​Kusari i kundërpërgjigjet Abelard Tahirit: PDK vazhdoi me ofendime ndaj meje

Aktuale

​Kusari i kundërpërgjigjet Abelard Tahirit: PDK vazhdoi me ofendime ndaj meje

Më: 17 maj 2021 Në ora: 15:31
Mimoza Kusari-Lila

Tensionet e krijuara në seancën e së premtes u bënë mollë sherri në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën. Kjo meqë pas hapjes së atij debati, përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës kanë lëshuar mbledhjen me arsyetimin se janë ofenduar nga u.d. shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Por, këtyre akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës u është përgjigjur Kusari – Lila, duke thënë se ishin përfaqësuesit e PDK-së ata që e ofenduan personalisht atë.

Kusari – Lila, në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së kryesisë, tha se largimi i përfaqësuesve të PDK-së nga mbledhja erdhi pas kërkesës së saj që të mos përsëriten situata sikurse kishte ndodhur të premten.

“Kam kërkuar nga përfaqësuesit e PDK-së, që kur u përmendën zhvillimet e asaj dite, të kenë kujdes në gjuhën parlamentare dhe të mos përsëriten situatat dhe rrethanat ku jemi fyer në baza gjinore, por gjithashtu edhe komentet dhe agresiviteti në dalje i deputetëve të PDK-së karshi ministres së Punëve të Jashtme ka qenë jashtë çdo norme parlamentare. Ky koment i imi bëri që përfaqësuesit e PDK-së të ngritën dhe të dalin nga mbledhja e kryesisë, duke vazhduar prapë me të tjera kategorizime ndaj meje personalisht. […] Unë atë ditë jam ndjerë shumë keq si deputete, si qytetare e Republikës, si nënë, si grua kur dëgjoj ofendime dhe kategorizime që kanë ardhur nga deputetët e PDK-së. Konsideroj se me apo pa mikrofon, gjuha që përdoret nga deputetët duhet të jetë komfor standardeve të një gjuhe të mirëfilltë parlamentare”, tha ajo.

Sa i përket çështjeve të tjera, ajo bëri të ditur se kanë shqyrtuar procedimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit 05132 për automjetet, projektligj ky që synon heqjen e monopolit në homologimin e automjeteve.

“(Projektligjin për heqjen e homologimit) Ne tashmë e kemi proceduar, është miratuar në kryesi, është përcjellë në Qeveri dhe në momentin kur Qeveria e jep mendimin e saj, i kthehet seancës për të vendosur”, u shpreh ajo.

Me vendim të kryesisë së Kuvendit, interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë” do të mbahet të enjten, më 20 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat