Konjufca tha se mund të shtyhen zgjedhjet, reagon Krasniqi, tregon si duhet të veprojnë partitë

Aktuale

Konjufca tha se mund të shtyhen zgjedhjet, reagon Krasniqi, tregon si duhet të veprojnë partitë

Nga: G.B Më: 7 shtator 2021 Në ora: 10:43
Glauk Konjufca

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që zgjedhjet lokale të shtyhen.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se LVV e paska hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, me pretekstin e pandemisë, mirëpo që një ndjesi të tillë të politikanëve nuk e kemi parë për zgjedhjet e 14 shkurtit, kur politikanët mblidhnin qytetarët në fushata masive zgjedhore, përcjell Bota sot.

Ai ka shtuar se sot po shqetësohen për shëndetin publik, kur me gjasë numrat nuk po dalin mirë për zgjedhjet lokale.

Krejt në fund, Krasniqi ka thënë se e gjitha çfarë duhet të bëhet është shkurtimi i fushatës zgjedhore me një marrëveshje nga të gjitha partitë dhe të mos lejohen tubime zgjedhore që tejkalon numrin e lejuar të personave.

Postimi i tij i plotë:

LVV paska hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, me pretekstin se mund të përkeqësohet situata me pandeminë. Është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, por këtë ndjeshmëri nuk e kemi parë në zgjedhjet e 14 shkurtit kur ftonin qytetarët të merrnin pjesë në marshe masive të fushatës zgjedhore. Atëherë mund të jenë ndjerë më afër pushtetit.

Sot, kur me gjasë numrat nuk po dalin mirë për zgjedhjet lokale, përnjëherë shqetësohen për shëndetin publik!

Një gjë duhet pasur parasysh, që shtyrja e zgjedhjeve nuk e fsheh paaftësinë, papërgjegjësinë dhe pandjeshmërinë e shpërfaqur nga kjo Qeveri në gjithë situatën me pandeminë.

Përtej kufizimeve ligjore për shtyrje të zgjedhjeve, nuk është as e nevojshme. E tërë çfarë duhet të bëhet është shkurtimi i fushatës zgjedhore në marrëveshje me të gjitha paritë politike. Gjatë kësaj periudhe të shkurtuar të fushatës të mos lejohen tubime publike përmbi numrin e lejuar nga IKSHPK-ja, dhe që secili aktivitet publik i fushatës të monitorohet nga inspektorët për respektimin e masave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat