Kush është Gresa Cakaj-Nimani, që u bë kryetare e Gjykatës Kushtetuese

Aktuale

Kush është Gresa Cakaj-Nimani, që u bë kryetare e Gjykatës Kushtetuese

Më: 17 maj 2021 Në ora: 14:40
Gresa Cakaj Nimani

Gresa Cakaj Nimani është dekretuar si gjyqtare më 30 dhjetor të vitit 2015. Para emërimit në këtë post, Cakaj Nimani ka shërbyer si këshilltare e lartë ligjore dhe së fundmi ishte udhëheqëse e ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), në Kosovë.

Gjyqtarja Gresa Cakaj kishte votuar pro kërkesës së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili i kërkonte atëkohë Kushtetueses që t’i jepte kompetenca mbi Kuvendin për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, edhe pse Kosova është republikë parlamentare. Cakaj Nimani është motra e Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakajt.

Deri në emërimin e saj, gjyqtarja Caka-Nimani ka shërbyer si Këshilltare e Lartë Ligjore dhe Udhëheqëse e Ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID).

Gjatë shërbimit të saj në USAID, ndër të tjera, ajo ka qenë përgjegjëse për të këshilluar në hartimin e strategjive të USAID-it; dhënien e këshillave dhe të opinioneve rreth ligjeve të aplikueshme e Kushtetutës; menaxhimin e portfolios së programeve të sundimit të ligjit, përfshirë reformat në drejtësi.

Gjyqtarja Caka-Nimani ka qenë pjesëmarrëse në grupe të ndryshme punuese për hartimin e legjislacionit në fushën e sundimit të ligjit. Gjatë viteve 2006-2008, ajo ka qenë koordinatore dhe këshilltare e mbështetjes së Qeverisë Amerikane për Grupin Punues, dhe më pas, Komisionit Kushtetues, përgjegjës për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për kontributin e dhënë në këtë proces, gjyqtarja Caka-Nimani është vlerësuar me disa çmime dhe dekorata nga USAID në Kosovë, por edhe me disa Çmime të Merituara Nderi nga Departamenti Amerikan i Shtetit.Studimet për drejtësi, gjyqtarja Caka-Nimani i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (2004), ndërsa magjistraturën në fushën e integrimeve evropiane dhe regjionalizmit e ka përfunduar në Universitetin e Grazit, Austri (2007).

Ajo aktualisht vijon studimet për doktoratë në fushën e së drejtës kushtetuese në Universitetin e Grazit, duke u fokusuar në ndërkombëtarizimin e kushtetutbërjës.Gjyqtarja Caka-Nimani është gjithashtu bartëse e provimit të jurisprudencës dhe atij për përmbarues privat (2013). Ajo është e certifikuar në çështjet e drejtësisë dhe të qeverisjes, duke përfshirë Qendrën Federale Gjyqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programet për lidership strategjik nga Instituti Federal Ekzekutiv Amerikan.

Që nga viti 2017, ajo bashkëpunon me Institutin Ndërkombëtarë për Demokraci dhe Asistencë Elektorale (International IDEA), me seli në Hagë, dhe është autore e kapitullit “Kushtetuta e Pavarësisë së Kosovës: Përkushtimi i Njëanshëm për një Kushtetubërje të Ndërkombëtarizuar”, në kuadër të librit “Kushtetutbërësit për Kushtetutbërjën”, të edituar nga Tom Ginsburg, Universiteti i Chicago-s dhe Sumit Bisarya, International IDEA, që do të publikohet nga Cambridge University Press në vitin 2022.

Gjyqtarja Caka-Nimani është gjithashtu pjesëmarrëse e shumë konferencave vendore dhe ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, përfshirë si paneliste lidhur me “Kushtetutbërjën në Shoqëri pas Konflikteve” në Forumin Botërorë të Drejtësisë V (Hagë, Holandë 2017) dhe në konferencën ndërkombëtare për “Gratë dhe Kushtetutat pas Konflikteve” të organizuar nga Universiteti William and Mary (Williamsburg, SHBA, 2018).Gjyqtarja Caka-Nimani është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh.

Ndër të tjera, ajo është vlerësuar me pesë “Çmime të Merituara Nderi” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për kontribut të vlefshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe me çmimin “Michael K. White Memorial Award” për kontribut të veçantë në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja Caka-Nimani është e martuar dhe ka dy vajza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat