Kuvendi voton Bordin e ri të AKP-së

Aktuale

Kuvendi voton Bordin e ri të AKP-së

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 06:25

(E plotësuar 17:33) - Mungon opozita dhe s’ka kuorum, mbyllet seanca

Në seancën e sotme nuk pati kuorum që të votohet raporti me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare.

Ndonëse disa herë ra zilja që i fton deputetët që të jenë të pranishëm në sallën e seancave plenare në sallë ishin të pranishëm vetëm 58 deputetë.

Në mungesë të kuorumit dhe deputetëve të opozitës, kryeparlamentari Glauk Konjufca e mbylli seancën duke lënë këtë pikë dhe dy të tjera të rendit të ditës që të shqyrtohen në seancën e radhës.

“I kemi edhe dy pika që duhet t’i trajtojmë, por në mungesë të kuorumit po më duket krejt e paarsyeshme që të shterret debati në këto kushte pa praninë e opozitës, sepse prania e opozitës e bën gjithmonë debatin më kualitativ si rregull i përgjithshëm. Nuk po më duket fare e arsyeshme që as t’i trajtojmë këto pika, por t’i lëmë në njërën prej seancave ku e kemi të pranishme edhe opozitën”, tha ai.

***

Kuvendi i Kosovës ka votuar drejtorët e Bordit të ri të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me 60 vota për dhe një abstenim.

Anëtarët e rinj të drejtorëve të Bordit të AKP-së do të jenë Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Mandati i tyre do të jetë katër-vjeçar.

Image

Kurti: AKP ka shitur një ari tokë sa një litër qumësht

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se privatizimi i egër u bë në një kohë kur Kosova e posa dalë nga lufta nuk e kishte rimëkëmbur ekonominë e kjo vazhdon të ndodh ende.

Kurti në seancen e Kuvendit deklaroi se do të ndryshojnë mënyrën e buxhetimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit teksa drejtoi ndaj tyre një sërë kritikash.

“Funksionimi i AKP-së ka mbledhur para nga privatizimi i pronave por merreni me mend i ka mbuluar edhe shpenzimet administrative me to, aty janë pagat më të larta në Kosovë dhe shpenzohen pa masë – kjo mënyrë e buxhetimit të AKP-së duhet të ndryshohet menjëherë. Kompensimet e larta e të paarsyeshme, mëditje nga 2000 euro e deri në 3000 euro për një mbledhje të mbajtur”.

“Pse të privatizohen objektet publike përderisa jemi duke shpenzuar me qindra mijëra euro për qera të institucioneve, ato duhet të mbesin objekte publike dhe të shfrytëzohen për nevojat e akomodimit të ministrive, agjencive, institucioneve të pavarura, institucioneve lokale e qendrore, janë rreth 100 asete të tilla – ndërtesa të zbrazëta”.

Kryeministri mes tjerash kritikoi AKP-në për privatizimin e tokave bujqësore dhe shitjen e tyre me çmime jashtëzakonisht të ulëta teksa theksoi se një ari tokë është shitur sa një litër qumësht.

“Me çfarë të hyrash AKP-ja ka privatizuar tokat bujqësore, shet shumë tokë për pak para megjithëse të gjithë e kemi ditur se kjo është është deklaruar edhe në Komisionin Hetimor Parlamentar për Privatizim që asetet tona janë shitur me çmime jashtëzakonisht të ulëta gati sa një litër qumësht aq është shit një ari tokë”.

“Privatizimi në jetën politike dhe institucionale në Kosovë e ka pasuar privatizimin në ekonomi dhe jo anasjelltas. Privatizimi i ka shndërruar fabrikat në qendra tregtare kurse Kosovën në një vend që konsumon por prodhon fare pak”.

Gjatë fjalës së tij Kurti edhe lavdëroi qeverinë e tij ku deklaroi se t’i ndryshojë të gjitha kritikat që i dha për AKP-në.

“Me qeverinë tonë kjo do të ndryshoj sepse jemi ne që jemi zotuar për të sjellë investime dhe për të krijuar vende pune me ç’rast pasuria publike duhet të ruhet dhe të zhvillohet”, deklaroi Kurti.

Para deputetëve, Kurti tha se ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së që do t’i hap rrugë Fondit Sovran, Agjencisë dhe Bankës Zhvillimore.

“Ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së në mënyrë që të hapim një etapë zhvillimore për Kosovën drejtë Fondit Sovran, Agjencisë dhe Bankës Zhvillimore. Nga bordi i ri presim që pas votimit në Kuvend të marrë masat për të ndaluar proceset që ne si qeveri i kemi paraprijë për ndaljen e tyre. Me bordin e ri synojmë një auditim të gjerë dhe thellë në AKP dhe të vendimeve të ish-bordeve të AKP-së”.

Emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të AKP-së që do t’i propozohen Kuvendit janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj-Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Kujtojmë se disa muaj më parë, Kuvendi shkarkoi bordin e kaluar nga udhëheqja e AKP-së.

Votohet në lexim të parë Projektligji për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve

Me 74 vota për dhe asnjë kundër Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve. Ky ligj mori mbështetjen edhe të deputetëve nga partitë opozitare.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu e ka arsyetuar këtë projektligj duke thënë se përmes tij synohet të zvogëlohen efektet negative në mjedis dhe të ul rrezikun nga këto mbeturina.

“Planifikon që përmes draftimit dhe aprovimit të projektligjit për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve të rregullojë mënyrën e rregullimit dhe përcaktimit të masave procedurave, dhe udhëzimeve për të parandaluar apo për të zvogëluar efektet negative në mjedis, ajër dhe ujë që të evitohet çdo rrezik që kërcënon shëndetin e njeriut dhe mjedisin si rezultat i menaxhimit të mbeturinave nga industritë e nxjerrjes në Kosovës”, tha ai.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi deklaroi se për vite me radhë procesi i nxjerrjes së mineraleve është kryer pa pasur parasysh mbrojtjen e mjedisit.

“Për vite me radhë procesi i nxjerrjes së mineraleve është kryer pa pasur parasysh mbrojtjen dhe menaxhimin e rehabilitimin e mjedisit pas eksplantimit të minerareve nga operatorët e licencuar e mos të flasim për nxjerrjen e minierave që janë bërë nga operatorët pa licencë… Është më se e nevojshme të krijohen kushtet për menaxhimin e rregullt dhe të qëndrueshëm të mbeturinave nga industritë nxjerrëse të mineraleve dhe përmes këtij projektligji synohet të arrihet kjo gjë dhe të plotësohet legjislacioni aktuale me direktivën 2006/11të Këshillit Evropian”, theksoi ajo.

Me disa vërejtje këtë projektligj e ka përkrahur edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala tha se mbeturina nga industritë nxjerrëse të mineraleve duhet të trajtohen me shumë seriozitet.

“Konsideroj që ne të gjithë me seriozitet të madh duhet t’i trajtojmë këto problematika përveç rëndësisë që ka konsideroj që sponzorizuesi në këtë rast ministria e Mjedisit duhet të ketë edhe faktorët tjerë historik që rrjedhin në këtë lëmi, puna e parë që duhet të merret në trajtesë është ndarja e dy kapitujve bazik që duhet t’i trajtoj që nuk kanë as të kaluar të njëjtë as trajtim të njëjtë dhe nuk besoj që duhet të trajtohen njëtrajtshëm për faktin se një pjesë e madhe e mbeturinave të mineraleve nxjerrëse janë historike…Duhet ta kemi një parastudim që t’i klasifikojmë cilat janë të valorizuese, të riciklueshme dhe të trajtueshme dhe cilat janë në nënkuptim e këtyre minerale”, tha ai.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa tha se edhe kjo parti në parim e mbështet këtë projektligj, por do kontribuojnë që kosto financiare për sektorin privat të mos jetë e paarsyeshme.

“edhe ky është një ligj mjaftë i rëndësishëm për mbrojtjen edhe të ambientit por edhe të avancim të sektorit privat edhe me ligjin kemi të njëjtën vërejtje dhe kontributi ynë do jetë në sigurimin që sektori privat në zbatimin e këtij ligji të mos bart një kosto jo konkurrente dhe të paarsyeshme në zbatimin e këtij ligji”, theksoi ai.

Projektligji për mbeturinat nga industria nxjerrëse e mineraleve përkrahje mori edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Në parim e përkrahim shqyrtimin e parë të projektligjit për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve”, u shpreh ajo.

***

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka adresuar kritika ndaj Qeverisë për bordin e ri të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ajo në seancën e Kuvendit, ku pritet të votohet për bordin e ri të AKP-së, tha se ekzekutivi ka dërguar militantë partiak në institucion.

Sipas deputetes opozitare, kreu qeveritar nuk mund të flet për profesionalizëm, kur në këtë bord ka deleguar tre ish kandidat për deputet të partisë së tij.

Derisa tha se Kurti nuk prezantoi asgjë konkrete për të ardhmen e AKP-së, por vetëm kritika ndaj së kaluarës.

Bajrami: Kur flitni për profesionalizëm kujtoni premtimet që keni dhënë gjatë fushatës

“Deri sot të gjithë agjencionet e pavarura, bordet dhe gjithçka tjetër i keni politizuar. Keni vendosur njerëz, ose familjarë ose militantë politik. Kjo është për t’u shqetësua....Kur flitni për profesionalizëm kujtoni premtimet që keni dhënë gjatë fushatës dhe kauzave që keni fituar këto vota. Në çdo gjë profesionale dhe çdo zbulim të ndonjë të keqe do t’iu mbështesim, por mos punoni me standarde të dyfishta se e kemi një kujtesë dhe ajo nuk do shlyhet për një vit. Të gjithë do t’iu kujtojmë deklaratat se familjarët janë për ahengje dhe dasma, pro të njëjtit i kemi gjithandej”, tha ajo.

***

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se privatizimi i egër u bë në një kohë kur Kosova e posa dalë nga lufta nuk e kishte rimëkëmbur ekonominë e kjo vazhdon të ndodh ende.

Kurti në seancen e Kuvendit deklaroi se do të ndryshojnë mënyrën e buxhetimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit teksa drejtoi ndaj tyre një sërë kritikash.

“Funksionimi i AKP-së ka mbledhur para nga privatizimi i pronave por merreni me mend i ka mbuluar edhe shpenzimet administrative me to, aty janë pagat më të larta në Kosovë dhe shpenzohen pa masë – kjo mënyrë e buxhetimit të AKP-së duhet të ndryshohet menjëherë. Kompensimet e larta e të paarsyeshme, mëditje nga 2000 euro e deri në 3000 euro për një mbledhje të mbajtur”.

“Pse të privatizohen objektet publike përderisa jemi duke shpenzuar me qindra mijëra euro për qera të institucioneve, ato duhet të mbesin objekte publike dhe të shfrytëzohen për nevojat e akomodimit të ministrive, agjencive, institucioneve të pavarura, institucioneve lokale e qendrore, janë rreth 100 asete të tilla – ndërtesa të zbrazëta”.

Kryeministri mes tjerash kritikoi AKP-në për privatizimin e tokave bujqësore dhe shitjen e tyre me çmime jashtëzakonisht të ulëta teksa theksoi se një ari tokë është shitur sa një litër qumësht.

“Me çfarë të hyrash AKP-ja ka privatizuar tokat bujqësore, shet shumë tokë për pak para megjithëse të gjithë e kemi ditur se kjo është është deklaruar edhe në Komisionin Hetimor Parlamentar për Privatizim që asetet tona janë shitur me çmime jashtëzakonisht të ulëta gati sa një litër qumësht aq është shit një ari tokë”.

“Privatizimi në jetën politike dhe institucionale në Kosovë e ka pasuar privatizimin në ekonomi dhe jo anasjelltas. Privatizimi i ka shndërruar fabrikat në qendra tregtare kurse Kosovën në një vend që konsumon por prodhon fare pak”.

Gjatë fjalës së tij Kurti edhe lavdëroi qeverinë e tij ku deklaroi se t’i ndryshojë të gjitha kritikat që i dha për AKP-në.

“Me qeverinë tonë kjo do të ndryshoj sepse jemi ne që jemi zotuar për të sjellë investime dhe për të krijuar vende pune me ç’rast pasuria publike duhet të ruhet dhe të zhvillohet”, deklaroi Kurti.

Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Përkrahje kësaj nisme ligjore i dhanë 74 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, përfshirë pozitën dhe opozita. I njëjti u konsiderua i rëndësishëm për ruajtjen e ajrit nga ndotja, shëndetin e njeriut dhe faunës natyrore.

Në arsyetimin e projektligjit, para deputetëve doli ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Librun Aliu, i cili tregoi qëllimin e tij.

Aliu: Ky është qëllimi i projektligjit

“Ky vendim për ndryshim të këtij ligji është marrë pas vlerësimit të përshtatshmërisë së legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së. Hartimi i ligjit të ri për mbrojtjen e ajrit nga ndotja ka për qëllim të rregullojë dhe sigurojë të drejtën e qytetarëve për të jetuar në një mjedis me ajër të pastër, duke mbrojtur shëndetin e njeriut, faunën, florën dhe vlerat natyrore e kulturore të mjedisit nga ndotja e ajrit”, u shpreh ministri Aliu.

Nevojën e miratimit të këtij projektligji e arsyetoi edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi.

Pacolli-Dalipi: Ndotja e ajrit është njëri nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve të parakohshme

“Ndotja e ajrit është njëri nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve të parakohshme, sëmundjeve të tjera, sulmeve në tru, sëmundjeve të mushkërive, kancerit dhe astmës. Përveç ndikimit në shëndetin e njeriut, ndotja e ajrit ka ndikime edhe në mjedis, vegjetacion dhe faunë”, tha ajo.

Përkrahje këtij projektligji i dha edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Shala: Në proces e sipër do të japim rekomandimet e nevojshme

“Në emër të Grupit Parlamentar mbështesim nismën ligjore për plotësim-ndryshimin, apo ligjin për mbrojtjen e ndotjes së ajrit. Në proces e sipër do të japim rekomandimet e nevojshme, veçanërisht tek pjesa e përmirësimit të cilësisë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Ani pse shprehu përkrahje, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se nuk është i bindur që ky projektligj nuk bartë fare kosto financiare.

Mustafa: Nuk jam i bindur që ky projektligj nuk bartë fare kosto financiare

“LDK përkrah projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Natyrisht siç deklaruan edhe kolegët më parë, ndotja e ajrit është njëri prej problemeve më akute të qytetarëve të Kosovës. Mirëpo ju bëj thirrje ministrisë së linjës t’i kushtojnë vëmendje kalkulimit të kostos financiare. Nuk jam i bindur që ky projektligj nuk bart fare kosto financiare”, tha ai.

Ndërsa, Pal Lekaj nga AAK tha se kontributin e tyre për këtë projektligji do ta japin në mes të dy leximeve.

Lekaj: AAK e përkrah projektligj për mbrojtjen e ajrit nga ndotja

“AAK e përkrah projektligj në shqyrtimi e parë për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe kontributin tonë do ta japin mes dy leximeve”, tha Lekaj.

Seanca plenare e sotme është ndërprerë për një pauzë deri në orën 15:00.

Ndërsa, në pjesën e parë të kësaj seanca deputetë e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar propozimin për shqyrtim të raportit me rekomandime për mbikëqyrje e zbatimit të ligjit për shoqëri tregtare si dhe shqyrtimin e raportit me rekomandime lidhur me problemet e evidentuara në KOSST.

Po ashtu në rend dite për seancën e sotme është futur edhe formimin e organit përzgjedhës së pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të organit shqyrtues të prokurimit.

Ndërsa, nuk ka pasur kuorum që në rend të ditës për përfshihet rekomandimi për përzgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm. 

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar sot rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, që u arrit më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.

Për rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë votuar vetëm 24 deputetë, ndërkaq 57 deputetë abstenuan.

Në mesin e deputetëve që abstenuan ishin edhe atë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Rezoluta i bënte thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatonte këtë marrëveshje që përkrahet edhe nga Administrata Biden dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej Kuvendit të Kosovës.

Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Kjo marrëveshje është përkrahur edhe nga Administrata Biden.

***

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, i është kundërpërgjigjur Ardian Kastratit të PDK-së, i cili para pak ditësh në Kuvend kishte ironizuar me një pohim të tij se në Kosovë mund të lëshohet raketë dhe për çfarë edhe kishte argumentuar se si mund të ndodhë.

Në Kuvend kastrati kishte pasur të veshur edhe një bluze, në të cilën shihej e shtypur një figurë rakete.

“Në seancën e kaluar, një zotëri i veshur si dordolec me disa lara primitive që i kishte vendosur në tula të kraharorit të tij, tallej e lazdrohej me disa metafora, duke lakuar edhe emrin tim”, deklaroi Kokaj. “Ky zotëri dhe kolegët e tij militantë të shumë mediave, po te kishin kryer vetëm shkollën fillore, e lëre më të mesme, do të kuptonin se ç’është shpejtësia parakozmike. E do të kuptonin numrin 7.9 kilometra në sekondë, pra e përsëris 7.9 kilometra në sekondë, meqenëse atyre rosakëve duhet t’iu përsëritet shumë herë që ta mësojnë një herë e përgjithmonë”.

“Dhe më kujtohet që përsëritje të tilla bënte një zonjë e nderuar, Dane, njëfarë defatore. Puna e defit e tupanit kanë zhurmë të madhe por brendësi boshe. Këta kanë një ngjashmëri të madhe sikur ajo zonja, kanë disa hall halle atje, dhe do zhingla në tula të kraharorit, e për ta po e përmendi një poezi të zonjës së nderuar: “Fëmijë a e keni ndi këto ditë çka ka ndodhë? Ish hap pa mahi për rosën ni shkollë. Plot tri ditë ulun nuk mësuen kurgja veç dijshin me bo ga-ga-ga”.

“Pra nuk mësojnë 7.9 kilometra në sekondë, por vetëm ga-ga-ga”.

“Për zotërinë që e shfrytëzoi mungesën time në Kuvend herën e kaluar, i them se nëse vazhdon të shpurdhish prap, atëherë umin e pllugit do ta lëshoj në nivel shkencor, e atëherë do të turpërohesh me muhalifet e tua shkencore”, u shpreh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj sot gjatë fjalimit të tij në Kuvend të Kosovës.

Ky reagim i tij shkaktoi të qeshura tek kolegët e tij partiakë, sidomos te kryeministrit Albin Kurti, i cili dallohej duke qeshur i ulur prapa foltores.

​Vitia bënë thirrje për vaksinimi: Delta nuk po i kursen as fëmijët

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës sa më shumë të vaksinohen, pasi siç u shpreh ai është alarmante se varianti Delta po prek edhe fëmijët.

Vitia tha se janë duke punuar në rritjen e ekipeve të vaksinimit dhe se rishikimi i masave të reja do jetë konform vaksinimit.

Vitia: Delta nuk po i kursen as fëmijët

“Me paraqitjen e variantit Delta më është e qartë se çdo masë konvencionale nuk do ketë suksesin që e kanë pasur para virusit Delta, dhe në këtë drejtim MSh ka rritur në 290 ekipe të vaksinimit në mbarë Kosovën, mirëpo që ky proces do vazhdoj edhe me rritjen e ekipeve të vaksinime si Prishtina ku interesimi është shumë më I madh se sa ekipet që mund ta përballojnë për momentin. Jemi në takime intensive me gjithë hisedarët për rishikim të masave të reja të cilat do jenë konform insenivizimit të qytetarëve për tu vaksinuar. Tani më ka vaksina mjaftueshëm vaksinat janë të sigurta dhe nuk ka asnjë arsye që qytetarët të mos vaksinohen. Virusi Delta nuk kursen as fëmijët janë shumë fëmijë shumë të infektuar në valën e fundit edhe pse disa nga ta në gjendje stabile të shtruar në klinikën Pediatrike në QKUK dhe ky është alarm për qytetarët që të jemi të ndërgjegjshëm”, tha Vitia.

​​​PDK kërkon të merren masa të reja karshi COVID-19

Partia Demokratik e Kosovës po kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të reja pasi në vend është rritur numri i rasteve pozitive me COVID-19.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi po ashtu që qeveria të jetë e përgatitur edhe për mësimin online në rast se vije situata për mbyllje të shkollave si pasojë e pandemisë.

Tahiri: Qeveria të ndërmarrë masa të reja karshi situatës me COVID

“I bëjë thirrje qeverisë së Kosovë që të filloj ta ndërmerr masa të reja në krijimin e kësaj situate të re që tashmë po ballafaqohemi që disa ditë, rritja e numrit në shifra alarmante që ndodh në tri ditët e fundit do thotë që në Kosovë nuk e presin edhe aq ditë të mira në ballafaqimin me pandeminë COVID-19, si parti opozitare në Kuvend e Kosovës kërkojmë nga qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa në organizimin e mësimit online në rast e do jetë e nevojshme nga shtatori e tutje. Pra, besojmë që tashmë qeveria duhet të jetë më e përgatitur dhe të ketë marr mësim nga viti i kaluar dhe në momentin që do jetë e nevojshme mbyllja e shkollave atëherë nuk duhet t’i kemi humbjet që i kemi pasur në mësimnxënie siç i kemi pasur vitin e kaluar”, tha ai.

Ai kërkoi nga qeveria e Kosovës t’i trajtoj më me dinjitet mjekët dhe policët e Kosovë që janë në vijë të parë të fronit në luftimin e COVID-19.

Deputeti i LDK-së e sheh shqetësuese rritjen e çmimeve të produkteve elementare në Kosovë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa është shprehur i shqetësuar për rritjen e çmimeve të produkteve elementare.

Sipas tij, ditëve të fundit ka rritje enorme të çmimeve, duke filluar nga ushqimi, veshmbathja, energjia dhe materialet ndërtimore.

Ai në seancën e sotme plenare kërkoi reagim nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Ministria e Financave.

Mustafa: Ka rritje të çmimeve të produkteve elementare

“Një rritje e çmimeve të produkteve elementare, duke filluar nga ushqimi, veshmbathja, energjia veçanërisht, tek çmimet e naftës dhe materialet ndërtimore. E, largimi i masës mbrojtëse ndaj produkteve ndërtimore që vijnë nga Serbia veç përkeqëson gjendjen e prodhuesve vendor në këto materiale. Kërkoj urgjentisht veprim nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që me urgjencë të fillojë hulumtime dhe hetime duke i dhënë përgjigje konkrete se pse kemi rritje të çmimeve në Kosovë. Natyrisht i kërkoj edhe ministrit të Financave dhe Transfereve të përpiloj një plan për inflacionin duke i dhënë zgjidhje qytetarëve dhe natyrisht kompanive vendore”, tha ai.

Gashi: Kryeministri në opozitë skifter, sot në pushtet është ulur si pulë

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka folur për kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, që siç tha ai, kanë qenë të papërgjegjshëm dhe nuk i kanë përkrahur marrëveshjet në interes të shtetit.

Duke bërë të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës do të përkrah dy marrëveshjet ndërkombëtare që lidhën me ndihmën e Kosovës kundër Covid-19, Gashi ka thënë se ka çështje që janë mbi interesat partiake për të cilat politikanët duhet të bashkohen.

Gashi: Kryeministri Kurti kur ishte në opozitë sillej si skifter e sot është ulur si pulë

“Po ua kujtoj sot, kryeministrit të sotshëm dhe ministrit të Financave se si silleshin në këtë kuvend kur ne e diskutonim, Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, silleshin duke hapur krahët si skifterë dhe sot janë ulur aty si pula sepse e dinë se çka do të thotë të marrësh vendime në interesat e shtetit”, ka thënë Gashi.

Image
Arben Gashi

 

Këtu ka ndërhyrë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Konjufca-Gashit: Kujdes fjalorin

“Kujdes fjalorin Arben”, ka thënë Konjufca.

Por Gashi vazhdoi të kritikoi pushtetin për kohën kur kanë qenë në opozitë.

Gashi: Të strukesh si pulë nuk është gjë e keqe

“Janë fjalë të dëgjuara edhe më herët në këtë kuvend zotëri Konjufca. Të strukesh si pulë sot nuk është gjë e keqe, e rëndësishme është të kuptosh rëndësinë e pushtetit dhe të shtetit[…]Ne nuk jem si ju, dhe jemi krenar që nuk jemi si ju sepse interesi i vendit është më i madh sesa skifetërllëku drejt një vote nga një qytetar i dëshpëruar në izolim për shkak të covid-19”, ka thënë Gashi.

Opozita sot po përkrah vetëm dy marrëveshje që lidhen me reagimin kundër Covid-19.

Me 84 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka votuar Marrëveshjen bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), dhe Marrëveshjen kornizë të kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

***

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot dy marrëveshje ndërkombëtare, atë të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II) dhe Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Këto dy marrëveshje u miratuan me 84 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Por, Kuvendi i Kosovës nuk arriti t’i miratojë dy marrëveshje tjera.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nuk ka kushte për votim.

Marrëveshjet për të cilat nuk pati kushte për votim janë Projektligji nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 dhe Projektligjin nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020.

​Kusari-Lila kërkon nga opozita të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë thirrje që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare që janë në rend dite sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, që sipas janë të rëndësishme në kohën kur vendi po përballet me pandeminë Covid-19.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku në rend dite është votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes përmendi marrëveshjet që lidhen me ndihmën e Kosovës në luftën kundër Covid-19 dhe u bëri thirrje deputetëve të opozitës që t’i votojnë ato.

Kusari-Lila: Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është i rëndësishëm në kohën kur vendi po përballet me pandeminë

“Rritja e numrit të infektuarave e rrit edhe domosdoshmërinë dhe gjithashtu urgjencën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dy prej të cilave lidhen drejtpërdrejt me masat për parandalimin e pandemisë apo për ndihmën sektorit të shëndetësisë. Njëra prej këtyre marrëveshjeve është granti nga qeveria e dukatës së madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit, grant ky i cili ka edhe afat të skandencës dhe i cili tashmë është në pozicion gati të bllokuar duke e pritur votimin pozitiv të kësaj marrëveshje. Tjetra marrëveshje nga banka zhvillimore e këshillit të Evropës për financimin e reagimit emergjent ndaj covid-19, gjithashtu me një rendësi të veçantë duke marrë parasysh rrethanat në të cilat jemi jo vetëm ne si shtet por edhe rajoni e bota”, ka thënë ajo.

Ajo tha se u kanë ofruar bashkëpunim partive opozitare dhe shtoi që shpresoj se ata do të votojnë në interes të qytetarëve të Kosovës.

***

Seanca e sotme të Kuvendit të Kosovës ka nisur me thirrje për vaksinim masiv kundër Covid-19. Në sallën e seancave plenare është vendosur edhe një baner me mbishkrimin “Vaksinohu, shpëto jetë”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se vaksinimi është i domosdoshëm në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve dhe ekonomia e vendit.

Konjufca: Vaksinimi masiv është i domosdoshëm

“Vaksinimi është i domosdoshëm ashtu që ta ruajmë shëndetin tonë të përbashkët publik. Sa më shumë qytetarë të vaksinuar aq më i mbrojtur shëndeti jonë, sa më shumë qytetarë të vaksinuar aq më e mbrojtur ekonomia jonë dhe më pak gjasa për mbyllje totale. Na ka shqetësuar shumë rritja e numrit të të infektuara me Covid gjatë 72 orëve të fundit, pra në ditën e pardjeshme numri shkoi në 221, kështu që u bëjmë thirrje edhe një herë qytetarëve të Kosovës që sa më shumë të vaksinohen”, ka thënë Konjufca.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës pritet të votohen disa marrëveshje ndërkombëtare.

Fillon seanca

Edhe pse me vonesë ka fillluar seanca e Kuvendit të Kosovës e paralajmëruar që do të nis në ora 11..

***

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë plenare, për të votuar pikat e mbetura nga seancat e kaluara, ndërsa më pas do të mbajë seancë të re.  

Në seancën e re, e cila pritet të fillojë mënjeherë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare Kuvendi do të shqyrtojë në lexim të parë Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, si dhe atë për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e drejtorëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat