Deklarohen të pafajshëm Albulena Haxhiu, Pal Lekaj e dy ish-deputetet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Aktuale

Deklarohen të pafajshëm Albulena Haxhiu, Pal Lekaj e dy ish-deputetet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Më: 14 prill 2021 Në ora: 08:06
Pamje nga seanca

(E plotësuar - 10:09) - Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu, janë deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Pasi aktakuza është konsideruar e lexuar, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi.

Aktakuzën nuk e ka kundërshtuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se veprimet e tyre ishin politike, e kjo kriminale.

“E kuptoj aktakuzën dhe padyshim nuk e kundërshtoj si të tillë për faktin se 2015-2016 Kosova është përballur me dy projekte shumë të dhimbshme, ka qenë obligim i yni si deputet që të ndërmarrim veprime protestuese në mënyrë që zëri dhe argumentet tona politike që nuk dëgjoheshin të merren parasysh”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, qëllimi i tyre nuk ka qenë kriminal dhe se qëllimi ka qenë vetëm mbrojtja e territorit të shtetit.

“Qëllimi jonë nuk ka qenë kriminal, sepse në një proces gjyqësor është i rëndësishëm edhe qëllimi, por thjesht qëllimi jonë ka qenë të mbrojmë Kosovën nga cenimi i territorit, Sikur ne të mos i kishin ndërmarr ato veprime sot do ti kishim vuajtur pasojat e atyre projekteve. Ne kemi krenar për veprimet që i kemi përbërë dhe nuk ndjehemi aspak fajtor. Prandaj nuk ndjehem fajtor për ato verime politike por jo kriminale, deputetet sa herë të përballen me situata të tilla që uroj të mos përballen, janë aty për të mbrojtur territorin e vendit”, ka thënë e akuzuara Haxhiu.

Se veprimet e tij kanë qenë politike ka deklaruar edhe deputeti Pal Lekaj.

“Sa i përket veprimit tonë ka qenë veprim politik, i domosdoshëm sepse puna e deputetit dhe betimit i tij është për të mbrojtur territorin e Republikës së Kosovës dhe shtetin, prandaj veprimet e mija kanë qenë politike  dhe nuk ndihem fajtor për veprimet”, ka thënë Pal Lekaj.

Fajësinë në këtë rast nuk e ka pranuar as ish-deputetja Kadaj-Bujupi, raporton “Betimi për Drejtësi.

“Të gjitha veprimet e mija kanë qenë publike për bindje dhe qëllime politike, pra ky ka qenë motivi asnjëherë nuk e kam mohuar veprimin, kanë qenë veprime të përsëritura në sallën e Kuvendit në kuadër të mandatit të Deputetes. Për të gjitha veprimet e mia të cilat nuk i mohoj, nuk ndjehem fajtore”, ka deklaruar ish-deputetja Kadaj-Bujupi.

E pafajshme është deklaruar edhe ish-deputetja Baftiu, duke thënë se kanë bërë veprime publike.

“E ndjej veten të pafajshme duke pasur parasysh se ato kanë qenë veprime politike, ne kemi bërë veprime publike, prandaj veten e ndjej të pafajshëm pasi e përsëris se kanë qenë veprime politike”, ka deklaruar Baftiu.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku, njoftoi të akuzuarit se kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Por, pasi të akuzuarit kanë deklaruar se heqin dorë nga shqyrtimi i dytë dhe të vazhdojnë me shqyrtim gjyqësor, seanca e radhës pritet të mbahet me 18 maj 2021, ora 13:15.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishte prokurori Ilaz Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi.

Fillimisht, gjykatëse e këtij rasti ka qenë gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica, por pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departament të Përgjithshëm, ky rast do të gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.

Ndryshe, për këtë rast gjashtë seanca ishin shtyrë, si ajo e 10 dhe 30 korrik, 2 dhe 15 shtator 2020, si dhe 16 mars e 1 prill 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.

​Haxhiu, Lekaj, Kadaj-Bujupi dhe Baftiu dalin para drejtësisë

Ministrja Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet, Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, do të dalin sot para drejtësisë për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Në aktakuzën e ngritur me 8 prill 2016 thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

E gjithë kjo ka të bëjë me kohën kur partitë opozitare në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërkohë që për gjashtë herë ka dështuar që të mbahet seanca rreth këtij rasti. Seanca e gjashtë e mbajtur me 1 prill dështoi meqë të akuzuarit deklaruan se nuk janë të pajisur më provat në shkresat e lëndës.

Kujtojmë që gjykatëse e këtij rasti ka qenë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, por pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departament të Përgjithshëm, ky rast tani do të gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat