​Gërvalla vizitë në Belgjikë, merr mbështetje për vizat

Aktuale

​Gërvalla vizitë në Belgjikë, merr mbështetje për vizat

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 14:47
Foto nga takimi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Belgjikë, ku ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave dhe rrugën evropiane të Kosovës.

Ajo u prit në takim nga zëvendëskryeministrja njëherësh ministre për Punët e Jashtme, Çështje Evropiane dhe Tregti të Jashtme, dhe Institucionet Federale të Kulturës, Sophie Wilmes, me të cilën ka biseduar mbi bashkëpunimin bilateral dhe zhvillimet aktuale politike.

Gërvalla ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për një Kosovë demokratike, të qëndrueshme ekonomikisht dhe me perspektivë evropiane.

Gjatë diskutimit për ecurinë e marrëveshjeve aktuale mes të dyja vendeve, u theksua nevoja për të shtyrë përpara bashkëpunimin edhe nëpërmjet marrëveshjeve të radhës që lidhen me eliminimin e taksave të dyfishta si dhe me bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

Palët janë dakorduar për vazhdimin e konsultimeve politike në mes të ministrive të jashtme të të dyja vendeve gjatë këtij viti.

Tutje kanë diskutuar për situatën politike në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin rajonal si dhe bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rruga e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, gjithashtu ishte pjesë e kësaj bisede.

Ministrja Gërvalla e njoftoi homologen e saj me synimet dhe veprimet e Qeverisë së re në këtë drejtim, e posaçërisht fokusin në forcim të sundimit të ligjit, si një prej vlera më fundamentale të BE-së. Ajo theksoi nevojën për përmbyllje sa më të shpejt të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Nga ana tjetër ministrja Wilmès, ka ritheksuar qëndrimin mbështetës të Belgjikës për rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE, duke përfshirë procesin e liberalizimit të vizave.

Po ashtu, menaxhimi i situatës me pandeminë COVID-19 ishte temë e diskutimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat