Mbyllen qendrat e vendvotimit/Kaq persona votuan gjatë ditës

Aktuale

Mbyllen qendrat e vendvotimit/Kaq persona votuan gjatë ditës

Nga: Bota sot Më: 17 tetor 2021 Në ora: 07:25
Pamje nga votimet, 17 tetor 2021

(E plotësuar 19:07) -Qendrat e votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë, janë mbyllur.

Mediat vendore kanë qëndruar në qendrën e votimit në Prishtinë shkolla “Elena Gjika”. Aty nuk  është raportuar për parregullsi.

***

Qytetarët e Kosovës sot po vendosin për kryetarët e ardhshëm të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale.

 Deri në këtë kohë kanë votuar 26,89 për qind apo 506 mijë e 997 qytetarë.

Dyshime për shit-blerje të votës, arrestohen një vëzhgues dhe një komisioner në Malishevë

Dy persona janë arrestuar sot në Malishevë, nën dyshimet për shit-blerje të votës.

Lajmin e ka konfirmuar komandanti i policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

Ai ka bërë të ditur se të arrestuarit janë një vëzhgues dhe një komisioner.

“Janë arrestuar një vëzhgues dhe një komisioner në qendrën e votimit në gjimnazin “Hamdi Berisha” nën dyshimet për shit-blerje të votës. Me urdhër të prokurorit të njëjtit pas arrestimit janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Graishta.

Deri në ora 15:00 votuan afro 27 për qind e qytetarëve me të drejtë vote

 Deri në këtë kohë sipas KQZ’së kanë votuar 27 për qind apo 456 mijë e 347 qytetarë.

Komunat me shumicë serbe vazhdojnë të kenë përqindje më të madhe të qytetarëve që po shfrytëzojnë të drejtën por votim.

Komuna e Zveçanit radhitet e para me daljen më të madhe të qytetarëve në votime.

56,91 për qind apo 3 mijë e 915 e qytetarëve kanë votuar në këtë komunë.

Ndalohet një person

 Një person është ndaluar para pak çastesh në Junik në cilësinë e të dyshuarit për blerje votash në këtë komunë.

Burimet thonë se personi aktualisht është duke u intervistuar në stacionin policor të Junikut.

Po ashtu këto burime tregojnë se ky person dyshohet të jetë aktivist i VV-së ose AAK-së në këtë komunë.

 

PZAP pranon pesë ankesa nga subjektet politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë njoftoi se subjektet politike kanë paraqitur ankesat e para për shkelje të kodit të mirësjelljes për zgjedhjet lokale.

Të dielën po zhvillohet zgjedhjet lokale për kryetar të komunave dhe asamble komunale.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tash janë paraqitur pesë ankesa, prej subjekteve të caktuara politike më pretendimin se është thyer heshtja zgjedhore.

“Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur katër ankesa kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy për komunën e Prishtinës, një për Podujevë dhe një për Junikë, kurse një ankesë ka paraqitur Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës kundër Partisë Liberale Egjiptiane”, tha Desku.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi zgjedhor është duke vazhduar i qetë dhe pa incidente që mund të pengojnë procesin zgjedhor.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar rreth 8.2 për qind e votuesve në nivel vendi.

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim që monitorojnë procesin zgjedhor të 17 tetorit në Kosovë, tha se procesi i votimit deri në mesditë po shoqërohet me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në votim, me përjashtim të komunave në veri të vendit, ku mesatarja e daljes është tre herë më e lartë krahasuar me komunat tjera.

Në Graçanicë shihet fluks i madh i votuesve

Ndryshe nga komunat e tjera deri tani, në Graçanicë është duke u parë një fluks më i madh i qytetarëve për të votuar.

Sipas KQZ-së, deri në ora 11:00 kanë votuar 2 mijë e 721 qytetarë përkatësisht 13.6 për qind. 

Edhe në orët pasuese është parë një interesim i madh për të votuar në komunën me shumicë serbe.

Në Graçanicë nuk është raportuar për ndonjë parregullsi. 

***

Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka thënë se deri tani procesi zgjedhor është duke shkuar shumë mirë.

Pula tha se deri tani kanë arrestuar pesë persona, katër prej tyre në Kllokot dhe një në Suharekë

“Ka kalu vetëm gjysmë dite, atëherë mund të them se procesi zgjedhor është duke shkuar shumë mirë. Nuk kemi raste të cilat kanë mundur ta cenojnë në përgjithësi procesin zgjedhor, kemi vetëm dy raste të evidentuara, ku kemi arrestuar pesë persona, katër prej tyre janë në komunën e Kllokotit, dhe një person në Suharekë për veprat penale që lidhen me të drejtën e votimit”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.

Pula tha se janë 11 vepra penale kundër se drejtës për votim, ku ndëshkueshmëria e tyre fillon nga 6 muaj deri në 10 vjet burgim.

​ Votojnë babai dhe nëna e Hashim Thaçit në Burojë

Babai dhe nëna e ish-presidentit Hashim Thaçi kanë votuar në fshatin e tyre në Burojë.

Ndonëse në moshë të shtyrë, ata janë parë në qendrën e votimit në Burojë, duke e kryer obligimin qytetar.

Image

Ish-kryeministri Hashim Thaçi, njëherësh edhe ish-president, po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Për përgjegjësitë e tij gjatë luftës së UÇK-së si ish-udhëheqës politik i saj.

***

Voton Enver Hoxhaj me bashkëshortën: Sot votuam për ndryshimin

Deputeti i Kosovës, nga radhët e PDK-së Enver Hoxhaj, ka treguar se sapo ka hedhur votën e tij.

Përmes një statusi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se sot ka votuar për ndryshimin.

Image

Ai ka shpërndarë një fotografi të votimit bashkë me bashkëshorten e tij.

“Bashkë me Remzien sapo votuam. Me besimin se cilësia e jetës sonë fillon të ndërtohet nga vendimet e qeverisjes lokale, sot votuam për ndryshim!”, ka shkruar ish-kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj.

***

Popoviq: Dalja në votime garanton të ardhmen tonë në komunën e Graçanicës

Kryetari i komunës së Graçanicës, Sergjan Popoviq, u bëri thirrje qytetarëve që në numër sa më të madh të dalin të votojnë, sepse, siç tha ai, vetëm me një pjesëmarrje të madhe ata mund t'i garantojnë vetes të ardhme në këtë komunë.

Popoviq: Për ne të gjitha zgjedhjet janë historike

Image

"Vetëm kështu ne mund të vazhdojmë ta bëjmë Graçanicën një mjedis urban, që njerëzit tanë të mbijetojnë dhe të qëndrojnë në këto hapësira. Kemi kaluar kaq shumë sprova. Shumë sfida kem pas nesh, kështu që për ne të gjitha zgjedhjet janë historike, "tha kryetari aktual i Graçanicës, Srgjan Popoviq, në një deklaratë të shkurtër për mediat.

Popoviq realizojë të drejtën e tij për të votuar sot paradite.

***

 Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ’së, në vend deri në këtë kohë kanë votuar 154 mijë e 872 qytetarë.

Komunat me shumicë serbe vazhdojnë të prijnë për daljen më të madhe në votime.

Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit deri në mesditë po shoqërohet me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në votim, me përjashtim të komunave në veri të vendit, ku mesatarja e daljes është 3 herë me e lartë krahasuar me komunat tjera.

Image

 

Kandidati për kryetar të Podujevës, shkon me Ferrari për të votuar

Kandidati i Nisma’s për kryetar të Podujevës, Xhemajl Hasani ka shkuar me veturë Ferrari për të votuar.

Ai është parë derisa ka hyrë në oborrin e shkollës ku kishte për të votuar me Ferrari

Hasani ka thënë para mediave se është person modest, por kur është pyetur se ku e ka lënë veturën, ai ka thënë se nuk mundet të tregoj.

Ai ka inkurajuar qytetarët që të dalin e të votojnë.

“Inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, të votojnë për të preferuarit e tyre”, ka thënë ai.

​Voton Anton Quni: Siç thoshte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, vishuni bukur dhe dilni votoni

Kandidati për Prizrenin, nga radhët e LDK-së, Anton Quni, ka votuar.

“Ftoj të gjithë qytetarët e komunës që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Siç e thoshte, Presidenti historik Rugova, vishuni bukur e mirë dhe dilni të votoni, sepse duke përmbushur këtë obligim ne tregojmë pjekuri, aktivizëm dhe demokraci qytetare” ka shkruar Quni në Facebook.

Quni për të votuar kishte shkuar me nënën dhe bashkëshorten e tij.

Voton Qëndron Kastrati: Katër vitet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për Kamenicën

Tashmë ka votuar edhe kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Pas votimit Kastrati tha se katër vitet e ardhshme janë të rëndësishem për Kamenicën.

Image

“Katër vitet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për Kamenicën! Përpjekjet e brezave para nesh për barazi, emancipim e përparim na obligojnë gjithësecilin të marrim pjesë në dizajnimin e të ardhmes tonë përmes votës. 🗳Kualiteti i jetës sonë varet shumë nga pjesëmarrja jote në këto zgjedhje. Unë votova.

Të ftoj edhe ty të dalësh dhe të vendosësh për lagjen, infrastrukturën, shëndetin e mirëqenien”, ka shkruar Kastrati. 

***

Votoi edhe Konjufca: Ditë e rëndësishme për demokracinë

Ka votuar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kryekuvendari e hodhi votën e tij në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë.

Image

Pasi ka votuar, ai tha se sot është ditë e rëndësishme për demokracinë.

“Qytetarët e Kosovës përmes votës së lirë e demokratike do ta legjitimojnë pushtetin lokal në Republikën tonë. Do t’i zgjedhin kryetarët e komunave dhe do të përcaktojnë përmbajtjen e asambleve komunale në të gjitha komunat. Deri tash sipas informatave gjithçka ka shkuarmirë. Urojmë që kështu të përmbyllet procesi dhe gjithçka të shkojë mirë”, tha Konjufca.

***

Voton Sali Zyba në Suharekë

Kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës nga Lëvizja Vetëvendosje, Sali Zyba ka kryer obligimin e tij qytetarë duke votuar në vendlindje.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të dalin në mënyrë masive për të votuar.

Image
Sali Zyba

“Uroj të ketë  një proces të rregullt, të qetë dhe të këtë pjesëmarrje sa më masive në mënyrë që të kemi një rezultat sa më real”, ka thënë Zyba.

Deputeti Zyba ka votuar në shkollën “Vëllezërit Frashëri” në Bukosh.

Voton edhe Valon Ramadani

Pak minuta më parë ka shfytëzuar të drejtën e votës edhe  kandidat i VV-së Ferizaj, Valon Ramadani.

Ramadani ka votuar në shkollen fillore të fshatit Komogllavë në komunën e Ferizajt.

Image
Valon Ramadani

 

Voton Daut Haradinaj

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka votuar para pak çastesh.

Haradinaj ka ftuar qytetarët që të dalin në votime.

Image

“Urime prishtinas, urime na priftë e mbara. Edhe një herë prishtinasve, kryeqytetit urime sot është një ditë feste. Lus qytetarët të dalin të votojnë dhe të bëhen pjesë e ndryshimeve që duan”, ka thënë Haradinaj para mediave.

Haradinaj gjatë votimit ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Lola.

Në Kosovë janë duke u mbajtur zgjedhjet lokale 2021, ndërsa deri në ora 11:00 pjesëmarrja e qytetarëve në votime është 8,24%.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të përditësuara në ora 11:00, deri tani kanë votuar 73 mijë e 928 qytetarë.

Voton edhe Xhafer Gashi

Kandidati i pavarur për kryetar të Obiliqit, Xhafer Gashi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Afërdita, kanë votuar, teksa kanë ftuar edhe qytetarët të dalin në këto zgjedhje.

Gashi ka thënë se me votën e tyre, qytetarët do ta përcaktojnë zhvillimin e qytetit.

Image

“Me bashkëshorten time Afërditen, sapo përfunduam obligimin tonë qytetarë.

Ftojë të gjithë qytetarët që të dalin të votojnë dhe me votën e tyre të përcaktojnë zhvillimin e qytetit të Obiliqit, për një tashme dhe të ardhme të sigurt për fëmijët tanë”, ka shkruar ai.

***

Voton Haskuka: I ftoj gjithë qytetarët të përdorin të drejtën e tyre

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka ftuar gjithë qytetarët prizrenas të dalin të votojnë në zgjedhjet lokale.

Pasi votoi në Qendrën e votimit “11 Marsi” në Prizren, Haskuka tha se sot është një ditë e mirë.

Image

“Sot një ditë e bukur edhe temperaturat e mira, prandaj i ftoj të gjithë qytetarët të komunës së Prizrenit, por edhe komunave të tjera të dalin të votojnë.

Të përdorin të drejtën e tyre për të treguar për qeverisjen lokale dhe për atë se kënd duan të qeverisin. Andaj i ftoj gjithë qytetarët të përdorin të drejtën e tyre dhe të votojnë”, tha Haskuka.

***

Voton Kastrati: Këto zgjedhje janë për qytetarët tanë dhe për të mirën e Malishevës

Kandidati për kryetar të Malishevës nga radhët e NISMA-s Socialdemokrate Ekrem Kastrati, pas votimit tha se qytetarët e Malishevës përmes të drejtës së votës vendosin për fatin e kësaj komune për katër vitet e ardhshme.

Kastrati tha se pavarësisht bindjeve politike, secili qytetarë duhet del dhe të votojë.

Image

“Qytetarë të dashur të komunës sonë, ju përshëndes të gjithëve, në këtë ditë mjaft të bukur për Malishevën.Jam shumë i lumtur sot, tek sa qytetarët tanë po vendosin përmes të drejtës së tyre me votë, për fatin e Malishevës për 4 vitet e ardhshme”.

“Pavarësisht bindjeve politike, kërkoj nga secili qytetar i yni, të dalin dhe të votojnë, që t’i kontribuojnë ecurisë së mirë të kësaj dite zgjedhore, që ta ndihmojnë demokracinë, sepse këto zgjedhje janë për qytetarët tanë, janë për komunën tonë, janë për të mirën e Malishevës”.

***

Komunat me shumicë serbe me daljen më të madhe në votime

8,26 për qind e qytetarëve që kanë të drejtë vote kanë votuar deri tani në Kosovë.

Ndërsa, komunat me përqindjen më të madhe të daljes në zgjedhje janë ato me shumicë serbe.

Në Zveçan kanë votuar deri tani 29,42 për qind e qytetarëve apo 2 mijë e 24 qytetarë.

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut deri tani kanë votuar 30.96 për qind e qytetarëve, apo 5 mijë e 486 qytetarë.

Në Leposaviq kanë votuar 20,49 për qind e qytetarëve apo 1 mijë e 696 qytetarë.

Në Novëbërdë kanë votuar 15.74 për qind e qytetarëve apo 1 mijë e 474 qytetarë

Në komunën e Shtërpcës deri tani kanë votuar 12.52 për qind e qytetarëve, apo 1 mijë e 515 qytetarë.

Në Graçanicë deri tani kanë votuar 13.11 për qind apo 2 mijë e 582 për qind e qytetarëve.

Në Partesh kanë votuar 10.53 për qind apo 482 qytetarë, ndërsa në Kllokot kanë votuar 9.22 për qind apo 339 qytetarë.

Voton Agim Bahtiri

Në votime sapo mori pjesë edhe Kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ai votoi në vendlindjen e tij në Gushavc, në shkollën “Harun Beka”.

Bahtiri ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij e cila poashtu ushtroi të drejtën e saj të votës.

Por një detaj interesant u pa gjatë votimit. Kryetarit aktual i bie fletëvotimi nga dora.

Voton presidentja Osmani: Dilni në numër sa më të madh në zgjedhje

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka votuar pak minuta më pare.

Ajo ka qenë e shoqëruar nga  vajzat dhe bashkëshortin e saj Prindon Sadriu.

“Ju falënderoj që jeni prezent dhe po e përcillini një proces tejet të rëndësishëm për jetën e qytetarëve tonë.

Prandaj, i ftoj të gjithë që në numër sa më të madh, në këtë proces zgjedhor ta dëshmojnë sërish se qytetarët e Kosovës janë ata që mundësojnë dhe mbrojnë çdo proces demokratik”, është shprehur Osmani.

Image
Votimi i Vjosa Osmanit

 

 Voton Përparim Rama, thotë se po ndjehet i lumtur për këtë arsye

Kandidati për kryetar të LDK’së, Përparim Rama, ka shfrytëzuar të drejtën qytetare për votim.

Ai shprehu kënaqësinë për fushatën që është mbajtur gjatë këtyre ditëve, derisa ftoj qytetarët të votojnë duke thënë se kështu vendosin se kush do udhëheq kryeqytetin por edhe tjerat komuna të vendit.

Image

‘’Është kënaqësi me qenë me juve sot, ka qenë kampanjë fenomenale, fer.

Sot ndjehem edhe më i lumtur që jetoj në një shtet demokratik, ku kemi të drejtën të gjithë të bëjmë votën tonë, për të ardhmen e kryeqytetit e vendit tonë, ndihem i lumtur dhe i ftoj të gjithë që ta zgjedhin të ardhmen e kryeqytetit. Ju dua të gjithëve dhe ju falënderoj shumë’’, tha Rama.

***

Qytetarët e Kosovës sot vendosin për kryetarët e ardhshëm të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale. Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal Zgjedhor, në vend deri në orën 11:00 kanë votuar 8.24 për qind e qytetarëve që kanë të drejtë vote.

Për nga përqindja e daljes në zgjedhje kryesojnë komunat me shumicë serbe.

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut deri tani kanë votuar 30.96 për qind e qytetarëve, apo 5 mijë e 486 qytetarë.

Në Zveçan kanë votuar deri tani 29,42 për qind e qytetarëve apo 2 mijë e 24 qytetarë.

Në Leposaviq kanë votuar 20,49 për qind e qytetarëve apo 1 mijë e 696 qytetarë.

Në Novëbërdë kanë votuar 15.74 për qind e qytetarëve apo 1 mijë e 474 qytetarë

Ndërsa, në komunën e Prishtinës deri tani kanë votuar 14 mijë e 568 qytetarë apo 8,70 për qind.

Kujtojmë që për këto zgjedhje lokale të drejt vote kanë 1 885 448 persona, derisa sot hapen 883 vendvotime.

Ndërkohë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë certifikuar 89 subjekte politike, prej të cilave janë: 32 parti politike, 1 koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.

***

Deri në ora 11:00 në të gjithë Kosovën kanë votuar 8,24% e qytetarëve me të drejtë vote, thuhet në të dhënat e publikuara në ueb faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas të dhënave, nga 1,885,448 qytetarë me të drejtë vote, deri në ora 11:00 kanë votuar rreth 121, 652 persona.

 

Voton Mehmeti: I lusim të gjithë qytetarët e Prishtinës të dalin në votime

Kandidati i AKR-së për Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti ka hedhur votën e tij

Ai ka votuar në shkollën “Pjetër Bogdani”, në kryeqytet.

Image

Mehmeti ishte i shoqëruar nga familja e tij.

“Sot e shfrytëzova të drejtën time legjitime për të votuar, i lusim të gjithë qytetarët e Prishtinës të dalin masovikisht në votime”, tha Mehmeti.

***

 Votojnë së bashku edhe familja Jashari

Kanë votuar edhe Familja Jashari.

Për të votuar shkuan të gjithë së bashku.

Image

Ata filluan votimin në në shkollës fillore “Ilir Lushtaku” në Prekaz të Poshtëm.

Ndryshe, para se t’u drejtoheshin kutive të votimit, ata së pari kanë bërë homazhe.

***

Hamza voton në Mitrovicë, bënë thirrje që qytetarët të dalin të votojnë në mënyrë të dinjitetshme

Të drejtën e votës sot e ushtroi edhe kandidati nga PDK, Bedri Hamza.

Ai ka votuar në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë.

Image

Hamza në vendvotim ishte i shoqëruar nga gruaja e tij, dy vajzat si dhe djali.

Gjatë pronocimit pas votimit, Hamza bëri thirrje që qytetarët të dalin të votojnë në mënyrë të qetë dhe të dinjitetshme, siç dijnë mitrovicasit.

***

Memli Krasniqi hedh votën e tij: Shpresoj të fitojë demokracia

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka hedhur votën e tij në shkollën “Hasan Prishtina”.

Ai ishte i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Meliza Krasniqi.

Image

Krasniqi ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në votime për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës.

“Unë jam udhëheqës i opozitës, por sot këtu para së gjithash jam banor i Prishtinës dhe ky obligim qytetar dhe kjo botë bëhet si qytetar i Prishtinës që e dëshiron më të mirën e vendit të tij, duke shpresuar që qytetarët të shfrytëzojë të drejtën e tyre dhe të zgjedhin kandidatin që besojnë”.

“Këto zgjedhje janë për qytetarët para së gjithash dhe jo për politikanët, andaj shpresoj të jemi në një ditë të mirë ku demokracia të fitojë”, tha Krasniqi.

Voton Lumir Abdixhiku: Sot është festë

Ka hedhur votën e tij kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, tha se sot është festë për demokracinë.

“Sot natyrisht është festë, s’ka gjë më të bukur kur qytetarët vendosin për udhëheqësit. 

Ju falënderoj juve medieve e komisionarët, vëzhguesit. Dhe i uroj 40 mijë votuesit e ri që për herë të parë votojnë”.

Image

Voton Kurti

Në Kosovë janë duke u zhvilluar zgjedhjet lokale.

Të gjithë qytetarët e Kosovës mbi moshën 18 vjeçare kanë të drejtë të votojnë.

Image

Këtë të drejt po e shfrytëzon edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai po voton në qendrën e votimit në Fakultetin Juridik.

Ndërkaq, pak me parë ka votuar edhe kandidati i VV-së për kryeqytetin, Arben Vitia.

Ai i ka ftuar qytetarët që dalin  sa më masovikisht në zgjedhje.

Kutitë e votimit shkojnë edhe në shtëpitë e personave të infektuar me COVID-19

Hapësirat e Fakultetit të Edukatës Fizike mëngjesin e sotëm janë shfrytëzuar për tu bërë përgatitjet e tri ekipeve mobile të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të cilët do shkojnë në shtëpitë e qytetarëve të Prishtinës që janë të infektuar me COVID-19 dhe të cilët për shkak të masave kufizuese nuk mund të dalin për të votuar në qendrat e votimeve.

Për zgjedhjet lokale të 17 tetor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka angazhuar 87 ekipe mobile me gjithsej 348 anëtarë.

Krahas anëtarëve të KQZ, çdo ekip ka edhe një mjek dhe nga një policë.

Në çdo kuti votimi krahas materialeve zgjedhore sensitive ishin vendosur edhe maska, doreza dhe dezinfektues.

Valentina Demolli-Koliqi, trajnere e Komisionit Komunal Zgjedhor në Prishtina e cila tha se pasi ka rënë numri i rasteve pozitive edhe numri i atyre që duan të votojnë është më i vogël krahasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Demolli-Koliqi: Nuk është i lartë numri i personave me COVID-19 të interesuar për të votuar

“Këto ekipe përgatiten për të shkuar dhe për t’iu mundësuar të drejtën e votës për shkak të pamundësisë për të dal në vendvotime të rregullta. Në komunën e Prishtinës si në gjithë Kosovën ka rënë numri i të infektuarve në këto zgjedhje nuk është i lartë numri i personave votuesve të interesuar për të votuar, sikurse në zgjedhjet e kaluara ka një numër relativisht të ulët, ekipet janë të përgatitura në tërësi për të ofruar komplet të drejtën e votës nëpër shtëpitë e personave të infektuar me Covid-19....ekipet që do të prezantojnë me COVID-19, ka edhe një anëtar të katërt që është punonjës shëndetësor, ka disa detyra dhe përgjegjësi”, tha ajo.

Krahas ekipeve mobile për COVID, në Fakultetin e Edukimit i bënë përgatitjet edhe ekipet mobile që do të mundësojnë votimin e të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe atyre të shtrirë nëpër klinikat e QKUK-së dhe Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.

Ekipet mobile për votim të të infektuarve me COVID-19 u praktikuan edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Në zgjedhjet lokale që po mbahen sot të drejtë vote kanë 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Ndërsa, numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Ndërkaq, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është: 15 mijë e 532 votues.

Ismaili: E pres me padurim rezultatin

Drejt kutive të votimit është drejtuar edhe kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokartike e Kosovës, Uran Ismaili, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në votime për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës.

“Është nder dhe privilegj me qenë një ndër kandidatët për kryetar të komunës në Prishtinë…E pres me padurim rezultatin e natës së sotshme”, tha Ismaili para mediave.

“E konsideroj të rëndësishme këtë garë dhe  i ftoj të gjithë të dalin dhe me votën e tyre të vendosin se kush do të jetë kryetar i komunës”, u shpreh ai ndër të tjera.

Voton Uran Ismaili

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka hedhur votën e tij.

Ai ka votuar në shkollën ‘’Ismail Qemali’’ në kryeqytet.

Ai nuk ishte vetëm.

Ismaili ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Arizona.

***

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar për kryetar të komunës dhe Kuvend Komunal.

Vitia para u deklarua në stilin e kryeministrit Albin Kurti duke folur për motin.

“Në këtë ditë të bukur vjeshte me mot të mirë sapo ushtrova të drejtën e votës. Pas një fushate të gjatë dhe fer nga kandidatët sot është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë”.

“I ftoj qytetarët që të dalin sa më masivisht në këto zgjedhje, sepse sa më shumë që dalin aq më i fortë është verdikti i qytetarëve. Falënderoj institucionet dhe të gjithë ata që po punojnë në këtë ditë të diele. Qoftë kjo një ditë e mbarë për Kosovën”.

Në Rahovec i vogël intensiteti i votuesve këtë mëngjes

Në qendrën më të madhe të votimit në Rahovec – në shkollën “Isa Boletini” ka një intensitet të vogël të votuesve mëngjesin e kësaj të diele.

Drejtorin e kësaj qendre, Sakip Kryeziu, ka treguar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Të drejtë vote në këtë qendër kanë shtatë mijë e 245 qytetarë.

Deri tani gjithçka ka shkuar me rregull dhe qendra është hapur me kohë por intensiteti i votuesve është shumë i vogël mbase sepse është ende herët – por presim që pasdite të kemi më shumë votues”, tha Kryeziu.

***

Voton Arben Vitia

Tani është duke votuar kandidati për kryetar të Prishtinës Arben Vitia.

Ai po voton në qendrën e votimit në shkollën “Ali Sokoli”.

Ndërkaq, ai është kandidat i VV-së.

Voton Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur votën e tij.

Ai votoi në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Haradinaj nuk ishte vetë.

Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Anita Muçaj.

***

Voton Goran Rakiq: Procesi po zhvillohet normalisht

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka hedhur votën e tij për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Rakiq pas votimit tha se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë dhe se procesi po vijon të zhvillohet pa ndonjë telash.

Para mediave foli edhe kandidati për kryetar të Mitrovicës së veriut, Millan Radojeviq i cili tha se zgjedhjet nënkuptojnë mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe

“Të gjitha qendrat janë hapur me kohë dhe procesi po zhvillohet normalisht. Ftoj të gjithë qytetarët që në numër sa më të madh të votojnë”, tha Rakiq.

Ndërsa Radojeviq tha se “Gjithçka deri tani është duke shkuar në mënyrën më të mirë. Këto zgjedhje nënkuptojnë mbrojtjen e lirisë së shkrehjes”, tha ai. 

Në shkollën e këtij qyteti, disa qytetarë nuk e gjejnë emrin

Disa prej qytetarëve të Prizrenit nuk kanë arritur të gjejnë emrin e tyre në shkollën “Abdyl Frashëri”.

Sipas menaxherit të kësaj qendre, Alidin Flugaj, kjo ka ndodh për shkak të lëvizjes së votuesve të ri në një shkollë tjetër.

“Në këtë shkollë janë të regjistruar 10 mijë votues, qendra e votimit është hapur me kohë, janë bërë të gjitha përgatitjet me kohe, tashmë votuesit kanë ardhur me kohë”, ka thënë Alidin Flugaj.

“Për pjesën teknike ne nuk mund të përgjigjemi se nuk e dimë, ne i kontrollojmë sipas të dhënave të KQZ-së, dhe ku ata mund të gjejnë vendvotimin e tyre”.

“Me sa kam informata kam dëgjuar se votuesit e ri janë vendosur në shkollën “11 marsi”, ka thënë Flugaj.

Image

***

Në Malishevë vazhdon me rregull procesi i votimit

Procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka nisur me rregull në gjithë vendvotimet në komunën e Malishevës.

Media bëri të ditur se gjithçka ka nisur me kohë dhe pa ndonjë incident.

“Gjithçka ka nisur me kohë dhe nuk ka ndodhur ndonjë incident.

Gjimanzi “Hamdi Berisha” është vendvotimi më i madh në këtë komunë dhe gjithçka është duke shkuar në rregull”, tha njëri nga gazetarët

***

Probleme me rrymë, nuk hapet qendra më e madhe e votimit në Vushtrri

Qendra me e madhe e votimit në komunën e Vushtrrisë ende nuk është hapur për shkak të problemit më energjinë elektrike.

Shkolla fillore “Mustaf Venhari”, nuk ka filluar ende procesin e votimit, kjo si shkak i një parregullsie që ka ndodhur në këtë qendër.

Si pasojë e kësaj ka qenë mungesa e energjisë elektrike.

Kjo qendër vazhdon ende të jetë jo funksionale, teksa drejtoresha e kësaj shkolle nuk ka pranuar të prononcohet se kur do të jetë gati kjo qendër që të fillojë procesin e votimit.

Dimitrojeviq: Në veri qendrat e votimit u hapen në kohë, votohet me dokumente të vlefshme të Kosovës

Në veri të Mitrovicës të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë.

Kryesuesi i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve për Mitrovicë të Veriut, Sllobodan Dimitrojeviq tha se nuk ka pas probleme dhe se gjithçka ka shkuar mirë me hapjen e qendrave.

Ai ka treguar se qytetarët aty do të votojnë me dokumente të vlefshme të Kosovës.

Dimitrojeviq: Janë hapur gjitha vendvotimet, votohet me dokumente të Kosovës

“Po të gjitha vend votimet janë hapur me kohë, 7 qendra dhe 23 vend votime janë hapur në ora 7. Nuk kemi pas asnjë problem dhe votim ka filluar pa probleme. Natyrisht(votohet) me dokumente të vlefshme të Kosovës si dhe ma ato të cilave u ka skaduar afati para 6 muajve, duke pasur parasysh që ka pasur probleme teknike me dhënien e dokumenteve të rij, për këtë është marrë vendimi që çdo dokument të cilit i cili është me skadencë afati prej 6 muajve me të cilin mund të identifikoheni letërnjoftimi, leje e vozitjes, pasaporta mundeni me votuesve, nëse jeni në listën e votuesve natyrisht”, tregoi ai. 

Bytyqi: Materialet sensitive kanë ardh dhe të gjitha janë në çdo qendër të votimit

​Procesi i votimi ka nisur me kohë dhe pa ndonjë problem edhe në qendrën kryesore të votimit në shkollën “11 Marsi” në Prizren. Enver Bytyqi menaxheri i kasaj qendre tha se qendra e votimit 2042A ka 19 mijë e 417 votues si dhe ka 22 vendvotime.

Kurse sa i përket materialeve zgjedhore ai shtoi se në ditën e djeshme materialet kanë ardhur jo sensitive por që janë sistemuar nëpër klasa.

Bytyqi: Materialet sensitive kanë ardh dhe të gjitha janë në çdo qendër të votimit

"Sa i përket qendrës 2042A e cila i ka 22 vendvotime dhe ka 19 mijë e 417 votues në këtë qendër. Ditën e djeshme janë marrë materialet jo sensitive të cikat me kohë janë rregulluar nëpër klasë. Kurse sot ne mëngjes materialet sensitive kanë ardh dhe të gjitha janë në çdo qendër të votimit," ka thënë ai.

Po ashtu ai shtoi se sa i përket votimit në këtë qendër gjithçka po shkon në rregull.

Bytyqi: Gjithçka është duke shkuar në rregull

"Gjithçka është duke shkuar në rregull kanë filluar edhe persona individualisht kanë filluar me votua d.m.th sa i përket gjendjes votimi ka fillua në kohën e caktuar dhe gjithçka është duke shkuar sipas planit",ka shtuar ai.

Në ndërkohë janë gjashtë kandidatë për kryeatarë të kësaj Komune nga parti të ndryshme politike. Zafir Berisha nga Nisma, Mytahir Haskuka nga Vetëvendosja, Lulzim Kabashi AAK, Anton Quni LDK dhe Shaqir Totaj nga PDK.

​***

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë në orën 07:00 të mëngjesit.

“Ju njoftoj se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet. Numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime. Sot në Republikën e Kosovës mbahen Zgjedhjet Lokale të shtatat me radhë për Kuvende Komunale dhe të pestat për Kryetarë të Komunave”.

“Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe 1,002 anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është: 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për Kryetar Komune dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale”.

Elezi mes tjerash ftojë të gjithë qytetarët që të votojnë.

“Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës, dhe të dalin për të votuar”, tha Elezi.

“Gjatë ditës së sotme, me qëllim të informimit të rregullt për pjesëmarrjen në votime dhe ecurinë e procesit zgjedhor, KQZ-ja do të mbajë konferenca në orën 11:30; 15:30 dhe 19:30, ndërsa për konferencën e pestë, lidhur me publikimin e rezultateve prelimanre, do t’iu njoftojmë me kohë”.

Qendra më e madhe e votimit në Skenderaj hapet 5 minuta me vonesë

Në komunë e Skenderajt janë hapur të gjitha qendrat e votimit, mirëpo ajo kryesore me pesë minuta vonesë.

Në shkollën e mesme teknike “Anton Qeta”, e cila është edhe qendra më e madhe e votimit në Skenderaj nuk është hapur në ora 7:00, por pesë minuta me vonesë dhe votuesve të parë u është dashur të presin pak fillimisht.

Menaxheri i kësaj qendre e quajti normale vonesën prej pesë minutash, duke thënë se kjo vonesë ndodhi derisa u bën të gjitha përgatitjet e nevojshme

Nis votimi me kohë edhe në Mitrovicë të Jugut

Qendra e votimit “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë të Jugut është hapur me kohë dhe qytetarët kanë nisur menjëherë me procesin e votimit.

Shefi i KKZ-së në këtë komunë, Bajram Hajdari, deklaroi se deri më tani gjithçka është në rregull në nivel lokal.

Në garë për kryetar të komunës në Mitrovicë garojnë Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Armend Agolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në anën tjetër, sipas raportimeve, votimi me kohë ka nisur edhe në Mitrovicën e Veriut në qendrën me të madhe të votimit në shkollën teknike.

Mbi 5 mijë votues në shkollën “Sami Frashëri”

Qendra e votimit në shkollën “Sami Frashëri” në Prishtinë është hapur me kohë.

Menaxheri i shkollës së kësaj shkolle Daut Selimi, tha se në qendër kanë të drejtë vote kanë 5 455 votues dhe se kanë bërë të gjitha përgatitjet për respektim të masave.

Image

“Në shkollën ‘Sami Frashëri’ kanë të drejtë vote 5 455 votues janë 7 vendvotime, 6 të rregullta dhe një i dyfishtë apo me kusht”.

“Të gjitha vendvotimet janë hapë dhe përgatitjet janë bërë me kohë. Çdo klasë është e pajisur me dezinfektues dhe të gjithë janë të obliguar ta mbajnë maskën”.

Ndërsa Fevzi Jetullahu, tha se gjatë votimit çdo gjë ka shkuar në rregull.

“Presim që të vijnë njerëzit e duhur në pushtet”.

Për këto zgjedhje lokale të drejt vote kanë 1 885 448 persona, derisa hapen 883 vendvotime.

Ndërkohë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë certifikuar 89 subjekte politike, prej të cilave janë: 32 parti politike, 1 koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.

Hapet qendra më e madhe e votimit në Prishtinë

Është hapur qendra më e madhe e votimit në Prishtinë.

Këtë vit të gjithë personat që kanë votuar në sallën 1 Tetori, janë zhvendosur në Fakultetin e Edukimit.

Kjo pasi në vendvotimin e mëhershëm po bëhet vaksinimi kundër COVID-19.

Janë gjithsej 5 vendvotime dhe 4300 votues në këtë qendër.

Voton kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka ushtruar të drejtën e tij për votë në zgjedhjet lokale që po mbahen këtë të dielë.

Radoniqi ka votuar në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

“Unë dhe bashkëshortja ime e shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar. Qendra e votimit është hapë në ora 07:00 dhe i gjithë procesi shkoi në rregull”.

“Ftojë të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Po ashtu ftojë të gjithë partitë politike që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, tha Radoniqi.

Radoniqi mes tjerash në deklarimin e tij për media pas votimit u urojë suksese të gjithë kandidatëve për kryetarë komune dhe asmbleistë.

Tutje Radoniqi bëri të ditur se rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale do të bëhen publike para mesnatës.

Kreu i KQZ-së është edhe personi i parë që voton në këto zgjedhje lokale.

***

Qytetarët e Kosovës sot vendosin për kryetarët e ardhshëm të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale. Për këto zgjedhje lokale të drejt vote kanë 1 885 448 persona, derisa sot hapen 883 vendvotime.

Ndërkohë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë certifikuar 89 subjekte politike, prej të cilave janë: 32 parti politike, 1 koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote për masat që duhet t’i zbatoni në ditën e zgjedhjeve.

Për të votuar duhet të mbani maskë mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën;

Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim;

Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart;

Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit;

Pas identifikimit, rivendoseni maskën;

Pas kësaj ju duhet të merrni fletëvotimet dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimet në kutitë përkatës;

Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni sërish duart. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat