​Haradinaj takon të rinjtë e Prishtinës, thotë se programi i tyre zgjidh problemet e kryeqytetit

Aktuale

​Haradinaj takon të rinjtë e Prishtinës, thotë se programi i tyre zgjidh problemet e kryeqytetit

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 17:50
Daut Haradinaj

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka takuar sot të rinjtë e kryeqytetit para të cilëve ka prezantuar programin e tij qeverisës. Ai tha se për Prishtinën e ofrojnë programin më të mirë dhe se lista e tyre për asamble është listë elitare dhe që garanton zgjidhjen e problemeve të kryeqytetit.

Haradinaj u shpreh se të rinjtë e Prishtinës i janë bashkuar rrugëtimit të tij për Prishtinën dhe se janë të bindur që me 17 tetor do të triumfojnë.

Ai tha se programi i tij qeverisës ofron zgjidhje të problemeve për çdo pjesë të kryeqytetit, teksa tha se synim e kanë zbatimin e ligjit për kryeqytetin.

Haradinaj: Çdo pjesë e kryeqytetit është e analizuar në detaje se si duhet me u zgjidh

“Prej këtu ku jemi e çdo pjesë e kryeqytetit është e analizuar në detaje se si duhet me u zgjidh, ku merren mjetet, si zgjidhen këto probleme. Një pushtet lokal që nuk është i gatshëm edhe nuk është i zoti me i menaxhua qentë endacak në kryeqytet imagjinoni se si sfidohen me probleme serioze, si sfidohen me krijimin e sigurisë dhe zbatimin e ligjit për kryeqytetin, në ndërtimin e spitalit të kryeqytetit, si është e mundur të realizon projektin e unazës së madhe, se për me ardhë njerëzit deri këtu u dashtë me i humb një orë. Për me i zgjidh të gjitha këto jemi munduar që t'i inkorporojmë në programin tonë, një program që parasheh edhe të hyrat buxhetore të pushtetit lokal, një program që parasheh zbatimin e ligjit për kryeqytetin, një program që parasheh decentralizimin e pushtetit”, tha ai.

Pretendenti për të parin e Prishtinës, u shpreh se kanë paraparë dyfishimin e numrit të shkollave dhe çerdheve në Prishtinë.

Haradinaj: Minimumi është dyfishimi i çerdheve dhe shkollave

“Minimumi është dyfishimi i çerdheve dhe shkollave, dyfishimi i parqeve, por pyetja është se ku, për të gjitha këto kemi menduar, sepse Prishtina ka kapacitet, ka potencial të mjaftueshëm vetëm se kërkohet vullnet dhe vendosmëri”, tha ai.

Haradinaj pati disa fjalë edhe për kundërkandidatët e tij, derisa iu përgjigj akuzave që ai nuk është njëri i Prishtinës.

Haradinaj: Nuk menaxhohen të gjitha këto probleme që po i përmendim me trotinete

“Nuk menaxhohen të gjitha këto probleme që po i përmendim me trotinete sepse nuk është reale. Unë kam respekt shumë për të gjithë ata se i njoh personalisht, po një pjesë e tyre kanë menaxhuar me qeverisjen në kryeqytet për vite me radhë. Plot 42 fshatra të kryeqytetit nuk i kanë as shërbimet minimale shëndetësore, të njëjtit janë që kanë qeverisur për gjashtë vite kryeqytetin. I njëjti me trotinet ka qenë disa vite asamblist, i njëjti që sot po vjen po vizaton ka qenë këshilltar i kryetarit të komunës, ka qenë këtu në kryeqytet, krejt çka i ka ofruar kryeqytetit ka qenë ndërtimi në Badovc dhe që vet qytetarët e kundërshtuan dhe e bllokuan një ndërtim të tillë...Edhe ata që më thonë është i huaj, nuk jam i huaj se më shumë unë kam vite në Prishtinë sesa do turistë këndej pari...Ju siguroj që këto që po i flas nuk kam marrë detyra prej shefave, se unë nuk kam shef”, tha ai.

Para të rinjve prishtinas janë prezantuar edhe kandidatët për asamble në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat