Albin Kurti publikon fjalimin e plotë nga mbledhja sotme ku u votua Programi i Qeverisë

Aktuale

Albin Kurti publikon fjalimin e plotë nga mbledhja sotme ku u votua Programi i Qeverisë

Nga: N. H Më: 7 maj 2021 Në ora: 20:27
Albin Kurti

Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës ku janë marrë disa vendime. Në këtë mbledhje, është miratuar Programi i Qeverisë për vitet 2021-2025.

E, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në këto momente ka publikuar fjalim e tij të plotë, nga mbledhja ku u votua Programi i Qeverisë.

Kurti mes tjerash ka thënë se këto prioritete do të zbatohen brenda kufijve buxhetorë, ku si rrjedhojë Programi do të rishikohet çdo fillimvit financiar përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve.

Ja shkrimi i Kurtit:

Fjala ime në mbledhjen e sotme kur votuam Programin e Qeverisë

I nderuar Zëvendëskryeministër Bislimi,

E nderuara Zëvendëskryeministre Gërvalla,

E nderuara Zëvendëskryeministre Rexhepi,

Të nderuar Ministria,

Gjatë muajit prill kemi punuar bashkërisht për të identifikuar dhe qartësuar prioritetet për mandatin qeverisës.

Programi i Qeverisë është dokumenti themelor, me të cilin Qeveria komunikon vizionin e saj para qytetarëve të Republikës së Kosovës, për qeverisjen gjatë mandatit të saj.

Programi i Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse edhe prioritetet themelore dhe iniciativat që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend, në të gjitha fushat.

Qeveria synon të fokusohet në dy prioritete më urgjente:

1. menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke synuar që të minimizohen pasojat në shëndetin publik, dhe

2. lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror.

Menaxhimi i pandemisë është duke u bërë në shumë fronte, megjithatë me prioritet për Qeverinë tonë mbetet sigurimi sa më i shpejtë i vaksinave. Jemi duke punuar dhe tashmë janë konfirmuar një numër solid i tyre. Shumë shpejt do të sigurojmë edhe doza të tjera të vaksinave, në mënyrë që deri në fund të vitit të sigurojmë imunizimin e 60% të popullatës.

Rikthimi i ekonomisë në gjendje normale është sfida tjetër me të cilën po përballemi. Masat që do të ndërmarrim do të mbështesin personat që kanë humbur vendet e punës, të punësuarit për herë të parë dhe bizneset.

Daljen nga pandemia e shohim si mundësi për të ri-orientuar ekonominë drejt prodhimit e eksportit, drejt rritjes së punësimit të dinjitetshëm për të gjithë, si dhe drejt një zhvillimi të qëndrueshëm që mbron ambientin edhe për gjeneratat e ardhshme.

Zotimet tona për krijimin e Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran, do t’i realizojmë deri në fund të mandatit, kurse vitin e ardhshëm do të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit, i cili e dimë se është viti i parë i Qeverisë sonë, me buxhetim sipas programit tonë.

Po ashtu, Programi i Qeverisë pasqyron, orientimet e përgjithshme të Qeverisë, sa i përket agjendës së integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Ne do të aplikojmë me kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Si prioritet kryesor yni për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit, është luftimi i krimit dhe korrupsionit, transformimi ekonomik dhe social i vendit nëpërmjet një qeverisje që synon përfshirjen sociale dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët i kanë dhënë mbështetjen maksimale orientimit tonë që vë në krye të qeverisjes sonë: drejtësinë dhe punësimin.

Po paraqes disa prej premtimeve dhe përmbajtjes kryesore të Programit tonë:

- Do të ndërmarrim vetting në drejtësi e prokurori dhe pozitat e larta në polici dhe inteligjencë.

- Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojmë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore.

- Do të rishikojmë skemat e asistencës dhe do të reformojmë sistemin pensional.

- Do të sigurojmë shtesa për fëmijët, punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe rimbursim për familjet e varfëra.

- Do të ndërtojmë 160 çerdhe të reja për fëmijë anembanë Kosovës.

- Do të mundësojmë banim të përballueshëm social për 4 mijë familje me skemat 120x120 dhe 150x150.

- Përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe ngritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi që ata që kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit.

- Do ta përmbyllim zhvillimin e sistemit informativ shëndetësor dhe do të fillojmë rritjen e fondit të sigurimeve shëndetësore.

- Deri në fund të mandatit do ta përmbyllim reformën e administratës publike.

- Do të zbatojmë diversifikimin e burimeve të energjisë, asetet strategjike do t’i mbështesim, ndërsa “Trepçën” do ta bëjmë ndërmarrje fitimprurëse.

-Do t’i trajtojmë me prioritet mbrojtjen e resurseve natyrore dhe të mjedisit, si edhe efiçiencën e energjisë.

-Deri në fund të mandatit do të angazhohemi për qasje në ujë të pijshëm gjithandej. Po ashtu, të zgjidhet problemi me ujëra të zeza në Kosovë.

- Në infrastrukturë do të mundësojmë finalizimin e lidhjeve kyçe, dhe ndërtimin e aksit Prizren-Tetovë.

- Do ta ndërtojmë Parkun Tekno-Industrial më të madhin në rajon.

- Reforma e arsimit do të trajtohet me prioritet, nga arsimi parashkollor, duke synuar që deri në fund të mandatit të fillojë zbatimit i sistemit dual të edukimit;

- Zhvillimi bujqësor i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke mbështetur fermerët, do të jetë prioritet me qëllim të rritjes së produktivitetit dhe zhvillimit rural. Do ta transformojmë rrënjësisht sektorin duke eliminuar keqpërdorimet dhe duke ndërtuar ekonomi të qëndrueshme dhe siguri në ushqim.

- Pjesë integrale e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik janë edhe mërgata jonë. Përmes krijimit të instrumenteve për investim, do të sigurohemi që kapitali i mërgatës sonë do të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Prandaj duke filluar nga ky vit, do të emetohen bono thesari të dedikuara vetëm për mërgatën.

- Siguria dhe shëndeti në punë, do të trajtohet me prioritet - deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës.

- Do t’u mundësojmë autonomi për investime kapitale komunave nëpërmjet Grantit të Katërt, ku do të vendosen kriteret profesionale të cilat i mundësojnë komunave të konkurrojnë me idetë dhe projektet e tyre për zhvillim të gjithanshëm.

- Do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi në Kartën e Adriatikut.

- Do të bëjmë dialog parimor, të përgatitur e të barabartë me Serbinë me marrëveshje të njohjes së ndërsjellë.

- Do të afrohemi dhe bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë.

- Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në GJND.

- Do të jemi të aftë për mbrojtje e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe do të bëjmë mbikëqyrje demokratike e civile e FSK-së.

- Do të punojmë me përgjegjësi institucionale, llogaridhënie të vazhdueshme, kompetencë profesionale, ndershmëri qytetare, transparencë radikale, disiplinë organizative, si disa nga vlerat e qeverisjes sonë.

- Do të zhvillojmë prioritetet për zhvillim gjithëpërfshirës nëpërmjet Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, e cila pritet të miratohet deri në fund të vitit dhe do të përfshijë adresimin e sfidave në të gjithë sektorët e politikave publike.

Këto prioritete do të zbatohen brenda kufijve buxhetorë, ku si rrjedhojë Programi do të rishikohet çdo fillimvit financiar përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, për t’u përditësuar me sfidat dhe mundësitë e reja brenda koordinatave të politikave qeverisëse.

Falënderoj zëvendëskryeministrat, ministrat dhe ekipet e tyre, si dhe Zyrën per Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit, që kanë punuar në këtë Program parreshtur këto javët e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat