Sërish përplasje në Kuvend, rezoluta e PDK-së shtyhet për seancë tjetër

Aktuale

Sërish përplasje në Kuvend, rezoluta e PDK-së shtyhet për seancë tjetër

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 07:49

(E plotësuar 13:21) - Përfundon seanca për situatën ekonomike, votimi i rezolutës së PDK-së shtyhet për seancë tjetër

Ka përfunduar seanca ku u debatuar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, e cila ishte ftuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në mungesë të kuorumit deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza kërkoi që rezoluta e propozuar të shtyrë për votim në ndonjë seancë tjetër.

Musliu e PDK-së e quan frikacak kryeministrin Kurt

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu gjatë seancës plenare, ku po diskutohet për ekonominë si pasojë e pandemisë Covid 19, i ka adresuar disa pyetje për kryeministrin Albin Kurti, të cilin edhe e ka quajtur frikacak për të qeverisur.

Në këtë debat, ku po flitet për ekonominë, Musliu e ka pyetur të parin e qeverisë se sa kushton 1 litër vaj, qumësht, një bukë dhe 1 kilogram sheqer.

Musliu: Këto janë pyetjet që Albin Kurti duhet të përgjigjet

“Kam disa pyetje për Albin Kurtin, a e din sa kushton 1 litër vaj në Kosovë, sa kushton 1 litër qumësht, një bukë edhe një kilogram sheqer. Sa është vlera monetare që e marrin familjet me asistencë sociale në Kosovë. A janë kthyer ende 2 milionë euro thesarit të Kosovës që iu morën gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit. Këto janë pyetje që Albin Kurti duhet të përgjigjet para qytetarëve të Kosovës. Shpresoj që një herë e mirë, ai edhe qeverisja e tyre e kanë kuptuar se është lehtë për të folur, akuzuar dhe propaganduar, por është vështirë të përballësh me sfidat”, tha ajo.

Mungesën e kryeministrin Kurti në seancën e Kuvendit, Musliu e vlerësoi si ikje nga përballja me sfidat e qytetarëve.

Musliu: Ikja e tij nga çdo përballje me sfidat e qytetarëve tregon së është i padenjë frikacak

“Ikja e tij nga çdo temë, ikja e tij nga çdo përballje me sfidat e qytetarëve tregon së është i padenjë, frikacak dhe ai nuk dinë tjetër përveç të dalë dhe recitoj në studio publike”, shtoi deputetja e PDK-së.

***

Shala: Nëse nuk kompletohet bordi i ZRRE-së prapë do të duhet të ndahen mjetet për energjinë e shpenzuar në veri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala fjalimin e tij e ka nisur me kritika për mungesë të kabinetit qeveritar në seancën e sotme, ku po diskutohet në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.

Shala bëri thirrje që sa më parë të kompletohet bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), derisa shtoi se institucionet përgjegjëse nuk po marrin asnjë veprim në drejtim të kompletimit të bordit.

Ai tha se nëse nuk komplet bordi i ZRRE-së, atëherë do duhet përsëri të ndahen mjete për të paguar energjinë e shpenzuar në komunat veriore.

Shala: Nëse nuk kompletohet bordi I ZRRE-së do duhet të ndajmë përsëri mjetet për energjinë në veri

“ZRRE është pa kompletim të Bordit ne patëm goxha shumë problem për këtë sektor dhe prapë nuk kemi bord dhe kompletim të rregullatorit, dhe prapë nuk kemi veprim operacional në veprimin e këtij sektori, dhjetëra kompani presin përgjigje në ankesa dhe licenca dhe nuk mund të zhvillojmë veprimtarinë prapë nuk ka përgjigje nga institucionet e shtetit, për më keq ne miratuam një rezolutë e obliguam një ndërmarrje publike që të paguaj jashtëligjshëm mjetet për pjesën në veri do ishte shumë mirë, më e natyrshme dhe ligjore që ta kompletonin bordin dhe ai bord të zgjidhet sfidat që e presin, ai është përgjegjës me zgjidh problemin e energjisë në veri dhe jug[…]I keni dhënë afat 6 muaj atëherë veproni sa më shpejt, se 6 muaj po afrohen dhe nuk do mund ta përmbushim afatin dhe përsëri kemi me nda mjetet të paligjshme për një pjesë të qytetarëve”, tha ai.

Shala tha se kjo qeveri të vetmin ndryshim që e ka bërë është vazhdimi i mandateve të përkohshme të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Shala: Kjo qeveri ka vazhduar mandatin e parakohshëm për bordet e ndërmarrjeve publike

“Çka ka ndryshuar e vetmja veprim nga qeveria prej kur ne kemi bërë kërkesë deri sot është që i ka vazhduar të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike dhe rregullatorëve mandatet e bordeve të përkohshme, pra një veprim i jashtëligjshëm ku të gjithë rregullatorët që e rregullojnë ekonominë, e kontrollojnë atë e menaxhojnë atë planifikojnë atë janë me mandate të përkohshme”, tha Shala.

***

Kusari-Lila kërkon të vlerësohet puna e Qeverisë, Hamza e Lekaj i ‘gjuhen’: Nuk i keni zvogëluar ju infektimet me COVID-19

Deputeti nga radhët e PDK’së, Bedri Hamza ka kritikuar Qeverinë Kurti për situatën ekonomike në vend, duke thënë se nuk po u del në ndihmë qytetarëve e bizneseve.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ai po ashtu ka kritikuar qeverinë për mosnënshkrimin e kontratave për furnizim me vaksina.

Ndërsa, Hamzës i është kundërpërgjigjur shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka kërkuar që të bëhet debat në bazë të planifikimeve dhe jo në bazë të agjendës politike, sa i përket gjendjes ekonomike në pandemi.

Kusari-Lila është shprehur se është mëkat që të mos vlerësohet puna e Qeverisë, nënshkrimi i kontratës për furnizim me vaksina e ulja e rasteve të infektuara me COVID-19.

Mirëpo, Hamza ka deklaruar se ulja e rasteve të reja me COVID-19 nuk është meritë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, edhe deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, i është kundërpërgjigjur Kusari-Lilës, duke thënë se dihet se pse kanë rënë numrat e të infektuarve, e për këtë nuk ka ndikuar Qeveria Kurti.

Përndryshe, edhe deputetë të LDK’së kanë deklaruar se Vetëvendosje nuk ka punuar në uljen e infektimeve me COVID-19.

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, meritat e uljes së numrit të të infektuarve ia ka atribuuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ministri i Financave paralajmëron pako të re për rimëkëmbje ekonomike

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati ka paralajmëruar pako të re të rimëkëmbjes ekonomike, paralelisht me rishikimin e buxhetit, për të cilët tha se shumë shpejtë do të jenë në Kuvend për votim.

Murati në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për ekonominë si pasojë e pandemisë Covdi 19 tha se me uljen e numrave mund të bëhet edhe rimëkëmbja ekonomike.

Murati: Ne jemi në përgatitje, shumë shpejtë do ta keni rishikimin e buxhetit dhe pakon e re të rimëkëmbjes ekonomike

“Ne jemi në përgatitje, shumë shpejtë do ta keni edhe rishikimin e buxhetit. Ka qenë e pamundur edhe të bëhet pako e rimëkëmbjes ekonomike pa e ditë hapësirën fiskale, është dashur t’i monitorojmë të hyrat, shpenzimet që ta kemi të qartë çfarë hapësire fiskale mund të përdorim për të krijuar këtë pako të rimëkëmbjes. Shumë shpejtë paralelisht do t’i kemi të dyja”, tha ai.

Ministri Murati kritikoi edhe ish qeverinë e kaluar për masat e ndërmarrave për ndihma bizneseve.

Murati: Masat e qeverisë së kaluar e kanë parë edhe qytetarët

“Masat e qeverisë së kaluar e kanë parë edhe qytetarë as nuk ka pasur hapje as mbyllje. Numrat kanë thyer rekorde të zeza vazhdimësi dhe kanë pa në vazhdimësi si janë ndarë mjetet, 60 milionëshi e kanë pa qysh ka shku edhe dyfishimi i subvencioneve në kuferët e kujt kanë përfunduar”, shtoi ai.

***

​​Lekaj: Nga kjo qeveri nuk po shihet asnjë plan për të ndihmuar bizneset

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj thotë se nga kjo qeveri nuk p shihet ndonjë iniciativë apo planifikim ekonomik që do u dal në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve. Lekaj ngriti si shqetësim edhe uljen e të ardhurave në nivelin lokal.

Lekaj: Qytetarët nuk harrojnë që VV e bllokoi projektligjin për rimëkëmbe ekonomike

“Qytetarët nuk harrojnë që Vetëvendosje ishte ajo që bllokoi me muaj të tërë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike ku sipas jush ishte një ligj i rrezikshëm dhe i palogjikshëm e siç e dimë mungesa e këtij ligji hedikepoi shumë veprimtari dhe biznese e qytetar dhe se një pjesë të madhe të fajit në këtë proces të humbjeve keni gisht edhe ju si parti madje më shumë se të gjithë. Për keqardhje, atëherë ka pasur për çka të votohet ndërsa tani nga ministria dhe qeveria nuk po shohim ndonjë iniciative, ide apo planifikim ekonomik për të ndihmuar bizneset sektori ekonomi apo qytetarë. Kjo nuk mund të njihet ndryshe përveç një dështim si rrjedhojë e pa planifikimit të një qeveri pa projekte që nuk di të udhëheqë. E për më keq ne si opozitë nuk mund t’i mbyllim sytë sepse pandemia ka krijuar efektet negative gjithandej vendit dhe kjo ka ndikuar në uljen e mirëqenies qytetare”, tha Lekaj.

Lekaj tutje tha se me Qeverinë Kurti situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë dhe kjo po vërehet edhe në pushtetin lokal.

Lekaj: Situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë

“Situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Vërejte që pushteti lokal është përballur me vështirësi si rezultat i ndryshimeve thelbësore në buxheti dhe menaxhim financiar dhe qytetari është duke pësuar e them sepse nga të dhënat që i kemi e shohim se qeveritë komunale kanë rënie të ndjeshme të tatimit mbi të ardhurat, taksës së shitjes dhe të ardhurave të tjera. Kombinimi i vlerave të tjera negative siç janë ulja e të ardhurave e rritja e nivelit të papunësisë dhe kosto të larta shëndetësore kanë shkuar në rënie dhe mungesa të paparashikuara për nivelin komunal. Kjo është shqetësuese dhe një alarm për të gjithë ne sepse ndikimi i këtyre ndryshimeve në të ardhura paraqet rënie të mundshme dhe të pafavorshme të infrastrukturës , shëndetësisë, arsimit”, tha Lekaj.

***

Bajrami ia lë meritat Qeverisë Hoti për rimëkëmbjen ekonomike

Deputetja nga LDK-ja Hykmete Bajrami ka pyetur Qeverinë se me cfarë mund të krenohen sa i përket progresit ekonomik.

Ish-ministrja e Ekonomisë, tha se rimëkëmbja ekonomike po ndodh shumë më shpejtë se që është parashikuar falë punës së Qeverisë Hoti.

Bajrami shtoi se ish-qeveria Hoti ka ndarë mbi 285 milionë euro për qytetarët, bizneset e institucionet.

“Vetëm gjatë viti 2020 janë dhënë 285 milionë euro drejtpërdrejtë, dhe gjithsej për gjashtë muaj janë vu në mbështetje qytetarëve 285 milionë euro por ato kanë qenë kapacitetet tona. Kemi dyfishuar subvencionet në bujqësi, kemi ndihmuar bizneset e grave”.

“Qeveria Kurti ka marr mandatin me 22 mars dhe si mund ju të krenoheni me progresin ekonomike”.

Kusari-Lila për punën e Qeverisë: Mëkat që mos të vlerësohet

Shefja e GP të VV-së Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar që të bëhet debat në bazë të planifikimeve dhe jo në bazë të agjendës politike, sa i përket gjendjes ekonomike në pandemi.

Tutje Kusari-Lila tha se është mëkat që mos të vlerësohet puna e Qeverisë në uljen e rasteve me Covid-19.

“Është mëkat me ju njoftuar puna e Qeverisë në uljen e numrit të rasteve. Ajo çka mundon në këtë debat është se kërkesa kur është bërë ka munguar ideja në kontekstin kohor”.

“Trajtimi i kërkesës për debat në Kryesi është bërë sipas procedurës. Krahasuar me atë kohë kur e keni bë kërkesën për debat është 0.3% numri i të infektuarve”.

“Ligji për Rimëkëmbje është miratuar me 4 dhjetor 2020, në Qeverinë Hoti ajo kërkesë është bërë nga PDK-ja, dhe jo LDK-ja pas shtatë dështimeve”.

Ndaj Kusari-Lila ka reaguar Bedri Hamza, nga PDK-ja, i cili kërkoi nga Kusari-Lila të tregojë një ndihmë që ka bërë qeveria ndaj bizneseve.

“Se ki lexuar kornizën afatmesme të shpenzimeve ose nuk po do me pranuar, por është dokumenti aprovuar në Kuvend, dhe kur flisni për rritje e borxhit publik dhe del qe kjo Qeveria kanë paraparë që borxhin publik ta rrit 100%, mos i ik debatit për ekonominë, ma thoni një ndihmë që ja keni bërë bizneseve”.

Hamza ia rendit masat Qeverisë Kurti që duhet t’i përfshijë në rishikim të buxhetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) , Bedri Hamza ka kritikuar Qeverinë Kurti për mospërfshirje të asnjë mase konkrete për rimëkëmbjen e vendit, pas pandemisë Covdi 19.

Gjatë seancës plenare, ku po diskutohet për gjendjen ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, Hamza kërkoi nga ekzekutivi përshpejtim të Projektligjit për rishikim të buxhetit për vitin 2021, derisa edhe kritikoi për mosimplementim të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Hamza: Në programin qeveritar nuk parashihet as një masë konkrete se si do të bëhet rimëkëmbja ekonomike e vendit

“Shqetësuese për ne mbetet që as në programin qeveritar nuk parashihet as një masë konkrete, me burime të qëndrueshme të financimit se si do të bëhet rimëkëmbja ekonomike e vendit, pas pandemisë Covid 19. Për më keq një program për ekonominë shumë i paqartë edhe sa i përket çështjes së tatimeve”, tha ai.

Ndërkohë, paraqiti edhe disa nga rekomandimet e partisë së tij që qeveria të përfshijë në kuadër të rishikimit të buxhetit.

Hamza: Këto masa duhet të përfshihen në rishikim të buxhetit

“Brenda këtij rishikimi propozojmë që të përfshihen pagat e punonjësve të sektorit privat në shumë prej 300 euro për muaj, retroaktive për përudhën prill 2021 për gjitha bizneset që kanë qenë të mbyllura ose kanë pasur probleme të funksionimit gjatë kohës së pandemisë. Mbështetje shtesë financiare në shumë 40 milionë euro të gjitha bizneseve që kanë qenë të mbyllura, apo kanë pasur probleme gjatë kohës së pandemisë. Të gjithë përfituesit e skemave sociale të paguhen me mjete shtesë prej 100 euro për muajt maj, qershor, korrik dhe gusht të vitit 2021. Familjet që nuk kanë asnjë të punësuar të mbështetën financiarisht nga buxheti i Kosovës 10 milionë euro. Të mbështet financiarisht sektori i shëndetësisë, arsimit, doganat që kanë qenë të ekspozuara drejtpërdrejtë gjatë pandemisë për muajt qershor-korrik dhe gusht nga 200 euro për muaj. Me këtë ligj të rishikimit të buxhetit të parashihet edhe falja e gjobave të shqiptuara ndaj bizneseve në kohë pandemie. Ndërsa ata që i kanë paguar të rimbursohen”, u shpreh ai.

Hamza në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se çështja ekonomisë duhet të trajtohet me prioritet më të madh nga ekzekutivi.

***

​​Miratohet raporti vjetori i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 76 vota për kanë miratuar raportin vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.

Ky raport mori përkrahjen nga gjitha grupet parlamentare.

Po ashtu Kuvendi, me 73 vota për dhe asnjë kundër votoi në parim plotësim-ndryshimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Derisa seanca plenare në Kuvend po vazhdon me debatin parlamentar për ekonominë gjatë pandemisë Covid 19.

Deputetët votojnë në parim plotësim ndryshimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

​Deputetët votojnë në parim plotësim ndryshimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Me 73 vota për dhe asnjë kundër deputetët kanë votuar në parim plotësim-ndryshimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me këtë ndryshim të këtij ligji evitohet të metat dhe problemet që janë hasur në praktik për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Këtë ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve e kanë përkrahur edhe grupet parlamentare opozitare.

Haxhiu: Nesër finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se nesër do të finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun në sistemin e drejtësisë.

Haxhiu ka thënë se reforma më e madhe në sistemin e drejtësisë do të jetë vetingu.

“Më 15 qershor, finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun në sistemin e drejtësisë. Nuk është në rregull të kemi një ligj me 3-4 ndryshime. Kjo duhet të adresohet sa më parë që të kemi ligje të integruara”, ka deklaruar ajo.

Përndryshe, Haxhiu ka thënë se ka ftuar subjektet opozitare në takime të veçanta për të diskutuar për vetingun.

“Reforma më e madhe në sistemin e drejtësisë do të jetë vetingu dhe është i rëndësishëm konsensusi brenda Kuvendit. Unë i kam ftuar subjektet opozitare për takime të veçanta. Edhe roli i grupit parlamentar të VV’së është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Pastaj do të takoj edhe grupet parlamentare që përfaqësojnë komunitetin joshumicë”, ka shtuar ajo.

Përndryshe në vazhdimin e seancës së sotme do të diskutohet edhe për situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe për pika tjera.

Image

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sërish sot për ta vazhduar seancën e mbetur në gjysmë të javës së kaluar.

Në rend të ditës për diskutim është debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.

Ndërkohë, pritet të shqyrtohen edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.

Të zgjedhurit e popullit do të tentojnë edhe kësaj radhe të bëjnë plotësim-ndryshimin e vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.

***

Kuvendi i Kosovës sot do të vazhdojë seancën plenare.

Në këtë seancë ndër tjerash do të debatohet për situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.

Seanca do të nis në orën 10:00.

Rendi i ditës:

5. Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,

7. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020,

8. Debat parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat