Lajmi i fundit: Deklarohen shtetet e QUINT-it, kanë një thirrje për KQZ-në dhe partitë politike

Aktuale

Lajmi i fundit: Deklarohen shtetet e QUINT-it, kanë një thirrje për KQZ-në dhe partitë politike

Nga: G.B Më: 25 janar 2021 Në ora: 19:12
Ilustrim

Ambasadorët e shteteve të Kuintit janë takuar sot me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku kanë shprehur përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, si dhe kanë njoftuar mbi planet e tyre të monitorimit të zgjedhjeve, përcjell Bota sot.

Përmes një komunikate për media, ata u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës t’i zbatojnë rekomandimet e bëra në raportin e Misionit Zgjedhor të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Quinti ka theksuar se KQZ duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike, derisa u kanë bërë thirrje të gjitha partive dhe kandidatëve që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës.

"Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën", thuhet ndër të tjera në komunikatë:

Deklaratë nga shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara

Më 25 janar, ambasadorët e shteteve të Kuintit takuan kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të shprehur përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, dhe për ta njoftuar mbi planet tona të monitorimit të zgjedhjeve.

Derisa pandemia ka krijuar sfida shtesë, jemi të sigurt në aftësinë e KQZ-së për të mbikëqyrur zgjedhjet. Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës t’i zbatojnë rekomandimet e bëra në raportin e Misionit Zgjedhor të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative.

I ftojmë të gjitha partitë dhe kandidatët që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës. Derisa shqyrtojnë përzgjedhjen e tyre, populli i Kosovës meriton të dëgjojë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues.

Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat