Komisionit për të Drejtat e Njeriut, i shtohet pjesa “Viktima të Dhunës Seksuale gjatë Luftës”

Aktuale

Komisionit për të Drejtat e Njeriut, i shtohet pjesa “Viktima të Dhunës Seksuale gjatë Luftës”

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 12:21
Kuvendi i Kosovës

Me 84 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim është vendosur që Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione t’i ndryshohet emri në Komisioni Parlamentar për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës dhe Peticione.

Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, në emër të Komisionit ka arsyetuar kërkesën për riemërtimin e këtij komisioni.

“Kjo iniciativë ka të bëjë me njohjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës edhe si kategori brenda titullit të komisionit që aktualisht quhet Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Kjo është e nevojshme edhe nga aspekti i të drejtave të njeriut, por edhe proceduralisht ngase kategoria e viktimave të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë është e njohur edhe me ligj”.

“Numri i të mbijetuarave prej këtij krimi llogaritet që është rreth 20 mijë. Ka shumë organizata, shoqata e madje kemi edhe Agjenci Shtetërore që merren me statusin e tyre. Duhet të njihen edhe në përmbajtje të tjera institucionale. Kontributi më i madh për këtë kategori është njohja e dhimbjes dhe sakrificës së tyre, ndërsa dëmi më i madh që është bërë është mohimi i kësaj dhimbjeje”.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Vasfije Krasniqi, u bëri thirrje deputetëve që ta përkrahin këtë propozim.

“Përmes votës së tyre, qytetarët u treguan të gatshëm për të përkrahur viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, ku një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është bërë përmes propozimit për riemërimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione duke i shtuar edhe kategoria “Viktima të Dhunës Seksuale gjatë Luftës”.

Kurse me 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka ndryshuar edhe emërtimi i Komisionit për Shëndetësi që tash e tutje do të quhet Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat