“Po na rren në sy”, “është gabim”, përplasje në Kuvend - përfundon seanca

Aktuale

“Po na rren në sy”, “është gabim”, përplasje në Kuvend - përfundon seanca

Më: 17 maj 2021 Në ora: 07:45

(E plotësuar 19:40)  - Seanca mbi programin qeverisës vazhdon të mërkurën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të rikthehen serish në ulëset e tyre të mërkurën nga ora 11:00, për të vazhduar debatin mbi programin katërvjeçar qeverisës.

Kjo pasi opozita dhe pozita u morën sot vesh për ndërprerjen e debatit mbi programin e Qeverisë Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se vazhdimi i seancës së sotme do të bëhet ditën e mërkurë.

“Pas arritjes së konsensusit mes pozitës dhe opozitës, vazhdimi i seancës do të bëhet të mekurën, në orën 11:00”, ka thënë Konjufca.

Ndryshe, debati i sotëm mbi programin e Qeverisë Kurti 2 ka kaluar me përplasje të shumta ndërmjet pozitës dhe opozitës.

***

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë përplasur sot në Kuvend mbi çështjen e vaksinimit kundërCOVID-19.

Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për neglizhencë të treguar për sigurimin e numrit të vaksinave për qytetarët dhe procesin e vaksinimit.

Ai tha se programi i Qeverisë Kurti është i paqartë sidomos në sektorin shëndetësor, pasi nuk ofron plan konkret për menaxhimin e pandemisë dhe vaksinimin e popullsisë.

Zemaj: Nuk ka plan sa persona do të vaksinohen

“Në program përmendet se Kosova do të bëjë vaksinim 60 për qind i popullatës deri në fund të vitit, por nuk ka plane konkrete sa persona do të vaksinohen, se sa doza të vaksinave janë siguruar dhe kur dhe si do të vaksinohen në tërësi. Nëse gjatë kësaj periudhe dhe janë vaksinuar 500 persona, nëse kjo vazhdon, për një vit do të vaksinohen 180 mijë veta me dy doza, për 60 për qind të vaksinimit të popullsisë do të duhej të kalojnë pesë vjet që do të ishte fatkeqësia më e madhe”, ka thënë deputeti Zemaj.

Ndaj deklarimeve të Zemajt, ka reaguar ministri i Shëndetësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, tha se fajtor për vonesa për sigurimin e vaksinave është qeveria e kaluar.

Vitia: Deri në fund të vitit do vaksinimi do të mbulojë 60% të qytetarëve

“Qeveria e Kosovës e ka themeluar komisionin për negocimin e blerjes së vaksinave më 7 dhjetor 2020, në kohën kur Republika e Shqipërisë dhe fqinji ynë verior kanë filluar t’i marrin këto vaksina. Tani secili prodhues i vaksinave natyrisht prodhon aq sa ka kërkesa dhe duke qenë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar komisionin për negocim më datën 7 dhjetor dhe komitetin për vaksinim më 25 dhjetor të vitit 2020 natyrisht se jemi vonuar, mirëpo unë u garantoj që këto vonesa disa mujore deri më 23 mars kanë shtuar dinamikën dhe për 50 e sa ditë të qeverisë Kurti 2 është bërë më shumë sesa për 5 muaj e më shumë të qeverisë paraprake. Në anën tjetër, hap i domosdoshëm dhe urgjent aktualisht është sigurimi i vaksinës dhe procesi i vaksinimit do të mbulojë 60% të qytetarëve ashtu siç kemi thënë deri në fund të vitit 2021, paralelisht do të vijohet testimi dhe gjurmimi, promovimi dhe menaxhimi pandemisë, respektimi i masave parandaluese, fuqizimi i kapaciteteve monitoruese” ka thënë ministri Vitia.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sot për të diskutuar rreth programit qeverisës katërvjeçar të prezantuar nga kryeministri Albin Kurti.

Çështjet e drejtësisë përplasin opozitën me pushtetin

Rishikimi funksional, Gjykata Komerciale e proceset e tjera që udhëhiqen nga Ministria e Drejtësisë, i kanë përplasur me fjalë sot ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe ish-ministrin e Abelard Tahiri.

Haxhiu ka thënë se PDK në qeverisje nuk e ka pasur qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndërsa ish-ministri i Drejtësisë nga PDK ka deklaruar se Haxhiu po i shtyn tutje punët e nisura nga PDK sa ishte në qeveri derisa nuk po sjell asgjë të re.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në seancën e sotme të Kuvendit, ku është prezantuar program qeverisës, ka thënë se Qeveria Kurti 2 do të votojë projektligjin për Gjykatën Komerciale.

Haxhiu: Qeveria Kurti 1 e ka votuar koncept-dokumentin për Gjykatën Komerciale

“Sa i përket Gjykatës Komerciale nuk është korrekte me thënë të pa vërteta në Kuvendin e Kosovës, pse sepse koncept dokumentin për gjykatën Komerciale e ka votuar Qeveria Kurti 1, projektligjin për Gjykatën Komerciale do ta votojë Qeveria Kurti 2, rrjedhimisht nuk e a ka qenë ideja jote gjykata Komerciale a jo si emërtim, unë kam pyetur për këtë dhe me kanë thënë që është Oda Amerikane, sikur më kishin thënë në Ministri të Drejtësisë që Abelard Tahiri besomë që e kisha ndryshuar, ia kisha bë ndoshta Gjykata për Çështje Ekonomike, prandaj nuk është e vërtetë me thënë gjëra të cilat nuk qëndrojnë, unë të ftoj për bashkëpunim”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ish-ministër i Drejtësisë, ka thënë se Gjykata Komerciale ka dalë prej rishikimit funksional dhe punës së mirë që ka bërë PDK me partnerë sa ishte në qeveri. Tahiri ka thënë se emërtimin e saj e ka bërë ai, ndërkohë sipas tij, puna është kryer në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

Tahiri: Investimet për rishikimin funksional janë bërë në kohën time si ministër i Drejtësisë

“Ti nuk ke thënë që e amendamentoj ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, por do ta hartojmë ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, ekziston more, amandamentimi është tjetër, ndryshimi tjetër, hartimi dhe ndërtimi i një baze të re është tjetër, kanë dallime si nata me ditë, rishikimi funksional, do te thotë është marre prej teje me të pa partnerët tanë që bashkëpunojmë me Ministrinë e Drejtësisë mos me thënë, që nuk është bërë prej meje sepse gjithë ai investim që është bërë, 13 milionë dollarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi 2 milionë euro nga Zyra e Bashkimit Evropian janë bërë për rishikimin funksional, në kohën time, prandaj nuk po mundem me të kuptuar qysh po mundesh të flasësh të pavërteta në raport me ata që i kemi partnerë”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, Gjykata Komerciale e rishikimi funksional janë procese që janë udhëhequr nga ai sa ishte ministër i Drejtësisë.

Ndërsa Haxhiu ka deklaruar se PDK nuk ka qenë e interesuar të luftojë krimin dhe korrupsionin sa ishte në pushtet.

Haxhiu: Qeverisja e PDK-së nuk ka qenë e interesuar të luftoi korrupsionin

“Pikërisht nga kjo foltore Tahiri theksonte se sa është e rëndësishme nisma e Ministrisë së Drejtësisë në atë kohë për zgjerimin e kompetencave për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale. A e di, Tahiri sa herë është zbatuar ai ligji yt i famshëm, një herë, a po të duket që është fikas, a je bind që e ka pas gabim, sepse ti dhe qeveria e asaj kohe nuk keni qenë të interesuar të luftoni krimin dhe korrupsionin. Sa i përket rishikimit funksional veç në një pikë ke pas fuqi, që e ke heq byronë e hetimeve për korrupsionin e lartë, vetëm këtu ke ndikuar, pjesa tjetër ka qenë e ekspertëve, Abelard!”, ka thënë Haxhiu.

Lidhur me këtë, pati një reagim ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Tahiri: Projekti i Byrosë Kombëtare të hetimit ka qenë projekt i PDK-së

“Sa i përket çështjes së Byrosë Kombëtare të hetimit, ky ka qenë projekt pikërisht i Partisë Demokratike dhe të dilet të gënjehet sot se keni tërheq prej rishikimit funksional është një rrenë shumë e madhe, dhe prej një zonje prej një ministre të Drejtësisë nuk pritet të ketë rrena të tilla. Dhe në fund a po e shihni, krejt po sillen rreth agjendës sime, rreth agjendës që e kam lënë, gjithçka është rreth agjendës sime, jo po kjo nuk ka qenë mirë e këtë po e ndryshojmë pak, por mirë po kjo është agjendë e imja, por ti çka po sjell të re përveç agjendës sime rishikimit funksional, Gjykatës Komerciale ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, çka po bien të re, sjell diçka të re është e rëndësishme”, ka thënë ai.

E në krejt këtë diskutim për çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi foli rreth mënyrës së deklarimit të Haxhiut.

Gashi: Albulena që dikur bërtiste, e paska kuptuar që paska institucione të besueshme në Kosovë

“Sistemi nuk qenka aq i korruptuar, paska zyre që çka do që thonë po u dashka të pranohen ashtu, pa diskutim e pa dyshim, pra paska institucione në Kosovë të besueshme, për të cilat më kujtohet në këtë Kuvend se sa bërtitke e nuk linte gjë pa thënë”, ka thënë Gashi.

E lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Konufca-Gashit: Kujdes fjalorin me zonjat!

“Kujdes fjalorin sidomos me zonjat se zonja Haxhiu nuk ka bërtitur në këtë Kuvend, por zakonisht ka diskutuar”, ka thënë Konjufca.

Deputeti Gashi ka vazhduar duke thënë se argumenti duhet të jetë më i fortë se toni.

Gashi: Nuk e kuptoj pse ministrja e Drejtësisë po flet me zë të lartë

“Nuk e para për gratë në përgjithësi dhe meqenëse zonja Haxhiu tha se ka qenë në opozitë dhe nga pushteti i saj i opozitës iu ka dashur të bëjë ashtu, unë kërkoj falje dhe e tërheq atë fjalë, por nuk po e kuptoj pse sot po e përsërit të njëjtin veprim, të folurit me zë të lartë, pra në këtë rast argumenti duhet të jetë i fortë dhe toni të jetë i butë, toni i butë është avantazhi kryesor i një qeverie e cila ka besim dhe vetëbesim. Andaj unë mendoj që vendi ka nevojë për qetësi e sidomos nga radhët e qeverisë dhe ka nevojë për këto çështje të diskutojmë me seriozitet sepse janë tejet të rëndësishme”, ka thënë Gashi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sot për të diskutuar rreth programit qeverisës katërvjeçar të prezantuar nga Qeveria Kurti. 

“Kujdes fjalorin, sidomos me ...”, Konjufca i reagon Gashit

Shefi i GP-së së LDK-së, Arben Gashi, në fjalën e tij e ka përgëzuar ndryshimin e sjelljes së Albulena Haxhiut, ndaj siç ka thënë institucioneve të vendit.

Ai ka thënë se nuk e ka ndërmend me qenë agresiv me Albulena Haxhiun, pasi ajo ka pësuar zhvillim në aspektin e pranueshmërisë së institucioneve.

“Se kam njet me kanë shumë agresiv me Albulenën, sepse po shoh se ka pas një zhvillim shumë të mirë në aspektin e pranueshmërisë së institucioneve dhe kuptimin e tyre. Pra është një zhvillim pozitiv për të cilin e përgëzoj dhe po e kupton tash më mirë sesa e rëndësishme është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë se sistemi nuk qenka aq I korruptuar se paska institucione se ckado që thojnë duhet me i pranu pa dyshime e pa diskutim të cilat janë të besueshme. Ky është zhvillim pozitiv për të cilin zonjën Haxhiu e përgëzoj”, ka thënë Gashi ndër të tjera në Kuvend.

Por, pas përfundimit të fjalës kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka reaguar Arben Gashit duke i thënë kujdes fjalorin sidomos me zonjat.

“Kujdes fjalorin sidomos me zonjat se zonja Haxhiu nuk ka bërtit në këtë Kuvend, por zakonisht ka diskutu”, tha Konjufca në Kuvend.

Më pas në Kuvend plasën të qeshurat.

E fjalën e mori ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila ia shpjegoi deputetit Arben Gashi se si ka rrjedhur ky “ndryshim”.

“Duhesh me dallu z.Gashi rolin e opozitës me atë se kur je në pushtet ose në qeveri. Sepse kur je ne opozitë nuk ki fuqi me o bo ndryshimet që i synon, kur je në qeveri padyshim që ke mundësi me adresu ndryshimet që i synon”, tha ajo.

Më pas Arben Gashi tha se argumenti duhet të jetë i fortë dhe toni i butë.

“Të folurit me zë të lartë, argumenti duhet të jetë i fortë dhe toni i butë…Unë mendoj që vendi ka nevojë për qetësi dhe sidomos të qeverisë dhe qeverisjes dhe ka nevojë të diskutojë me seriozitet pasi reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe duhet ta bëjmë bashkë”, tha Gashi ndër të tjera.

***

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë që synojnë implementimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) deri në fund të mandatit qeverisës.

Në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku është prezantuar programi qeverisës katërvjeçar i Qeverisë Kurti, Hajdari ka thënë se Kosova është shumë vonë sa i përket zbatimit të masave të MSA-së.

Hajdari: Synojmë implementimin e plotë të MSA-së deri në fund të mandatit qeverisës

“Ne do të kemi për prioritet kyç implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit andaj ne synojmë që sivjet të zbatojmë plotësisht planin vjetor të këtij viti dhe po ashtu të vitit të kaluar. Ne jemi pak si vonë dhe mund të themi se jemi shumë vonë sa i përket masave të dakorduara të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, ne synojmë implementim të plotë të MSA-së deri në përfundim të mandatit. Për vëmendjen e juaj të dashur deputetë dhe të gjithë qytetarë që na përcillni, vitin e kaluar plani i zbatimit të MSA ishte zbatuar vetëm në përqindje të vogël, respektivisht nga 19 masa ishin adresuar vetëm pesë nga to, nga të cilët katër veprime janë adresuar në kohën e Qeverisë Kurti 1”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka shtuar se rruga për aplikim në Bashkim Evropian hapet vetëm pas përmbushjes së obligimeve të MSA-së.

Hajdari: S’mund të themi se tani do të aplikojmë në BE, sepse jemi vonë me MSA-n

“Vetëm pas përmbushjes së obligimeve të MSA, ne mund të hapim rrugën për aplikim për kandidim. Pra, nuk mund të themi se tani do të aplikojmë për kandidim në BE, sepse jemi shumë vonë në MSA, respektivisht me zbatimin e masave të dakorduara përmes planit të reformës ekonomike”, tha Hajdari.

***

Ministri i Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu e ka quajtur precedent të rrezikshëm ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë mbi bazën e kërkesës së Kishës Ortodokse serbe.

Ai gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, tha se nuk është ndaluar buxheti për ndërtimin e kësaj rruge, por janë kundër idesë që të ndërtohet bypass-i 18 kilometra në vend të atij prej 6 kilometrave brenda zonës së mbrojtur.

Aliu: Është gabim, sepse krijojmë një precedentë të rrezikshëm

“Nuk e kemi ndal buxhetin aspak. Ideja është të ndërtohet një rrugë 18 kilometra në vend të 6 kilometra brenda zonës së mbrojtur nëpër male dhe bjeshkë. Pse? Për shkak se kalon kah disa prona të caktuara. Kjo është gabim, sepse krijojmë një precedent të rrezikshëm dhe kudo që kemi zona të veçanta do të kërkojë të bëjmë bypass”, u shpreh ai.

Këtë deklarim të ministrit, e quajti gënjeshtër kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha i njëjti me këtë vendin po i shërben Beogradit.

Haradinaj: Po na rren në sy

“Po mundohesh, më fal për fjalorin, me na rrejt në sy edhe neve banorët atje. Mos! Nuk mundemi të të lejojmë, ndoshta unë të lejoj, por nuk mundem për hatër të atyre njerëzve. Rruga që na lidh me Plavë vazhdon nëpër bjeshkë, janë asfaltuar një numër i caktuar i kilometrave, mos e lidh me kishë. Edhe Beogradi po dëshiron me lidh me kishë për të na vonuar. Ti je kah dëshiron. Je duke ia hequr buxhetin. Dy herë ia ke larguar. Nëse të ka shti Beogradi tregona, a e ki aty problemin dhe po të falim. Ama, bash ashtu je duke bërë”, tha ai.

Por ministri tha se me qenë i Beogradit e kishte pranuar kërkesën e Kishës Ortodokse për ndërtimin e bypass.

Aliu: Me qenë i Beogradit e kisha pranuar ndërtimin e bypass-it

“Sa i përket Beogradit, momentalisht si bashkëudhëheqëse i këshillit për zbatim dhe monitorim ballafaqohem me një fakt të rëndësishëm i cili është pranimi i bypass-it në emër të rrugës Deçan-Plavë. Kjo rrugë është njëra ndër prioritetet, tash unë po e kundërshtoj këtë bypass. Kisha po e kërkon atë bypass. Me qenë i Beogradit e kisha pranuar, po s’jam i Beogradit dhe rrjedhimisht po e refuzoj atë bypass”, tha ai.

Krahas kësaj, ministri kritikoi opozitarët edhe për mungesë të planeve qeverisëse sa kanë qenë në pushtet.

Aliu: Ju nuk keni pas program, sepse nuk keni pasur as plan

“Ju po flisni për program, por unë po iu them se ju nuk keni pasur program, sepse nuk keni pasur plan. Pothuajse, të gjitha projektet kapitale janë bërë pa leje, janë bërë aty për aty dhe mandej të gjitha duhet legalizuar. A e dini kush është ndërtuesi më i madh pa leje në vendin tonë? Nuk është asnjë ndërtues privat, është Qeveria e Kosovës. Ajo ka ndërtuar më shumë pa leje në vendin tonë, e ka shkatërruar vendin dhe ka dhënë shembull te të tjerët se si duhet të ndërtohet pa leje”, tha ai.

Quni: Plani i qeverisë Kurti për FSK është i gjeneralizuar dhe paspecifikuar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka deklaruar se plani i qeverisë Kurti për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, është i gjeneralizuar dhe paspecifikuar.

Quni: Plani për FSK-në është i gjeneralizuar dhe paspecifikuar

“Plani i qeverisë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës është i gjeneralizuar dhe i paspecifikuar”, tha ai.

Quni gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet programi i qeverisë Kurti, pyeti të njëjtin për planet konkrete në realizimin e 106 milionëve për FSK-në gjatë vitit 2022.

Quni: Cilat janë planet konkrete për realizimin e shpenzimet e buxhetit për vitin 2022

“Si do ta alokoni këtë buxhet, cilat janë planet konkrete për realizimin e shpenzimet e buxhetit për vitin 2022”, tha ai.

***

​Haradinaj-Kurtit: Na trego nëse e ke në plan t’i gjuash përgjegjësitë si herën e parë!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria Kurti 2 që të mos ndalë buxhetin për rrugën Deçan-Plavë. Sipas Haradinajt, kalkulimi për heqje të parave nga projektet kapitale duhet të bëhet me kujdes.

Në seancën e jashtëzakonshme ku është bërë prezantimi i programit qeverisës, Haradinaj ka thënë se rruga Deçan-Plavë është ëndërr e shqiptarëve, andaj sipas tij, qeveria duhet ta përkrahë këtë projekt.

Haradinaj: Nuk ka logjikë të hiqen paratë nga projekti i rrugës Deçan-Plavë

“Vërtet rruga Deçan-Plavë, kryeministër ju e dini jeni me origjinë të familjes prej Malit të Zi, atje është një popull martir e presin me qindra vjet, nuk ka logjikë t’i hiqen paratë asaj rruge, nuk është rrugë për deçanasit, më së paku u hyn në punë deçanasve, ajo rrugë lidh popujt që i ka ndarë gjeografia, natyra, pushtuesit dhe është e dhimbshme të marrin vesh tani malësorët e Malit të Zi, se qeveria që e ka kryeministër një shqiptar me origjinë të Malit të Zi ua heq paratë, ua keni heq në qeverinë e parë, prapë jeni duke ua hequr, nuk ka logjikë të veprohet kështu. Bëni një kalkulim, po flisni për rrugë të reja që do t’i kryeni, por në fakt po e izoloni një ëndërr të shqiptarëve që të ketë një lidhje me tepër interes”, ka thënë Haradinaj.

Derisa ka komentuar programin qeverisës, Haradinaj ka thënë se i njëjti është ideor dhe nuk i ngjan një plani qeverisës, që sipas tij, ka mungesa të mëdha.

Haradinaj-Kurtit: Nëse e ke në plan me i gjuajt përgjegjësitë si herën e parë, na trego!

“Nëse e ke ndonjë plan t’i gjuash përgjegjësitë si herën e parë pas 50 ditësh, tregona të gjithë neve ta dimë që nuk është qëllimi te qeverisja. Nëse e ke në plan të rrish sa e ke mandatin, se ta ka besuar qytetari, ju lutem mos i shkel qytetarët, ata jua kanë dhënë besimin, por presin”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ka thënë se duhet të hartohet një plan implementues, me afate kohore, kosto dhe matje të efektit të masave.

***

Ministri Aliu: Qeveritë e kaluara e kanë shkatërruar vendin duke ndërtuar pa leje

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur rreth ndërtimit të rrugës Drenas-Skenderaj, ku ka kritikuar pararendësit e tij për keqmenaxhim të këtij projektit.

Aliu tha se Qeveria i ka borxh 180 milionë euro për shkak të shpronësimeve.

Image

Tutje ai thotë se gjithçka është bërë ad-hoc nga ish qeveritë.

Ministri Aliu tha se rruga do të vazhdojë dhe do të vazhdojnë shpronësimet aty ku kanë mbetur.

“Në politikat e infrastrukturës nuk mundemi me gjet një vend më të pazhvilluar se Kosova dhe një ndër turpet është edhe rruga Drenas-Skenderaj sepse gjithçka është bërë pa plan, ad-hoc, sot qeveria i ka borxh 180 milionë euro për shkak të shpronësimeve kjo është një ndër pasqyrat më të mëdha të qeverive që kanë qenë deri tash, ajo rrugë  do të vazhdojë dhe do të bëhen shpronësimet aty ku kanë mbetur tash. Qeveria e ka shkatërruar vendin sepse ka ndërtuar shume pa leje, nuk e kemi ndal buxhetin aspak”.

Bajrami-Kurtit: Si mendoni të bëheni shtet social duke hy në borxh

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se programi qeverisës i prezantuar sot nga kryeministri Albin Kurti, nuk ka buxhet, afate kohore e as institucione përgjegjëse. Programin qeverisës, ish ministrja e Financave e ka quajtur populistë për çka ka pyetur kryeministrin dhe ministrat se si do gjejnë zbatim masat e parapara, derisa ka deklaruar që shteti nuk duhet të dyfishojë borxhin publik për masa sociale.

Bajrami e cila në qeverinë e kaluar të udhëhequr nga Avdullah Hoti, e drejtonte Ministrinë e Financave, ka thënë se Kurti me kabinetin e tij të vetmin kalkulim që e ka në bërë është ai i rritjes së votave për Lëvizjen Vetëvendosje.

Bajrami: Nuk mund të luftohet varfëria pa zhvillim ekonomik

“Zoti kryeministër, ju nuk mund të luftoni varfërinë pa zhvillim ekonomik, zhvillimi ekonomik nuk bëhet me masa e vendime të tilla, një shtet normal nuk e dyfishon borxhi publik për masa sociale, brenda katër viteve keni paraparë të merrni një miliard e 690 milionë euro kredi, për çka kryeministër, për të mirëmbajtur simpatinë e qytetarëve. Nuk preferohet me hy në borxh për masa sociale. Më lejoni të ju njoftoj se asnjë institucion financiar ndërkombëtar nuk ju jep kredi nëse ju prezantoni masa të reja. Në kredi hyhet me ndërtu projekte kapitale”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka thënë se në program nuk ka qartësi sa i përket rimëkëmbjes ekonomike dhe mungon analiza për efektet e masave.

Bajrami-Kurtit: Si mendoni me u bë shtet social duke hy në borxh

“Sa kushtojnë këto masa kryeministër, zëvendëskryeministër, a e dini këtë ju, a e di ministri i financave. Qysh mendoni me u bë shtet social duke hy në borxh. Në kornizën afatmesme të shpenzimeve, të parashikimet fiskale, buxheti për vitin 2022 do të jetë vetëm 72 milionë më i lartë se ai i këtij viti, për vitin 2023 do të jetë 84 milionë me i lartë se i vitit paraprak, dhe për vitin 2024 do të jetë vetëm 98 milionë me i lartë. Ju nuk keni bërë llogari për masat, a e dini se me një llogaritje shumë të thjeshtë vetëm shtesat e fëmijëve u kushtojnë 62 milionë euro në vit, çka me masat e tjera”, ka thënë ajo.

Masat e parapara në programin qeverisës, LDK i ka cilësuar si populiste për çka sipas Bajramit, hartuesit kanë menduar vetëm për rritje elektorale.

Sipas Bajramit, ato janë në kundërshtim edhe me vendimet e para të qeverisë Kurti.

Bajrami: Kur do të hyjë në fuqi vendimi për rritjen e pagave

“Kur thoni se do të vaksinoni 60% të qytetarëve të grupmoshave që duhet vaksinuar, na thoni se cilat janë ato grupmosha, sepse ende nuk e keni të qartë, vendet e tjera po i vaksinojnë të gjithë qytetarët mbi moshën 60 vjeçare. Rritja e pagës 250 euro për muaj, kur do të bëhet kjo, a do të rriten pagesat e veteranëve dhe kur, edhe veteranët, edhe qytetaret, sidomos ata të punësuar në sektorin privat që janë 240 mijë po presin se kur ky vendim do të hyjë në fuqi”, ka shtuar ajo.

Bajrami ka thënë se ndihma e duhur për bizneset është vaksinimi i qytetarëve, çka sipas saj, do të mundësonte kthimin në normalitetit të bizneseve. 

***

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohet programi i qeverisë Kurti II.

Rreth një javë pas miratimit në ekzekutivit, deputetët sot do të debatojnë për prioritetet 61-faqësh të qeverisë Kurti për vitet 2021-2025.

Këtë seancë e ka thirrur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, me kërkesë të qeverisë.

Opozitarët në vazhdimësi kanë kritikuar kryeministrin Kurti për vonesa në hartimin dhe miratimin e programit qeverisës.

***

Kuvendi në pauzë deri në orën 15:00

Kuvendi i Kosovës, me kërkesë të kryekuvendarit Glauk Konjufca, shkoi në pauzë deri në orën 15:00.

Në seancën e sotme po diskutohet për programin qeverisës.

***

 Tahiri i drejtohet Kurtit: Pse nuk po e shkarkon Liburnin?

Pasi kryeministri Albin  Kurti tha se Bashkimi Evropian nuk po ia heq Kosovës vizat për shkak të imazhit të keq të shtetit. Albelard Tahiri i PDK-së e ka pyetur se pse nuk po e shkarkon ministrin që ka aktakuzë të ngritur.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka replikuar kryeministrit Albin Kurti në lidhje me mosliberalizimin e vizave.

“Ju thatë se kriteret teknike janë plotësuar për liberalzim të vizave, por imazhi vazhdon të jetë i keq. Pse s’po e shkarkon Liburn Aliun? Është me aktakuzë, për imazh të Kosovës është keq, pse s’po e shkarkon? Heke Liburnin derisa vjen një moment kur Gjykata e jep verdiktin, është i pafajshëm e kthen, është i fajshëm e largon, pra heke. Mos i kontribuo edhe më shumë dëmtimit të imazhit të Kosovës. Sepse është kritikë që vjen nga Bashkimi Evropian që njerëzit me aktakuza nuk mund të drejtojnë ministri, pra ti i ki, heke, mos e le më tutje, mos i bëj gabimet që i kemi bërë ne në të kaluarën për me të dëmtuar, pra heke Liburn Aliun”, ka thënë Tahiri.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sa ishte drejtor i Urbanizmit në komunën e Prishtinës.

Më tej, Tahiri i ka thënë Kurtit pse po shkon nesër në Bruksel, ku do të mbahet një darkë me vendet e Ballkanit Perëndimor, e aty është edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

***

Muja vjen me një parashikim: E mata dje, zoti Kurti përgëzime më shumë vizita keni ju se të tjerët

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për propozimet në programin qeveritar.

Ai ka thënë se qeveria e re po punon për politikën e jashtme, duke thënë se në 55 ditët e fundit ministra të jashtëm e president e kanë vizituar Kosovën.

“Në 55 ditët e fundit Kosovën e kanë vizituar disa ministra të jashtëm e president. Hapat fillestar janë të rëndësishëm dhe e inkurajoj zotin Kurti të vazhdoj në këtë mënyrë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, derisa ka thënë se çështja e vaksinimit është prioritet, ai është shprehur se programi do t’i ndihmojë edhe fëmijëve, me shtesa dhe me shujta.

 “Në programin qeveritar janë propozuar 3-4 masa, e para është shtesat për fëmijë. Fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet në të kaluarën. Janë 500 mijë fëmijë që do të përfitojnë. Është shumë me rëndësi shujta për nxënësit. Rreth 100 mijë nxënës do të përfitojnë nga shujtat për fëmijë. Ndërsa, e treta që është me rëndësi është edhe punësimi”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, ai ka thënë se borxhi qeveritar është rritur për 1.6 miliard euro.

Sipas tij, në Kosovë është bërë shprehi të thuhet që buxheti do të jetë 4 miliard euro, e pastaj të bëhet 2 miliard, prej të cilave 1 miliard borxhe.

***

Edhe AAK kritikon programin qeverisës

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se dokumenti të cilin e ka prezantuar Qeveria Kurti është deklaratë politike.

Sipas Tahirit, programi i Qeverisë nuk ka caqe e synime specifike.

“Pas një vështrimi fillestar të programit të vonuar të Qeverisë, na është bërë shumë e qartë se Qeveria e Albin Kurtit është dorëzuar para besimit që e kanë marrë”, tha Tahiri në Kuvendin e Kosovës.

Ai u shpreh se “nga dokumenti i prezantuar konstatoj është se Qeveria po na e shet një deklaratë politike për program qeverisës”.

“Programi në vend së të artikuloj caqe dhe synime specifike, ajo i ik kësaj metode dhe na prezanton një rrëfim të dikastereve pa asnjë veprim dhe masë konkrete. Flet për veprime pa caqe të matshme”, tha Tahiri.

***

Abdixhiku kritikon Programin e Qeverisë Kurti, këto janë fjalët e tij

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar sot Programin e Qeverisë Kurti, duke thënë se është një dokument sipërfaqësor, pa masa dhe pa zgjidhje se si do të adresohen problemet.

Abdixhiku më tej tha se kanë pritur 60 ditë për një dokument 60 faqesh të Qeverisë, për një dokument që nuk ka as argumente e as ide.

“…Një ndër dokumentet më sipërfaqësore, që nuk përmban masa e as kohë….Nuk thotë asgjë se çfarë problemesh ka e si do të adresohen. Çfarë do të bëhet e si do të duket vendi pas katër vjetësh”, u shpreh deputeti i LDK-së, njëherësh kryetar i partisë.

Sipas tij, deklaratat “do të bëjë politika të mira” nuk janë masa por vetëm parulla.

“Nuk e keni të qartë se çfarë do të bëni tash që jeni në pushtet”, u shpreh Abdixhiku, duke përsëritur se programi i Qeverisë Kurti është i thatë.

***

Hoxhaj: Programi i Qeverisë Kurti do të mbahet mend për pasaktësi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se programi i Qeverisë Kurti është më i dobëti dhe më i koti, ndërkaq theksoi se nuk ka as plan veprimi.

Hoxhaj gjatë fjalimit të tij u shpreh se nuk ka afate kohore dhe nuk ka buxhet e nuk dihen institucionet përgjegjëse për realizim të progrmait.

“Programi nuk ka plan veprimi, objektivat nuk përkthehen në aktivitete konkrete, nuk ka afate kohore, nuk ka buxhet, nuk dihetn as institucionet përgjegjëse. Ky është programi më i dobët e më i kot dhe do të mbahet mend për pasaktësinë aritmetike, për përsëritje në vend të përmbajtjes”, tha Hoxhaj.

Ai tha se Kurti ka krijuar bindje se do ta transformoj politikën e ekonominë në vend dhe po bën përpjekje ta forcoj këtë bindje, “që sapo ta tërheq Qeverinë që tash po e udhëheq do ta bënte transformimin politik e ekonomik në vend”.

“Në fakt kjo ka të bëjë me diçka tjetër. Çdo demagog dhe populist e ka talentin e veçantë me i ba reklamë vetes e këtë talën e ka edhe Albin Kurti. Këtë material, asnjë gram nuk është program”, tha Hoxhaj.

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë sot në seancën ku po diskutohet programi i qeverisë Kurti 2 se prezantimi i programi dy muaj me vonesë nuk kishte kurrfarë nevoje për seancë urgjente, përveç nëse qeveria do të sillte ndonjë vendim urgjent për vaksinim të qytetarëve kundër COVID-19 që sipas Hoxhajt do të duhej të ishte prioritet urgjent i qeverisë.

“Pamjet e shëmtuara të trajtimit të prindërve, gjyshërve dhe të moshuarave tanë, ku ata shtyheshin me njëri tjetrin, pa fajin e tyre, për të marrë një vaksinë, tregojnë që vendi është drejt një katastrofe shëndetësore. Kudo në botë, edhe tek ne, është detyrë e kryeministrit që të siguroj vaksinat. Mirëpo ai dhe qeveria e tij pa asnjë justfikimi i kanë braktisur qytetarët në betejën e vështirë me pandeminë. Sepse nuk kanë guxim, dije dhe përvojë që të menaxhojnë pandeminë”, tha Hoxhaj.

Ai tha se në programi qeverisës i Albin Kurtit është një përrallë  dhe ikje nga realiteti e premtimet zgjedhore.

“Në faqen 6 thuhet se do sigurohen vaksinat për 60 % të grup moshave që duhet vaksinuar brenda vitit, ndërsa në faqen 7 thuhet se ato sigurohen për 60% të qytetarëve të Kosovës. z. Kurti është dashur ta dijë se 60% i qytetarëve të Kosovës është rreth 1 milion e 100 mijë, por 60% i atyre që janë mbi 65 vjet është diku rreth 8 % apo rreth 130 mijë. Cila është e vërteta në këtë rast? A do t’i vaksinoni 130 mijë, a 1 milion e 100 mijë? Me këtë dinamikë dhe me ndihma, nuk besoj që deri më 2025 mund të vaksinohen qyetetarët! Nuk mund të luani me fatin e qytetarëve duke u nisur nga zotimet e huaja, sepse zotimet e huaja, janë shprehje gatishmërie, kur atyre t’iu vjen mundësia, e nuk janë obligime që i kanë ndaj nesh. Sigurimin e vaksinave e keni obligim ju, dhe nuk mund tua bartni partnerëve të jashtëm”, tha Hoxhaj.

Ai tha se si pasojë e pandemisë afër 60 mijë kosovarë i kanë humbur vendet e punës, ndërsa Albin Kurti thotë se do ta rrisë fuqinë blerëse me intervenime në likuiditetin e amvisërisë dhe më pas flet në program për daljen nga pandemia dhe riorientim ekonomik drejt prodhimit dhe eksportit.

“Kush ju tha që po dalim nga pandemia? Prej kujt i keni këto garanca? Kjo z. Kryeministër, dëshmon se ju seriozisht nuk jeni në tokë të bukës. Pra, këta mijëra të papunë që janë lënë vetëm e pa të ardhura, këto mijëra biznese që janë shuar dhe s’kanë shpresë të rinisin, pa një ndihmë fiskale qeveritare, nuk të kanë bërë përshtypje, por ke dalë menjëherë tek eksporti. Kjo është asgjë më shumë, se abstenim i plotë nga përgjegjësia për ta parë realitetin ashtu siç është dhe për ta ndihmuar ekonominë që t’i bëjë ballë këtij realiteti. Madje as buxhetin e dedikuar për stimulim të ekonomisë në pandemi për bizneset dhe punëtorët, që është paraparë në Ligjin për Rimëkëmbjen e Ekonomisë, nuk e keni përmendur fare. Nëse nuk doni ta zbatoni atë plan, pse nuk e keni sjellë një plan tuajin atëherë?”, tha Hoxhaj.

Ai tha se themelimi një Fondi Sovran dhe një Bankë Zhvillimore është asgjë më shumë se një lojë fjalës.

“Ju në fakt, as për Trepçën, as Postën, as KEK-un, që i keni përdorur si diskurs popullist për të ardhë në pushtet, nuk keni kurrfarë plani”, tha Hoxhaj.

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se programi i qeverisë Kurti 2 nuk ngjanë fare me programin e që Albin Kurti ka garuar në zgjedhjet e fundit.

“Shumë premtime në fushatë zgjedhore që ishin me tone epike, në program janë tretur dhe ka zero zotime për to: Vendi i garantuar i punës dhe i pagës për të rinjtë nga mosha 16-18, pushimi i lehonisë dhe ai prindëror për 12 muaj, ndërtimi i 160 çerdheve, 600 milionë euro grant për komunat, pensionimi i parakohshëm i pjesëtarëve të policisë, shërbimi i detyrueshëm ushtarak për të rinjtë, themelimi i Fakultetit të Teknologjisë Informative, stadiumi nacional afër Prishtinës dhe ndërtimi i pishinës olimpike nuk janë askund. Çfarë do thotë kjo, të gjitha këto kanë qenë vetëm mashtrime elektorale. Është një padrejtësi ndaj 50 për qind të qytetarëve që kanë votuar për ju!”, tha Hoxhaj.

***

Flet edhe Kusari-Lila: Programi Qeverisës do të trajtohet si dokument i gjallë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për programin qeverisës, të cilin e ka vlerësuar si dokument që ndryshon shumë nga programet e qeverive të kaluara.

Ajo ka thënë se ky program është dokument i gjallë, e jo dokument që do të qëndrojë në sirtarë.

“Që nga shpallja e pavarësisë, ky Kuvend ka diskutuar për 6 programe qeverisëse. Sot po diskutojmë për të shtatin. Ka dallime në programe, e para për besimin që një qeveri arriti. Është qeveri me pritshmëri, jo vetëm prej qytetarëve por edhe opozitës. Prej ditës së parë ka filluar presioni për programin. Me një provojë të shkurtër si shtet, nga 6 qeveri kemi arritur të kuptojmë që dallimi në programin qeverisës nuk është në afatin. Është tepër e rëndësishme trajtimi i programit si dokument i gjallë i cili plotësohet sipas ndryshimeve në teren. Krijimi i praktikës së diskutimit”, ka deklaruar ajo.

Kusari-Lila është shprehur se prioritetet e qeverisë janë të qarta.

Sipas saj, programi do të rishikohet do të plotësohet e korrigjohet varësisht prej nevojës.

“Programi qeverisës ka disa karakteristika. Prioritetet e qeverisjes janë të qarta. Programi do të rishikohet çdo fillim-vit, me qëllim të përditësimit. Do të plotësohet e korrigjohet me planet e qeverisë”, ka shtuar ajo.

***

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm që në çdo kohë të diskutoj me opozitën për parimet e qëndrimet karshi dialogut me Serbinë.

Ai tha se pjesa më e madhe e punës e energjisë së tij në dialog do të shkojë për të zhbërë marrëveshjet e dëmshme që janë bërë nga pozita e mëparshme.

“Ne mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, po hajde të pajtohemi karshi politikës ndaj Serbisë. Në secilën ditë të javës, e secilën orë të ditës, jam i gatshëm të takohet i cili nuk pajtohet me parimet e qëndrimet tona karshi dialogut dhe ka propozime tjera se si ta mbrojmë interesin e Kosovës. Mos harroni se ju që keni qenë në pushtet keni bërë një trashëgimi që na ka ngelur neve. Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë sime në dialog është zhbërja e dëmit që e keni shkaktuar ju”, tha Kurti.

Ai ftoi opozitën të bashkëpunojnë, nëse janë penduar për marrëveshjet e dëmshme të bëra në të kaluarën.

“Marrëveshjen për Asociacionin, Fusnotën, e marrëveshje të tjera të dëmshme që na i keni lënë trashëgimi. Nëse i keni rënë pishman për këto marrëveshje e me sa ju kam dëgjuar, e shpresoj që po, atëherë ejani të punojmë së bashku që t’i përmirësojmë”, tha Kurti. 

***

Kryeministri Kurti: Askush nuk do të marrë më pak sesa kaq para nëse punon 8 orë në ditë

Kryeministri Albin Kurti, duke e prezantuar në Kuvend programin qeveritar, është zotuar se askush në Kosovë nuk do të paguhet nën 10 euro në ditë, ndërsa punon 8 orë në ditë.

Kurti përmendi rritjen e pagës minimale në 250 euro, ndërsa tha se askush nuk do të tatohet për mbijetesë.

“Kemi zhvilluar një program që rrit pagën minimale dhe ngrit pragun e pagës që nuk tatohet. Sepse në Kosovë, askush që punon 8 orë në ditë nuk duhet të marrë më pak se 10 euro në ditë dhe askush nuk duhet të tatohet për mbijetesë”, tha ai.

Kurti paraprakisht tha se “kemi bërë shumë punë”, duke folur për 55 ditët e para të Qeverisë së udhëhequr nga ai.

***

Sindikata e sektorit privat me disa kërkesa për deputetët

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës në një kërkesë publike, ka kërkuar që sot në seancën plenare, ku po diskutohet për programin e Qeverisë së Kosovës të aprovojnë propozimin që paga minimale të jetë 350 euro.

Kjo sindikatë, ka kërkuar që në programin e qeverisë duhet detajuar se kur do të fillojë kjo pagesë.

“Kur do të jetë i gatshme themelimi i gjykatës së punës dhe të bëhet themelimi i një fondi social i cili do t’i mbulonte punëtorët e larguar nga puna pa dëshirën e tyre”, thuhet në komunikatën e kësaj sindikate.

***

“Prioriteti kryesor është menaxhimi i pandemisë”/ Kurti paralajmëron: Deri në fund të muajit do të kemi mbi 140 mijë vaksina të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka prezantuar programin e tij qeverisës, të miratuar ditë më parë në njërën nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri në fillim të fjalimit të tij tha se menaxhimi i pandemisë është prioritet kryesor i programit.

“Sot janë bërë 55 ditë nga marrja e detyrës së Qeverisë. Në këto ditë kemi bërë shumë punë, siç e kemi thënë edhe në program prioritet është menaxhimi i pandemisë. Kemi bërë një plan për të bërë këtë menaxhim. Masat të cilat i kemi marrë ishin efektive”, tha Kurti ndër të tjera.

Kurti po ashtu shtoi se kur e kanë marrë detyrën, nuk kanë gjetur asnjë kontratë për asnjë vaksinë, ndërsa tha se deri në fund të muajit Kosovë do të marrë edhe 142 mijë vaksina të reja.

“Ne kur erdhëm nuk gjetëm asnjë kontratë për sigurimin e vaksinave. Deri në fund të muajit do t’i kemi 142 mijë vaksina të reja”, tha Kurti.

***

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohet programi i qeverisë Kurti II.

Rreth një javë pas miratimit në ekzekutivit, deputetët sot do të debatojnë për prioritetet 61-faqësh të qeverisë Kurti për vitet 2021-2025.

Këtë seancë e ka thirrur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, me kërkesë të qeverisë.

Opozitarët në vazhdimësi kanë kritikuar kryeministrin Kurti për vonesa në hartimin dhe miratimin e programit qeverisës.

***

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme duke filluar nga ora 10:00, me temën e vetme të rendit të ditës prezantimi i programit qeverisës për katër vitet e ardhshme, i miratuar më 7 maj.

Programi qeverisës do të fokusohet në masat për përballimin e pasojave që po lë pandemia, zhvillimin ekonomik të vendit, mbështetjen për bizneset, rritjen e pagës minimale, krijimin e vendeve të punës dhe riorganizimin të skemave sociale.

Prioriteti i parë sipas Qeverisë Kurti 2 është shëndeti në kushtet e pandemisë, ndërsa i dyti ka të bëjë me ekonominë po ashtu në kushtet e pandemisë. Në këtë aspekt, sipas kryeministrit Albin Kurti, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.

Kurti ka thënë se gjatë mandatit të qeverisë së tij do të ketë transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie. Ndërsa ka premtuar reforma në drejtësi ku vettingu do të jetë fjala kryesore e kësaj reforme.

Po ashtu, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës do të bëhen reforma në skemat sociale duke ofruar mbështetje për familje me të ardhura të vogla, shtesa për fëmijë e punësime për moshat e reja. Ai ka premtuar edhe ndërtimin e 160 çerdheve në gjithë vendin, mbështetje financiare për çiftet e reja dhe rritje të pagës minimale në 250 euro.

Kurti ka premtuar se gjatë këtyre katër vjetëve të qeverisjes, do të përmbyllet zhvillimi i sistemit informimin shëndetësor dhe do të fillohet me rritjen e fondit të sigurimeve shëndetësore.

Po ashtu, ka thënë ai, do ta përmbyllet reforma e administratës publike dhe do të zbatojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe asetet strategjike, duke garantuar edhe çmime të përballueshme për industritë dhe amvisëritë.

Kurti ka premtuar edhe qasje në ujë të pijshëm për ata qytetarë që nuk kanë dhe problemi i ujërave të zeza pas katër vjetëve qeverisej të jetë një problem i së kaluarës.

Ndërsa sa i përket mërgatës, Kurti ka pohuar se ajo do të jetë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. Ai ka thënë se qeveria e tij do të krijojë grantin e katërt për komuna më qëllim që t’u mundësohet më shumë autonomi kryetarëve të komunave për investime në komunat e tyre.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë mandatit qeverisës, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE dhe për anëtarësim në Kartën e Adriatikut. Ai po ashtu ka thënë se qeveria e tij është duke përgatitur dosjen për të paditur Serbinë për gjenocid, teksa dialogun e ka renditur prioritet të katërt për qeverinë e tij.

Plani qeverisës parasheh edhe një pagë 6 mujore prej 250 eurove për lehonat e papuna. Plani për rimëkëmbje ekonomike të vendit do të fokusohet në disa pika kyçe, si rritja e fuqisë blerëse, prodhimi, eksporti dhe në politikat lehtësuese që to të ndërmerren nga qeveria për të mbështetur bizneset.

Ndryshe, opozita ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos publikimin me kohë të planit qeverisës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat