Prokuroria: Viktimat e Salih Mustafës ishin pjesë e LDK-së, ja kur do të dëshmojnë dy dëshmitarët e parë

Aktuale

Prokuroria: Viktimat e Salih Mustafës ishin pjesë e LDK-së, ja kur do të dëshmojnë dy dëshmitarët e parë

Më: 15 shtator 2021 Në ora: 07:48

(E plotësuar 14:49) - ​​Gjykimi i Salih Mustafës, mbrojtësja e viktimave kërkon fond mirëbesimi për viktimat

Në seancën e sotme gjyqësore ndaj Salih Mustafës në Hagë, mbrojtësja e viktimave Anni Pues ka kërkuar fond mirëbesimi për viktimat duke thënë se është e domosdoshme, për çka ka kërkuar që kjo të bëhet nga Qeveria e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

Ajo ka thënë se legjislacioni aktual përjashton disa grupe të viktimave.

Pues: Të krijohet fond mirëbesimi për viktimat

“T’i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës nëse dikush na dëgjon dhe bashkësisë ndërkombëtare që të sigurojnë se viktimat mund të realizojnë të drejtën e tyre për zhdëmtim. Ne kemi parasysh nismën e kohëve të fundit të qeverisë për të punuar rreth një strategjie të drejtësie kalimtare siç e kemi bërë të qartë në deklaratën tonë hyrëse sot. Legjislacioni aktual dhe mundësitë për marrjen e zhdëmtimit për krime lufte përjashtojnë disa grupe të viktimave, përjashtojnë ata për të cilët ne flasim. Një fond mirëbesimi për viktimat do të garantonte realizmin e kërkesave të viktimave të krimit që shqyrtohen para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të ishte një hap domethënës. E kuptojmë që kjo kërkon vullnet politik dhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Kosovës”, tha Pues.

Gjithashtu ajo ka kërkuar zyrtarisht nga trupi gjykues që të përfshijë një vendim mbi shkallën dhe përmasat e dëmit, humbjen dhe lëndimin e viktimave dhe sipas saj secila viktimë duhet të gëzojë të drejtën e zhdëmtimit.

Pues: Trupi gjykues të urdhërojë zhdëmtim individual të viktimave

“Kërkojmë që trupi gjykues të urdhërojë zhdëmtim individual të viktimave, kjo sidomos ka të bëjë me viktimat e drejtpërdrejta të torturës jeta e të cilëve është shkatërruar përgjithmonë, të gjitha këto viktima meritojnë kompensim individual për vuajtjet që kanë pësuar, çdo zhdëmtim kolektiv i mundshëm duhet të jetë plotësim i zhdëmtimit individual”, ka thënë ajo.

Mbrojtësja e viktimave ka thënë se do të kontribuojë në përshkrimin e shkallës së ndikimit të krimeve përmes pyetjeve që do t’u bëjë viktimave që do të jenë dëshmitarë.

Gjyqtarja ka bërë të ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të ZPS-së nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.

Seanca e parë gjyqësore ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë edhe pasdite ku një ndër çështjet që do të diskutohen do të jetë pjesë e seancës së mbyllur.

***

Gjyqtarja e Dhomave të Specializuara në rastin e Salih Mustafës, Mapi Feld Folia, ka treguar se në seancat e radhës në këtë proces do të dëgjohen dëshmitë e dy dëshmitarëve të parë.

“Nga 20 deri më 28 shtator do të paraqiten dy dëshmitarët e parë. Me këtë rast do të doja të njoftoja palët se pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve, paneli mund t’ia bëjë disa pyetje Mustafës”, është shprehur Foli.

“Mustafa natyrisht që do ta ketë të drejtën që të qëndrojë i heshtur”.

Mbrojtësja e viktimave: Ajo që kërkojnë viktimat është pranimi i së keqes që u është bërë

Në seancën e sotme ku po mbahet gjykimi ndaj Salih Mustafës, mbrojtësja e viktimave ka thënë se viktimat presin të shohin të dënuar ata që i konsiderojnë përgjegjës për krimet ndaj tyre.

Anni Pues i ka rekomanduar trupit gjykues të vizitojë vendin në të cilin prokuroria e specializuar pretendon se janë kryer krime nga ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa.

Pues: Vizita e trupit gjykues në Zllashë mund të jetë në interes të drejtësisë

“Unë shkova vet në Zllashë, menjëherë pasi arrita në fshat dolën ca burra dhe filluar të pyesin pse isha aty, shoferi i cili më shpuri aty u nervozua shumë, ajo që në plan të parë dukej si një vend i qetë e paqësor jo shumë larg nga Prishtina në fakt ishte një atmosferë tepër shtypëse. Një përkujtimore e UÇK-së dhe simbol të UÇK-së sundojnë edhe sot në fshat, unë mësova shumë gjatë vizitës sime të shkurtë. Largësia e atij vendi tregon se çfarë vendi ideal ishte ai si një vend për tortura. Cili do t’i dërgonte britmat e atyre që torturoheshin, apo të vinte atyre në ndihmë, gjithashtu më bëri të kuptoj praninë dominante të UÇK-së, një vështrim në Zllashë tani do të na lejoj të kuptojmë më mirë se çfarë ato viktima, të cilat do të japin dëshmi në gjykatë, kanë përjetuar, se si duhet të ketë qenë jeta për ta para 22 vitesh. Vizita në vendin e krimit mund të jetë një sfidë dhe mbase mund të mos duket me rëndësi por ne parashtrojmë se një vizitë e tillë do të ishte në interes të drejtësisë”, ka thënë mbrojtja e viktimave”, tha Pues.

Ajo ka thënë se viktimat presin që kryesit e veprave të pranojnë të keqën që e kanë bërë.

Pues: Viktimat kërkojnë që ata që kryen krime ta pranojnë atë që bënë

“Ajo që viktimat kërkojnë është pranimi i të keqes që iu është bërë atyre. Ky gjyq është i rëndësishëm sepse do të zbulojë dhe do të paraqes në këtë sallë gjyqi disa nga këto të vërteta të parehatshme, është shpresa e sinqertë që njerëzit në Kosovë do të angazhohen në këto procedura, do të dëgjojnë dhe do të kuptojnë që ky gjyq nuk ka të bëjë me legjitimitetin e luftës për pavarësi, ky gjyq ka të bëjë me rregullat bazë të njerëzimit”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se zhgënjimi i viktimave është shumë i madh.

Pues: Viktimat kanë pritur gjatë dhe janë lodhur

“Zhgënjimi i viktimave është shumë i madh, ata kanë pritur shumë gjatë dhe janë lodhur nga premtimet e pa mbajtura. Viktima që kanë vuajtur në duart e UÇK-së kanë dështuar sepse nuk kanë pasur asnjë rast të kërkojnë zgjidhje efikase për vuajte të tyre në asnjë gjykatë, të brendshme, hibride apo ndërkombëtare. Sigurisht kjo tregon pse ishte e nevojshme të ngrihej kjo gjykatë dhe puna e kësaj gjykate do të ishte rasti i fundit për ta bërë këtë, për të bërë zgjidhje dhe drejtësi për ta”, ka shtuar ajo.

Salih Mustafa nuk po qëndron në sallën ku po mbahet seanca e parë gjyqësore ndaj tij.

Paraprakisht ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat me të cilat ngarkohet.

E quajti ZPS-në Gestapo, gjykatësja i tërheq vërejtjen Mustafës

Salih Mustafa i cili ka lëshuar sallën e gjyqit sot kur po mbahet seanca e parë ndaj tij, do të jetë i detyruar të marrë pjesë në seancat e tjera vijuese, ka thënë kështu gjyqtarja pasi ish-komandanti i UCK-së refuzoi të jetë i pranishëm në vazhdimin e seancës. Ajo gjithashtu ka drejtuar kritika për mënyrën si është shprehur Salih Mustafa sot, meqë ky i fundit derisa ka deklaruar që nuk është fajtor e ka quajtur ZPS-në Gestapo, emërim për policinë sekrete të Gjermanisë Naziste.

Pasi Mustafa ka lëshuar sallën trupi gjykues ka mbajtur një konsultim pas së cilit gjyqtarja ka lëshuar një urdhër me gojë.

Gjykatësja: Gjykata vendos për prezencën e të akuzuarit

“Trupi gjykues është i mendimit se prania e të akuzuarit është e nevojshme, edhe pse jo e enevopjshme në këtë rast, megjithatë ky refuzim për tu paraqitur dhe zoti Bone kjo lidhet vetëm me pjesën e mbetur të seancës së sotme. Gjykata e mban të drejtën e vet diskrecionale në të ardhmen që të detyrojë të akuzuarit të jetë i pranishëm edhe kur ai heq dorë nga kjo e drejtë”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se Mustafa nuk do të lejohet të përdorë të njëjtin fjalor siç ka bërë sot derisa është deklaruar i pafajshëm.

Gjykatësja: Mustafa nuk do të lejohet të përdorë gjuhë pa respekt në seancë

“Duhet ta informoni klientin tuaj që nuk do ta lejojmë zotin Mustafa në seancat në të ardhmen që të përdorë gjuhë pa kurrfarë respekti në lidhje me palët apo pjesëmarrësit e tjerë siç ishte gjuha që përdori klienti i juaj kur ju referua ZPS-së”, ka shtuar gjykatësja.

“Nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, ka thënë Mustafa në seancën e sotme.

***

Gjykatësja, Mappie Veldt-Foglia ka dhënë urdhër verbal sigurimit që të kthejnë në seancën ku po mbahet gjykimi, ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa.

Ky i fundit pak minuta më parë lëshoi seancën.

“Ai në mënyrë vullnetare ka hequr dorë nga e drejta e tij të jetë i pranishëm. Avokati i tij është i pranishëm dhe do ti paraqes interesat e klientit të tij. Trupi gjykues e ka paraparë të nevojshme praninë e të akuzuarit. Gjykata e mban të drejtën që ta detyroj të akuzuarin të jetë i pranishëm edhe kur ai heq dorë nga kjo, kërkoj nga sigurimi që ta kthejnë në sallë”, u shpreh gjykatësja Veldt-Foglia.

Ajo më tej kërkoi nga avokati mbrojtës Julius von Bone, që të informoj klientin e tij se në seancat e ardhshme nuk do ta lejojë të përdorë gjuhë jo respektuese. 

Salih Mustafa lëshon sallën, seanca shkon në pauzë

Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa ka hequr dorë nga prania e tij në vazhdimin e seancës ku po mbahet gjykimi ndaj tij.

Pas kësaj trupi gjykues ka kërkuar pauzë ndërsa vendimi i trupit gjykues erdhi pasi mbrojtja e viktimave e ka kundërshtuar mungesën e Mustafës në seancë.

Mbrojtësja e viktimave ka thënë se seanca duhet të zhvillohet me praninë e të akuzuarit në sallë.

Mbrojtësja: Largimi i të akuzuarit nga seanca tregon mos respekt për viktimat

“Lidhur me rregullën 68, parimet e qarta të shikuara kanë të bëjnë me praninë e të akuzuarit, por të shohim paragrafin 1 thuhet se ‘ai gjykohet në praninë e tij’ për mendimin tonë ky është një mospërfillje e qartë dhe mungesë respekti për viktimat që ai largohet”, ka thënë mbrojtësja e viktimave.

Ndërsa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë deklaruar që preferojnë që gjykimi të zhvillohet me prezencën e Mustafës në sallë.

Prokurori: Prokuroria preferon që i akuzuarit të qëndrojë në sallë gjatë gjykimit

“Preferenca jonë si prokurori është që i akuzuari të ishte i pranishëm por ne ja lëmë vendimin trupit gjykues siç parashikohet në rregullën 64 paragrafi 4. Në fakt, ne duam të kemi një proces verbal të qartë lidhur me faktin se i akuzuari sipas rregullës 64 paragrafi 4 pika c, në vullnetin e tij në mënyrë të padiskutueshme ka hequr dorë nga e drejta e tij për të qenë i pranishëm këtë duhet ta shkruajmë mirë dhe qartën ë proces verbal”, ka thënë prokurori.

Ndërsa mbrojtja e Mustafës ka thënë se ai i mbron interesat e tij. Pas kësaj, trupi gjykues ka kërkuar pauzë për siç kanë thënë të konsultohen rreth kësaj çështjeje.

Salih Mustafa nuk kthehet në gjykatë, ndërpritet seanca përkohësisht

I akuzuari i Dhomave të Specializuara, Salih Mustafa, nuk është kthyer në pjesën e dytë të seancës së parë gjyqësore ndaj tij.

Për këtë pas disa sqarimeve si nga mbrojtja ashtu edhe nga prokuroria, është ndërprerë seanca nga gjyqtarja që po e drejton atë.

Gjyqtarja ka thënë se i nevojitet konsultim me gjyqtarët tjerë, jashtë seancës lidhur me këtë çështje.

Avokati i tij,  Julius Von Bone, është shprehur se është e drejtë e të akuzuarit që të zgjedhë nëse do ose jo të jetë i pranishëm në seancë.

Cezary Michalczuk: Të gjitha viktimat e Sali Mustafës ishin shqiptarë, pjesë e LDK-së

Cezary Michalczuk, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka paraqitur, sipas tij, faktet që e bëjnë Sali Mustafën përgjegjës për krimet e pretenduara të kryera në Zllash gjatë vitit 1999.

“I akuzuari dhe vartësit e tij akuzonin viktimat si spiunë dhe kolaboracionistë, ndërkohë që ishin të papabazuara këto akuza, ato ishin një hallkë midis konfliktit të armatosur dhe krimeve të kryera nga i akuzuari dhe vartësit e tij”, është shprehur Michalczuk.

Për të edhe alibia e prezantuar nga mbrojtja e Sali Mustafës nuk paraqet provë për shfajësimin e tij.

Image

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”.

Michalczuk ka prezantuar fotografi të shtëpisë ku pretendohet se janë kryer krimet dhe po ashtu fotografi të Sali Mustafës i veshur në uniformë.

Image
Image

Prokurori i Specializuar: Gjykata Speciale është frymëzuar nga zëra nga Kosova

Prokurori i Specializuar, Jack Smith ka folur në hapjen e gjykimit të parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ku thënë se sot është datë e rëndësishme për këtë institucion. Drejtuesi i ZPS-së ka thënë se Gjykata Speciale është e frymëzuar nga zëra nga Kosova dhe është krijuar me akte të popullit të Kosovës.

Smith: Kjo gjykatë u krijua me akte të popullit kosovarë

“Gjykata jonë dhe këto procese gjyqësore shikohen ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Pikë së pari kjo gjykatë është një gjykatë e frymëzuar nga zëra kosovarë dhe e krijuar me akte të popullit kosovarë. Më 3 gusht të vitit 2015 Kuvendi i Kosovës e krijojë këtë gjykatë me anë të miratimit të ligjit për Dhomat e Specializuar dhe zyrën e Prokurorit të Specializuar, po atë ditë Kuvendi i Kosovës votoi edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës gjegjësisht për të ratifikuar ekzistencën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe zyrës së Prokurorit të Specializuar Brenda kornizës së Kosovës. Përmes këtyre veprimeve dhe duke folur në emër të popullit të Kosovës, Kuvendi u ngarkoi këtyre institucioneve detyrën për t’u mbështetur në punën e taskforcës hetimore speciale dhe për të gjykuar personat përgjegjës për krimet e rënda ndërkombëtare dhe ndërkufitare të kryera në territorin e Kosovës dhen ë pjesë të Shqipërisë gjatë periudhës 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Gjashtë vjet më pas kur po fillon gjykimin e parë kjo gjykatë është krenare që sinjalizon angazhimin e popullit të Kosovës për një shtet ligjor dhe për një drejtësi transparente”, ka thënë Smith.

“Nuk ngrisim akuza ndaj UÇK-së”, Kryeprokurori: Përgjegjësia e Salih Mustafës është vetjake

Kryeprokurori i Prokurorisë së Specializuar të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Jack Smith,  e ka quajtur ditë të rëndësishme nisjen e procesit të parë gjyqësor në këtë institucion.

Ai në fjalën e tij ka thënë për të akuzuarit Sali Mustafa se të gjitha viktimat e krimeve që ai dyshohet se i ka kryer janë me kombësi shqiptare.

“Mustafa ka shelur ligjet e luftës dhe ligjet ndërkombëtare për mbrojtje të individëve. ZPS nuk ngrit akuza ndaj UÇK-së as luftës së bërë për pavarësi”.

“Ata që janë përpjekur t’i frikësojnë dëshmitarët, kanë pretenduar se këto gjyqe bëhen kundër popullit të Kosovës dhe kjo nuk është e vërtetë. Fakti që populli i Kosovës vendosi ta krijojë këtë institucion përbën dëshmi për angazhimin e shtetit ligjor. Ky gjyq ka të bëjë me përgjegjësi vetjake të Mustafës veprimet e të cilit kanë shkaktuar vuajtje në trupat dhe mendjet e viktimave që kanë vuajtur nga këto veprime”.

Smith ka thënë se arsyeja  e krijimit të Gjykatës Speciale është atmosfera e frikësimit të dëshmitarëve që sipas tij ekziston edhe sot.

Këto janë akuzat që Specialja ka ngritur ndaj Salih Mustafës

Sot ka nisur gjykimi ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Nga prokuroti i specializuar aty u lexuan akuzat e ngritura kundër këtij ish-pjesëtari të UÇK-së, dhe jo e gjithë aktakuza në tërësinë ë saj.

Mustafa akuzohet për:

Pika 1: Krimin e luftës të ndalimit arbitrar të kryer në një kompleks ndalimi në Zllash në Kosovë kundër të paktën 6 personave nga afërsisht 1 prilli 1999 – 19 prill 1999.

Pika 2: Krimin e luftës së trajtimit mizor, të kryer në një kompleks ndalimi në Zllash në Kosovë kundër të paktën 6 personave nga afërsisht 1 prill 1999 – 19 prill 1999.

Pika 3: Krimi i luftës, torturë, kryer në kompleksin e ndalimin në Zllash të Kosovës kundër të paktën 6 personave afërsisht 1 nga prill 1999 – 19 prill 1999.

Pika 4: Krimi i luftës për vrasje të paligjshme kryer në kompleksin e ndalimit që ndodhet në Zllash  kundër një personi, afërsisht nga 19 prilli 1999 , dhe rreth fundit të prillit 1999.

“Ka një dyshim të mirëbazuar që Mustafa është përgjegjës penalisht për kryerjen fizikisht të krimeve, për kryerje si anëtar i ndërmarrjes kriminale të përbashkët të krimeve, dhe duke kryer si një anëtar i ndërmarrjes kriminale krimin e vrasjes së qëllimshme, duke qenë i vetëdijshëm që një krim i tillë mund të kryhet – duke kryer qëllimin e përbashkët të ndërmarrjes kriminale të përbashkët dhe duke e marr këtë rrezik me vullnet të lirë, duke urdhëruar e nxitur krime, duke ndihmuar dhe inkurajuar krimet”, deklaroi prokurori.

Ndaj këtyre akuzave Mustafa u shpreh se “s’ka asgje të vërtetë për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre“.

***

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka hapur sot gjykimin ndaj Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, gjatë fjalës hyrëse tha se përderisa rastet e tjera që do të dalin para kësaj gjykate, do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, si shqiptarë kosovarë, serbë, romë, në rastin e Mustafës, sipas tij, të gjitha viktimat ishin bashkatdhetarët e tij, shqiptarë të Kosovës.

“Këta njerëz nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës, ata nuk ishin spiunë. Ata ishin pjesëtarë të komunitetit, shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj dhe prandaj ishin etiketuar si kolaboracionistë”, tha Smith.

Smith gjithashtu ka lavdëruar Kosovën dhe popullin e saj për krijimin e Gjykatës Speciale dhe mbështetjen e këtij institucioni.

“Kjo gjykatë flet me krenari për përkushtimin e njerëzve në Kosovë për sundimin e ligjit. Njerëzit e Kosovës kanë qenë forca lëvizëse e zyrës tonë dhe këtij institucioni”, tha ai.

Prokurori i Specializuar tha se krimet e luftës nuk justifikohen.

“Kundërshtarët e kësaj gjykate përdorin shprehje si ‘lufta e pastër’. Si prokuror është përtej detyrës time të ju tregoj cila është luftë e pastër, por mund të them që krimet e luftës në një anë nuk i justifikon krimet në anën tjetër”, tha Smith.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) argumentoi se viktimat që ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Zllash, ishin cilësuar si kolaboracionistë në luftë.

Ndërkaq, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte.

Për akuzat ndaj tij, Mustafa edhe më herët është deklaruar i pafajshëm. Por, edhe gjatë fillimit të seancën, gjykatësja e pyeti nëse ende qëndron ky deklarim i tij dhe Mustafa tha:

“Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Kryeprokurori Smith: Specialja, një mundësi që Kosova t’i lë pas problemet e luftës

Kryeprokurori i Speciales, Jack Smith ka folur sot në hapje të gjykimit kundër Salih Mustafës.

Smith në deklaratën e tij ka thënë se Specialja është një mundësi që Kosova t’i lë pas problemet e luftës, shkruan lajmi.net.

Ai tutje ka thënë se kjo gjithashtu është mundësi që viktimat të thonë fjalën e tyre pa frikë.

“Përbën një mundësi që Kosova t’i lë pas problemet e luftës. Mundësi që viktimat të thonë fjalën e tyre pa frikë. Mundësi që të akuzuarit t’i dëgjojnë akuzat dhe t’i kundërshtojnë ato. Mundësi që drejtësia të jetë e plotë, efikase dhe e drejtë. Kjo është një gjykatë për kontribut madhor në drejtësinë ndërkombëtare. Edhe pse kjo gjykatë shihet ndryshe, është mundësi për të kërkuar drejtësi”, tha Smith.

Paraprakisht, komandant “Cali” u deklarua sërish i pafajshëm për pikat e akuzës.

***

Ish-pjesëtari I Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ndaj të cilit ka nisur sot gjykimi në Dhomat e Specializuara në Hagë, është deklaruar i pafajshëm.

Nga gjyqtarja atij i është kërkuar të konfirmojë deklaratën e tij të dhënë më 28 tetor të vitit 2020 rreth fajësisë apo pafajësisë së tij.

Mustafa: Nuk jam fajtor

Nuk jam fajtor për asnjë nga piakt që mi ngarkon kjo zyre”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar janë lexuar akuza ndaj Mustafës por jo aktakuza në tërësi.

Prokurori: Akuzat ndaj Salih Mustafës

Në aktakuzën e konfirmuar prokurori i specializuar akuzon zotin Salih Mustafa me: 1. Krimin e luftës të ndalimit arbitrar sipas nenit 14 1c të ligjit, të kryer në një kompleks ndalimi në Zllashë në Kosovë, kundër të paktën gjashtë personave nga afërsisht 1 prilli 1999 deri 19 prill 1999; 2. Krimin e luftës të trajtimit mizor sipas nenit 14 paragrafi 1 nën paragrafi ‘c’ të kryer në një kompleks ndalimi në Zllashë në Kosovë kundër të paktën gjashtë personave nga afërsisht 1 prill 1999 dhe 19 prilli 1999; 3. Krimi i luftës torturë sipas nenit 14 kryer në kompleksin e ndalimit që ndodhet në Zllashë në Kosovë kundër të paktën gjashtë personave afërsisht nga 1 prilli 1999 dhe 19 prill 1999 dhe; Pika 4 krimi i luftës për vrasje të paligjshme sipas nenit 14 të ligjit kryer në kompleksin e ndalimit që ndodhet në Zllashë në Kosovë kundër një personi midis afërsisht 19 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999”, ka thënë prokurori.

Ky është gjykimi i parë që po fillon në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja dhe që po qëndron në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

***

Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa ka deklaruar sërish para trupit gjykues të Gjykatës Speciale se është i pafajshëm për akuzat që e ngarkojnë.

Në pyetjen e gjykatëses se a i kupton akuzat të cilat rëndojnë mbi të, ai u përgjigj se “Po e kuptoj por nuk ka asgjë me të vërtetën”.

Gjykatësja pastaj e pyeti se a e konfirmon deklaratën e dhënë në muajin tetor ku u deklarua i pafajshëm, Mustafa u përgjigj “Nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyrë e Gestapos”.

***

Para pak minutash ka filluar gjykimi ndaj Salih Mustafës.

Ky gjykim është i pari nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.

Seanca pritej të fillonte në ora 09:30, mirëpo e njejta filloi një orë më vonë.

***

Gjykimi ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Salih Mustafës, do të fillojë sot.

Ky gjykim është i pari nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.

Seanca pritet të fillojë nga ora 09:30 dhe pritet të zgjasë deri në ora 17:30, thuhet në kalendarin e publikuar të Dhomave të Specializuara.

Më 12 qershor 2020 u konfirmua aktakuza ndaj tij, ndërkaq arrestimi i tij u bë më 24 shtator. Mustafa kishte mohuar aktakuzat ndaj tij.

Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale.

Në aktakuzën e konfirmuar, Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat