Deliu-Kodra: Vendimi i Kurtit, antikushtetues

Aktuale

Deliu-Kodra: Vendimi i Kurtit, antikushtetues

Më: 14 maj 2021 Në ora: 17:18
Blerta Deliu-Kodra

Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e energjisë elektrike për komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se ky vendim është antikushtetues për shkak të trajtimit të pabarabartë të qytetarëve të Kosovës para ligjit.

Deliu-Kodra tutje tha se ky vendim i cili u përkrah nga deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe e dëmton buxhetin e Kosovës.

“Në emër të deputetëve të PDK-së unë sapo dorëzova në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës. Ky vendim i mbështetur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës duke marr kështu në mënyrë të kundër kushtetuese taksat e qytetarëve për të paguar energjinë e shpenzuar nga qytetarët dhe bizneset në veri të Kosovës. Kjo përbën shkelje kushtetuese për shkak të trajtimit të pabarabartë të qytetarëve para ligjit. Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet duhet të jenë të barabarta dhe të zbatueshëm sikur për qytetarët e jugut ashtu edhe për qytetarët e pjesës së veriut. Presim që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë në merita këtë rast dhe brenda afatit ligjor t'i japë të drejtë kësaj kërkese për ta shfuqizuar vendimin e Kuvendit…ne konsiderojmë që është shkelur Kushtetuta prandaj kërkesa jonë ka të bërë vetëm për trajtimin e barabartë të qytetarëve të Kosovës si të atyre në pjesë veriore edhe në atë jugore. Prandaj, konsiderojmë që një vendim i tillë natyrisht cenon qytetarët e Kosovës duke i kushtëzuar ata që të paguajnë edhe për këtë pjesë në veri", theksoi ajo.

Deputetja e PDK-së ka rikujtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti brenda një viti ka ndarë 21 milionë euro për pagesën e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës, pasi edhe në qeverinë Kurti 1 ishin ndarë 10 milionë euro për këtë çështje.

Sipas Deliu-Kodrës këto mjete do ishte më mirë të shfrytëzoheshin për blerjen e vaksinave anti-COVID.

Deliu-Kodra: Kurti brenda 1 viti ndau 21 milionë euro për pagesën e energjisë elektrike në veri

“Pra, brenda një periudhe 1 vjeçare qeveria e Albin Kurtit i ndau 21 milionë euro për energjinë e shpenzuar në veri të vendit nga qytetarët dhe nga bizneset atje. Këto 21 milionë euro, mes këtyre Qeveria e Kosovës ka mundur të blejë vaksinat anti-COVID për qytetarët e Kosovës, ju vetëm sot i keni parë turmat e të moshuarve për të tentuar të vaksinohen është totalisht e papranueshme që këto mjete të mos destinohen për vaksinat anti-COVID por këto 21 milionë euro të shkojnë për pagesën e energjisë në veri”, theksoi ajo.

Në fillim të këtij muaji Kuvendi i Kosovës me 61 vota për kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësin për pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore.

Sipas këtij vendimi, për këto komuna në veri të Kosovës u është ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës. Pas këtij vendimi, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat