaqshme.

Kështu ka thënë Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

“Deri më tani, nuk kemi pranuar informacione për ndonjë parregullësi dhe se procesi i votimit është duke vijuar normalisht. Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 15:00 kanë votuar 29.76% e votuesve apo 26 mijë votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 26 mijë e 37 votues apo 31%”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në Komunën e Mitrovicës deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve.

“Në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve apo 7 mijë e 62 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 6 mijë e 275 votues apo 29%. Konferenca e katërt për ditën e sotme është në orën 19:30 dhe ka të bëjë me të gjithë ecurinë e procesit të votimit si dhe pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00”, ka thënë ajo.

(15:41) - Policia arreston aktivisten e VV-së, dyshohet për propagandë në Mitrovicë

Policia në rajonin e Mitrovicës ka bërë të ditur se kanë shoqëruar për në stacionin policor komisionerën e Vetëvendosjes, Sanela Gerdiq.

Nga policia është thënë se Gerdiq ishte komisionere në shkollën ‘Sveti Sava’ në Mitrovicë të Veriut.

E njëjta është shoqëruar në polici për shkak që dyshohet se ka bërë propagandë për kandidatin e VV-së në këtë komunë, Erden Atiq nga komuniteti boshnjak.

Gerdiq fillimisht do të merret në pyetje nga policia.

Siç shihet në fotografinë e publikuar nga aktivistja e VV-së, ajo ka mbuluar emrat e kandidatëve tjerë në garën për kryetar komune që po mbahen sot, duke sugjeruar për votim kandidatin e VV.

Ndryshe, i vetmi kandidat shqiptar për kryetar komune në Mitrovicën e veriut është Floren Azemi nga PDK.

Image

(15:15) - Janë shoqëruar për në stacionin policor në Podujevës, dy persona të cilët dyshohet të kenë fotografuar votën. Policia ka vepruar pas dy thirrjeve që ka marrë nga kryesuesja e qendrës së votimit në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Podujevë, për dy raste që ndërlidhen me dyshime për fotografim të votës.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, përveç këtyre dy rasteve, deri tani nuk është raportuar për ndonjë incident tjetër i cili ka kërkuar trajtim nga ana e policisë.

“Deri më tani kemi pranuar dy thirrje nga kryesuesja e qendrës së votimit në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Podujevë, për dy raste që ndërlidhen me dyshime për fotografimin e votës. Në të dyja rastet policia ka shoqëruar në stacionin policor personat ndaj të cilëve janë ngritur dyshimet e pretenduara me qëllim të ndriçimit të rrethanave. Ndërkaq nuk është raportuar për ndonjë incident tjetër i cili ka kërkuar trajtim nga ana e policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kp që po përcjellë votimin në Podujevë, minuta më parë ka raportuar rreth një rasti në shkollën “Isa Boletini”, ku një mërgimtar ka fotografuar votën dhe i njëjti është ndaluar nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka angazhuar rreth 400 zyrtar policor me detyra specifike në procesin e zgjedhjeve që po mbahen në komunën e Podujevës dhe veriut të Mitrovicës, ndërkohë ka edhe zyrtarë të tjerë të angazhuar me detyra të përgjithshme në këto komuna.

(13:14) - Zgjedhjet në Podujevë/ Arrestohet një person në shkollën ekonomike

Një person është arrestuar në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.

Ende nuk dihet arsyeja e këtij arrestimi, por i dyshuari është futur në veturën e policisë dhe është dërguar në stacion për tu intervistuar.

Në këtë shkollë është duke u votuar që nga ora 07:00 për kryetar të komunës.

Kjo është qendra më e madhe e votimit në Komunën e Podujevës.

Një person kapet duke e fotografuar votën në Podujevë

Fehmi Zeqiri, menaxher i qendrës së votimit “Shkolla Isa Boletini” në Podujevë ka thënë se në këtë qendër është evidentuar një parregullsi.

Zeqiri tregoi se një person ka fotografuar fletëvotimin, tutje ai ka shtuar se rasti është paraqitur në polici.

Më tej, ai ka thënë se pavarësisht pandemisë, procesi i votimit është duke shkuar siç duhet dhe se po respektohen masat anti-Covid nga qytetarët.

“E patëm një rast i cili ka bërë fotografinë e fletëvotimit dhe është e ndaluar dhe rasti është paraqitur ne prezencë të policisë. Policia pastaj po merret me procedurat e mëtutjeshme. Nëse i referohemi dy orë më parë ka qenë 7% ndërsa kjo gjendje ka ndryshuar, dhe se fluksi i qytetarëve është mjaft i madh. Unë e kam listën e votuesve që i bie se janë 14 mijë qytetarë që kanë të drejtën e votimit, dhe konsiderohet si qendra më e madhe e votimit dhe më e rëndësishme është se gjithçka po shkon mirë”.

“Procesi ka ecur normalisht dhe kemi të bëjmë me një proces zgjedhor krejtësisht të rregullt. Është një proces i vështirësuar, por edhe sensibilizimi e ka bërë të veten dhe i kemi marr të gjitha masat mbrojtëse. IKShPK veç i ka njoftuar qytetarët që janë të infektuar me Covid-19 që edhe ata e kanë të drejtën e votimit”, tha Zeqiri.

(11:44) - KQZ publikon shifrat: Deri në orën 11:00, më pak votues se në vitin 2017

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka dhënë detaje për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në veri të Mitrovicës dhe në Podujevë. Në këtë të fundit, deri në orën 11:00, kanë votuar 7 mijë e 223 votues. Kurse, në veri deri në orën 11:00, kanë votuar 2 mijë e 942 votues.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se procesi zgjedhor në këto dy komuna është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur deri më tani ndonjë̈ lajmërim për parregullësi gjatë votimit.

Sipas saj, në komunën e Podujevës deri në orën 11:00 ka qenë rreth 8.27 për qind, ndërsa në komunën e Mitrovicës deri në ora 11:00, kanë votuar afër 13 për qind.

Daka: Në veri votuan 12.62% e votuesve, në Podujevë 8.27%

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.27% e votuesve apo 7 mijë e 223 votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 7 mijë e 658 votues apo 9.1%. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2 mijë e 942 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 324 votues apo 15.2%.”, ka thënë Daka.

E pyetur nga gazetarët për deklarimet se në Podujevë ka më shumë vëzhgues se sa është e paraparë, Daka ka thënë se kanë qenë disa mosmarrëveshjet në fillim, por të cilat janë rregulluar përmes KQZ-së.

Daka: Kemi marrë vendim që çdo vend-votim të ketë nga një vëzhgues nga të gjitha subjektet politike

“Ne kemi marrë vendim që çdo vend-votim të ketë nga një vëzhgues nga të gjitha subjektet politike të cilat janë në garë dhe nga OJQ-të, të cilat janë të akredituara. Ka pasur mosmarrëveshje në fillim, mirëpo këto janë rregulluar përmes KQZ-së, pra nuk kemi informata se është duke ndodhur diçka që kishte me e pengu procesin zgjedhor.”, ka thënë Daka.

Konferenca e radhës do të mbahet në ora 15:30 dhe ka të bëjë lidhur me ecurinë̈ e procesit zgjedhor deri në atë kohë, si dhe pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00. 

 

Deri në orën 11:00, në Podujevë votuan 8.27 % e votuesve, në veri të Mitrovicës 12.62 %

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në knferencën e dytë për zgjedhjet lokale në Podujevë e Mitrovicë veriore, ka njoftuar mbi procesin zgjedhor deri në orën 11:00.

Deri në këtë orë, në Podujevë kanë votuar 8.27 për qind e votuesve të përgjithshëm, ndërsa në veri të Mitrovicës kanë votuar 12.62 për qind të votuesve.

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.27% e votuesve apo 7 mijë e 223 votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 7 mijë e 658 votues apo 9.1%”, ka njoftuar Daka.

“Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2 mijë e 942 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 324 votues apo 15.2%. Konferenca e radhës është në orën 15:30 dhe ka të bëjë lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë si dhe pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00”.

Daka tha se procesi zgjedhor është duke u zhvilluar normalisht dhe se nuk ka pasur lajmërim për parregullsi gjatë votimit.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencë për media ku ka njoftuar se deri tani nuk ka pasur asnjë parregullsi në proceset zgjedhore në komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës Veriore.

Kreytarja e KQZ-së, Valdete Daka ka treguar se deri në orën 11:00, ka pasur më pak qytetarë që kanë votuar, krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017.

“Deri në këto momente, procesi zgjedhor në këto dy komuna është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur deri tani ndonjë lajmërim për ndonjë parregullsi gjatë votimit… Deri në orën 11:00, në Podujevë kanë votuar 8.27% e votuesve apo 7,223 votues. 2017. Në të njëjtën kohë të vitiit 2017, deri në orën 11:00 kishte 7.658 votues, apo 9,1%”, ka thënë Daka.

I njëjti trend e ka përcjellur edhe Mitrovicën e Veriut.

“Ndërsa në Mitrovicën e Veriut deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2,942 votues… Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar3,324 votues apo 15.2%”, ka thënë Daka. 

(11:36) - Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi iu ka bërë thirrje qytetarëve “llapjanë” të votojnë për një të ardhme më të mirë të tyre.

Image
Shpejtim Bulliqi

Pasi shfrytëzoi të drejtën e tij qytetare për votim, në shkollën “Ilir Konushevci”, fshati Llugë, Bulliqi kërkoi edhe dalje masovike të qytetarëve në zgjedhjet e sotme.

Bulliqi: E dhashë votën për të ardhmen e qytetarëve tanë

“E dhashë votën për të ardhmen e komunës sonë, për të ardhmen e qytetarëve tanë. Prej nga i ftojë gjithë qytetarët e komunës sonë që të dalin mënyrë masovike në këto zgjedhje të shfrytëzojnë të drejtën e tyre legjitime dhe sigurisht të votojnë për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve tyre”, u shpreh Bulliqi.

Të drejtën për të dalë në kutitë e votimit, Bulliqi e konsideroi si ndër ditët e pakta ku secili qytetarë është i barabartë me njëri tjetrin.

Bulliqi: Sot gjithë qytetarët janë të barabartë

“Sot është një ditë e veçantë ku të gjithë qytetarët e komunës sonë janë të barabartë. Sot janë të barabartë si burri, si gruaja. Si pasuri si i varfëri prandaj le ta shfrytëzojnë të gjithë këtë të drejtë me hapjen e këtij sistemi sepse fatkeqësisht është prej të pakta e ditë ku të gjithë ndihen të barabartë. Pesha e votës e ka barabarësinë e tyre”, tha ai.

Krahas këtyre, pretendenti për kryetar të Podujevës, kërkoi angazhim dhe korrektësi maksimale në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të sotme.

Para Bulliqit gjatë ditës kanë votuar edhe dy kundër kandidatët e tij, Nexhmi Rudari nga LDK dhe Naim Fetahu nga PDK.

Në qendrën më të madhe të votimit në veri të Mitrovicës nuk respektohet distanca

Qendra e votimit në shkollën “Sveti Sava” e cila është qendra më e madhe në Mitrovicë të veriut, si të gjitha qendrat tjera në komunë ka nisur procesin e votimit me rregull.

Megjithatë në këto ambiente është vërejtur fluks i qytetarëve të interesuar për të votuar.

Në disa raste nuk po respektohet distanca brenda vendvotimit.

Image

 

(10:52) - Prokurori i Shtetit bën të ditur se është duke përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor i cili po zhvillohet sot, për kryetarë të dy komunave, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

Në njoftimin e dërguar nga Prokurori thuhet që nga ora shtatë e mëngjesit të sotëm, janë të angazhuar prokurorë kujdestarë, të cilët do të përcjellin për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zgjedhjet lokale, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

“Prokurorët kujdestarë janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”.

“Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo shkelje që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votës”, thuhet në njoftim.

​Interesim i madh për të votuar në Podujevë, qytetarët kërkojnë ndryshime

Tashmë edhe kandidati për të parin e Mitrovicës së Veriut nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Florent Azemi ka hedhur votën e tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen në këtë komunë.

Azemi pasi që hodhi votën e tij në qendrën e votimit në lagjen e Boshnjakëve, thotë se e rëndësishme është që zgjedhjet të jenë të lira e demokratike dhe me vlera evropiane. Derisa iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.

Azemi: Me rëndësi është që ky proces të jetë demokratik dhe me vlera evropiane

“Sapo votova në pikën e lagjes së Boshnjakëve këtu ku jetoj dhe veproj. Mendoj që qytetarët duhet që qytetarët sa më shumë që është e mundur me dalë me votu dhe iu bëjë thirrje me dalë. Por çka është me rëndësi është që ky proces me qenë më i lirë dhe demokratik, procesi me pas vlera evropiane dhe me qenë demokratike dhe po besoj dhe shpresoj që ka me shku gjithçka mirë”, tha Azemi.

Ndërkohë që ai tha se procesi është duke shkuar mirë dhe gjithçka është e qetë.

Kurse i pyetur nga pritjet e këtyre zgjedhjeve, Azemi ishte i shkurtër duke thënë se do të flas pasi të dalin rezultatet.

Azemi: Procesi po rrjedh mirëpo, presim rezultatet tani flasim

“Deri tani nuk kam pas vërejtje. Procesi po rrjedh mirë. Është qetë në rregull [...]Me rëndësi është që ky proces me qenë demokratik, presim rezultatet dhe më pas flasim”, është shprehur Azemi.

Ndërkohë që në Mitrovicën e Veriut ka votuar votuar edhe kandidati i Listës Serbe, Milan Radojeviq dhe kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq.

Kurse për media është deklaruar edhe kryetari i KQZ-së në Mitrovicën e Veriut, Sllobodan Dimitroviq. Ai ka deklaruar se në këtë komunë janë marrë të gjitha masat për një mbarëvajtje të rregullt të zgjedhjeve dhe qytetarët janë duke respektuar masat ndaj COVID-19. Ai po ashtu tha se gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë. 

Voton kandidati i PDK-së për Mitrovicën e Veriut Florent Azemi

Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës për komunën e Mitrovicës së Veriut, Florent Azemi, ka votuar në “Lagjën e Boshnjakëve” të kësaj komune.

Ai ka ftuar qytetarët që sa më shumë që është e mundur të dalin dhe të votojnë.

“Me rëndësi është që ky proces me qenë i lirë dhe demokratik. Deri më tani vlerësoj se ky proces ka më shkuar mirë dhe besoj se do të shkojë kështu deri në mbyllje të votimit”, ka thënë Azemi.

Voton kandidati për kryetar, Nexhmi Rudari, kërkon nga qytetarët të respektojnë masat anti-Covid

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka kërkuar nga qytetarët të dalin sa më shumë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen në këtë komunë.

Image
Nexhmi Rudari

Pasi hodhi votën në shkollën, “Naim Frashëri”, pretendenti për të parin e Podujevës, kërkoi edhe respektim të masave anti-Covid gjatë procesit zgjedhor.

Rudari: Votoni dhe respektoni masat anti-covid

“Është një ditë e jashtëzakonshme sepse këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme në pandemi, andaj shfrytëzojë rastin të lusë qytetarët që të kryejnë obligimin e tyre qytetarë, të dalin të votojnë. Por edhe të kujdesen për veti dhe të tjerët të kalojmë bashkë edhe këtë ditw të zgjedhjeve mirë, por edhe këtë pandemi sa më shpejtë që është e mundur”, tha ai.

Komuna e Podujevës, ka mbet pa kryetar që nga muaji qershor, pasi Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Në garë për të parin e komunës, janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

Në këtë komunë janë 45 qendra të votimit me gjithsej 115 vendvotime, ku të drejt vote kanë 87,381 persona.

**

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhmi Rudari ka votuar rreth orës në shkollën “Naim Frasheri” në Podujevë.

Ai gjatë votimit ishte shoqëruar nga dy fëmijë.

“Falënderoj komisionarët dhe vëzhguesit të cilkët janë zgjuar herët për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor. Sigurisht është një ditë e jashtëzakonshme, sepse edhe situata është e jashtëzakonshme. Apeloj nga qytetarët që të kryejnë obligimin e tyre për të votuar, por të kujdesen edhe për veten, të mbajnë maskat dhe distancën”, ka thënë Rudari.

Rudari aktualisht është ushtrues detyre i Kryetarit të Podujevës, pasi Agim Veliu la postin e kryetarit për tu bërë ministër.

***

Në orën 7:00 është hapur edhe qendra e votimit në shkollën e mesme ekonomike "Isa Boletini", në komunën e Podujevës, në të cilën të drejtë vote kanë 14 mijë persona.

Drejtori i kësaj shkolle, Fehmi Zeqiri ka bërë të ditur se të gjitha materialet kanë arritur në kohë dhe qendra e votimit është hapur në orën 7:00.

Zeqiri: Qytetarët e kanë mundësinë dhe të drejtën e tyre të votojnë

"Numri i votuesve në këtë qendër është afër 14 mijë, kjo konsiderohet qendra më e madhe ose vendvototimi më i madh në komunën e Podujevës me të drejtë vote afër 14 mijë votues. Gjithsej kemi 15 vendvotime, qytetarët e kanë mundësinë dhe të drejtën e tyre të votojnë", tha ai.

Ai tha se i kanë marrë të gjitha masat anti-Covid.

Zeqiri: Gjithçka është e gatshme që procesi i votimit

"Ne në bashkëpunim me Komisionin Komunal Zgjedhor vazhdimisht gjatë tërë javës jemi marrë më aktivitete, i kemi kryer të gjitha punët përgatitore dhe gjithçka është e gatshme që procesi i votimit të shkojë mbarë dhe mirë. Shpresoj që gjithçka do të shkojë në rregull sipas planit dinamik të paraparë", tha ai.

Ndër votuesit e parë ishte Muhamet Hajdini, i cili tha se nga kryetari i ri i komunës pret të punojë më shumë në krijimin e vendeve të reja të punës.

Hajdini: Kërkojmë punësim dhe mirëqenie sociale

"Kërkojmë gjithçka, punësim, mirëqenie sociale. Deri tash jemi të zhgënjyer total", tha ai.

Ndërsa, votuesi tjetër kërkoi të respekton kërkesat e qytetarëve.

Votuesi: Le t’i respektojnë kërkesat e qytetarëve

"Ngjashëm, kurrgjë diçka ndonjë risi të madhe nuk pres... Veç le t’i respektojnë kërkesat e qytetarëve, kurrgjë më shumë", tha ai.

Në Komunën e Podujevës janë 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 Vendvotime, ndërsa në Komunën e Mitrovicës së Veriut janë 7 Qendra të Votimit me gjithsej 27 Vendvotime.

Për të parin e Podujevës në garë janë tre kandidat, ku LDK garon me kandidatin Nexhmi Rudari, LVV me Shpejtim Bulliqin dhe PDK me Naim Fetahun.

***

Me kohë dhe me gjitha përgatitjet e nevojshme ka nisur votimi edhe në gjimnazin, “Aleksandër Gjuvani” në Podujevë. Në këtë qendër votimi, interesimi i qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese ka qenë i madh. Ndërkohë janë shprehur se pritshmëritë e tyre pas zgjedhjeve janë për ndryshime. E këtë mëngjes është parë edhe respektim i masave anti-Covdi 19.

Kryesuesi i qendrës, Naim Saliu u shpreh i kënaqur me procesin e hapjes së votimit dhe respektimin e masava anti-Covid.

Saliu: Procesi ka filluar mbarë

“Procesi ka filluar mbarë, gjitha kutitë e votimit janë hapur me kohë dhe votuesit veçse kanë filluar të votojnë...për momentin nuk është lajmëruar ndonjë mungesë gjitha materialet i kemi...numri total është 3560 votues me katër vendvotime...masat janë duke respektuar besoj që mirë shpresoj që edhe gjatë ditës”, tha ai.

E qytetari Bajram Tahiri pasi e kreu obligimin e tij qytetarë, tha se po shpresojmë për ndryshime në menaxhimin e komunës së Podujevës.

Tahiri: Pritshmëritë tona janë më shumë për ndryshime

“Procesi i votimit shkojë mirë, gjithçka në rregull shpresojmë që të rregullohet diçka në komunën tonë...pritshmëritë tona janë më shumë për ndryshime. ndryshime që të bëhet më mirë, pasi nuk ka qenë mirë”, tha ai

Qytetari tjetër u shpreh më këmbëngulës në kërkim të ndryshimeve.

“Me kryë një obligim qytetarë edhe po shpresojmë për ndryshime...për asgjë sidomos në Llap “zibidi” krejt shkret as me udhëheqje as hiç nuk jemi të kënaqur, hiç”

Në zgjedhjet e sotme në komunën e Podujevës janë 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 vendvotime, ku kanë të drejtë 87 mijë e 381 persona.

Milan Radojeviq, ka votuar në njërën nga qendrat e votimit

Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Komunës në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojeviq, ka votuar në njërën nga qendrat e votimit.

Radojeviq ka votuar në orën e parë të mëngjesit, pos tij, kandidatët tjerë për kryetar komune janë edhe Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i VV -së dhe Dushan Millunoviq, kandidat i pavarur.

Komuna e Mitrovicës Veriore ka mbetur pa kryetar nga muaji qershor, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendës kryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.

Në këtë komunë janë 7 Qendra të Votimit me gjithsej 27 Vendvotime, ku të drejtë vote kanë 23 mijë e 313 qytetarë.

***

Për të monitoruar procesin zgjedhor në komunën e Podujevës janë akredituar një numër i madh i vëzhguesve, si nga ana e partive politike që marrin pjesë në proces zgjedhor, po ashtu edhe të organizatave ndërkombëtare që e monitorojnë këtë proces.

Po ashtu, si në të gjitha zgjedhjet e kaluara edhe në këtë të parakohshme që po mbahen në Podujeve dhe në Mitrovicën e Veriut, një numër i madh i vëzhguesve janë të akredituar edhe nga shoqëria civile, që më pastaj edhe bëjnë të ditur procesin preliminar të votimeve.

Sot në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Podujevës, siç po shihen edhe në foto janë duke i vëzhguar zgjedhjet një numër i madh i vëzhguesve.

Qytetarët e komunës së veriut të Mitrovicës dhe Podujevës, nën masat anit-covid, sot do të kenë të drejt të zgjedhin kryetarin e tyre, i cili do të ketë mandat deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të vitit 2021.

***

Në veri të Mitrovicës janë hapur të gjitha qendrat e votimit me kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.

Janë gjithsej 7 qendra me 27 vendvotime, ndërsa 23 mijë e 313 qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në këtë komunë pas dorëheqjes së kryetarit Goran Rakiq, për shkak të emërimit të tij zëvendëskryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.

Ndryshe, Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Vetëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur, janë në garë për mandatin e kryetarit deri në zgjedhjet e ardhshme komunale që do të mbahen vitin e ardhshëm. 

Image

***

Qytetarët e komunës së veriut të Mitrovicës dhe Podujevës, nën masat anit-covid, sot do të kenë të drejt të zgjedhin kryetarin e tyre, i cili do të ketë mandat deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të vitit 2021.

Komuna e Mitrovicës Veriore ka mbetur pa kryetar nga muaji qershor, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendës kryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Vetëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur, janë në garë për mandatin e kryetarit.

Në këtë komunë janë 7 Qendra të Votimit me gjithsej 27 Vendvotime, ku të drejt vote kanë 23,313.

Gjithashtu, edhe komuna e Podujevës, ka mbet pa kryetar që nga muaji qershor, pasi Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Në garë për të parin e komunës, janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

Në këtë komunë janë 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 Vendvotime., ku të drejt vote kanë 87,381 persona.

Hapja e vendvotimeve në veri të Mitrovicës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat