VOA: Ditë zie për viktimat e autobusit të aksidentuar në Kroaci

Aktuale

VOA: Ditë zie për viktimat e autobusit të aksidentuar në Kroaci

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 19:46
Skena nga vendi i aksidentit

E hëna në Kosovë është ditë zie, në nderim të viktimave të aksidentit me autobus në Kroaci ku humbën jetën 10 veta ndërsa u plagosën 40 persona me prejardhje nga Kosova.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Autoritetet në Kosovë thanë se po vazhdojnë bashkërendimin me autoritetet kroate për të ndihmuar të plagosurit, të cilët vazhdojnë të trajtohen në spitalin e qytetit Slavonski Brod.

Drejtori i këtij spitali, Josip Samragjiç tha sot se në këtë spital janë trajtuar 42 persona, dy prej të cilëve vazhdojnë të jenë në pavionin e kujdesit intensiv. Ai tha se 26 persona të lënduar lehtë pritet të dalin sot nga spitali.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sfeçla që po vazhdon të qëndroj në Kroaci së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia tha se janë duke bërë përpjekje që të organizojnë udhëtimin e mëtejm për qytetarët e Kosovës.

Të dielën në mëngjes, një autobus nga Kosova u aksidentua në autostradën ndërmjet Zagrebit dhe kufirit të Serbisë afër Slavonski Brodit. Autobusi që ishte në një rrugëtim të rregullt nga Gjermania për në Prishtinë, kishte më shumë se 60 udhëtarë. Autoritetet kroate e përshkruan aksidentin si "një nga aksidentet më të rënda ".

Të dielën në mbrëmje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti qëndroi në vendin e aksidentit bashkë me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç. Gjatë qëndrimit atje, kryeministri Kurti e quajti aksidentin një fatkeqësi të rëndë.

“Shumica e udhëtarëve në të vërtetë ishin duke fjetur në autobus në mëngjes kur ndodhi ky aksident i tmerrshëm. Ne duhet të përqendrohemi tani në atë se si ta kapërcejmë shpejt këtë situatë. Unë fola me ta (të dëmtuarit), i urova gjithçka më të mirë, u thashë të pushonin pak dhe të flinin dhe gjithashtu u thashë se ata janë në duart e mira të mjekëve dhe psikologëve kroatë”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.

Autoritetet kroate thanë se shoferi i autobusit është arrestuar për veprën penale të shkaktimit të një aksidenti në trafikun rrugor dhe se nesër pritet të merret vendimi për mbajtjen apo jo në paraburgim. Prokurori i çështjes, tha se shoferi është marrë në pyetje por është mbrojtur në heshtje. Ata thanë se deri më tash janë identifikuar tetë nga 10 viktimat e këtij aksidenti./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat