Kurti thotë se nuk ka datë për takimin e radhës me Vuçiq

Aktuale

Kurti thotë se nuk ka datë për takimin e radhës me Vuçiq

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 14:00
Albin Kurti gjatë konferencës

(E plotësuar 15:30) - Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se nuk ka një datë të caktuar të takimit të ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por një gjë e tillë sipas tij nuk pritet para 6 tetorit kur do të mbahet samiti në Slloveni në mes BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti u shpreh se në takimin me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk ka diskutuar për arkivat dhe reciprocitetin.

Kurti: Nuk ka datë për takimin e radhës Kosovë-Serbi

“Nuk kemi biseduar tema të cilat nuk janë përmendur në komunikatë, nuk ka pasur diçka të re që do të mund ta ndaja me juve si lajm. Nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi samitin në Slloveni midis BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk ka një datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës. Ndërkohë zëvendëskryeministri im, i cili është përgjegjës për integrim evropian, zhvillim dhe dialog ka pasur takime në Bruksel, ai diskuton hollësitë sidomos të çështjes së të zhdukurve me forcë. Nuk kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave. Kemi diskutuar për propozimet tona që i kemi dhënë për raportet me Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Gjithashtu, nuk e kemi diskutuar as çështjen e reciprocitetit përveçse unë kam theksuar që krerët e shteteve të vendeve evropiane, por jo vetëm kanë pranuar një letër nga unë, në të cilën janë të renditura shkeljet të cilat po i bënë Serbia”, tha Kurti.

Kurti theksoi se nuk është biseduar as për takimin që do të mbahet në Slloveni, derisa foli edhe sa i përket katër marrëveshjeve që mund të diskutohen aty.

Kreu i qeverisë tha se mungesa e marrëveshjes për çështjen e kualifikimit akademik, pastaj atyre profesional, të lëvizjes me ID karta dhe kalimi pa viza nga vendet e treta, nuk ka problem substancial, por ka probleme formale.

Kurti: Problemet bilaterale të tejkalohen me marrëveshje multilaterale

“Fatkeqësisht, Serbia insiston që koncesionet që i ka fituar ajo në Bruksel nga qeveritë paraprake t’i përdorë në secilin dokument rajonal dhe në këtë mënyrë po e vendos një pozitë të vështirë komplet pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilët kur po dalin me deklarata të përbashkëta po dalin thuajse nuk bëhet fjalë për shtetet, meqenëse Serbia insiston që të mos jetë fjala qytetar, territor, qeveri, të mos jetë fjala as shtet e as vend e kështu me radhë. Pra, një lloj zbutje, një lloj squllje e jashtëzakonshme e çdo dokumenti në mënyrë që të mos dihet as për çka bëhet fjalë aty. Arsyeja pse nuk janë nënshkruar ato katër marrëveshje nuk është përmbajtjesore, substanciale në kuptimin e synimeve të marrëveshjes, po në kuptimin e njohjes dhe përfaqësimit të shteteve aty. Me qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilën e udhëheq unë, natyrisht që nuk mund të vazhdojë avazi i vjetër i qeverive të mëhershme. Unë besoj se nëse kemi probleme bilaterale, ato duhet të tejkalohen në marrëveshje multilaterale të iniciativave rajonale, e jo problemet bilaterale t’i shkatërrojnë edhe iniciativat rajonale siç ekziston në tendenca”, tha ai.

I pari i Qeverisë së Kosovës, ka folur edhe për çështjen e reciprocitetit në shtetin e Serbisë, ku tha se nuk e shohin reciprocitetin si mjet për hakmarrje.

Kurti: Ne nuk e shohim reciprocitetin si mjet për hakmarrje

“Ne nuk e shohim reciprocitetin si mjet për hakmarrje, por si koncept që derivon nga vlera e barazisë. Për neve barazia është vlerë, përveçse dobi është vlerë para së gjithash dhe nga barazia si vlerë derivon reciprociteti. Ne do të dëshironim që Serbia t’i heqë barrierat, ka barriera të shumta jo tarifore të cilat herë janë sporadike në zbatim e herë janë edhe sistematike. Ne duam reciprocitetin që Serbia t’i heqë barrierat, mirëpo nëse reciprociteti nuk do të mund të zbatohet duke i hequr Serbia barrierat, atëherë do të zbatohet duke iu kundërvënë ne jo si hakmarrje, por për shkak se e duam barazinë. Kur të jemi gati për këtë gjë me siguri se do të njoftoheni e do ta merrni vesh”, tha ai.

Gjatë konferencës ku njoftoi për vendimin që studimet në nivelin bachelor dhe master, Kurti komentoi edhe deklaratën e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, sa i përket mundësisë së arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë.

Kurti: Serbia e ka një Kushtetutë të vjetruar

“Për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, natyrisht se kërkohet ndryshimi i qëndrimit të Serbisë edhe sa i përket deklarimeve të tyre publike, por edhe sa i përket Kushtetutës së tyre. Serbia e ka një Kushtetutë të vjetruar nga viti 2006 e kohës së Koshtunicës para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila duhet të ndryshohet. Pra, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa krahasimisht më shumë duhet të ndryshojë Serbia dhe në fakt Kosova do të mund të ndryshojë qëndrimin karshi një Serbie tashmë të ndryshuar. Njohja reciproke është thelbi, përderisa nuk ka kurrfarë gatishmërie për njohje reciproke dhe përderisa deklarohet në Beograd që Serbia kurrë nuk do ta njeh Kosovën natyrisht që të gjithë kemi mirëkuptim për deklaratën e kryetarit të Kuvendit. Po besoj që i takon faktorëve ndërkombëtarë, por edhe demokratëve, liridashësve në Serbi që ta ndryshojnë këtë qëndrim, i cili është edhe më i vjetër sesa kushtetuta e vjetër e Serbisë”, tha ai.

Sa i përket aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Kurti tha se është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ajo e cila i bënë analizat dhe vlerësimet për një gjë të tillë.

Kurti: MPJD bën analiza se kur do të aplikojmë

“MPJD bën analiza dhe vlerësimet e brendshme se ku do të aplikojmë, kur, për çka dhe meqenëse është një çështje shumë e ndjeshme e brendshme unë nuk mund të them tash informacion të atyre analizave dhe vlerësimeve pa rrezikuar ta dëmtojë interesin strategjik të Kosovës. Në këtë aspekt me siguri që ne kemi për detyrë avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, mirëpo si, kur, çka janë pyetje që ngelen të vlerësimeve dhe të analizave të brendshme. Unë nuk besoj që shteti i Kosovës, Republika e Kosovës ndodhet në ndonjë rrezik aktualisht sa i përket këtyre vlerësimeve të brendshme që po i bënë ajo, se ku do të kërkojmë anëtarësime dhe kur, pra janë vlerësime të profesionistëve, të ekspertëve brenda ministrisë tek të cilët unë kam besim të plotë”, u shpreh Kurti. 

Deklarohet Kurti, tregon kur do të takohet me Vuçiqin

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që nuk do të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për dialogun Kosovë-Serbi para datës 6 tetor.

Nuk do të ketë takim para 6 tetorit, kur edhe e kemi Samitin në Slloveni mes Bashkimit Evropian dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. S’ka datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës, ndërkohë zëvendëskryeministri im Bislimi që është përgjegjës ka pasë takime në Bruksel. Ai i diskuton hollësitë sidomos të çështjes së të zhdukurve me forcë”, u shpreh ai.

Tutje Kurti në një konferencë për media, ka folur edhe për takimin me të dërguarit e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili ka qëndruar tri ditë në Kosovë.

Lajçaku ka qëndruar tri ditë në Kosovë dhe jo si herët e kaluara, kur qëndronte një ditë. Ka zhvilluar një mori takimesh me akterë të ndryshëm të përfshirë në çështjen e dialogut dhe ka filluar ta kuptojë më me hollësi gjendjen socio-ekonomike të Kosovës. S’kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave, kemi diskutuar për sugjerimet tona që i kemi dhënë për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor. Nuk kemi diskutuar për reciprocitetin, por i kam treguar se liderët evropianë kanë pranuar një letër nga unë ku janë të renditura shkeljet që po i bën Serbia”, u shpreh Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat