Detajet e fundit nga situata në Jarinje dhe Bërnjak, flasin nga Policia

Aktuale

Detajet e fundit nga situata në Jarinje dhe Bërnjak, flasin nga Policia

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 09:46
Pamje nga veriu

(E plotësuar 14:20) - Polica sot nuk është duke lejuar askënd që të kalojë barrikadën e vendosur në urën e Liqenit të Ujmanit, urë kjo që lidh rrugën e cila çon për në Bërnjak.

Polica nuk ka dhënë ndonjë detaj se pse nuk lejohet kalimi në atë pjesë, veçse ka theksuar se s’mund të ketë afrim asnjë metër përtej kamionëve.

Edhe ndërrimi i policëve ka ndodhur me pak vonesë për shkak të barrikadave.

Kujtojmë se sot serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës, katër ditë pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Flasin nga Policia: Serbët kanë vendosur barrikada edhe me zhavorr

Njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Banorët lokal serbë kanë vënë barrikada për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve, pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për reciprocitet me targa.

Situata po vazhdon të jetë e qetë.

Image

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, tha se protestuesit kanë vendosur barrikada edhe me zhavorr.

Kelani tha se deri më tani nuk është shënuar ndonjë incident.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavor që e kanë vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi dhe si çdo herë Policia e Kosovës po bën punën e saj në mënyrën më të mirë”.

Sot është dita e katërt që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, ndërsa si rrjedhojë serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.

Protesta në veri, serbët shtojnë kamionë

Ka nisur dita e katërt e bllokimit të rrugëve kryesore në Jarinjë dhe Bërnjak, pas një nate tjetër të qetë që kaloi pa incidente.

Serbët lokalë kanë qëndruar gjatë gjithë natës në të dy pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës, pavarësisht shiut dhe temperaturave të ulëta.

Kolona është e gjatë rreth 3 kilometra e gjysmë, derisa sipas raportimeve Kosovo Online gjatë natës së mbrëmshme është shtuar numri i kamionëve dhe mjeteve të tjera të rënda me të cilat është bllokuar rruga.

Në Jarinjë dhe Bërnjak janë vendosur edhe forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, por që deri tani nuk ka pasë asnjë incident përpos provokimeve të herëpashershme me thirrje e këngë nacionaliste nga serbët lokalë që po protestojnë.

Qeveria e Kosovës mëngjesin e të hënës nisi zbatimin e reciprocitetit për targa me Serbinë duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.

Kjo e tensionoi shumë situatën në veri të vendit ku qytetarët serbë në shenjë proteste bllokuan rrugët në pikëkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat