​Osmani: Besojmë në të ardhmen e gjelbër dhe do të punojmë për ta jetësuar

Aktuale

​Osmani: Besojmë në të ardhmen e gjelbër dhe do të punojmë për ta jetësuar

Më: 31 maj 2021 Në ora: 21:47
Vjosa Osmani

Ka nisur sot edicioni i katërt i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2021, që këtë vit temë do të jetë Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe komponentët kryesorë të kësaj agjende.

Në hapje të këtij edicioni, presidentja Vjosa Osmani tha se do të ofrojë mbështetjen e saj për avancimin e Agjendës së Gjelbër në Kosovë, pasi që sipas saj e ardhmja është e gjelbër.

Osmani tha se agjenda e gjelbër dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë e ardhmja dhe rrjedhimisht në këtë drejtim u shpreh se duhet të orientohet edhe stili i jetesës.

Osmani: Besojmë në të ardhmen e gjelbër dhe do të punojmë për ta jetësuar

“Marrëveshja e Parisit dhe marrëveshja e gjelbër evropiane janë tashmë zyrtarisht dokumentet kornizë që udhëheqin agjendën zhvillimore në BE dhe përtej. Të dyja këto dokumente janë sinjal i qartë që orientimi i përgjithshëm zhvillimor është pikërisht kah agjenda e gjelbër dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Të dyja këto dokumente do të duhej të na shërbenin si udhërrëfyes për politikat tona dhe të jenë synimi i institucioneve të reja në vend. Ne besojmë në të ardhmen e gjelbër dhe do të punojmë së bashku për ta jetësuar atë. Ky është vendimi më i mençur, prandaj le të punojmë dhe të veprojmë mençur në këtë drejtim, sepse nëse ky është përkushtimi ynë, atëherë ky është konfirmimi përfundimtar i përkushtimit tonë për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, ruajtjen e natyrës, rritjen ekonomike që garanton mirëqenie dhe për pozicionimin e vendit tonë krahas vendeve progresive”, tha Osmani.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se ndikimi i pandemisë në ekonominë e vendit e ka thelluar varfërinë dhe pabarazinë. Ai tha se janë duke punuar për të krijuar një mjedis që ofron mundësi të barabarta për të gjithë.

Kurti: Ndikimi i pandemisë në ekonominë e vendit tonë, e ka thelluar varfërinë dhe pabarazinë

“Ndikimi i pandemisë në ekonominë e vendit tonë e ka thelluar varfërinë dhe pabarazinë në vend. Pabarazia dhe varfëria janë të ndërlidhura, prandaj ne po punojmë për të krijuar një mjedis që ofron mundësi të barabarta për të gjithë në burime ekonomike dhe në shërbimet themelore. Nxitja e punësimit të qëndrueshëm nëpërmjet dizajnimit të skemës për rikthim në punë të personave që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, mbështetja e të rinjve dhe grave përmes skemës së veçantë të punësimit, ndërlidhja e tregut me arsimin profesional, dizajnimi i skemave të reja sociale dhe pensionale, zbatimi i programit të shtesave për fëmijët, banimi i përballueshëm dhe banimi social janë vetëm disa nga politikat tona përmes të cilave do ta adresojmë nivelin e lartë të varfërisë edhe të papunësisë në vend. Shteti ynë ka për fokus shëndetin dhe qasjen në shërbimet shëndetësore, sepse ato janë qenësore për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe nxjerrjes së qytetarëve nga varfëria. Të gjithë e dimë sesi njeriu i varfër sëmuret kollaj, e ai që është i sëmurë kollaj varfërohet”, tha Kurti.

Ndër prioritetet për qeverinë e tij, Kurti tha se janë sigurimet shëndetësore derisa shtoi se programi për shujta falas për të gjithë nxënësit është politikë që synon të adresojë urinë dhe kequshqyerjen te fëmijët.

I pari i qeverisë tha se Kosova është shtet në zhvillim dhe se ka nevojë për ndërtim të ekonomisë, infrastrukturës, industrisë dhe prodhimit të energjisë. Ai tha se modeli i zhvillimit do të jetë në harmoni me mjedisin, dhe se resurset natyrore, lumenjtë, mineralet do t’i trajtojnë me kujdes.

Ai tha se menaxhimi i mbeturinave mbetet ndër sektorët më të pazhvilluar në Kosovë, derisa shtoi se nuk mund të flitet për zhvillim të qëndrueshëm pa arsimin, derisa tha se pa arsim cilësor nuk mund të flitet për zhvillim të qëndrueshëm.

Kurti tha se papunësia e lartë në Kosovë është rezultat i dështimeve në udhëheqje në këto dy dekada, por që tha se pjesërisht papunësia është e lidhur me pabarazinë ekonomike në mbarë globin.

Kurti: Pabarazia socio-ekonomike dhe ndryshimet klimatike mbesin çështje kryesore që rrezikojnë botën

“Zhvillimi dhe fitimi janë koncentruar në një pjesë të botës dhe atë në majë të atyre shoqërive. Disa multi-miliarderë të botës sot kanë më shumë pasuri sesa gjysma e botës. Mendoj se pa e kuptuar edhe adresuar këtë zhvillim shoqëror e kemi të vështirë të arrijmë një nivel të zhvillimit të qëndrueshëm. Unë bëj pjesë në mesin e njerëzve që besojnë se pabarazia socio-ekonomike dhe ndryshimet klimatike mbesin dy çështje kryesore që rrezikojnë botën, por këto të dyja janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Kemi një hendek të lartë në të ardhura, në mundësi dhe në edukim mes shtresave të ndryshme të shoqërisë, ky hendek ekziston sot brenda shoqërisë tonë, pastaj brenda rajonit e kontinentit ku sa vjen e thellohet. Për të ecur drejtë zhvillimit të qëndrueshëm duhet që bota të jetë në nivel më të barabartë të mundësive dhe sot jemi ende larg atij niveli të duhur”, tha Kurti.

Përmes një video-mesazhi, të pranishmëve iu drejtua edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila tha se Qeveria e Kosovës duhet ta forcojë legjislacionin ekzistues për implementimin efektiv të çështjeve mjedisore.

Cramon: Qeveria e Kosovës duhet ta forcojë legjislacionin ekzistues

"Pse menaxhimi i mbeturinave është i vështirë, pse ndarja e mbeturinave, pse nuk po ndodh riciklimi? Këto çështje duhet të merren parasysh seriozisht për ta ndërprerë këtë cikël. Qeveria e Kosovës duhet ta forcojë legjislacionin ekzistues për implementimin efektiv. Është po ashtu shumë e rëndësishme qenia në linjë, kjo tregon që nuk ka efektivitet në mbrojtjen. Korniza rregullatore të merret me këto çështje dhe ta rrisë përgjegjësinë e prodhuesve dhe kjo të jetë në linjë me kërkesat evropiane. Ka pasur një lloj progres për fuqizimin e dispozitave të Kodit Penal, por deri më tani ka mbetur jo efektiv ngritja e vetëdijes publike në implementimin e politikave mbi ndryshimet klimatike...Pra është prioritet për bashkësinë ndërkombëtare që të kenë një ekonomi konkurruese, pra kjo nënkupton mbrojta dhe përmirësimi i kapitalit dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve nga impakti mjedisor”, tha Viola von Cramon.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde, tha se shteti që ai e përfaqëson do të jetë partner i fuqishëm për një zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës.

Rohde: Bashkëpunimi ka pasur sukses në largimin e 50% të deponive ilegale

“Bashkëpunimi gjermano-kosovar ka pasur sukses gjithashtu në largimin e 50 për qind të të gjitha deponive ilegale, kështu që kisha pasur dëshirë të inkurajoj komunat në Kosovë që të vazhdojnë në këtë mënyrë të suksesit duke larguar edhe ato që ende ekzistojnë. Suksesi mund të përshpejtohet kur komunat konkurrojnë me njëra-tjetrën lidhur me performancën më të mirë”, tha ai.

Në takim mori pjesë edhe ministri i Ambientit, Zhvillimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se planifikimi hapësinor nuk është bërë në mënyrë të mirëfilltë dhe se nuk është zbatuar në mënyrë të mirëfilltë dhe se edhe aty ku flitet për qëndrueshmëri dhe energjinë e ripërtërirë ka degradim.

Edicioni i katërt i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2021 do të zgjasë deri më 11 qershor. Ndërsa që nga viti 2018 kjo ngjarje u organizua në partneritet mes Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, GIZ, Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat