​Deputetët kërkojnë nga drejtori i AKI-së informacione për incidentin me alpinistët në veri dhe “non-paperin”

Aktuale

​Deputetët kërkojnë nga drejtori i AKI-së informacione për incidentin me alpinistët në veri dhe “non-paperin”

Më: 12 maj 2021 Në ora: 10:14
Foto nga takimi

(E plotësuar 12:21) - Deputetët kërkojnë nga drejtori i AKI-së informacione për incidentin me alpinistët në veri dhe “non-paperin”

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti ka zhvilluar një takim njoftues me deputetët e Komisionit për mbikëqyrjen e agjencisë që ky i fundit e drejton, ku është pyetur për incidentin me alpinistët në veri dhe për dokumentin e publikuar më parë të njohur si ‘non-paper’.

Takimi është mbajtur i mbyllur për media, teksa pas përfundimit të tij kryetarja e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi ka pasur edhe pyetje nga deputetët.

Image

Musliu në një konferencë për media tha se dy nga çështjet për të cilat deputetët kanë treguar interesim ishin incidenti me alpinistët në veri të Mitrovicës dhe “non-paper”, dokumentin e publikuar nga mediat më parë, si nismë e Francës dhe Gjermanisë për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale.

Lidhur me këtë, Musliu tha se nga drejtori i AKI-së u është bërë e ditur se të dy këto çështje kanë vëmendjen e duhur të kësaj agjencie.

Musliu: Ishte takim njoftues, por parashtruam edhe pyetjet tona

“Më shumë ishte takim i karakterit njoftues por gjithsesi pati edhe pyetje të cilat i parashtruan deputetët dhe unë si kryetare e komisionit. Ndoshta vlen të ceket që dy nga pyetjet e parashtruara ishin incidenti që ndodhi me alpinistët në veri të Mitrovicës dhe po ashtu e pyetëm se a ka njohuri rreth një sekreti publik që tashmë jo vetëm që është diskutu në qarqet e politikës të brendshme, por edhe në qarqet ndërkombëtare, për non-paper-s që janë diskutu mjaft dhe lamë takim të radhës pas disa ditësh. Kështu që po besoj se e kemi fillu mbarë”, tha ajo teksa uroi që të kenë bashkëpunim të mirë me drejtorin e AKI-së.

Ajo bëri të ditur se javën e ardhshme do të ftojnë në takim kryeinspektorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, për të pasur një pasqyrë të qartë të agjencisë për të parë mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Sipas saj, komisioni do të merret edhe me çështjen e plotësim-ndryshmit të ligjit të AKI-së.

Musliu: Kemi nevojë për plotësim-ndryshimin e ligji të AKI-së.

“Jemi në diskutim e sipër që kemi nevojë për plotësim-ndryshimin e ligji të AKI-së. Do të shohim tash se a është në agjendën qeverisëse, tash veç e kemi programin qeverisës. Nëse aty nuk ka diçka të marrim iniciativë brenda komisionit, por besoj që si komision ka një funksionim të mirë dhe koordinim të plotë”, shtoi ajo.

Petrit Ajeti është emëruar drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë më 15 prill.

​Fillon takimi njoftues i deputetëve me drejtorin e AKI-së

Ka filluar takimi i komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë me drejtorin e këtij institucioni, Petrit Ajetin.

Takimi i deputetëve të Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së dhe drejtorit Ajeti do të mbahet pa praninë e mediave.

Por pas përfundimit të takimit, kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu do të mbajnë konferencë për media.

Në këtë takim po marrin pjesë deputetët e tjerë Bekë Berisha, Ventenis Lahu, Dimal Basha, Salih Zyba dhe Luan Aliu.

***

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti ka arritur në Komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së, ku pritet të zhvillojë një takim njoftues me deputetët e këtij komisioni.

Deri tash në sallën e takimit ndodhet Ajeti, deputetetja Ganimete Musliu dhe deputeti Dimal Basha, derisa kanë filluar të vijnë edhe deputetët e tjerë.

Takimi do të jetë i mbyllur për media.

Ndërsa në fund pritet të ketë konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat