Përfundon seanca, Kryetarja e Gjykatës tregon kur merret vendimi

Aktuale

Përfundon seanca, Kryetarja e Gjykatës tregon kur merret vendimi

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 06:19
Seanca në Kushtetuese

(E plotësuar 14:52) - ​Pas rreth 5 orëve diskutimi ka përfunduar seanca dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zgjedhjes së qeverisë Hoti.

Kryetarja e gjykatës, Arta Rama-Hajrizi iu bëri të ditur palëve se mundet deri të hënën e javës së ardhshme të dorëzojnë edhe me shkrim argumentet e përmbledhura, derisa tha se vendimi për votën e deputeti Etem Arifi në lidhje me zgjedhjen e qeverisë do të merret ditëve në vijim.

Rama-Hajrizi: Gjykata Kushtetuese do të tërhiqet dhe ditët në vijim do të mblidhet për të vendosur çështjen

“E kemi shterë pyetjen edhe nga ana e gjyqtarëve, para se të shpallë të mbyllur seancën. Palët argumentet e ngritura mundet t’i dorëzojnë edhe me shkrim pranë Gjykatës deri në datën 7 dhjetor, që i bie e hëna e ardhshme...Porsa gjykata të merr vendim, siç tash është bërë praktik Gjykata Kushtetuese do të tërhiqet dhe ditët në vijim do të mblidhet për të vendosur çështjen”, tha ajo.

Kjo seancë dëgjimore ka ardhur bazë kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje ku po vlerësojnë se qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë kundër-kushtetuese.

Sipas tyre vota e deputeti tashëm të arrestuar, Etem Arifi është e pavlefshme, rrjedhimisht edhe qeveria Hoti.

14:40 Ka përfunduar seanca dëgjimore për interpretimin e ligjshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi në ditën e votimit të Qeverisë në krye me Avdullah Hotin.

Kryetarja e Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi ka njoftuar se palët kanë kohë deri me datë 7 dhjetor të përcjellin me shkrim argumentet që janë dhënë sot.

“Palët kanë mundësi që argumentet që i kanë prezantuara ti dorëzojnë edhe me shkrim pranë Gjykatës, nuk janë të obliguar por mund ta bëjnë deri me datën 7 dhjetor, këto argumente që janë adresuar sot. Ne sot e kemi pranuar një shkresë nga avokati Berisha përmes emailit ku ka dërguar një përmbledhje vetëm që të jemi të qartë, ajo është përmbledhje e argumenteve të sodit”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Gjykatës tha se në ditët në vazhdim do të merret vendimi.

“Për njoftim do të njoftohen palët dhe publiku. Tash Gjykata Kushtetuese do të tërhiqet edhe në ditët në vijim do të mblidhet në seancën për këshillim dhe votim ku do të vendos për cështjen, Palët do të informohen me kohë”, tha e njejta.

Seanca për interpretimin e kësaj vote ka filluar sot në ora 10:00.

***

Seanca dëgjimore, e Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zgjedhjes së qeverisë Hoti, po shkon drejt fundit, ku gjyqtarët e kushtetueses po bëjnë pyetje për palët në këtë seancë.

Në pyetjet e parashtruara nga gjyqtarët, përfaqësuesi i LVV-së, Blerim Sallahu iu kërkojë atyre përveç pavlefshmërisë së zgjedhjes së qeverisë Hoti, të konstatojnë se janë ezauruar gjitha procedurat dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Sallahu: Parimisht thash se procedurat e nenit 95 janë ezuruar dhe duhet të shkojmë në zgjedhje

“Parimisht thash se procedurat e nenit 95 janë ezuruar dhe duhet të shkojmë në zgjedhje. Por nëse më keni kuptuar mirë, unë thash se mbetet në vendimin e Gjykatës se mund të kthejë edhe procedurën para mandatitimti të zotëri Hoti. Kjo është çështje e vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk është pretendim i ynë parësor. Pretendimi ynë është që vendimi i kuvendit është kundër-kushtetues nuk i ka paraparë kushtet ligjore të parapara me nenin 95.3 dhe bazën e kësaj janë ezaruar gjitha procedurat e parapara në nenin 95.pika 4 dhe kësisoj rrjedhimisht duhet të shkojmë në zgjedhje”, tha ai.

Me pyetjet e gjyqtarëve dhe përgjigjet e palëve, pritet edhe të përfundojë seanca e cila ka nisur para katër orë.

13:32 ​Po vazhdon seanca dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për të sqaruar më shumë rastin, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi ka parashtruar pyetje për palët e përfshira.

Ajo ka kërkuar të dijë qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë se apo cenohet siguria juridike, përkitazi me votën e deputetit Arifi në zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Rama-Hajrizi: A konsideroni ju si parashtrues që cenohet siguria juridike dhe integriteti kushtetues i Kuvendit

“A konsideroni ju si parashtrues që cenohet siguria juridike dhe integriteti kushtetues i Kuvendit nëse përcaktuese për të vendosur nëse një deputet e ka humbur mandatin merret njoftimi i KGJK-së. Nëse Kuvendi nuk do të kërkonte informatë lidhur me dënimin e deputetit në fjalë, apo nëse KGJK-ja nuk e njofton kuvendit sipas jush a nënkupton se mandati i atij deputeti është i vlefshëm dhe është i lirë të ushtrojë detyrën e deputetit pavarësisht dënimit të shqiptuar”, pyeti ajo.

Por përfaqësuesi i LVV-së, Blerim Sallahu tha se në momentin kur deputeti Arifi është dënuar ka shkel interesin publik. E kjo sipas tij i është mbivendosur sigurisë juridike.

Sallahu: Pesha e interesit publik i mbivendoset sigurisë juridike

“Sa i përket pyetjes së parë, në momentin që kemi marrë informacion nga Osmani, për neve ka filluar prodhimi i pasojave të marrjes së mandatit të Arifit. Sa i përket sigurisë juridike, në momentin që Arifi, deputet i dënuar ushtron mandat të caktuar, shkel interesin publik. Pra pesha e interesit publik i mbivendoset sigurisë juridike të një deputeti që është i dënuar. Pra interesi i publik, dëmtimi i demokracisë këtë rast i mbi vendoset çdo interesi dhe siguri juridike. Pra ne konsiderojmë se edhe në raporti i Venecias, interesi publik, demokracia, i mbivendoset sigurisë juridike”, tha ai.

Derisa shtoi se në këtë rast kanë dështuar institucionet, pasi Kuvendi nuk ka asnjë mekanizëm që tregon cili deputet i ardhshëm ka aktgjykim dënues.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, pyeti edhe Besnik Berishën si përfaqësues të Qeverisë së Kosovës se a cenohet integriteti kushtetues dhe besueshmëria e qytetarëve mbi Kuvendin kur një deputet i dënuar me burgim efektiv voton qeverinë.

Rama-Hajrizi: Si Qeveri, a konsideroni se integriteti kushtetues dhe besueshmëria e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës cenohet

“Si Qeveri, a konsideroni se integriteti kushtetues dhe besueshmëria e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës cenohet nëse një deputet i dënuar për vepër penale me burgim efektiv zgjidhet dhe vazhdon të ushtrojë rolin e deputetit edhe në vuajtje të dënimit, që të jetë pjesë në procedurat e vendimmarrjes në Kuvend”, tha ajo.

Avokati Berisha tha se Qeveria e Kosovës mbështet vetëm sigurinë juridike dhe parimin e ligjshmërisë

Berisha: Qeveria e Kosovës mbështet vetëm sigurinë juridike dhe parimin e ligjshmërisë

“Qeveria e Kosovës mbështet sigurinë juridike, mbështet parimin e ligjshmërie, beson se vlerat kushtetuese janë të atilla dhe përfaqësojmë vlerat e së paku 45 të vendeve vendeve demokrate, e kjo është konstatuar edhe nga komisioni i Venecias....Nëse flasim për kredibilitetin e Kuvendit pajtohemi se figurat që përfaqësojnë qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm e profesionist dhe përfaqësues në ato që kanë mision, vullnetin dhe zërin qytetarë, Por përballë sigurisë juridike dhe interesit publik, ne rreshtohemi në normën kushtetuese dhe aktet që derivojnë nga ajo. Ne pranojmë se në rastin konkret, normat kushtetuese janë në favor të një deputeti që ka qenë i ligjshëm”, tha Berisha.

Rama-Hajrizi vazhdoi pyetjet edhe për Artan Muratin nga kabineti i Kuvendit të Kosovës për veprimet e tyre në rastin e mandatit të Etem Arifit.

Rama-Hajrizi: Arifi është në vuajtje të dënimin dhe thatë që ai e gëzon ende statusin e deputetit, a merr pagë ende

“Në momentin kur Kuvendi është njoftuar nga KGJK-ja, a konsideroni se ka qenë në rregull të lejohet që një deputet i dënuar të vazhdojë punën në Kuvend deri në momentin kur ka filluar të vuaj dënimin. E dyta ju thatë se jeni ende në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Çka ndërmerr Kuvendi nëqoftëse, a po duhet gjithmonë Gjykata Kushtetuese të merr vendim, çka nëse nuk vjen dikush me kontestua një mandat të deputetit të dënuar me një vendin të formës ë prerë në Gjykatë Kushtetuese. Kuvendi si institucion çka ka ndërmarrë dhe çka ndërmerr. Ju po thoni që Arifi është në vuajtje të dënimin dhe thatë që ai e gëzon ende statusin e deputetit. A merr pagë ende, sipas jush a funksion Kuvendi sot me 120 deputetë, apo 119”, tha ajo.

E këshilltari ligjor i kryeparlamentares, Osmani tha se rregullorja e Kuvendit ia pamundëson vendimmarrjen për humbjen ose jo të mandatit të një deputeti, përveç nëse mungon për 6 muaj.

Murati; Njërin e kemi në vuajtje të dënimit dhe një deputet tjetër e kemi që gjendet në proces gjyqësor jashtë vendit

“Ne deklaruam në disa raste edhe momentin e njoftimit. Ne qysh prej atij momenti në mënyrë formale ka filluar obligimi për të trajtuar rastin në fjalë. Pa informacion ne nuk kemi pas mundësi të trajtohet një çështje e tillë. Sa i përket hapave që i ndërmerr Kuvendi, unë e deklarova se lidhur me këtë rast nuk ekziston një procedurë e qartë me rregulloren e Kuvendit... kurse mund të konstatojë se nga 120 deputetë me mandat kushtetues, njërën e kemi në vuajtje të dënimit që është zotëri Arifi dhe një deputetë tjetër e kemi që gjendet në proces gjyqësor jashtë vendit dhe pjesa tjetër është me mandat të plotë”, tha ai. 

12:34 Përplasje mes LVV-së dhe Qeverisë në seancën dëgjimore të Kushtetueses

Po vazhdon me argumente dhe kundër argumente seanca dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së qeverisë Hoti.

Në raundin e dytë të diskutimeve palët polemizuan se a është kundër-kushtetuese vota e deputetit, Etem Arifi në zgjedhjen e qeverisë Hoti.

“Puna në Kuvend e tij është e pabazë. Ai s’mund të përfaqësojë elektoratin e s’mund të marrë asnjë vendim sepse është në burg. Është jashtë mandatit kushtetues. Kuvendi është informuar më 4 maj të 2020-. Atëherë Kuvendi ka filluar gjitha procedurat sepse njeri është dënuar me vendim të formës së prerë. Pasojat fillojnë kur personi juridik është vu në dijeni për këtë… Zoti Arifi në momentin që është bërë deputet ka cenuar integritetin e institucionit të Kuvendit dhe demokracisë në përgjithësi sepse demokracia s’lejon të përfaqësohet nga një deputet që tashmë është në burg. Gjykata Kushtetuese e ka mundësinë të korrektojë një gabim të pafalshëm të moskomunikimit institucional që një deputetit të tillë t’i shpallet i pavlefshëm mandati që të mos lejohet cenimi i integritetit institucional. Deputeti s’i funksion primar e ka përfaqësimin e qytetarëve. Çdo pretendim që kjo është e legjislaturës së kaluar është pabazë kushtetuese sepse Kuvendi është njoftuar në maj 2020”, ka thënë Besnik Sallahu, përfaqësues nga VV-ja.

Por, përfaqësuesi i qeverisë, Besnik Berisha tha se pretendimet e Vetëvendosjes e të tjerëve për votën e etem Arifit janë të paqëndrueshme dhe se i njëjti është deputet i certifikuar sipas ligjit.

“Kemi një deputet të certifikuar sipas ligjit, nuk është vota e parë e tij kur është votuar qeveria Hoti. Dhe nuk është vota e parë e tij kur Kuvendi është njoftuar për vendimin kundër tij. E përsërisim sërish, nuk është objekt gjykimi nëse Etem Arifi kishte apo s’kishte të drejtë për të kandiduar. Kërkesa e thotë se Arifi e ka humbur mandatin e legjislaturës së shtatë, nga një aktvendim i marrë në legjislaturën e gjashtë”, tha ai.

Ndërkaq, përfaqësuesi i kryetares së Kuvendit, Artan Murati, tha se në Kuvend nuk ka pasur praktikë të tillë, siç po ndodh me deputetin Etem Arifi.

“ U përmendën se ka pasur dy raste paraprake, më lejoni t’iu konfirmojë se një gjë e tillë nuk qëndron, deri më tash kanë qenë tre deputetë që kanë qenë të dënuar me vepër penale. Dy prej t cilëve me automatizëm janë dorëhequr dhe momentin kur ofrohet dorëheqja atëherë kjo është e mjaftueshme që kjo të veprohet tutje me marrjen e mandatit dhe zëvendësimit të tij”, tha ai.

Qeveria gjen vegëzën ligjore: Etem Arifi humbi mandatin në legjislaturën e kaluar

 

Zyra e Kryeministrit Hoti e përfaqësuar nga avokati Besnik Berisha i është kundërpërgjigjur argumenteve të Vetëvendosjes në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me votën për qeverinë të deputetit Etem Arifi.

Berisha tha se deputeti Arifi në momentin e votimit të qeverisë kishte mandat ligjor, pasi që sipas tij për të nuk ka pasur dënim plotësues.

“Nga ajo që mund të themi është se çështja e zotit Arifi se a kishte mandat ligjor, tanimë nuk është objekt, sepse pranohet se po. Ndaj tij nuk kishte dënim plotësues. Unë krijova përshtypjen që këta sot sfidojnë vendimin e gjykatës, pra vendimin plotësues që ia ndalon të drejtën për të zgjedhur. E drejta për t’u zgjedhur nuk është cënuar nga një vendim i Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.  Parashtruesi i kërkesës thotë se kandidimi i Etem Arifit ishte në kundërshtueshmëri dhe papërashtatshmëri Kushtetuese. Kjo për mua është kërkesë e re”, tha Berisha.

Madje, argumenti i Berishës është se pasojat juridike, pra humbja e mandatit të deputetit Arifi, është ekzekutuar apo konsumuar në legjislaturën e gjashtë dhe jo në këtë legjislaturë.

“E gjithë kjo periudhë kohore gjatë së cilës është zhvilluar procedurë penale është në legjislaturën e gjashtë. Për ta kuptu se kur fillojnë pasojat juridike, ato fillohen të zbatohen në plotfuqishmërinë e vendimit. Pra dita është 28 marsi i vitit 2019. Tre muaj pas kësaj, Supremja ka anuluar vendimin e formës së prerë. A kishte të drejtë ankese zoti Arifi që të bëj ankesë më 28 mars, absolutisht jo. Sërish aktgjykimi i formës së prerë ishte data 20 gusht 2019, kur zoti Arifi ka humb të drejtën e tij për ushtrimin e funksionit të deputetit. Zoti Arifi e ka humb mandatin e tij në legjislaturën e gjashtë, pra pasoja është ekzekutuar në legjislaturën e gjashtë. Asnjë gjykatë s’mund t’i shqiptojë zotit Arifi dënim pa ligj, pra s’mund të dënohet sa herë që kandidon. Norma kushtetuese është shkrirë në ditën kur aktgjykimi ka marrë vendim të formës së prerë”, ka thënë Berisha.

Gjatë kohës që Besnik Berisha fliste, ka pasur tendenca nga përfaqësuesi i Vetëvendosjes që të ndërhyjë, mirëpo kjo nuk është lejuar nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

VV kërkon nga Kushtetuesja vendim për shkuarje në zgjedhje, nuk pranon alternativë tjetër

Po vazhdon seanca në Gjykatën Kushtetuese në të cilën po diskutohet për votën e deputetit Etem Arifi, i cili ishte dënuar me burg në kohën e zgjedhjes së qeverisë Hoti, në të cilën votoi edhe ai.

Gjyqtari i Kushtetueses, Bekim Sejdiu, pyeti përfaqësusin e VV-së, Blerim Sallahu se a konsideron subjekti që ai përfaqëson se çdo votim i ndonjë vendimi nga deputeti Arifi është i kontestueshëm ligjërisht.

Mirëpo, Sallahu nuk pati përgjigje për këtë duke thënë se nuk e kanë përcjellur se në cilat seanca dhe votime ka marrë pjesë deputeti Arifi.

“Pra ne konsiderojmë që ne kemi godit një vendim të caktum që ka votuar deputeti Arifi. Nuk mund të japim përgjigje në këtë pyetje se a duhet të kontestohen të gjitha vendimet e tij, sepse nuk e kemi ditur se në cilat seanca ka marrë pjesë më herët. Për ne është e rëndësishme qeveria, sepse aty krijohet integriteti etiko-moral.   Mbi bazën e vendimit të prerë të gjykatës, ne kemi kontestuar se deputeti ka humbur mandatin”, tha ai.

Sipas tij, Kushtetuesja duhet të marrë vendim për shkuarjen në zgjedhje.

“Ezaurimi procedural nënkupton që në të dy rastet kur qeveria nuk i ka marrë 60 vota. Ose gjykata të dërgojë vendin në zgjedhje, ose të kthejë procedurën para dekretit të dhënë të presidentit të Republikës së Kosovës. Procedurat janë ezauru dhe ne duhet të shkojmë në zgjedhje, sepse as në herën e dytë nuk është arritur të merren mbi 60 deputetë”, tha ai.

(12:20) - Rama-Hajrizi pyet Qeverinë nëse konsideron se po cenohet integriteti i qytetarëve nga deputeti Arifi

Arta Rama-Hajrizi, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ka pyetur Besnik Berishën si përfaqësues të Qeverisë së Kosovës lidhur me rastin e Etem Arifi, se “si Qeveri, a konsideroni se integriteti kushtetues dhe besueshmëria e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës cenohet nëse një deputet i dënuar për vepër penale me burgim efektiv zgjidhet dhe vazhdon të ushtrojë rolin e deputetit edhe në vuajtje të dënimit, që të jetë pjesë në procedurat e vendimmarrjes në Kuvend?”.

Berisha, ka thënë se Qeveria e Kosovës mbështet sigurinë juridike.

“Qeveria e Kosovës mbështet sigurinë juridike. Përfaqësojmë vlerat e vendeve demokrate. Nëse flasim për kredibilitetin, pajtohemi se figurat që përfaqësojnë qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm e profesionist. Ne pranojmë se në rastin konkret, normat kushtetuese janë në favor të një deputeti që ka qenë i ligjshëm”, tha Berisha.

(11:54) - Këshilltari ligjor i ushtrueses së detyrës së presidentit, Artan Murati, përgjatë seancës publike të mbajtur nga Gjykata Kushtetuese ka thënë se Kuvendi i Kosovës është njoftuar vonë lidhur me jo-ligjshmërinë e supozuar të votës së deputetit nga radhët e pakicave, Etem Arifi.

Ai ka konsideruar që është e rëndësishme që të njoftohet për diçka të tillë në kohë, në mënyrë që të mos cënohet integriteti i legjislaturës.

“Siç e potencova, Kuvendi në rastin e votës Arifi, është njoftuar gati se një vit më vonë. Në momentin që informohet institucioni, duhet të kihet parasysh, për faktin se Kuvendi duhet të veprojë pas marrjes së mandatit. Është e rëndësishme një gjë e tillë, në mënyrë që të mos cënohet integriteti i tij”, ka thënë ai.

“Meqë ky rast është adresuar në Gjykatën Kushtetuese, ne kemi pritur dhe jemi në pritje të përgjigjës nga kjo gjykatë e nderuar, në mënyrë që të marrim hapa të nevojshëm, për zvëendësimin e deputetit ose jo”, ka shtuar tutje këshilltari ligjor i u.d. të presidentit. 

Avokati i VV-së: Vota e Etem Arifit është e pavlefshme, kjo qeveri konsiderohet e pazgjedhur

Avokti i LVV-së, Blerim Sallahu, ka deklaruar se vota e Etem Arifit është kundërkushtetuese dhe e pavlefshme.

Sallahu ka thënë se Gjykata Kushtetuese tani e ka detyrë primare të përfaqësojë rendin kushtetues.

“Ne sfidojmë sërish pretendimet e përfaqësuesve të qeverisë. Në momentin që Kuvendi ka ra në dijeni me dënimin e formës së prerë të zotit Arfi e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi kontestu vendimin për zgjedhjen e saj sepse vota e Etem Arifit është e pavlefshme. Cdo përfaqësim i elektoratit të tij prej burgut është në kundërshtim me kushtetutën. Gjykata Kushtetuese tani e ka detyrë primare të përfaqësojë rendin kushtetues, është pasqyrë e rendit kushtetues. Kjo qeveri konsiderohte e pazgjedhur sepse nuk ka marrë numrat e nevojshëm në Kuvend. Eshtë dëshpëruese që qeveria e Kuvendit të veprojë në bazë të vote kundë-kushtetuese”, ka thënë ai.

11:49Avokati Berisha: Vota e Arifit për votimin e Qeverisë Hoti s’ishte vota e parë e tij

Përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës, avokati Besnik Berisha, në seancën dëgjimore lidhur me ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi ka thënë se nuk ka logjikë juridike dhe mbështetje kushteuese të vendoset pro ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje për ta shpallur të pavlefshme votën e Arifit dhe rrëzimin e Qeverisë.

Bersiha ka thënë se nuk po e kupton se cilin proces po e sfidon Lëvizja Vetëvendosje.

“Kam vështirësi ta gjej në kërkessën e tyre nëse këta po e sfidojnë vendimin për certifikim e tij, si kandidat për deputet, apo po e sfidojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme të cilit iu referua zonja Daka si praktikë tashmë e konsoliduar, apo po e sfidojnë vendimin për votimin e Qeverisë Hoti… Nuk ka logjikë juridike, nuk ka mbështetje kushtetuese që dikush ta kontestojë certifikimin e tij një vit më pas”, ka thënë Berisha.

Ai ka kujtuar se vota e Arifit më 3 qershor për votimin e Qeverisë, “nuk është vota e parë e tij”.

“Është e parëndësishme se kur ai ka shkuar në burg”, ka thënë Berisha, duke shtuar se nuk po diskutohet pastërtia e deputetit. Sipas tij, çështja e certifikimit të deputetit Arifi është çështje tjetër që s’ka të bëjë me rrëzimin apo jo të Qeverisë.

(11:26) - ​Kuvendi: Jemi në pritje të Kushtetueses për marrjen e hapave në lidhje me mandatin e Arifit

Artan Murati, këshilltar ligjor i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se deri më datën 5 maj, Kuvendi nuk ka pasur asnjë informacion se deputeti Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të prerë me burgim efektiv.

Murati, i cili përfaqëson kryetaren e Kuvendit në seancën e sotme dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese kritikoi edhe gjykatat e vendit për mos informim të Kuvendit për vendime gjyqësore që kanë të bëjnë me deputetët.

Murati; Kryetarja e Kuvendit nuk ka mundur të merrë hapa në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese

“Kryetarja e Kuvendit nuk ka mundur të merr hapa në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e tij. Pra si e shihni në bazë të situatës aktuale derisa nuk ka aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e tij, përderisa nuk përmbushën 6 muaj mungesë të ushtrimit të mandatit të zotëri Arifit, kryetarja e Kuvendit nuk mund të marrë ndonjë veprim për zëvendësimin e tij. Normalisht është edhe opsioni dorëheqjes, por që nuk ka ndodhur”, tha ai.

Krahas kësaj ai paraqiti disa nga paqartësitë e Kuvendit për këtë rast.

Murati: Praktika e mosinformimit të Kuvendit nga ana e Gjykatave krijojnë paqartësi ligjore dhe kushtetuese

“Vlerësojmë se praktika e mosinformimit të Kuvendit ka ana e Gjykatave në lidhje me vendimet që kanë të bëjnë me deputetët krijojnë paqartësi ligjore dhe kushtetuese. Ato janë evidente edhe në rastin në fjalë, kur është kontestuese nëse si moment i vendimit të prerë e konteste të nenit 70 sa i përket marrjes së mandatin duhet të merret momenti kur është informuar deputeti për plotfuqishmërinë e aktgjykimit, apo momenti institucioni që ia merr mandatin”, tha ai.

***

Besnik Berisha, i autorizuar për të përfaqësuar Qeverinë e Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese për rastin e votës së deputetit Etem Arifi, e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që vota e këtij deputeti për formimin e Qeverisë Hoti, të shpallet e pavlefshme.

Sipas Berishës, çështja e dënimit të deputetit Arifi s’mund të lidhet me legjislaturën e shtatë, por me atë paraprake. Ai ka thënë në fjalën para Gjykatës Kushtetuese se koha e dënimit të ARifit nuk lidhet me legjislaturën kur deputeti votoi pro formimit të Qeverisë Hoti. Berisha ka thënë se deputeti Arifi nuk ka pasur dënim që ia mohonte të drejtën e zgjedhjes.

“Zoti Arifi e ka humbur mandatin e deputetit në legjislaturën e gjashtë. Pasojat e këtij vendimi janë ekzekutuar dhe kanë pasur fuqi në mandatin e gjashtë. Është e parëndësishme kur është njoftuar Kuvendi”, ka thënë ndër tjerash ai.

Pse KQZ e lejoi Etem Arifajn të kandidojë për deputet? Flet Valdete Daka

Kryetarja e Këshillit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, është arsyetuar lidhur me certifikimin e deputetit nga radhët e komunitetit pakicë, Etem Arifit, në seancën publike që po mbahet nga Gjykata Kushtetuese.

Daka, pasi kryetari i Legjislacionit të Kuvendit, Shkëmb Manaj, potencoi se KQZ’ja nuk i ka nxjerrë ndonjë problem lidhur me deputetin Arifi, ka sqaruar ligjërisht procedurat e certifikimit të deputetëve.

“Subjektet politike që kanë aplikuar duhet dorëzuar nga kryesuesi i partisë formularin e certifikimit të kandidatit, si dhe atë financiar. Secili e konfirmon që ai i përmbush të gjitha kriteret për ta mbajtur një post, që nuk ia ndërpret veprimtarinë atij më tej. Zyra për certifikim më 6 shtator 2019 ka marrë kërkesën e partisë së ashkalinjve për integrim, ku kandidat për deputet ishte Etem Arifi. Z. Arifi ka ofruar një formular, ku kandidati deklaron se kandidatura e tij është në përputhje të plotë me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka ngritur paralele mes votës së arifit dhe situatës së heqjes së certifikimit të 87 kandidatëve dhe asambleistëve komunalë.

“KQZ ka marrë vendim të decertifikohen 87 kandidatë dhe asambleist komunal. Pjesë e këtij vendimi ishte edhe Zafir Berisha. Vendimi i KQZ ka ardhë si rezultat se këta persona kanë pasur vepra penale. Megjithatë, Gjykata Supreme, ka vendosur ta urdhërojë KQZ’në që t’i kthehen licencat kandidatëve në fjalë, për shkak se një veprim i tillë bie në ndesh me Kushtetutën”, ka thënë Daka.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia tërheq vërejtjen deputetit të LVV-së: Përmbajuni rregullave!

Gjykata Kushtetuese po mban seancë ‘online’ me palët lidhur me ligjshmërinë e deputetit Etem Arifi, ndërsa pak minuta nga nisja e saj, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arban Abrashi ka dalë prej saj.

Kryetarja e Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi e ka ndërprerë Artan Muratin, këshilltarin e kryeparlamentares Vjosa Osmani që ishte duke argumentuar, për t’ia tërhequr vërejtjen deputetit të LVV-së, Artan Abrashi i cili e ndali përkohësisht kamerën.

“Në fillim i përmenda cilat janë rregullat dhe kërkesat e gjykatës dhe kërkova që gjatë gjithë kohës t’i mbani kamerat lëshut. E kisha lutur z. Abrashi që të kthehet në seancë si pjesmarrës dhe ta vendos videon e tij vazhdimisht. Duhet të gjithë t’u përmbahemi rregullave që i vendos gjykata”, tha kryegjykatësja.

Pas kësaj vërejtje, deputeti i LVV-së, Artan Abrashi është kthyer në seancë përmes videos.

Si përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë seancë janë deputeti Artan Abrashi dhe anëtari i këtij subjekti politik, Blerim Salla.

Në anën tjetër, Qeveria po përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha. Pos Berishës në Qeveri, LDK-ja me nuk po merr pjesë si palë në këtë proces me një përfaqësues të subjektit.

Kreu i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj po ashtu po merr pjesë në këtë seancë në cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar për legjislacion.

Nga Kuvendi i Kosovës, si përfaqësues i Zyrës së Kryeparlamentares Vjosa Osmani po merr pjesë këshilltari ligjor i saj, Artan Murati. 

11:10 Kryetarja e Gjykatës i tërheq vërejtjen Shkëmb Manajt të mos japë qëndrime si deputet i LDK-së

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi,  i ka tërhequr vërejtjen Shkëmb Manajt, anëtarit të Komisionit për Legjislacion, në seancën e Gjykatës Kushtetuese për votën e Etem Arifit.

Rama-Hajrizi i është lutur Manajt që të mos jap qëndrime prej deputeti nga pozita të cilën e përfaqëson në këtë seancë si anëtar i Komisionit për Legjislacion.

“Të lutem të japësh argumentet e tua si anëtar i këtij komisioni nëse këto që ju i thatë janë qëndrime në kuadër të pozitës që ju keni apo përfaqësoni këtu atëherë është në rregull dhe nuk ka nevoje të vazhdoni mirëpo ju lus jo të jepni qëndrime tuaja si deputet”, ka thënë kryetarja e Gjykatës.

Kujtojmë se Shkëmb Manaj është deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor fajëson KQZ-në: Nuk na kërkuan listat e personave të dënuar në zgjedhjet e fundit

Përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor, Astrit Hoti në seancën e sotme dëgjimore në Gjykatë Kushtetuese ka bërë të ditur se për zgjedhjet e gjashtë tetorit nuk kanë pasur kërkesë nga KQZ-ja që t’ia dërgojnë listën e personave të dënuar nga Gjykata, në mënyrë që të njëjtëve të iu ndalohet kandidimi në zgjedhje.

Hoti si përfaqësues i Këshillit Gjyqësor thotë se i kanë ofruar dosjet penale për këtë çështje institucioneve.

“Ne si KGJK i kemi ofruar dosjet penale për këtë çështje, si Gjykatës Kushtetuese po ashtu edhe Kuvendit”, thotë ai.

Nga KGJK-ja shtojnë se në zgjedhjet e fundit nuk iu është kërkuar që të iu përcjellin dosjet për personat e dënuar nga Gjykata.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës në bazë të kërkesës së KQZ-së gjithherë i ka thënë informacione këtij institucioni nëse kandidatët kanë dënime nga Gjykata, por në zgjedhjet e fundit nuk kemi pasur kërkesë që do t’i informonim si zgjedhjet e kaluara. KGJK ka qenë gjithherë informuese dhe gjithmonë i ka dhënë këto informata”, thotë ai.

11:05 Vetëvendosja para kushtetueses kërkon që vota e Arifit dhe zgjedhja e qeverisë Hoti të shpallen të pavlefshme

Lëvizja Vetëvendosje i ka kërkuar gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese të shpallin të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi në zgjedhjen e qeverisë Hoti. Rrjedhimisht sipas partisë së Albin Kurtit është anti-kushtetuese edhe zgjedhja e Qeverisë Hoti.

Anëtari i LVV-së, Blerim Sallahu në seancën e sotme dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese tha se deputeti Arifi ka humbur mandatin si pasojë e burgimit efektiv.

Sallahu: Qeveria nuk ka arritur të marrë 61 vota në mënyrë që të konsiderohet e zgjedhur

“Grupi parlamentar i LVV-së pretendon që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur të votohet me shumicë nga të gjitha deputetët e të Kuvendit të Kosovës. Respektivisht nuk ka arritur të marrë 61 vota në mënyrë që të konsiderohet e zgjedhur. Kjo për arsye se zotëri Etem Arifi i zgjedhur si deputetë i Kuvendit të Kosovës e ka humbur mandatin në kuptim të nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës, pasi është dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit për veprën penale me dënim prej 1 viti e 3 muaj. Rrjedhimisht përbërja e qeverisë nuk ka marrë shumicën e nevojshme të votave për zgjedhjen e saj ashtu siç është përcaktuar me Kushtetutë”, tha ai.

Sallahut të cilit iu dha fjala i pari si parashtrues i kërkesës tha se Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit në vitin 2019.

Sallahu: Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit në vitin 2019

“Pra bazuar në nenin 55, paragrafin 1 të kushtetutës së Kosovës lidhur me nenin 29, paragrafi Q zotëri Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit në vitin 2019 e ka dënuar personin në fjalë me 1.3 muaj burgim efektiv. Mos zbatimi i LZP-së nga ana e KQZ-së është papërgjegjësi totale juridike duke shkelur normat juridike përkatëse në rrethanat e kohës. Certifikimi si kandidat për deputet është bërë edhe për këto arsye, se ai ka gënjyer me qëllim se ka kandidatura e tij është në përputhje me nenin 29 të LZP-së, kjo përcakton qartë se ai duhet të jetë në përshtatshmëri me gjitha pikat e nenit 29 për t’u paraqitur si kandidat për deputetë. Për më tepër edhe në pikën 3 të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese nga ana e KQZ-së potencohet se zotëri Arifi nuk kishte informuar KQZ-në në asnjë formë të përfshirë edhe në formularin për certifikim të kandidatin se ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë para certifikimit si kandidatë për deputetë. Gjithashtu as KGJK-ja nuk e ka informuar KQZ-në për një dënim të tillë të shqiptuar nga gjykata e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, deputeti i dënuar me burgim ka humbur mandatin edhe pse është dënuar me vendim të formës së prerë para se të zgjidhet deputet.

Sallahu: Personi në fjalë është dënuar me vendim të formës së prerë para se të zgjidhet deputet

“Personi në fjalë ka humbur mandatin e deputetit edhe pse ai është dënuar me vendim të formës së prerë para se të zgjidhet deputet. E para Kuvendi nuk ka qenë i informuar deri më 4 maj 2020 për vendimin e formës së prerë nga një gjykatë për Etem Arifin. Në kuptim të rrjedhjes të pasojave juridike në fushën penale për të akuzuarin, ato kanë filluar pasi vendimi ka marrë formën e prerë. Meqenëse një vendim i tillë është mbajtur i fshehtë nga deputeti në fjalë dhe institucionet tjera relevante në kohën kur është marrë ai vendim, në kuptimin kushtetues kanë filluar porsa kuvendi është vënë në dijeni për një vendim të tillë. Pra kur ai tashmë është zgjedhur deputetë. Në këtë kuptim duhet të zbatohet neni 70 paragrafi 3 dhe 6 i Kushtetutës. Prandaj është dashur të fillojnë procedurat për zëvendësimin e tij, meqenëse GP i Lëvizjes ka dërguar rastin në Gjykatën Kushtetues edhe ka ekzistua një vendim i Gjykatës Supreme nuk ka pasur një veprim. Pas gjithë kësaj deputeti voton për qeverinë Hoti si votë përcaktuese në formimin e qeverisë edhe pse është dënuar me burgim efektiv prej 1 vjet e tre muaj”, u shpreh ai.

Seanca dëgjimore e kushtetueses është duke vazhduar

***

Ka nisur seanca publike në Gjykatë Kushtetuese ku do të diskutohet për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi në seancën ku u votua Qeveria në krye me Avdullah Hotin.

Gjashtë muaj më parë, partia që udhëhiqet nga Albin Kurti  ishte ankuar në Kushtetuese duke deklaruar se Qeveria është jolegjitime, pasi që vota e 61-të e saj është dhënë nga deputeti Etem Arifi që ishte i dënuar me vendim të Gjykatës.

Lëvizja Vetëvendosje në këtë seancë përfaqësohet nga deputeti Artan Abrashi dhe anëtari i partisë Blerim Sallahu. Qeveria nga juristi Besnik Berisha ndërkaq, zyra e kryeparlamentares nga këshilltar ligjor i Vjosa Osmanit, Artan Murati.

Në këtë seancë do të marrë pjesë edhe anëtari i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj.

***

Seanca publike ku do të diskutohet për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi ka nisur  në orën 10:00. Për shkak të pandemisë, seanca po zhvillohet online.

Palëve të përfshira do t’u jepet mundësia që shkurtimisht t’i paraqesin argumentet e tyre përmes prezantimeve.

Ato duhet të jenë të kufizuara vetëm në fakte dhe në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kërkesën. Kryetari mund t’ia kufizojë secilës palë periudhën kohore të caktuar për këtë prezantim, derisa, gjatë seancës, gjyqtarët mund t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të palëve, ose drejtpërsëdrejti cilësdo palë.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Gjykata do të tërhiqet për këshillim. Të njëjtat mbeten konfidenciale, derisa merret vendim për rastin dhe përgatitet projektvendimi i Gjykatës.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye LVV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend. 

***

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të mbajë sot seancë dëgjimore publike në të cilën do të shqyrtohet kërkesa KO95/20, që për objekt të shqyrtimit ka:

“Vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 07/V-15, të miratuar më 3 qershor 2020, përkitazi me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës”.

Për shkak të rrethanave të krijuara si rrjedhojë e pandemisë COVID-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet online nëpërmjet video konferencë apo përmes platformës Zoom.

Gjykata ka ndërmarrë të gjitha masat adekuate dhe në përputhje me udhëzimet e institucioneve shëndetësore për mbarëvajtjen e punës së gjyqtarëve gjatë seancës dëgjimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat