Kurti në mbledhjen e qeverisë flet për reciprocitetin, ka disa fjalë për Vuçiqin

Aktuale

Kurti në mbledhjen e qeverisë flet për reciprocitetin, ka disa fjalë për Vuçiqin

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 10:43
Qeveria e Kosovës

(E plotësuar 13:44) - ​Qeveria formon komisionin që do të themelojë fondin sovran

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për formimin e komisionit për vendosjen e parimeve për themelimin e fondi sovran, premtim ky i kamotshëm i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar, i udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti ndau 2 milionë euro për bursa për studentë dhe për trajnimet fillestare për maturantët për fushat e teknologjisë informative. Ndërkohë, ndanë edhe 730 mijë euro për vazhdimin e pagesave për specializantët me vetëfinancim për muajt nëntor dhe dhjetor. Krahas këtyre, ekzekutivi miratoi edhe një varg projektligjesh.

Kryeministri Kurti formimin e komisionit e cilësoi si shumë të rëndësishëm për ndërmarrjen e hapave konkret për themelimin dhe funksionalizimin e fondit sovran.

Kurti: Ky komision do të vendosë parimet bazë të themelimit të fondit sovran

“Në përputhje me zotimin tonë për themelimin e fondit sovran sot po e ndërmarrin një hap për realizimin e atij qëllimi. Pra me synim të menaxhimit të performancës financiare të aseteve strategjike e me qëllim të rritjes së vlerës, ngritjes së performancës dhe sigurimit të një shkalle të lartë të kthimit në investim[...]ky komision me përbërje të tij do të vendos parimet bazë të themelimit të fondit sovran dhe do të propozoj ndërmarrjen e hapave konkret për funksionalizimin e tij”, tha ai.

Në ndarjen e 730 mijë eurove për specializantët, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se ky vendin do të ndikojë pozitivisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore

Gexha: Ky vendim do të ndikojë pozitivisht edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse

“Me qëllim të ruajtjes dhe simulimit të stafit shëndetësor, sidomos pas trendit aktual të migrimit të tyre dhe pandeminë COVID 19, MSH konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet me vendin. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësor gjithëpërfshirëse”, tha ajo.

Qeveria, në mbledhjen e sotme miratoi projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Inspektimet dhe Projektligjin për topografitë e gjysmëpërçuesve.

Ndërkohë u miratua edhe Amendamenti 1 i marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së për programin IPA 2017, nga e cila u tha se do të rialokohen 2.3 milionë euro.

Ekzekutivi po ashtu i dha statusin e investitorit strategjik, subjektit investues "Kosmonte Foods Sh.P.K" dhe mori vendimin për shfuqizimin e akteve për eliminimin e barrierave tregtare.

Në mbledhjen e sotme, qeveria mori vendim edhe për nismën për lidhjen e marrëveshjes me Kroacinë për ndihmën e ndërsjellët në rast të fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, si Kosova ashtu edhe Serbia duhet t’i heqin targat e përkohshme të automjeteve si pjesë e zgjidhjes së situatës së krijuar ditëve të fundit në veriun e Kosovës, pasi autoritetet në Prishtinë filluan së zbatuari, siç thanë, reciprocitetin në çështjen e targave të automjeteve.

“Oferta jonë publike besoj që është tejet praktike përveçse gjeneroze e kjo është le t'i heqin tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë që qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e më sa më pak vonesa”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën.

“Ne besojmë që Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht që siç gjithmonë jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”, tha Kurti.

Çështja e targave është e rregulluar me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Në këtë marrëveshje ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, ka nxitur protesta të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar.

Përfaqësues të Serbisë thonë se Kosova, me këtë veprim, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në Prishtinë thonë se janë duke vepruar në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator se Prishtina zyrtare nuk ka dashur të vendosë masa reciprociteti, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër, për shkak të qëndrimeve të Beogradit zyrtar.

Qeveria miraton një varg projektligjesh

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar një varg projektligjesh. Kabineti qeveritar, i udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti miratoi projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Inspektimet dhe Projektligjin për topografitë e gjysmëpërçuesve.

Krahas kësaj, ekzekutivi miratoi edhe Komisionin ekzekutiv me qëllim të propozimit dhe hartimit të parimeve themelore, si parakusht për themelimin e fondit sovran, të cilin kryeministri Kurti e quajti si shumë të rëndësishëm në implementimin e programit qeverisës.

Ndërkohë u miratua edhe Amendamenti 1 i marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së për programin IPA 2017, nga e cila u tha se do të rialokohen 2.3 milionë euro.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vetëm presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po ka interes për incidente pas vendimit për reciprocitetin me tabela.

Në mbledhjen e qeverisë, kreu qeveritar i bëri thirrje protestuese të largohen pasi po bllokojnë vetveten, derisa e quajti të drejtë dhe që garanton lirinë e lëvizjes vendimin për reciprocitet me targat.

"Vendimi është i drejtë dhe garanton lirinë e lëvizjes. Pengesat janë duke u bërë me disa kamion që janë pronë komunale ftoj kryetarët të tërheqin kamionët dhe ftoj qytetarët serb të largohen nga rruga. Nuk ka interes nga ne për incidente, as nga Serbia, por vetëm nga një person, presidenti i Serbisë, Vuçiq", tha ai.

***

Kryeministri Albin Kurti ka mbledhur sot ministrat.

Ka filluar të mbahet mbledhja e Qeverisë.

Për arsyen e kësaj mbledhje, nuk janë dhënë detaje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat