Familja e kërkoi sot gjatë gjithë ditës, 18-vjeçarja në mesin e viktimave në Kroaci

Aktuale

Familja e kërkoi sot gjatë gjithë ditës, 18-vjeçarja në mesin e viktimave në Kroaci

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 22:36
Pamje nga vendi i ngjarjes

Aksidenti i rëndë që ndodhi mëngjesin e së dielës në autostradën Bregana-Lipovac afër Slavonski Brod në Kroaci, u mori jetën dhjetë personave të cilët po udhëtonin me autobus nga Gjermania për në Kosovë.

Media mëson nga burimet e saj se në mesin e viktimave është edhe 18-vjeçarja A.Bellanica nga Krusha e Madhe e cila kishte marrë rrugën nga Austria për në Kosovë.

Familjarët e saj, gjatë gjithë ditës po e kërkonin nëpër spitale të Kroacisë 18-vjeçaren, pasi që nuk e dinin se çfarë ka ndodhur me fatin e saj.

Djali i axhës së viktimës, B.Bellanica, ka thënë për televizionin publik se e kanë kërkuar në spital në Zagreb, por që iu kanë thënë se nuk kanë pasur pacient me këtë emër.

Ai bën të ditur se babai i saj është nisur nga Austria për ta kërkuar në Kroaci e edhe daja i saj është nisur nga Kosova pikërisht për të njëjtën arsye, për të marrë informacione lidhur me atë se çfarë i ka ndodhur 18-vjeçares.

Përveç saj, deri më tani janë identifikuar edhe dy viktima, nënë e bijë nga Gjakova, të cilat gjetën vdekjen në aksidentin e rëndë që ndodhi në Kroaci.

Media po ashtu mëson se vajza është e moshës madhore, mbi 18 vjeç.

Identiteti i tri viktimave të lartpërmendura që humbën jetën në aksidentin tragjik është i njohur por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, Gazeta ka vendosur që të mos i publikojë.

Autobusi me targa nga Kosova ishte nisur nga Gjermania për në Kosovë, por u aksidentua në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona, 44 të lënduar dhe 15 prej këtyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat