Prokuroria Speciale kërkon dënimin e të akuzuarit për pjesëmarrje në grupe terroriste, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Aktuale

Prokuroria Speciale kërkon dënimin e të akuzuarit për pjesëmarrje në grupe terroriste, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Më: 21 prill 2021 Në ora: 16:38
Seanca

Të mërkurën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarit për kryerjen e veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, Nuredin Sylejmani.

Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu, deklaroi se gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë, e se nga provat e administruara do të vërtetohet qëllimi dhe dashja e të akuzuarit Sylejmani, për të qenë pjesë e organizatës terroriste “ISIS”.

Prokurorja Fejzullahu i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin Sylejmani ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, avokati Asdren Bytyqi i ka propozuar gjykatës që në mungesë të provave, ndaj të mbrojturit të tij–të akuzuarit Sylejmani, të merret aktgjykim lirues.

Në fjalën përfundimtare, avokati Bytyqi deklaroi se disa nga provat e propozuara janë administruar kundërligjshëm nga gjykata, duke përmendur deklaratën e të bashkëpandehurit në këtë rast, Hamza Hyseni, si dhe disa fotografi për të cilat tha se nuk dihet kur dhe ku janë bërë.

Pas dëgjimit të tyre, shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet më 22 prill 2021, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 gusht 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Nuredin Sylejmani akuzohet se me qëllim të bashkëngjitjes në organizata terroriste, në mars të vitit 2013, me dashje dhe vetëdije të plotë ishte larguar nga Kosova për në Stamboll të Turqisë, bashkë me të dyshuarin Hamza Hyseni, i cili gjendet në arrati si dhe disa persona tjerë.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kishin shkuar në qytetin Idlib në Siri ku ishin takuar edhe me shqiptarë të tjerë dhe të gjithë kishin filluar ushtrimet ushtarake, me qëllim që të kthehen në luftime në kuadër të organizatës terroriste “Al Nusra” e cila më vonë, siç theksohet në aktakuzë, ishte njohur si “ISIS” dhe e cila ishte shpallur organizatë terroriste nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23 mars 2013 i akuzuari ishte kthyer në Kosovë, ndërsa të gjitha shpenzimet e udhëtimi për vete dhe për të tjerët i kishte mbuluar vet i akuzuari.

Me këtë, PSRK e ngarkon Sylejmanin se ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat