PDK sot zgjedh kryetarin e ri të partisë, Memli Krasniqi kandidati i vetëm

Aktuale

PDK sot zgjedh kryetarin e ri të partisë, Memli Krasniqi kandidati i vetëm

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 08:43
Memli Krasniqi

Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë sot Konventën e dhjetë me radhë të partisë në të cilën pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë.

Në njoftimin për media të kësaj partie bëhet e ditur se Konventa do të mbahet nga ora 09:30.

Sipas PDK-së, kjo Konventë është e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë do të jetë ceremoniale dhe ftohen mediat ta përcjellin këtë ngjarje.

Në Konventë do të marrin pjesë 794 delegatë.

Sipas afatit të përcaktuar në ditën e shpalljes së zgjedhjeve, deri të enjten në ora 17:00, kandidaturën për kryetar të partisë e ka paraqitur vetëm Memli Krasniqi.

Ndërsa ish-ushtruesi i detyrës së PDK-së, Enver Hoxhaj dy ditë më parë përmes një konference për media bëri të ditur se nuk do të kandidojë për të parin e partisë.

Memli Krasniqi do të jetë kandidati i vetëm për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur një ditë më parë anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Megjithatë, sipas tij, procesi ka qenë i hapur, dhe se kush ka pasur dëshirë ka mundur të kandidojë.

“Kemi një kandidat, dhe është Memli Krasniqi, është personalitet që i plotëson kushtet për tu zgjedhur kryetar i PDK-së. I ka të gjitha karakteristikat që duhet t’i ketë një lider. Ka qenë garë e hapur dhe sigurisht pse kemi vetëm një kandidat, tregon se ka pasur një pajtim të heshtur që t’i jepet përkrahja Memli Krasniqit që të udhëheq PDK-në”, theksoi ai gjatë një konferencë për media.

Ndërkaq, ditë më parë, Memli Krasniqi kishte deklaruar se PDK ka nevojë për të hapur një kapitull të ri, një projekt politik për qytetarin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat