Zëdhënësi i MSH-së sqaron tollovinë te “1 Tetori”, thotë se sot u shënua rekord i të vaksinuarve

Aktuale

Zëdhënësi i MSH-së sqaron tollovinë te “1 Tetori”, thotë se sot u shënua rekord i të vaksinuarve

Më: 15 maj 2021 Në ora: 00:33
Faik Hoti

Sot gjatë ditës është krijuar tollovi para Sallës “1 Tetori” në Prishtinë ku një numër shumë i madh i personave të moshës mbi 65 vjeçare kanë shkuar për t’u vaksinuar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se një nga arsyet pse është krijuar krejt ajo hallakamë ka qenë që aty kanë shkuar edhe qytetarë të komunave të tjera, pos Prishtinës, për t’u vaksinuar – ani pse, sipas tij, iu ishte sqaruar se duhet të vaksinohen në komunat respektive.

“E dini që nga e mërkura MSH në zbatim të planit shtetëror për vaksinim kundër COVID-19 ka filluar një fazë tjetër të vaksinimit duke zbritur grupmoshën e kategorisë që tani përfshihen në procesin e vaksinimit – nga mosha 65 deri në moshën 75 vjeçare. Ky është një grupacion shumë më i madh dhe qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë që procesin e vaksinimit ta shtrijë dhe t’i japë një dinamikë të shtuar duke përfshirë sa më shumë qytetarë të Kosovës me qëllim të arritjes së imunitetit aktiv. Kjo ka qenë arsyeja që sot ka pasë numër shumë më të madh të qytetarëve dhe natyrisht një numër i atyre që i janë drejtuar Sallës “1 Tetori” për vaksinim nuk kanë qenë të gjithë nga Prishtina përkundër paralajmërimit që ministria kishte bërë që nga dita e sotme secili do të vaksinohet në qendrën e vaksinimit në komunën e tij respektive. Pas një situate të krijuar më vonë situate është stabilizuar dhe procesi ka rrjedhur normalisht”.

Ai ka thënë se pavarësisht kësaj ngjarje sot ka qenë dita me numrin më të madh të të vaksinuarve prej kur ka nisur procesi i vaksinimit.

“Numri i atyre që sot janë vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19 ka qenë shumë më i lartë se ditëve të kaluara. Deri në ora 17:00 janë vaksinuar mbi 3100 qytetarë përfshirë Sallën “1 Tetori” dhe qendrat e vaksinimit në komuna, por meqë procesi ka vijuar deri në mbrëmje mund të themi që ka qenë dita me numrin më të madh të vaksinuarve që prej fillimit të këtij procesi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat