Gjykimi i Mustafës vazhdon nesër, ja për cilat çështje u pyet sot dëshmitari i dytë

Aktuale

Gjykimi i Mustafës vazhdon nesër, ja për cilat çështje u pyet sot dëshmitari i dytë

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 07:38
Salih Mustafa

(E plotësuar 17:55) -  Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Dëshmitari i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për publikun, është përgjigjur në pyetjet e prokurorit rreth njësisë BIA, fshatit Zllashë dhe Salih Mustafës, por pjesa më e madhe e seancës është zhvilluar e mbyllur për publikun.

Dëshmitari ka thënë se përveç Brigadës 153, në Zllashë e kanë pasur selinë edhe Zona e Operative e Karadakut dhe njësia e njohur “Skifterët”.

Dëshmitari: Komandant i Njësisë BIA ishte Salih Mustafa me pseudonimin Cali

“Përveç brigadës 153 ka qenë Zona Operative e Karadakut dhe njësia India, Skifterët. komandant i Njësisë BIA ishte Salih Mustafa. (”Salih Mustafa a njihej me ndonjë emër tjetër, nofkë ose pseudonim’-ka pyetur prokurori). Po, me pseudonim Cali”, është përgjigjur dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se njësia BIA ka qëndruar në Zllashë deri në kohën e bombardimeve, për të cilën ka shtuar se e ka pasur bazën tek lagja e Sfarçve

Dëshmitari: Njësia BIA e ka pasur bazën të lagja e Sfarçve siç i kemi quajt

“Njësia BIA e ka pasur bazën të lagja e Sfarcve siç i kemi quajt ne përpara, Krasniq janë”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se ka qenë në bazën e BIA-s, kur është pyetur nga prokurori nëse ndonjëherë ka qenë në atë vend.

Prokurori: A ke shkuar ti ndonjëherë në bazën e njësisë BIA?

Dëshmitari: Po, kam shku

Prokurori: A ke mundësi të përshkruar për trupin gjykues si ishte e organizuar njësia BIA, nuk është se po kërkoj diçka të hollësishme por na përshkruaj me fjalë të përgjithshme ku gjendej njësia BIA?

Dëshmitari: Po filloj prej shtëpisë së Fatmir Sopit ku ka qenë përpara baza, është shkolla dhe vazhdon rruga përpjetë deri të baza e tyre ku ka qenë.

Prokurori: Baza e Njësisë BIA ishte vetëm në një ndërtesë apo kishte më shumë sesa një ndërtesë aty?

Dëshmitari: Ka pasur më shumë ndërtesa ka qenë një familje e madhe që ka pasur më shumë ndërtesa por ndërtesa të vjetra.

Në seancën e parë ku po dëgjohet dëshmitari i dytë është përmendur edhe Agron Xhemajli, për të cilin dëshmitari ka thënë se ka qenë shefi i shërbimit informativ në brigadën 153.

Prokurori: Në çfarë brigade bënte pjesë Agron Xhemajli?

Dëshmitari: Agron Xhemajli ka bërë pjesën në Brigadën 135, sa e di unë ka qenë shef i shërbimit informativ në brigadë.

Prokurori: Çfarë roli ka pasur shërbimi informativ brenda brigadës 153?

Dëshmitari: Saktë nuk e di çfarë roli ka pasur, shërbim informativ dihet çfarë shërbimesh kryen...

Prokurori: Ju thatë informacione, për çfarë e ke fjalën, për mbledhje të informacionit. Agron Xhemajli a ka pasur kompetencë të urdhërojë arrestimin e dikujt?

Dëshmitari: Nuk e di unë, Agroni Xhemjali ka marrë urdhra prej shtabit të zonës, jo prej shtabit të brigadës

Prokurori: A ishte pjesë e kompetencave të tij që të urdhëronte arrestimin e dikujt?

Dëshmitari: Sigurisht po.

E mbyllur është zhvilluar pjesa më e madhe e seancës ku po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtur ndërkohë në rastin e Salih Mustafës.

Seancën e sotme Salih Mustafa e ka përcjell fizikisht në sallën e gjyqit.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm

***

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar marrjen ë pyetje e dëshmitarit të parë kundër Salih Mustafës i cili po dëshmon prej datës 20 shtator, nën masa mbrojtëse të sigurisë duke mos ju bërë i njohur identiteti.

Pyetjet drejt janë bërë sot nga trupi gjykues, i cili ka provuar të sqarojë situatën meqë, siç është thënë në seancë, dëshmitari ka dhënë deklarata të ndryshme nga ato që i kishte dhënë UNMIK-ut në vitin 2006.

Gjykatësi ka pyetur dëshmitarin për lëndimet që ai ka thënë se i ka marrë si pasojë e rrahjes që i është bërë, ku ndër të tjera kishte thënë se i kanë thyer krahun, gishtin dhe dhëmbët.

Por, gjykatësi ka thënë se nuk ka ndonjë dokument mjekësor që flet për lëndimin e krahut.

Gjykatësi: Nuk kam parë asnjë dokument që lidhet me krahun e lënduar

“Po ti bëjë këto pyetje dhe po shikoj ZPS-në sepse nuk kam parë asnjë dokument që lidhet me krahun dhe me gishtin ndoshta e kam gabim unë por nuk kam parën ndonjë dokument që lidhet me këto dyja”, ka thënë gjykatësi.

Dëshmitari ka thënë se ka shkuar të kontrollojë krahun, por sipas tij ka qenë vonë.

Trupi gjykues ka pyetur dëshmuarin edhe rreth një interviste që e ka dhënë për Zyrën e Pakurorit të Specializuar më 28 qershor të vitit 2019.

Ty të kishte thënë intervistuesi ‘zoti dëshmitar, komandant Calin ti the se e ke parë dy herë në Zllashë, të dyja herët që të kanë rrahur ke parë komandant Calin, a e patë’, dhe ti je përgjigjur ‘po ai më ka rrahur mua’. Dhe pastaj vijon më tej, ‘kur ke qenë në Zllashë ti a e ke parë ndonjëherë ketë person përveç këtyre dy herëve që je rrahur’ dhe ti je përgjigjur ‘unë mendoj se e kam parë edhe njëherë tjetër kur është futur tek ahuri ku kemi qenë, me disa ushtarë të tjerë, erdhi dhe doli prapë’. A e mbani mend që i keni thënë këtë ZPS-së, a i keni thënë të vërtetën ZPS-së ti atëherë?

Dëshmitari: Ma merr mendja që po.

Gjykatësi: A mund të ketë ndodh që ti ta kesh parë komandant Calin edhe në raste të tjera?

Dëshmitari: Jo nuk e kam parë.

Gjykatësi: A i referoheni personit që kishte kapele të kuqe në kerr, a është i njëjti person që ka pasur kapelë të kuqe që të ka rrahur ty

Atëherë dua që të ju lexoj një paragraf nga deklarata që ti ke dhënë me datë 21 shtator para gjykatës këtu. Dua të të lexoj transkriptin në faqen 65 nga rreshti 19 dhe më poshtë. Ty të është bërë pyetja dhe përgjigja që ke dhënë ti është kjo ‘kur u futa në makinë dhe e ke fjalën këtu për kerrin që të mori dhe që ishte në mes të rrugës nga vendi në Zllashë, ti the ‘kur u futa ne kerr ai më gjuajti boks tek dhembet, unë fillova të rrjedh gjak dhe përnjëherë në vendosen një thes në kokë’. Pyetja është kush e bëri këtë gjë dhe ti thua pastaj ‘këtë gjë ma bëri personi i cili kishte kapele të kuqe’. Pastaj të bëhet pyetja, ‘a nuk ishte ai personi që ngiste makinën, përgjigja ishte ‘jo personi që kishte kapelën e kuqe ishte ulur prapa makinës bashkë me mua’...Pyetja që kam për ty zoti dëshmitar është kjo, a i referoheni personit që kishte kapele të kuqe në kerr, a është i njëjti person që ka pasur kapelë të kuqe që të ka rrahur ty kur ke qenë në burgim, është i njëjti person ky me kapelë të kuqe?

Dëshmitari: Valla tash po ma përzini që nuk po mundem me ju kuptu as juve, unë kam thënë se nuk e kam njohur kush është komandant, mua kur më kanë marrë më kanë futur në kerr, ai person veç muj me thënë e ka pasur kapelën e kuqe, ai më ka ra dhe ma ka fut thesin në gojë, por nuk e kam ditur kush është komandat aty as nuk e kam njohur as nuk e kam ditur.

Gjykatësi ka pyetur dëshmitarin për personin që ai thotë të ketë mbajtur kapelë të kuqe por që të njëjtit nuk i ishte referuar si ‘komandant Cali’.

Dëshmitari: Nuk e kam njohur as nuk e njoh të akuzuarin

“Unë as nuk e kam njohur, as nuk e njoh, me beso me pa nuk e njoh, nuk e kam njohur në jetë, e kam parë por nuk e di qysh e kam parë aty, unë nuk e di kush ka qenë por e di pastaj që komandant ka qenë ky i akuzuari, në atë vend”, ka thënë dëshmitari.

Ai është pyetur edhe nëse e ka njohur zërin e personit që e ka rrahur për herën e dytë, meqë sipas dëshmisë, thuhet se i njëjti i kishte folur gjatë rrahjes.

Dëshmitari: Nuk i studiuar zërat e atyre që më mbajtën

“Tybe nuk jom ndal me i studiu zërat por po të tregoj me atë personin që kam pasur dy herë punë, me kapele të kuqe, edhe herën e parë edhe herën e dytë, zërin tybe nuk ja kom dëgju sepse nuk mundem me dëgju zërat, nuk e di”, ka thënë dëshmitari.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari kishte thënë se kur i kanë liruar nga vendi i mbajtjes në Zllashë, i kishin thirrur të gjithë me emra dhe ky ishte nga personat e fundit që doli.

Lidhur me këtë, gjykatësi e ka pyetur nëse mban mend ndonjë emër të personave të tjerë që i kishin thirrur për t’i liruar.

Dëshmitari: Nuk i kam dëgjuar emrat e personave të tjerë të mbajtur

“Po se tjetër punë nuk kam pasur vetëm me i dëgju emrat e personave të huaj çka po folin, unë veç kam dëgju që më ka thirr mua në emër dhe kam dalë jashtë, asgjë tjetër.

Ai ka thënë se familja e tij ishte në dijeni se ku ishte i ndaluar, por që sipas tij, kishin menduar se ka shkuar vetëm për të biseduar.

Dëshmitari i parë ka mbajtur kodin W03593 dhe ka dëshmuar pa ju zbuluar identiteti meqë për të paraprakisht janë caktuar masat mbrojtëse me kërkesë të prokurorisë.

Gjykimi i Salih Mustafës vazhdon sot me paraqitjen e dëshmitarit të dytë. 

***

-Gjykimi i Mustafës: Dëshmitari i parë përfundon dëshminë, i dyti dëshmon sot gjatë ditës

 Gjykata kërkon sqarim nga dëshmitari për ndryshimin e deklaratave

Dëshmitari i parë në gjykimin e Salih Mustafës para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka përfunduar dëshminë e tij pas katër seancave që janë mbajtur një pas një gjatë javës.

Kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt Foglia e ka falënderuar dëshmitarin 03593 për dëshminë e tij, duke ia kujtuar që të mos flasë me askënd për ato çka ka deklaruar.

“Po bëhen katër ditë që je këtu me ne, ma merr mendja se ka qenë e lodhshme dhe e vështirë për ty dhe të falënderoj që ke qenë këtu këto ditë me ne. Na ke ndihmuar shumë në përpjekjen tonë për të zbuluar të vërtetën. Të uroj udhëtim të mbarë dhe të kujtoj edhe një herë që të mos flasësh me askënd për deklaratën që e ke dhënë para Gjykatës Speciale të Kosovës”.

Dëshmitari sot është sfiduar nga gjykatësja Foglia lidhur me dëshminë që e ka dhënë para UNMIK-ut në vitin 2006 e cila është shumë kundërthënëse me ato çka ka deklaruar ditëve të fundit.

Kryegjykatësja ka njoftuar se me fillim nga ora 14:30 do të nisë një seancë e re ku do të shfaqet dëshmitari i dytë në rastin ku është i akuzuar ish-eprori i UÇK-së Salih Mustafa i njohur si Cali.

Pëkundër, njofimit seanca ende nuk ka nisur.

Gjykata kërkon sqarim nga dëshmitari për ndryshimin e deklaratave

Dëshmitari i parë kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë, ku identitet nuk bëhet publik, ka jap deklarata të ndryshme në Hagë nga ato që kishte dhënë në vitin 2006 për UNMIK-un. Atëherë ai i kishte thënë UNMIK-ut, se njëri prej personave që e mbante në Zllashë, mbante të veshur një maskë, ndërsa sot kur është pyetur nga kryetarja e trupit gjykues lidhur me këtë, ai ka thënë se nuk ka parë asnjëri me maskë në vendin ku pretendon se është mbajtur.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet edhe sot dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës, i cili po u përgjigjet pyetjeve të trupit gjykues, drejtuar nga kryetarja Mappie Veldt-Foglia.

Foglia: Ushtarët, a kishin maska, në vendin në Zllashë ku je mbajtur ti i ndaluar?

Dëshmitari: Jo

Foglia: Po ua bëjë këtë pyetje sepse në një moment të caktuar përpara UNMIK-ut në vitin 2006 juve thatë dhe do të ua jap përnjëherë referencën e deklaratës që kishit bërë, që kishte një person që kishte vënë një maskë që ua vendosi revolverin, pistoletën...Të lutëm a na shpjegon dot pse ke thënë atëherë, që se mban mend datën sigurisht, që kishte një person që kishte vesh maskën?

Dëshmitari: Nuk e mohoj ndoshta kam thënë por prapë po them nuk besoj që ka pasur maskë, nuk kam mundur me vërejt me maskë se nuk kam mundur me këqyr.

Kryetarja e trupit gjykues ka insistuar të marrë një përgjigje nga dëshmitari se pse i njëjti sot po deklaron diçka tjetër nga ajo që ishte përgjigjur në vitin 2006, për të njëjtën pyetje.

Foglia: Këtu unë jam për duke u përpjekur të kuptoj pse në atë periudhë kohe ti ke thënë që personi e kishte maskën, ndërkohë tani po thua ‘jo nuk mendoj që ky personi ka pasur të veshur maskën’. Pra e kuptoj përgjigjen që thua ‘tani unë mendoj që ai nuk e ka pasur maskën’ dhe pyetja ime është pse ke thënë ndryshe në 2006-ën përpara UNMIK-ut?

Dëshmitari: Kam harru, ndoshta kam thënë, por tash po them po mendoj tash nuk e kam parë me maskë.

Dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës i cili mban kodin Ë03593 dhe po dëshmon që prej datës 20 shtator në Dhomat e Specializuara, derisa ishte përgjigjur pyetjeve të prokurorit, kishte thënë se personat që e kanë mbajtur nuk i kishin fytyrat e mbuluara.

Në seancën e sotme, gjykatësja ka pyetur dëshmitarin edhe për periudhën kur është liruar nga mbajtja në Zllashë, ku gjithashtu ka dhënë deklaratë të ndryshme nga ajo që i është përgjigjur UNMIK-ut.

Foglia: Ti the se pas një muaji e mësove se kish ishte personi përgjegjës atje, ndërkohë që përpara UNMIK-ut (2006) ke thënë që nuk e dije se kush ishte personi mbikëqyrës, a mund të na shpjegosh pak këtë gjë të lutëm?

Dëshmitari: Pas një muaji e kam vërtetuar se kush ishte ai personi që ka qenë kryesor aty.

Foglia: Por në 2006-ën ti ke thënë nuk e di se kush ishte kryesori atje. Pra pyetja ime është pse nuk e ke thënë atëherë ti që ke dëgjuar një muaj pasi u lirove nga aty kush ishte.

Dëshmitari: Ndoshta nuk kam thënë, nuk e di, kam harru çka kam thënë me të thënë të drejtën me më vet dje çka kam folur nuk e di çka, kush më ka vet aty ka 200 herë, ndoshta kam gabuar, nuk e mbaj mend, por pas një muaji e kam marrë vesh personin kush ka qenë ai.

Foglia: Zoti dëshmitar, në vitin 2006 ti ke thënë se nuk e dijë kush është personi, a do të thotë kjo se nuk po thoshe çdo gjë që dije rreth situatës në 2006 por duket ti e dije por u ke thënë atyre që nuk e dije, thjesht dua ta kuptoj pse ke thënë dy gjëra të ndryshme, sepse dikush, nuk po them që e them unë, por dikush mund të thotë që ti ke gënjyer pse nuk e ke thënë kush ishte personi në 2006-ën.

Dëshmitari: Nuk po them që nuk kam thënë, nuk e di, ndoshta kam harru me thënë drejtë, pastaj më ka ra mend që pas një muaji e kam mësuar, kjo është e vërteta.

Foglia: Mbase mos ke pasur frikë të thuash të vërtetën?

Dëshmitari: Jo nuk kam pasur nevojë me pas frikë, për çka, unë kam ardhur këtu me thënë të vërtetën jo me rrejt, nuk kam nevojë.

Tutje, në këtë seancë gjyqtarja ka pyetur dëshmitarin nëse njerëzit në Zllashë e dinin se ekzistonte një vend ku mbaheshin persona të ndryshëm, për çka dëshmitari tha se përgjatë kohës sa ai është mbajtur nuk ka mundur të dijë askush.

Foglia: A dihej publikisht se në Zllashë kishte një vend ku i dërgonin njerëzit aty për me i marrë në pyetje dhe me i mbajt të ndaluar aty, e dinin njerëzit?

Dëshmitari: Brenda asaj kohe nuk ka mundur me ditë askush.

Kryetarja e trupit gjykues i ka treguar tre fotografi dëshmitarit ku vetëm në njërën prej tyre ai ka deklaruar që mendon se e njeh një prej personave aty.

Seanca po vijon e mbyllur me kërkesë të kryetares së trupit gjykues, ndërsa i akuzuari Salih Mustafa është prezent në sallën e gjyqit.

Salih Mustafa, i njohur në luftë si “komandant Cali”, është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

(E plotësuar 13:12) -  Sot është dita e katërt e gjykimit ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në seancën e sotme ka vazhduar të dëshmojë njëri dëshmitar ndaj Salih Mustafës, i cili pretendon se Mustafa e ka rrahur gjatë kohës së luftës.

Por, deklaratat e dëshmitarit kanë ndryshuar që nga koha kur kishte dëshmuar për herë të parë, andaj kjo ka bërë edhe gjykatësen t’i bëjë disa pyetje.

“Në vitin 2006 ju keni deklaruar se nuk e njihni personin që ju ka rrahur, tash po thoni se e njihni. A mund të ma shpjegoni këtë?”, i ka thënë gjykatësja-dëshmitarit të mbrojtur, transmeton lajmi.net.

Dëshmitari në anën tjetër ka thënë se ndoshta nuk i është kujtuar.

“Nuk e di ndoshta nuk mu ka kujtu, për dje mem pyt po harroj”, ka thënë dëshmitari.

Ndërkohë gjykatësja ka vazhduar me pyetjet rreth kësaj çështje.

“Por ju e keni parasysh se janë deklarata të ndryshme, andaj po ju pyesim që ta qartësojmë. Cila është arsyeja që nuk e keni përmendur në atë kohë personin që ju ka rrahur. A ka mundësi të jetë frika arsye?”, ka thënë gjykatësja.

Dëshmitari ka mohuar që nuk e ka përmendur emrin e personit që e ka rrahur shkaku i frikës, por ka thënë se ndoshta vetëm ka harruar. 

​Vazhdon gjykimi i Salih Mustafës

Trupi gjykues pranë Gjykatës Speciale do të vazhdojë edhe sot gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Gjykimi do të nis në ora 11:30.

Gjatë ditës së djeshme para trupit gjykues ka dhënë dëshminë e tij dëshmitari i parë i cili pretendon se është keqtrajtuar në Zllashë gjatë luftës së fundit nga Salih Mustafa.

Salih Mustafa, i njohur në luftë si “komandant Cali” është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat