Rrëfimi i dëshmitarit ndaj Salih Mustafës: E ndëgjoja britmën e njerëzve dhe rropllimat, kemi pasur frikë se edhe neve na marrin

Aktuale

Rrëfimi i dëshmitarit ndaj Salih Mustafës: E ndëgjoja britmën e njerëzve dhe rropllimat, kemi pasur frikë se edhe neve na marrin

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 07:42
Foto: Dëshimtari i mbrojtur dhe Salih Mustafa

(E plotësuar 17:44) - ​ Ka përfunduar pjesa e tretë e gjykimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në këtë seancë prokurori ka përmendur një deklaratë të dëshmitarit për të cilën ky i fundit ka thënë se ia ka dhënë UNMIK-ut në vitin 2006. Pyetjet pas kësaj kanë vijuar në seancë të mbyllur, meqë prokurori ka thënë se do të bëjë pyetje që mund të nxjerrin identitetin e disa njerëzve të mbrojtur.

***

Në institucionin e Dhomave të Specializuara po vazhdon të dëshmojë dëshmitari i parë kundër të akuzuarit Salih Mustafa.

Ai ka shpjeguar rrethanat se si ishte mbajtur në një ahur bagëtishnë  Zllash të komunës së Prishtinës.

Tha se ka dëgjuar zhurma nga rrahjet dhe keqtrajtimet që kanë ndodhur në katin sipër të objektit.

“Ne s`kemi mundur të flemë poshtë prej tute, prej treme që e kemi pasur. Unë i dëgjojsha britmën e njerëzve dhe rropllimat, kemi pasur frikë se edhe neve na marrin dhe na dërgojnë atje. Normal zhurma të njerëzve që i kanë rreh lart.  Përnatë i kemi dëgjuar”, u shpreh dëshmitarit.

Në pyetjen nëse njerëzit që merreshin për t`u keqtrajtuar nxirreshin nga ahuri dëshmitari i përgjigj:

“Nuk e dimë kënd e kanë rrahur se nuk i kemi parë, por me siguri ata njerëz që i marrshin poshtë i kanë qu lart.  Jo s`u ni fjala por veç zhurma”.  Shumë keq jemi ndjerë se kemi ba mend se edhe neve na gjen ashtu, asi soji”, tha ai.

Dëshmitari theksoi se ishin ushqyer me vetëm nga një copë bukë në brenda dy ditësh.

“Aty na kanë dhënë nga një copë bukë bajat, ka ndodhë që 48 orë kemi ndenjur pa bukë. Bukë na kanë pru kur kanë dashur, dy ditë a një ditë, si kanë mundur se ka qenë luftë. Na kanë dhënë 1 her në dy ditë nga një copë bukë sa për të mos vdekur”, tha dëshmitari i cili tregoi tutje edhe për kushtet e tjera të rënda të përjetuara në vendin ku mbaheshin.

“As uj s`kemi pasur boll me pi. Na kanë pru nga një kantë. Temperatura u kanë shumë ftohtë. Ne s`kemi mundur të pimë ujë e lëre më të pimë uj dhe të pastrohemi.  E kamë fjalën për të gjithë që i kamë pasur në dhomë.  Dy postava dy qebe që kuajve. S`kemi pasur as jastëk, as asgjë, më shumë kemi ndenjur zgjuar.  Për nevojën e madhe na kanë qit jashtë ndërsa të voglën brenda”, u shpreh ai duke treguar se kur dilnin jashtë ruheshin nga dy persona të armatosur.

Tutje dëshmitari tha se s`kanë guxuar ti shikojnë ata që i mbanin peng.

“ Na s`kemi guxuar me i këqyrë kush janë, veç na kanë ruajtur. Kanë qenë me pushkë automatike.  S`kemi guxuar as ta përmendim që jemi sëmurë. Nëse ke thanë që je sëmurë të kishin qit jashtë të kishin vrarë menjëherë. S`kam ditur çka po ndodhë me neve”, theksoi ai.

Më pas ai tregoi se i kanë liruar dhe se pas dy-tre orësh i janë bashkuar kolonës për Prishtinë.

Dëshmitari tregoi se njëri nga personat që e kishin mbajtur peng në Zllash i ishte bashkuar kolonës.    

“Na kanë liruar, dhe i jemi bashkuar kolonës për të shkuar për Prishtinë.  Një person me uniformë na ka hapë derën dhe kemi dalë. Na ka thënë kah doni shkoni jeni të lirë.  E kam parë personin që na ka mbajtur që i ishte bashkuar kolonës dhe para meje ik`ke për Prishtinë”, u shpreh ai.

 

(E plotësuar 15:59) - ​Salih Mustafa sërish ka refuzuar të jetë i pranishëm gjatë dëshmisë së dëshmitarit.

Këtë e ka bërë të ditur gjatë seancës avokati i tij, Julius Von Bone.

Avokati tha se Mustafa ka kërkuar që të jetë i pranishëm vetëm kur dëshmojnë disa dëshmitarë dhe jo të gjithë dëshmitarët.

“Ka disa dëshmitarë gjatë dëshmisë së tyre Salih Mustafa do të donte të merrte pjesë në gjykim, ky i sotmi nuk është një prej tyre”, tha Van Bone.

Pas kërkesës së avokatit, trupi gjykues ndërpreu përkohësisht gjykimin dhe doli nga salla për të vendosur.

Pas diskutimeve gjykata e lejoi largimin e përkohëshëm të Mustafës përderisa urdhëroj që i njëjti të paraqitet përsëri nesër.

Dëshmitari në Hagë: Personat që më kanë mbajtur kanë pasur tesha të larme që i ka mbajtur UÇK-ja

Pjesa e dytë e seancës në Hagë ku po zhvillohet gjykimi në rastin e ish-pjesëtarët të UCK-së, Salih Mustafa, po vijon e mbyllur ku po mirret në pyetje, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dëshmitari i parë në këtë gjykim. Në pjesën e parë të seancës, dëshmitari ka thënë se personat që sipas tij e kanë kidnapuar janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së dhe kanë pasur të veshur “tesha të larme të UÇK-së”.

Sipas dëshmitarit të parë në këtë gjykim, i njëjti është ndaluar nga sy persona që sipas tij janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së, të cilëve pastaj u janë bashkuar edhe të tjerë dhe siç ka thënë dëshmitari e kanë dërguar për mbajtje në një vend në fshatin Zllashë.

Dëshmitari: Personat që më kanë marrë kanë pasur tesha të larme që i ka mbajtur UÇK-ja

E kanë pasur uniformën. Do tesha të larme që i ka mbajtur UÇK-ja”, ka thënë dëshmitari kur është pyetur nga prokurori se çfarë uniforma mbanin personat që dëshmitari thotë ta kenë kidnapuar.

Ai a ka thënë se nuk ka arritur të vërejë nëse kanë pasur shenja apo emblema.

Prokurori: Nga e di që personat që të morën ishin të UÇK-së

Ti the që ishin të policisë ushtarake të UÇK-së, nga e di ti që ishin të policisë ushtarake të UÇK-së”, ka pyetur prokurori.

E sipas dëshmitarit, ata janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së.

Dëshmitari: Personat që më kanë marrë janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së

Po ashtu edhe mu kanë prezantuar”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari i parë në gjykimin e Salih Mustafës po dëshmon nën masa të mbrojtura sigurie ku identiteti i tij nuk është i ditur për publikun dhe ka të vendosure një perde e cila i pamundëson të akuzuarit Salih Mustafa të shoh dëshmitarin.

Në fillim të seancës Salih Mustafa ka kërkuar fjalën por nga gjykatësja i është thënë se do të ketë një rast tjetër gjatë seancës së sotme për t’i dhënë fjalën meqë njëherë do të vijojë seanca me dëgjimin e dëshmitarit.

Seanca e sotme ku po merr pjesë dëshmitari i parë ka vijuar e mbyllur për disa minuta dhe në disa pjesë ka pasur redaktim gjatë transmetimit.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja dhe që po qëndron në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator, me pretendimin për krime lufte, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

***

Dëshmitari në Speciale: Më rrahën e më vendosën thesin e zi në kry, ishte ky që jom ardh për të, s’du me ia përmend emrin

Derisa është duke u zhvilluar seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ka vazhduar edhe deklarimi i dëshmitarit të parë në këtë rast.

Dëshmitari i parë i cili po dëgjohet në rastin e Salih Mustafës, deklaroi para Dhomave të specializuara për momentet e ndalimit të tij në afërsi të fshatit Zllash.

Ai tha se ishte ndaluar nga dy persona me uniforma dhe armë të shkurta, përderisa një veturë kishte ardhur për t’i marrë.

Në atë veturë, sipas dëshmitarit ishin dy persona, njëri nga ta me kapele të kuqe.Ai tregoi se si fillim dy personat me teshat me lara, i kishin dhënë një çokollatën përpara se t’i vendosnin thesin e zi në kokë.

“Ma dhanë çokollatën, m’ka ra boks në kry edhe ma ka shti ni thes të zi në krye, ma s’kanë fol kurgjo me mu, veç me kanë thanë këna met dhanë çokollata sa të shkojmë atje”, tha dëshmitari.

Më poshtë mund të lexoni edhe pjesën tjetër të pyetjeve të parashtruara nga prokuroi dhe përgjigjen e dëshmitarit para se seanca të shkojë sërish në seancë private.

Na the se për një moment të morën nga ai vend?
Po.

A mund të na tregosh se kush të mori?
Ata s’më kanë lënë mu me shiqu, vetëm më kanë ngreh zhag më kanë qit jashtë. Unë s’kom dit tjetër qysh.
Kanë hy brenda e kanë marr thesin ma kanë qit në kry. Më kanë qit jashtë njo 6-7 metra prej aty. Se di sa i ka pas saktë.
Edhe aty isha edhe unë.

Pra të quan tek ky vendi tjetër? Çka ishte ky vendi i dytë?
Çka ndodhi kur të quan te vendi tjetër nga ahuri?
A mund të thuash si të rrahën?
Më kanë sjell me druna më kanë sjell me shkelma, më kanë sjell me nuk e di çka më kanë sjell dhëmbët mi kanë thy qaty. Jam i bërë operacion disa here.

A të kujtohet sa persona morën pjesë në këtë rrahje sa po dëshmove?
Njo 3-4-5 po, saktë nuk e di.

Ata që të morën nga ahuri të rrahën apo tjerë?
Më rrahën plot nuk e di.
Çkas më kanë thënë, më kanë sha nënën edhe ma kanë sjell sa kanë mujt.
Një shkelëm, një me dru s’e di as vetë.
Më akuzojshin se kam bashkëpunu me serbë, kom shit dru një kali e kom pas.
Unë s’kom mujt me jetu ndryshe masanej.

A e njihnit dikë nga këta persona?

Nuk mujta me i njoftë.
S’ka pas rrymë atëherë hiç, u kon zor.
Ka qenë një bateri u dhezke u shuke, s’ke mujt me pa çka kanë pas vesh.

A të kujtohet a kishte dikush diçka në kokë nga ata që të rrihnin?

Tjetër nuk po di se s’ka pas as rrymë, njo 3-4 orë më kanë rreh ndoshta.
Ata më kanë rrah ka një nga një dy tri here, më kanë gju ujë në fund s’e kom dit më as ku jam. Aty në ahër më kanë rreh deri të nesërmen në mëngjes.

A përdorën armë ndonjëherë?
Po.
Jom kon shtrire në shtrat, njoni prej tyre e ka nxjerrë një revole edhe ma ka drejtu e kom ni edhe unë s’e di çka ka ndodhë tani…
“Dëshmitari tregoi me gishtë shenjën në ballë ndërkohë që po fliste”

Çfarë ishte kjo zhurmë?

Revolja ka bo “çkrrap”, amo kshtu nuk ka kris. Në qat moment që jom kon aty ma ka vendos në kokë.
Kush ishte ky njeri?
Ky ishte njeriu që …Për këtë që jom ardh se s’po mundem me ia përmend emrin.
Mbase s’do t’ia përmndësh emrin, por mundesh nofkën?
Ky që përdori pistoletën a e mbante atë kapelën e kuqe?
E kom ni kur e ka thirr dikon edhe më është ndërprerë dëgjimi.
A i drejtoheshin ata njëri-tjetrit me emra?
Po.

The se njeri që ishte atje ishte i akuzuari? Nga e di këtë?
Ishte kryesori aty.
Nga e di ti se ishte kryesori aty?
E di. Pa thon ky ata s’kanë bo kurgjo. Ai i jepke urdhrat edhe s’kanë bë kurgjo pa thanë ai.

A dëgjove dikë tjetër që të jepte urdhrat?
Jo.

Ky njeriu që ta vuri revolen në kokë a ishte nga ata që të rrahën?
The se kur mbaroi rrahja të larguan nga aty?
Kush të mori ku të çuan?Më kanë çuan?
Më kanë çu.

***

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të hënën, më 20 shtator, ka vazhduar gjyqi kundër Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet për krime lufte.

Në po këtë ditë është paraqitur edhe dëshmitari i parë në rastin kundër Mustafës.

Dëshmitarit i është fshehur identiteti për çështje të sigurisë.

Dëshmitari: Dy persona të UÇK-së më dërguan në Zllash

Prokurori, Cezary Michalczuk, ka qenë i pari që ka nisur t’i shtrojë pyetje dëshmitarit, i cili ka thënë se dy persona e kanë ndaluar në rrugë, të cilët kanë qenë të veshur me uniforma, që sipas tij kanë qenë lara-lara “sikur ato që ka mbajtur UÇK-ja”.

Megjithatë, dëshmitari ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë emblemë, pasi atij menjëherë pas ndalimit ia kanë futur kokën në thes.

Kur është pyetur se pse mendon që personat që e kanë ndaluar kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ai ka thënë se, “ashtu më janë prezantuar”.

Ai ka thënë se dy personat që e kanë ndaluar, bashkë me dy persona në makinë, të gjithë me uniforma, e kanë çuar atë në Zllash.

Sipas tij, këta persona i kanë ofruar një çokolladë dhe më pas e kanë grushtuar në fytyrë, duke ia mbuluar kokën me thes.

Aktakuza kundër Mustafës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.

Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Fillon të dëgjohet dëshmitari i parë në Hagë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po mbahet gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të parë, nën masa sigurie ku identiteti I tij nuk bëhet i ditur për publikun.

Dëshmitari është betuar që do të flasë të vërtetën para trupit gjykues.

Dëshmitari: Do të them të vërtetën, nuk do të mbaj asgjë në fshehtësi

“Deklaroj se do te them të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe nuk do të mbaj në fshehtësi asgjë për të cilën kam dijeni”, ka thënë ndër të tjera dëshmitari derisa ka lexuar deklaratën e dëshmitarit të cilën ia ka dhënë gjykata.

***

Po mbahet në Hagë gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ku pritet të dëgjohet dëshmitari i parë. Identiteti I dëshmitarit që tashmë ka hyrë në sallën e gjyqit nuk bëhet i ditur për publikun, për të cilin janë miratuar masa mbrojtëse.

Dëshmitari mban kodin W203593.

Gjyqtarja, Mapi Feld Folia ka bërë të ditur masat mbrojtëse ndaj këtij dëshmitari.

Feld Folia: Emrin tënd nuk do ta përmendin, do të thërrasin ‘zoti dëshmitar’

“Të kanë caktuar një pseudonim që do thotë që emrin tënd real nuk do ta përmendin asnjëherë por do të thërrasin vetëm me fjalët ‘zoti dëshmitar’, këtë e bëjmë për të siguruar që publiku mos të marrë vesh emrin. Gjithashtu dëshmia që do të japësh këtu do të jetë me ndryshim të fytyrës dhe zërit, që do të thotë se jashtë sallës së gjyqit ata që po shikojnë transmetimin asnjë mos të ta shikojnë fytyrën dhe mos ta dëgjojnë zërin e vërtetë kur të japësh dëshminë. Pyetjet që nuk mund të ta zbulojnë identitetin do të përgjigjesh në seancë të hapur, që do të thotë se publiku mund ta dëgjojë atë që thuhet në sallën e gjyqit. Kur do të kërkohet që të përshkruash diçka që ka të bëjë në mënyrë të veçantë me ty apo të përmendësh gjëra të cilat mund ta zbulojnë identitetin do të kalojmë në seancë private, që do të thotë askush jashtë sallës së gjyqit nuk mund ta dëgjojë atë që do të thuash këtu”, ka thënë gjyqtarja.

Ajo ka bërë të ditur se të premten kanë miratuar masa të reja për këtë dëshmitar ku gjatë dëshmisë do të ketë një perde e cila nuk lejon që i akuzuari të shoh dëshmitarin.

Feld Folia: Do të jetë një perde e cila nuk lejon që i akuzuari të shoh dëshmitarin

“Krahas këtyre masave mbrojtëse trupi gjykues të premten që shkoi me datë 17 shator të vitit 2021 miratoi katër masa të tjera mbrojtëse me kërkesë të zyrës së mbrojtjes së mbështetjes së dëshmitarëve…Këto masa janë së pari të ju mbrojmë juve pemës një perdeje që mos t’ju shikojnë drejtpërdrejt i akuzuari, siç e shihni, masa tjetër është pjesëmarrja e një psikologu e zyrës së dëshmitarëve gjatë kohës që ju do të jepni dëshmi këtu do të asistoheni nga një punonjës i zyrës së dëshmitarëve që është ulur në të majtën tuaj dhe do të ndihmoheni me lexim të teksteve nëse do të jetë e nevojshme, këtë endim trupi gjykues ua ka dhënë palëve përmes postës elektronike ditë ne premte javën që shkoi”, ka shtuar gjyqtarja.

Në këtë seancë, Salih Mustafa ka kërkuar të marrë fjalën në fillim të seancës por nga gjyqtarja i është thënë se do të ketë një rast tjetër gjatë seancës së sotme për të marrë fjalën, dhe fillimisht do të dëgjohen dëshmitarët.

Seanca ndaj Sali Mustafës, paraqitet dëshmitari i parë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sali Mustafa.

Në këtë seancë është paraqitur dëshmitari i parë, i cili sikur të gjithë të tjerët që do të dëshmojnë kundër Mustafës është shqiptar.

Kryetarja e trupit gjykues në këtë rast i kumtoi të njëjtit disa rregulla bazë të procedurës që do të zhvillohet dhe kushtet në të cilat ai do ta japë dëshminë e tij.

Sipas saj kur dëshmitari ka për të përshkruar në veçanti elemente që kanë të bëjnë me të dhe që rrezikojnë zbulimin e identitetit të tij atëherë do të kalohet në seancë të mbyllur.

“Emri yt real nuk do të përmendet asnjëherë, do të të thërrasim gjithnjë me zoti dëshmitar që publiku të mos ta marrë vesh emrin. Dëshmia që do të japësh këtu do të jepet me ndryshim të fytyrës dhe zërit. Pyetjeve të cilat nuk mund të ta zbulojnë identitetin mund të përgjigjesh në seancë të hapur por kur përshkruan diçka që ka të bëjë veçanërisht me ty dhe rrezikon të të zbulohet identiteti atëherë do të kalojmë në seancë private”.

Sali Mustafa në fillim të seancës e ka kërkuar fjalën por gjyqtarja tha se do të ia jep fjalën më vonë pasi tashmë është bërë një plan paraprak se si do të zhvillohet procesi.

***

Ka nisur seanca e dytë e gjykimit të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa në Hagë.

Në këtë seancë do të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve.

Me të nisur seanca, Salih Mustafa kërkoi të fliste mirëpo gjykatësja nuk ia dha fjalën.

“E nderuara gjykatëse kisha pas dëshirë të flas diçka para se të dëgjoni dëshmitarët”, tha Mustafa.

Gjykatësja tha se këtë do ta bëjë në një moment të caktuar.

“Në ndonjë moment sot mund tua jap fjalën, por tani për tani kemi një program të organizuar për sot. Do të marrim në pyetje dëshmitarin dhe pastaj në një moment të duhur do t’iu jap mundësinë për të thënë atë që doni të thoni”, tha gjykatësja.

Salih Mustafa del sot para gjykatës, dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve

Sot në Hagë nga ora 09:30, do të vazhdojë procesi gjyqësor kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së Salih Mustafës.

Në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat