Haliti flet për akuzat ndaj Gërvallës: Ky është faktori i vetëm në Qeverinë Kurti

Aktuale

Haliti flet për akuzat ndaj Gërvallës: Ky është faktori i vetëm në Qeverinë Kurti

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 21:17
Xhavil Haliti

Deputeti i PDK-së, Xhavil Haliti, ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nuk është faktor, duke e quajtur të kotë pozitën e saj në Qeverinë Kurti 2.

Haliti tha se faktori i vetëm në Qeveri është kryeministri aktual, Albin Kurti.

Tutje, Haliti foli edhe për akuzat e disa politikanëve që iu drejtuan Gërvallës, se kjo e fundit duhet të shkarkohet, teksa shtoi se ajo nuk mund të kritikohet për veprimet apo deklaratat që ajo i ka bërë në të kaluarën.

Haliti tha se ajo duhet të përmendet për sukseset apo dështimet e saj, ndërkaq, se nëse duhet të shkarkohet ministrja Gërvalla apo jo, deputeti i PDK-së nga Peja, thotë se për këtë çështje vendos shefi i saj në Qeveri.

“Rregullat për ta shkarkuar janë me kushtetutë dhe rregullore. Administrativisht nëse nuk kemi vota për ta shkarkuar Qeverinë, mund ta shkarkojë atë [Gërvallën] vetëm kryeministri, tjetër askush. Unë nuk e kam kërkuar dorëheqjen e saj, askush s’mund të akuzohet për veprimet që i ka bërë para se të bëhet ministre, pasi e ka bërë në rrethana të ndryshme. Nga koha kur e ka marrë mandatin, duhet t’i mblidhen sukseset dhe mos-sukseset”, u shpreh Haliti.

“Ne jemi vend i vogël dhe pozita e ministrit të punëve të jashtme është e kotë, pasi politikat e shtetit i bën kryeministri. Kurrfarë faktori s’është ajo, faktor është Albin Kurti dhe askush tjetër në këtë Qeveri. Albini e ka bërë ministre dhe ai po e mban pasi ai ka një marrëveshje koalicioni. Ne nuk kemi bërë asnjë mocion mos-besimi ndaj saj në Kuvend. Sikur të kishte bërë PDK-ja mocion mos-besimi ndaj ministres së Punëve të Jashtme, do ta mbështesja ose s’do ta mbështesja, ose do të shkarkohej ose jo në Kuvend”, tha Haliti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat