Me një e-mail u emërua drejtor, qëndroi aty jashtëligjshëm për 8 vjet, shkarkohet “super drejtori” Bujar Sadiku

Aktuale

Me një e-mail u emërua drejtor, qëndroi aty jashtëligjshëm për 8 vjet, shkarkohet “super drejtori” Bujar Sadiku

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 13:38
Bujar Sadiku

Ka mjaftuar një e-mail në adresë të stafit e dërguar nga Ruzhdi Jashari – ish mbikëqyrës kryesor i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AMDHP), që Bujar Sadiku të merr pozitën e u.d Drejtorit të Përgjithshëm në këtë institucion.

Sadiku ishte emëruar në këtë pozitë, fillimisht në me 30 gusht 2013 me vendim të mbikëqyrësit kryesor shtetëror, Ruzhdi Jashari me një mandat që nuk përcaktohet në dokumentin e emërimit.

Kurse tri vjet pas, para se t’i përfundoi mandati Jasharit, por edhe Këshillit të Agjencisë, përmes një e-maili dërguar stafit, Sadikut iu vazhdua mandati i u.d të Drejtorit të Përgjithshëm. Edhe në këtë e-mail, nuk caktohet koha e qëndrimit në këtë pozitë, ndonëse me ligj një zyrtar shtetëror mund të qëndroj vetëm 6 muaj si u.d.


Por, Sadiku ka thyer çdo rekord të qëndrimit në këtë pozicion. Për 13 vjet Bujar Sadiku ka mbajtur pozitën e u.d të Drejtorit të përgjithshëm në institucionin që tash ka emrin Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Gazeta ka dërguar pyetje në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) që tash udhëhiqet nga Krenare Sogojeva – Dërmaku për të kuptuar ligjshmërinë e qëndrimit të tij në këtë pozitë.
Në një përgjigje dërguar institucionit por e kthyer nga vet Sadiku thuhet se ngarkimi i tij në pozitën që ai mban, është bërë bazuar në ligjet që janë në fuqi.
“Bujar Sadiku është ngarkuar zyrtarisht me pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale më 30 gusht 2013, sipas vendimit nr.162/2013, pas miratimit të Rregullores Nr.01/2013 për Organizimin e Brendshëm të ASHMDHP-së, të datës 18 qershor 2013 dhe miratimit të titullit të punës nga DASHC. I gjithë procesi i emërimit të Z. Bujar Sadiku në pozitën e drejtorit të përgjithshëm është kryer sipas rekomandimit të Ministrisë së Administratës Publike (DASHC), në zbatim të Ligjit për Organizim”, thuhet në përgjigjen e Sadikut.

Pa e përmendur faktin që flitet për pozitën e U.D-së e jo të Drejtorit, Sadiku ka thënë se ka qenë vendimi i Jasharit për ta vazhduar këtë pozitë.
“Në pozitën e drejtorit të përgjithshëm, Z. Sadiku ka ardhur me vendim të Mbikëqyrësit Kryesor Shtetëror, i cili, në atë kohë ka qenë titullar i Agjencisë, e njëkohësisht mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i Z. Sadiku”, ka thënë Sadiku.

Radaksia e gazetës e ka kontaktuar edhe Ruzhdi Jasharin, ish mbikëqyrësin shtetëror i cili ka konfirmuar vazhdimin e mandatit të Sadikut përmes e-mailit.

“Nuk është emërim i tij përmes e-mailit por është vazhdim i punës së tij derisa nuk kemi pas kushte me hap konkurse. Për me hap konkurs të brendshëm është dashtë me pas njerëz mrena, e unë nuk kom pas njerëz mrena. Ky është vazhdim, nuk është emërim, këtu ka pas rregullore, gjithçka është në rregull në bazë të ligjit në bazë të rregullave, gjithçka është në rregull në bazë të kornizës së brendshme që e kemi pas”, ka thënë Jashari.

Më pas, Jashari që ka qenë korrespodent lufte ka mbajtur pak leksione për gazetarinë moderne.
“S’jeni kërkun, bash hiq se nuk është fajtor Agjencia edhe Ruzhdi Jashari pesë vjet me pas vakum institucional, pesë vjet mos me kry inspekcione, pesë vjet. …..Prandaj drejtoni mirë pyetjet edhe mos bohi prrallë ju nëpër gazeta kështu, mos bohi prralle se kurgjo s’jeni ka boni”, ka thënë Jashari.

Kurse anëtari i Këshillit të Agjencisë që e ka udhëhequr Jashari, mentor Hoxha ka thënë se ai nuk ka qenë fare i informuar se i është vazhduar mandati Sadikut.
“Nuk kam qenë i informuar se i është vazhduar mandati. Nuk ka mandate të drejtorëve, drejtori është shërbyes civil dhe si shërbyes civil duhet të ndjekë të gjitha procedurat e përcaktuara për shërbyesit civil”, ka thënë Hoxha.

Pasi është zbuluar edhe gjithë kjo histori, komisionerja Krenare Sogojeva – Dërmaku e ka larguar nga pozita e u.d-së, Bujar Sadikun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat