Pritet të identifikohen dy viktima të aksidentit në Kroaci

Aktuale

Pritet të identifikohen dy viktima të aksidentit në Kroaci

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 15:27
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia e Kroacisë ka njoftuar se ende është duke u pritur të identifikohen dy viktima të aksidentit që ndodhi dje në Slavonski Brod të Kroacisë, ndërsa tetë tjerë janë identifikuar, raporton Index.hr.

Të dielën në afërsi të Slavonski Brod u aksidentua një autobus i linjës Frankfurt – Prishtinë, ndërsa si pasojë vdiqën dhjetë persona, nëntë pasagjerë dhe njëri prej dy shoferëve që ishin në autobus.

Shoferi tjetër, një shtetas i Kosovës 52-vjeçar, është arrestuar.

Në aksident u lënduan 44 persona, 15 më rëndë, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje më kritike. Ndërkohë nga Spitalit në Slavonski Brod, Josip Samarxhiq, është thënë se nga spitali do të lirohen sot 26 të lënduar.

Kompania “Deva Tours”, autobusi i të cilës u aksidentua në Slavonski Brod, ka bërë një postim në Facebook, ku ka shprehur ngushëllime.

“Të dashur familjarë dhe të afërm të pasagjerëve, vëllezër dhe motra. Me trishtim dhe dhimbje të madhe po e përjetojmë çdo sekondë të tragjedisë së djeshme e cila do të na përcjellë gjatë gjithë jetës! Është e vështirë të gjinden mendimet dhe fjalët racionale për ta përshkruar peshën e dhimbjes që secili nga ne po e bart mbi supe. Bashkëndjejmë sot me secilin prej jush, me ndjenjat më të sinqerta të dhembshurisë, pasi që ata ishin edhe vëllezërit dhe motrat tona me të cilët kemi bashkëudhëtuar shumë herë. Si gjithmonë, jemi përpjekur të jemi maksimalisht në krye të detyrës dhe shërbimit sa më të mirë për bashkatdhetarët tonë. Por, fatkeqësisht kjo tragjedi na preu rrugën dhe na mori me vete më të dashurit, dhe po ashtu edhe kolegun tonë shembullor Naserin i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë si njeri i mire, punëtor i zellshëm dhe i kompletuar. Pranoni edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta! Duke i falënderuar organet e shtetit kroat dhe kosovar për gatishmërinë e treguar, mbesim të hapur dhe me besimin e plotë që do të zbardhet çdo rrethanë rreth kësaj ngjarje. Me mendje, zemër dhe lutje do të jemi çdo moment me të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe t’i kthehen familjeve të tyre”, thuhet në postimin e Deva Tours.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat