Gërvalla: Vizituam secilin pacientë, fëmijët, e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar

Aktuale

Gërvalla: Vizituam secilin pacientë, fëmijët, e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar

Nga: H.O. Më: 26 korrik 2021 Në ora: 08:50
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla përmes një postimi të saj në Facebook ka treguar për gjendjen e të aksidentuarve dje në Kroaci.

Ajo ka thënë se vetëm një nga të lënduarit është dërguar për në Zagreb, ndërsa të gjithë të tjerët në spitalin e qytetit. Dy prej tyre janë në trajtim intensive, të tjerët në gjendje stabile shëndetësore.

Ajo shkruan se bashkë me Kryeministrin Kurti, kolegët ministra Sveçla dhe Vitia dhe shefin e Kabinetit të Presidentes, z. Vela dhe të shoqëruar nga Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, Ministri i Punëve të Jashtme Gordan Grliç Radman, Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh dhe Ministri i Mbrojtjes Mario Banoziç kanë vizituar pacientët një nga një.

Postimi i plotë:

Së bashku me Kryeministrin Kurti, kolegët ministra Sveçla dhe Vitia dhe shefin e Kabinetit të Presidentes, z. Vela dhe të shoqëruar nga Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, Ministri i Punëve të Jashtme Gordan Grliç Radman, Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh dhe Ministri i Mbrojtjes Mario Banoziç, dje vizituam të lënduarit e tragjedisë së djeshme në Kroaci, të cilët ndodhen në spitalin e qytetit Slavonski Brod. Vetëm një nga të lënduarit është dërguar për arsye specifike mjekësore në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur në spitalin e qytetit. Dy nga pacientët ende ndodhen në trajtim intensiv, njëri prej tyre në gjendje tashmë stabile. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile.

Në spital i takuam të gjithë pacientët një nga një dhe me secilin prej tyre shkëmbyem nga pak fjalë. Shumë prej tyre, dhe sidomos fëmijët, e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar. Në ndërkohë në spital kishin filluar të arrinin familjarët e të lënduarve, të cilët duke u bashkuar me familjet e tyre po ndihmojnë në përmirësimin e shpejtë të gjendjes shpirtërore dhe mjekësore të të lënduarve.

Një falënderim i madh i takon drejtorit të spitalit, z. Josip Samardziç, mjekëve dhe të gjithë personelit shëndetësor për përkujdesjen dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj të gjithë të lënduarve dhe familjarëve të tyre.

Më pas u takuam me udhëtarët e autobusit, të cilët aksidentin e kishin mbijetuar pa lëndime. Në pensionin, në të cilin ishin vendosur nga qeveria kroate, i gjetëm të grumbulluar rreth një tavoline të madhe. Me shumë shqetësim pyetën për gjendjen e të shtruarve në spital dhe na treguan përjetimet e tyre.

Ekipet e institucioneve tona gjatë ditës së djeshme kanë vizituar familjet e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi për t’i njoftuar që të afërmit e tyre ndodhen në mesin e viktimave dhe për t’iu përcjellë ngushëllimet dhe mbështetjen e institucioneve të Kosovës

Së bashku me Kryeministrin po kthehemi në Kosovë. Ministrat Sveçla dhe Vitia po vazhdojnë të qëndrojnë në Slavonski Brod nga ku po kujdesen për të gjitha, edhe për udhëtimin për Kosovë të të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë, dhe këta janë shumica. Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre.

Nuk ka fjalë që mund të përshkruajë falënderimin dhe mirënjohjen ndaj ndihmës së shpejtë, efektive dhe shumë njerëzore të të gjitha autoriteteve kroate duke filluar që nga policia në vendin e ngjarjes, njësitë e zjarrfikësve, njësitë e shpëtimit, personelin shëndetësor, të gjithë mjekët dhe duke vazhduar me drejtuesin e qarkut Brod-Posavina, z. Danijel Marusic, kontigjentin kroat të KFOR-it, pilotët kroat që na çuan në Slavonski Brod, ambasadorët gjerman në Zagreb dhe Prishtinë, ministrat e qeverisë kroate dhe në radhë të parë Kryeministrin kroat Plenkoviç. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj përherë do të mbeten mirënjohës për këtë ndihmë të jashtëzakonshme në ditë të vështira.

Sot është ditë zie në Kosovë. Ditë gjatë së cilës lutemi për viktimat e kësaj tragjedie dhe të afërmit dhe të dashurit e tyre. Ditë,  e cila na vë edhe më shumë në pah se sa e brishtë është jeta dhe sa i domosdoshëm solidariteti në shoqërinë tonë të rrahur nga sfidat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat