​Qeveria miraton projektligjin që i mundëson Kosovës përfitimin e mbi 90 milionë euro nga BE

Aktuale

​Qeveria miraton projektligjin që i mundëson Kosovës përfitimin e mbi 90 milionë euro nga BE

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 12:58

(E plotësuar 14:43) - ​Kurti: Afati për miratimin e plotësim-ndryshimit të ligjit për rishikimin e buxhetit është me 30 qershor

Qeveria e Kosovës ka bërë plotësim-ndryshimin e programit legjislativ për vitin 2021. Në kuadër të këtij projektligji është ndryshuar afati i miratimit të projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Persona të Zhdukur. Po ashtu, është tërhequr projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhunën në baza gjinore. Afati për plotësim-ndryshimin e ligjit për rishikimin e buxhetit është me 30 qershor.

Për projektligjin për personat e zhdukur, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se është shtyrë për shkak të çështjeve që kanë dalur nga koncept-dokumenti.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur projektligjet të cilat do të plotësohen e ndryshohen në kuadër të programit legjislativ për vitin 2021.

Kurti: Afati i miratimit të projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Persona të Zhdukur me 31 korrik

“Ndryshohet afati i miratimit në qeveri i këtyre projektligjeve: projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Persona të Zhdukur, afati i miratimit 31 korrik 2021, kjo nga Ministria e Drejtësisë. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi në kontekstin e aderimit të BE-së, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, afati i miratimit 14 korrik, 2021. Projektligji për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara nga MPJD, afati i miratimit 30 qershor 2021”, ka thënë Kurti.

Më tej, ai ka bërë të ditur se afati i miratimit për projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, është 20 shtator të këtij viti. Ndërsa, afati për miratimin e projektligjit për rishikimin e buxhetit është me 30 qershor.

Kurti: Afati për plotësim-ndryshimin e ligjit për rishikimin e buxhetit është me 30 qershor

“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit 07/L-41 mbi ndarjen buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, Ministria e Financave për Punë dhe Transfere, afati i miratimit 30 qershor 2021. Shtohet në program legjislativ për vitin 2021, projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022, Ministria e Financave e Punës dhe Transfereve, afati i miratimit është 29 tetor 2021”, ka shtuar Kurti.

Ndërsa, nga programi legjislativ për vitin 2021 është tërhequr projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhunën në baza gjinore.

Për këtë Haxhiu ka thënë se kjo ka ndodhur se njëkohësisht janë duke punuar edhe komisioni për të Drejtat e Njeriut.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë.

Qeveria ndan 20 mijë euro për familjen e Kujtim Veselit nga Fushë Kosova

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka marrë vendim për ndarjen e 20 mijë eurove për familjen e Kujtim Veselit.

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti tha se këto mjete ndahen nga zyra e kryeministrit që sado pak kjo familje të mbulojë shpenzimet.

“Vitin që shkoi gjykata e dënoi me 25 vjet burgim të akuzuarin për dhunimin e 11 vjetarit ashkali nga Fushë-Kosova”.

“Kujtimi kishte ndërprerë shkollimin”.

I ndjeri, u gjet i vdekur më 11 korrik 2019 poshtë shkallëve të një objekti banimi në lagjen “Xhemajl Mustafa” në Fushë-Kosovë.

S.O. më pas ishte dënuar me 25 vjet burgim për veprën penale dhunim dhe vrasje.

***

Në mbledhjen e qeverisë është miratuar projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2020 ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Projektligji i prezantuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i mundëson Kosovës të përfitojë 90.2 milionë euro në formë të projekteve nga Bashkimi Evropian.

Bislimi ka listuar projektet për të cilat do të destinohen këto mjete, ku mbi 10 milionë euro do të adresohen për qëllime të luftimit të pasojave të pandemisë Covid-19.

Bislimi: Mbi 10 milionë euro për qëllime të luftimit të pasojave të pandemisë Covid-19

“Sa i përket përmbajtjes ratifikimi i kësaj marrëveshje mundëson investime të konsiderueshme në disa sektor, përkrahje të paalokuar në shumën prej 10.6 milionë euro që do të përdoren sipas nevojës kryesisht për qëllime të luftimit të pasojave të pandemisë Covid-19. Përkrahje për qasjen e Kosovës në programet e Bashkimit Evropian 0.5 milionë euro pastaj përkrahje për sundimin e ligjit dhe të drejtat fondamentale në shumën prej 10 milionë euro, përkrahje për sistemin e menaxhimit të mbeturinave 16 milionë euro nga BE, përkrahje për ngrohjen qendrore të kryeqytetit në vlerë prej 17.6 milionë euro që kombinohen me 7.4 milionë euro bashkëfinancim dhe përkrahje për sektorin e ujitjes me 10 milionë euro”, tha Bislimi.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2020 ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është proceduar sot në Kuvend dhe kërkon mbështetjen me 2/3 e deputetëve të parlamentit.

***

Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka ftuar për aprovimin e këtij projektligji i cili kaloi me shumicë votash.

“Sot para jush paraqes projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale, duke pasur parasysh vështirësitë e trajtimit të lëndeve komerciale nga gjykatat themelore ka stërzgjatur kontestet komerciale”, ka thënë Haxhiu.

Tutje ajo tha se themelimi i kësaj gjykate do të mundësojë krijim të vendeve të reja të punës.

Themelimi i kësaj gjykate do të ndihmojë në zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të punës sepse kjo do të mundësojë investimin e bashkëatdhetarëve përshkak të garantimit të sigurisë juridike dhe krijimit të një ambienti të të bërit biznes.

***

Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje sot, duke filluar nga ora 13:00.

Në total do diskutohen 28 pika të rendit të ditës.

Në mesin e këtyre pikave janë:

Shqyrtimi i Projektligjit për Gjykatën Komerciale, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë.

Shqyrtimi i Propozim-vendimit për themelimin e Këshillit për Persona me Aftësi të Kufizuar (ZKM).

Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve financiare për familjen e të ndjerit Kujtim Veseli (ZKM), 12-vjeçari që vdiq pas dhunimit seksual që iu bë në Fushë-Kosovë.

Gjatë kësaj mbledhje, Qeveri Kurti 2 pritet të emërojë edhe anëtarët e Bordit Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Po ashtu, sot pritet të bëhet edhe shqyrtimi i masave të përgjithshme dhe të veçanta per kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 (MSH).

Kabineti i Kurtit sot pritet të votojë edhe për ndarjen e mjeteve për ndihmë financiare për mbulimin e dëmeve nga vërshimet në Komunën e Preshevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat