E dhimbshme: Aksidenti në Kroaci, familja Sylmetaj hap të pamen e familja Zeka ndihet me fat që shpëtoi e bija

Aktuale

E dhimbshme: Aksidenti në Kroaci, familja Sylmetaj hap të pamen e familja Zeka ndihet me fat që shpëtoi e bija

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 20:21
Pamje nga vendi i ngjarjes

Karrigja me peshqir që tregon rast vdekjeje është vendosur para shtëpisë së familjes Sylmetaj në Çabrat të Gjakovës. Këtu po vijnë mjaft njerëz për kryeshëndosh, për Naser Sylmetajn që vdiq në aksidentin e autobusit në Slavonski Brod të Kroacisë, e që po vinte nga Gjermania në Kosovë.

Ky është njëri nga 10 viktimat e kësaj tragjedie, teksa 44 tjerë janë lënduar. Sylmetaj ishte ngasës i autobusit, por në momentin e aksidentit nuk ishte në detyrë.

“Supozohet se Naseri nuk ka qenë duke vozitur. Ka qenë shoferi tjetër duke vozitë”, rrëfen Muharrem Sylmetaj,  djali i axhës së viktimës.

Ky tregon se kushëriri i tij ka pushuar ndërkohë, por nuk e di nëse të dielën, punëtorët e kompanisë Deva Tours ishin në gjendje të vozisnin.

“Ka qenë me pauza, dy-tri ditë ka pushu. Për rastin e mbrëmshëm, nuk kemi asnjë informatë se a kanë pushuar mjaftueshëm apo kur janë ndërruar”, shton ai.

Kompania nuk iu përgjigj për mënyrën si funksionojnë linjat e gjata të udhëtimeve dhe me çfarë orari punojnë ngasësit. Veçse në një deklaratë për media tha se do të qëndrojë afër familjarëve të viktimave.

Ndërkohë, mysafirë ka edhe në familjen Zeka në qendër të Gjakovës. Por këtu, po ndihen me fat që pasagjerja Y.Z. i ka shpëtuar më të keqes, ndërsa ka marrë plagë.

E ëma Lindita Zeka, tregon se udhëtarëve u kanë humbur telefonat pas rrokullisjes së autobusit, ndërsa e bija iu lajmërua nga një numër tjetër.

“E çova telefonin dhe për një moment mu lajmërua vajza dhe më tha, nanë kam bërë ndeshje, unë jam mirë por ka ndodhur një fatkeqësi shumë e madhe. Kaq, mu ka ndërpre lidhja”, tregon Zeka.

Sipas saj, vajza po trajtohet në spital, ndërsa është e kënaqur me shërbimet.

“Mjekët janë duke e dhënë maksimumin, ajo po trajtohet me terapitë e tyre që janë duke i dhënë”, thotë ajo.

Autoritetet vendore, por edhe ato kroate, kanë deklaruar se janë duke punuar për identifikimin e të gjitha viktimave. Kurse Ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë ka vënë në shërbim një numër emergjent për këtë situatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat