Sveçla: Me Shqipërinë kemi shumë marrëveshje, pak prej tyre zbatohen

Aktuale

Sveçla: Me Shqipërinë kemi shumë marrëveshje, pak prej tyre zbatohen

Më: 16 tetor 2021 Në ora: 00:49
Xhelal Sveçla

Ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në një intervistë ekskluzive për emisionin “Ballkan” ka folur për një sërë çështjesh aktuale të vendit si tensionet në veri, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe për punën që po bëhet në kuadër të integrimit të vendit në BE.

Sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve, ministri tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një numër të madh marrëveshjesh, por një pjesë e mirë e tyre nuk zbatohen.

“Kemi jashtëzakonisht shumë marrëveshje me Republikën e Shqipërisë, dhe po punojmë që ky numër i marrëveshjeve jo vetëm të rritet, por edhe në plotëni, të implementohen këto marrëveshje. Një pjesë e tyre (e marrëveshjeve) zbatohen shumë mirë, në një pjesë të tyre ka ngecje, për të cilat duhen parë arsyet pse ndodhin (ngecjet.) …Ka raste kur duhet një impenjim më i shtuar ndoshta edhe i udhëheqësve më të lartë, në mënyrë që të tejkalohen burokracitë e ndryshme, apo pengesat që nuk janë realisht objektive.”

Sveçla u shpreh po ashtu Kosova punon fort që të përafrojë marrëdhëniet edhe me vendet që nuk e kanë njohur vendin, veçanërisht ato që janë anëtare të BE-së.

“Unë mendoj që marrëdhëniet pak më të përafërta i kemi me Republikën e Greqisë, besoj që shumë shpejt do të kemi një situatë më ndryshe, më të mirë në aspektin formal, kemi edhe raport, apo kemi edhe komunikime edhe me shtetin e Rumanisë. Me shtetin e Spanjës kemi pasur ngecje, tashmë kemi një lloj, të mos them, përafrimi, por një qasje pak më ndryshe të Spanjës në raport me Kosovën. Duhet të punojmë edhe më shumë edhe me Sllovakinë dhe Qipron, për këtë mendoj se do të na ndihmojnë edhe shtetet mike, normalisht më së shumti, Republika e Shqipërisë, edhe është e kuptueshme që ne pritshmëritë më të mëdha i kemi nga Republika e Shqipërisë në mënyrë që t’i tejkalojmë të gjitha këto vështirësi me të cilat Kosova po ballafaqohet dhe të fokusohemi në problemet reale, në vështirësitë ekonomike, në shanset për prosperitet të qytetarëve tanë.”

Kosova ka vazhduar aksionet e saj në veri të vendit për të luftuar krimin dhe kontrabandën, pavarësisht nga reagimet e dhunshme të serbëve lokalë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat