Petritsch rrëfen se nga e mori lajmin kur nisën bombardimet e NATO-s kundër Serbisë

Aktuale

Petritsch rrëfen se nga e mori lajmin kur nisën bombardimet e NATO-s kundër Serbisë

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 23:44
Bombardimet e NATO

Ish i dërguari special i Bashkimit Europian në bisedimet paqësore të Kosovës në Rambuje dhe Paris, Wolfgang Petritsch ka treguar se si deri sa ishte duke vozitur për në Vjenë, pas përpjekjeve të fundit për të bindur presidentin e Serbisë Slobodan Milosheviqin që të pranojë marrëveshje, ka dëgjuar në radio se kishin filluar bombardimet e NATO-s.

Petritsch, i cili ishte edhe ndër diplomatët e fundit që u përpoq të arrinte një marrëveshje paqësore për Kosovën, në një intervistë tregon edhe për negociatat me Milosheviqin dhe refuzimin e tij, për mospranimin e një kompromisi.

“Isha negociatori i fundit që u largua nga Beogradi. Hill dhe Holbrooke ishin larguar më herët, pasi Milosheviqi refuzonte të vazhdonte të bisedonte me ne. Negociatori rus ishte ftuar të kthehej në Moskë. Kështu që e dija se gjasat që Milosheviqi të pranonte marrëveshjen e paqes – që, siç e dini, ishte nënshkruar dy ditë më herët nga delegacioni kosovar në Paris – tanimë kishin humbur krejtësisht”, tha Petritsch.

Ai tregon se si është ndje deri sa ka dëgjuar se NATO kishte filluar bombardimin e Serbisë.

“Fillova të marr kërcënime anonime dhe m’u desh të vendosi të largohem me ekipin tim të vogël nëpërmjet Hungarisë për në Vjenë. Derisa ende po vozisnim, dëgjuam lajmet se NATO kishte filluar bombardimin e Beogradit. Isha i tronditur pasi disi ende shpresoja se në minutat e fundit do të arrihej ndonjë kompromis”, tha Petritsch.

Kujtojmë se më 24 mars 1999 NATO kishte filluar bombardimin e Serbisë dhe pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat