“Një nga aksidentet më të rënda”- Çka raporton VOA për aksidentin e autobusit nga Kosova në Kroaci

Aktuale

“Një nga aksidentet më të rënda”- Çka raporton VOA për aksidentin e autobusit nga Kosova në Kroaci

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 14:42
Pamje nga vendi i ngjarjes

Të paktën 10 veta humbën jetën dhe 45 të tjerë mbetën të plagosur nga pasojat e një aksidenti në Kroaci.

Autoritetet thanë se një autobus doli nga autostrada ndërmjet Zagrebit dhe kufirit të Serbisë të dielën në mëngjes afër Slavonski Brodit.

Policia tha se autobusi kishte targa të Kosovës dhe ishte në një rrugëtim të rregullt nga Gjermania për në Prishtinë. Shkaqet e aksidentit nuk u bënë të ditura menjëherë.

Shefi i policisë lokale Franjo Galic tha se autobusi ishte me më shumë se 60 udhëtarë. Ai e përshkroi si "një nga aksidentet më të rënda që kam parë ndonjëherë".

Të plagosurit u transferuan në spitalin në Slavonski Brod. Shefi i spitalit Josip Samarxhiç, tha se tetë persona janë më lëndime të rënda.

Ministria e Jashtme e Kosovës tha se nga të dhënat e konfirmuara deri para mesditës, “kanë humbur jetën 10 persona, bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda”.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç,shkroi se me trishtim të madh e ka marrë lajmin për aksidentin e autobusit me targa të Kosovës.

“Bashkëndjejmë me familjet e viktimave, autoritetet dhe popullin e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllime të thella. Shpresoj që udhëtarët e e plagosur të shërohen”, shkroi ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi tragjik dhe të rëndë lajmin për aksidentin.

“Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë”!, shkroi ajo.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i pikëlluar me lajmin dhe tha se drejt Slavonski Brodit është nisur ministri i Brendshëm dhe ambasadori i Kosovës ne Kroaci./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat