Rrugë të bllokuara në veriun e Kosovës edhe të martën

Aktuale

Rrugë të bllokuara në veriun e Kosovës edhe të martën

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 12:01
Policia e Kosovës

Vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë, në veriun e banuar me shumicë serbe, mbetet i bllokuar nga grupe qytetarësh serbë, që po protestojnë kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Nga e hëna, makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë. Fillimi i zbatimit të këtij vendimi është masë e ndërsjellë meqë njësoj veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.

Çështja e targave ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas saj banorët e Kosovës duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe të heqin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës lëshoheshin nga ministria e Brendshme e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej lëvizja e makinave me çfarëdo tabelash përveç atyre me shenjën RKS. Sipas marrëveshjes, deri më 15 shtator lejohej hyrja në Serbi e makinave me targat që mbanin shenjën KS.

Autoritetet në Beograd reaguan me zemërim ndërsa presidenti i Serbisë, tha se situata në Kosovë paraqet "një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë". Ai paralajmëroi se Beogradi do të shqyrtojë kundërmasa ekonomike dhe politike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se vendimi për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve me Serbinë është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

"Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie", shkroi ajo në rrjetete sociale.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të dyja palëve që “të ulin tensionet menjëherë dhe pa vonesë”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë.

Por, ajo është përfshirë në një proces tashmë dhjetë vjeçar të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në shkëmbim të përparimit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat