Osmani në Austri: Njohja reciproke me Serbinë e vetmja zgjidhje

Aktuale

Osmani në Austri: Njohja reciproke me Serbinë e vetmja zgjidhje

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 10:27
Foto nga takimi

(E plotësuar 14:10) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot vizitën zyrtare në Austri.

Pas nderimeve më të larta shtetërore, takimin e parë Presidentja Osmani e ka realizuar me Presidentin austriak, Alexander Van der Bellen.

Të dy bashkëbiseduesit kanë përmendur marrëdhëniet miqësore ndërmjet shteteve dhe njëherësh kanë shprehur gatishmërinë për avancimin e tyre. Me këtë rast, Presidentja Osmani falënderoi përzemërsisht Presidentin Van der Bellen për mbështetjen e Austrisë për Kosovën që nga njohja e pavarësisë e deri në ballafaqimin me pandeminë.

Image

“Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërt për Republikën tonë. Institucionet tona dhe populli ynë ju janë përherë mirënjohës”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, ajo ka potencuar se pret vazhdimin e mbështetjes austriake edhe në rrugën evropiane të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave sikurse edhe anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Ne te Austria shohim shtetin mik që na ka mbështetur në faza të ndjeshme përgjatë historisë. Përpjekjet tona për pavarësi kanë gjetur mbështetje të fuqishme nga shteti austriak qysh në kohën e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Pastaj më mbështetjen ndaj të rinjve tanë që kanë studiuar në universitetet austriake, për të vazhduar me mbështetjen në procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Sot, sërish na duhet mbështetja austriake që ne të lëvizim lirshëm dhe që ta forcojmë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Besoj fuqishëm që Austrinë do ta kemi në krah”, ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit me Presidentin Van der Bellen.

Duke u fokusuar te mundësitë e reja për bashkëpunim, përveç bashkëpunimit në fushën e investimeve ekonomike, arsimit, si dhe bashkëpunimin kulturor, Presidentja Osmani theksoi se fokus i veçantë i kësaj vizite është edhe shkëmbimi i njohurive dhe përvojave më të mira në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të Agjendës së Gjelbër.

Image

Presidentja Osmani ka përmendur po ashtu diasporën kosovare në këtë shtet, e cila përbën urë të fortë miqësie ndërmjet të dy shteteve.

Në lidhje me Dialogun, Presidentja Osmani ritheksoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktual.

***

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë gjatë vizitës në Austri  se parakusht për arritjen zgjidhjes me Serbinë është vendosja e drejtësisë.

“Historia ka dëshmuar se çdo herë ku ka pasur luftë ajo që ka qenë parakusht për paqen, ka qenë drejtësia. Kërkojmë drejtësi, jo hakmarrje. Kërkojmë që të na kthehen eshtrat e personave të pagjetur. E shoh drejtësinë si parakusht për paqe të qëndrueshme dhe do të insistojmë për këtë”, është shprehur Osmani gjatë konferencës së përbashkët me homologun austriak, Van Der Bellen.

Në këtë paraqitje Osmani ka thënë se sa i përket zgjidhjes së çështjes me Serbinë opsion është njohja reciproke.

Image

“Zgjidhja për ne është njohja reciproke që për ne është e domosdoshme. Asnjë zgjidhej tjetër nuk do të mund të sillte paqe të qëndrueshme për rajonin tonë”.

“Serbia nuk mund të luajë me dy karta erdhe me Rusinë edhe me BE-në. Duhet ta zgjedh se cila është rruga e saj”.

Vjosa Osmani takohet me homologun austriak, Alexander Van der Bellen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit me nderime të larta nga homologu i saj austriak, Alexander Van der Bellen, në Vjenë.

Ndërsa ka publikuar pamje nga pritja, Va nder Bellen, tha se nuk dyshon që të dyja vendet do të bëhen edhe më të afërta ndërsa Kosova po përparon në rrugën e saj evropiane.

“Mirësevini në Vjenë, Presidente Vjosa Osmani. Vizita juaj nënvizon marrëdhëniet e mira midis dy vendeve tona. Dhe nuk dyshoj që marrëdhëniet tona do të bëhen edhe më të afërta ndërsa Kosova po përparon në rrugën e saj evropiane”, ka shkrur Van der Bellen, në Twitter.
 

 

Image

 

***

Flamuj të shtetit të Kosovës krahas flamujve të shtetit të Austrisë janë vendosur në shumë objekte të njohura në Vjenë. Në shenjë respekti dhe miqësisë mes dy shteteve, shteti austriak ka bërë përgatitje për pritjen e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do të nisë një vizitë zyrtare në Austri.

Kjo vizitë e Osmanit vjen me ftesën e homologut të saj austriak, presidentit Alexander Van der Bellen.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim me Alexander Van der Bellen, Osmani do të diskutojë për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës në rrugën evropiane, procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimit të organizatave ndërkombëtare si dhe kontretizimin e bashkëpunimit për avancimin e Agjendës së Gjelbër.
Portali austriak ots.at shkruan për një pjesë të agjendës se presidentes Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu do të pritet nga Presidenti Federal Alexander Van der Bellen me nderime ushtarake në Burghof, të martën, 22 qershor 2021 në 10.30 të mëngjesit. Sipas programit në orën 11.00 të mëngjesit do të jetë një takim pune. Ndërkohë, konferenca për shtyp midis dy krerëve të shteteve do të zhvillohet në orën 12.00 të ditës në sallën ceremoniale, përcjell albinfo.at.

“Presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, sikurse edhe me ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Geëessler me të cilët përveç diskutimit të aspekteve politike do të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Austri, presidentja Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, ndërsa është paraparë takim me Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare si dhe me Odën Ekonomike Austriake.

“Ndërkaq në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën: Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit”, thuhet në fund të njoftimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat