“Kcyen si gjelat e asnjë fjalë se thanë për Vuçiqin”/ Reagon Çun Lajçi: Kështu ka me ia ba Albini

Aktuale

“Kcyen si gjelat e asnjë fjalë se thanë për Vuçiqin”/ Reagon Çun Lajçi: Kështu ka me ia ba Albini

Nga: N.Sh Më: 17 qershor 2021 Në ora: 14:34
Çun Lajçi dhe Albin Kurti

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, përsëri ka shkruar për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin i cili u takua në Bruksel me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Lajçi duke e komentuar këtë takim, ka reaguar ndaj kritikuesve të Kurtit, të cilët, sipas tij, asnjë fjalë nuk e thanë për Vuçiqin.

Ai shkruan se ata janë mësuar me ish-presidentin Hashim Thaçi që me i buzëqesh dhe me ia shtrëngua dorën.

Lajçi e ka komentuar edhe pyetjen e Kurtit i cili i është drejtuar Vuçiqin se kur don me njoh Kosovën?

Pas kësaj pyetje, Lajçi shkruan se, kritikuesit kryen si gjelat.

Shkrimi i plotë:

Kështu ka me ia ba Albini

Dy ditë shkuen, e do t’shkojnë edhe dy muej, tue rreh vetën me fjalët e veta. Tue gjuejtë dreqin me gurë, e kryet tue ia thye vetvetës!

Hej, asnji fjalë s’e thanë për Vuçiqin! More, asnji fjalë! Thuase ky n’Bruksel u takua me vetvetën! Prandaj vollën vner e s’lan nji t’keqe pa e thanë për Albinin.

Janë mësua herifat me Thaçin, me i buzëqeshë e me ia shtrengua dorën, e këtij i thanë: Kqyreni naivin qyshë s’guxon me ia dhanë dorën?

E kur i tha, kur don me njoftë Kosovën, këta kcyen si gjelat: Ky prej tutës e pat, s’e pat për njohjen, se s’guxon me lypë!

Ky mjerim, lidërlucash, m’shtini me i shkrua do fjalë t’babës, që m’i kishte thanë për nji mësit n’kohën e Nemcit, sepse m’përngjau me mësitin Albin!

* Dhe … ?

Po! Shkoi rugovani mësit, me i lypë çikë djalit. N’katundet e Rozhajës dikund, m’thoshte baba. N’kohën e nemcit! T’Austrisë e t'Maxharrit! Por s'di, a shkoi n'Husaj a n’Bralaj!

I thirri t’madhe të dyert e oborrit. 

- O zoti i shpisë! A don mysafir more?

Njiherë lehu qeni e mandej u kollit i zoti i konakut!

- Hajde mirë se t’pruni Zoti more!

Dhe duel me nji kaci tue largua borën! Ia çeli derën krah-m'krah. Shihej se ishte gëzua fort, që po i nderohej konaku, se t’rrallë ishin mysafirët n’stinën e dimnit e n'kohën e nemcit!

Ia zgjati dorën dhe hygjym bani me marrë ngrykë!

- Ndalu 'i herë, i tha rugovani, çka po turrësh! Hala s'jemi hi brenda!

Hala s'i kam dathë opangat, me m'dvetë qysh erdha, si erdha e pse erdha?

S'asht shtrua sinia hala, më mazën e zieme e me çanakun e mjaltit!

Unë duert i kam t'bërdhime!

Duhna me i nxe me bukë t'rreshkët njiherë, e mandej me dhezë ‘i duhan e me pritë deri t'ma bajsh çikën përhajër.

Na t'Rugovës s'e jepim dorën badihava. Bile as nemcit s'ia kemi dhanë pa na i dhanë pushkët!

Unë ngrykë e kam marrë austriakun, veç kur ma ka dhanë sandakun me fyshekë e jamurllukun!

Ky mbet tue kqyrë seri. Dikur e muer vesh se për çka ishte fjala e tue qeshë i tha:

Miku i mirë.

Unë konak me t'ba po! Edhe bukë t'rreshkët me t'i nxe duert e barkun, po! Edhe plakën teme me ta ba përhajër, n'kjoftë se asht ba çikë, se çikë ka kojshiu, e ti po m'duket e ke dallashitë shpinë!

Dhe shkuen të kojshia!

Po!

Ishte borë e madhe. Fërfëllaza i kishte mbulua rrugët, gardhiqet, e besa edhe shtëpiat, se t'vogëla ishin n'atë kohë.

Këtij iu kishin pasë ba tebdil, e n'shtëpi t'huej kishte pasë thirrë!

Por s’u kthy n’Rugovë pa i nxanë nuse djalit, jo!

Besoj se kështu ka me ia ba edhe Albini.

Veç pritni e duroni!

Dardani, 17.06.2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat