​Dialogu Kosovë – Serbi përfshihet në deklaratën e përbashkët BE-SHBA

Aktuale

​Dialogu Kosovë – Serbi përfshihet në deklaratën e përbashkët BE-SHBA

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 15:45
Foto nga takimi Kurti-Vuçiq

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë disa nga çështjet që janë përfshirë në deklaratën e përbashkët që doli nga Samiti i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë pjesë të deklaratës, e cila është shpërndarë edhe në Twitter nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, thuhet se BE dhe SHBA do ta vazhdojnë angazhimin e përbashkët për Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne synojmë të forcojmë angazhimin tonë të përbashkët për Ballkanin Perëndimor, ndër të tjerash edhe përmes dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke mbështetur reformat kyçe për integrim në BE”, thuhet në postimin e Ambasadës.

Në këtë deklaratë të përbashkët mes BE-së dhe ShBA-së, ndër të tjerash janë përmendur edhe tensionet e ShBA-së me Rusinë dhe Kinën.

KosovaPress, dje gjatë ditës, publikoi edhe deklaratën e përbashkët që dol inga Samiti i vendeve anëtare të NATO-së.

Presidenti amerikan, Joe Biden, po e vazhdon vizitën e tij në Evropë, ku sot gjatë ditës është takuar edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Ky takim mes tyre po mbahet në Gjenevë, si dhe janë paralajmëruar negociata deri në 5 orë mes tyresh. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat