“Përplasje” në mes të Kurtit dhe Haradinajt, kryeministri: Veriu ka qenë në rrezik kur ti e prisje në zyre kriminelin Radojçiq

Aktuale

“Përplasje” në mes të Kurtit dhe Haradinajt, kryeministri: Veriu ka qenë në rrezik kur ti e prisje në zyre kriminelin Radojçiq

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 07:44
Albin Kurti

(E plotësuar 17:40) - Me 61 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020, të cilin para deputetëve e prezantoi Avokati i Popullit Naim Çelaj.

Ai ka thënë se pandemia COVID-19 dhe masat e mara nga qeveria për kufizime kanë shkaktuar një sërë reagimesh që ndërlidhen me cenimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Në këtë periudhë Institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar 145 ankesa individuale, ku ankuesit sipas Çelajt pretendojnë se janë viktima të diskriminimit kryesisht nga sektori publik. Teksa ka shtuar se ky institucion me vetiniciativë ka hapur për hetim më shumë se 10 raste.

Veç kësaj, Çelaj tha se qytetarët vazhdojnë të mos kenë besim tek institucionet e drejtësisë.

Çelaj: Janë trajtuar 145 ankesa

“Si pasojë ka pasur reduktim të punës në gjyqësor ka pasur përjashtim të publikut, dhe zvarritje e shtyrje të procedurave gjyqësore. Në bazë të numrit të ankesave të paraqitura tek Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë këtij viti (2020) rezulton se qytetarët kanë vazhduar të mos kenë besim në sistemin gjyqësor, pra qytetarët edhe më tutje kanë vazhduar të përballen me zvarritje të procedurave për vendosjen e rasteve të tyre në të gjitha shkallët dhe instancat… Në këtë periudhë Avokati i Popullit ka trajtuar 145 ankesa individuale, ku ankuesit pretendojnë se janë viktima të diskriminimit kryesisht nga sektori publik. Po ashtu, Avokati i Popullit me vetiniciativë ka hapur për hetim më shumë se 10 raste”, tha Çelaj.

Çelaj tha se përveç krizës së shkaktuar gjatë vitit 2020 nga pandemia koronavirus, zgjedhjet e parakohshme dhe ndryshimet e legjislativit dhe qeverisë kanë pasur ndikimet në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Përveç kësaj, Çelaj ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e procedurës së votimit të raportit të Avokatit të Popullit në Kuvend, ngase sipas tij është në kundërshtim me parimet dhe standardet mbi të cilat funksionon Institucioni i Avokatit të Popullit.

Kuvendi miraton Projekt-kodin e Procedurës Penale

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuar në shqyrtim të parë Porjekt-kodin e Procedurës Penale, i cili parasheh gjykimin në mungesë për të gjitha veprat penale dhe jo vetëm për rastet e krimeve të luftës, ndërsa trajton edhe suspendimin e zyrtarëve publik në rastin e ngritjes së aktakuzës për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i këtij projekt-kodi është avancimi i drejtësisë penale për të vendosur sundimin e ligjit në vendin tonë.

Haxhiu: Është shtuar neni i ri me gjykimin me mungesë

“Disa nga ndryshimet që janë më të rëndësishme, më substanciale janë gjykimi në mungesë, është shtuar neni i ri me gjykimin me mungesë i cili përcakton se nëse i pandehuri i cili vullnetarisht dështon të paraqitet në seancë gjyqësore pasi të jetë informuar për datën nuk duhet të lejohet të vonojë procedurën. Në ato raste kur prokurori nuk mund të gjejë një të pandehur pas përpjekjeve të arsyeshme gjykimi duhet të jetë në gjendje të mbahet sipas rrethanave të përcaktuara në nenin e propozuar. Këtu bëhet një dallim ndërmjet gjykimit në mungesë për veprat tjera, përjashto ato të krimeve të luftës, për faktin se për rastet e krimeve të luftës jo domosdoshmërisht kërkohet që i pandehuri të jetë në seancën e parë apo në seancën fillestare”, tha ajo.

Deputetët me 80 vota e kanë miratuar në shqyrtim të parë edhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky projektligj do të rregullojë këtë fushë në mënyrën e duhur dhe me efikasitet të lartë.

Haxhiu: Konsiderohet se do të rregullojë këtë fushë në mënyrën e duhur dhe me efikasitet të lartë

“Konsiderohet se do të rregullojë këtë fushë në mënyrën e duhur dhe me efikasitet të lartë, si dhe në mënyrë që të lehtësohet ekzekutimi i kërkesave të parashtruara nga organet gjyqësore të huaja tek organet gjyqësore në Republikën e Kosovës, por edhe anasjelltas. Përveç plotësimit të zbrastësirave të kornizës ligjore ekzistuese për ndihmë juridike ndërkombëtare në çështje civile projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile do të plotësojë në masë të madhe mungesën e anëtarësisë së Republikës së Kosovës në konferencën e Hagës dhe në konventat e saj. Po ashtu pasqyron saktë praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile dhe unifikon procedurat me BE-në”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë tha se bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme janë duke punuar për t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në konferencën e Hagës.

Miratimin e Kuvendit të Kosovës e ka marrë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, ku për kanë votuar 66 deputetë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i tij është realizimi i objektivave për të përmirësuar qasjen në drejtësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në fushën penale, lehtësim të procedurave të ekstradimeve për të pasur ekstradime më të shpejta në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe avancimin e legjislacionit në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 15.

S’ka kuorum, Kuvendi shtyn shqyrtimin e projektligjit për Festat Zyrtare

Me 67 vota pro, kuvendi i Kosovës mori vendim ta miratojë mocionin procedural për shtyrjen e shqyrtimit të parë të Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare.

Kjo shtyrje për këtë projektligj, është bërë për shkak se nuk pati kuorum, që kërkohet të jenë prezent 2/3 e deputetëve që bëjnë pjesë edhe ata të Listës serbe. 

Kuvendi voton rialokimin e 2.3 milionë euro nga marrëveshja IPA 2017

Kuvendi i Kosovës me 86 vota ka miratuar projektligjin për ratifikimin e amendamentimit numër një të marrëveshjes financiare IPA 2017 pjesa e parë ndërmjet Kosovës dhe BE-së, përmes të cilit mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara.

Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka arsyetuar këtë projektligj, derisa ka treguar se çka do të përfitohet me anë të saj.

Bislimi: Të mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara

“Qëllimi i amendamentimit të marrëveshjes në fjalë është që të mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara dhe kursime në kuadër të veprimit të programit, përkatësisht instrumentit të përafrimit e Bashkimit Evropian dhe përmes kësaj të mundësohet kontraktimi i kësaj shume në kontrata ekzistuese brenda afatit kontraktual prej tre viteve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes origjinale e që data origjinale ka qenë 22 tetor 2018. Rialokimi do të shtojë 2.3 milionë euro në veprimin numër një instrumenti i përafrimit dhe Bashkimit Evropian, nga veprimi numër dy mbështetja në pjesëmarrje të programeve të BE-së dhe atë në shumën e 300 mijë eurove. Nga veprimi numër tre, mbështetja e Bashkimit Evropian për përparësitë politike dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit në shumën e 1.9 milionë eurove dhe nga veprimi numër pesë mbështetja e Bashkimit Evropian për sistemin e të drejtave të pronësisë intelektuale në Kosovë 0.1 milion euro”, tha ai.

Bislimi tha se shumat e marra nga këto projekte janë kursime dhe do të përdoren për të mbështetur zbatimin e projekteve tjera, siç është ndërrimi i filtrave të Kosovës B dhe për ndërtimin e shkollave të parapara me marrëveshjen financiare paraprake.

Mbështetje i kanë dhënë edhe partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës. 

***

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur deputetit të AAK-së Ramush Haradinaj i cili e pyeti për gazsjellësin duke thënë se kur mendon që të sjellë gaz në Kosovë më lirë sesa me grantin e MÇ-së.

“Imagjinojeni sa lajm i keq është që pas tre vjetësh punë intensive dhe dakordimi që në nëntor të ndodhë investimi në gazsjellësin amerikan, kryeministri na njoftoi se ky ka vendosur në emër të Kosovës t’i devijojë ato fonde për aspekte të tjera energjetike. Ende s’i ka marrë ato pare, derisa ky zotnia ka vendosur me i çu në drejtime të tjera te energjisë. Meqë keni vendosur me i çu në drejtime të tjera të energjisë, a mundesh me na tregu kur kemi me sjellë gaz në Kosovë më lirë sesa me 200 milionë pare falas të Amerikës, 100 milionë kredi prej të cilave 20 milionë grant. Kur keni me mrri me ia jap Kosovës këtë shans? A doni ju me buxhet të Kosovës me sjell gazin ndonjëherë, apo e keni alternativën diku tjetër?”, e pyeti Haradinaj.

Kurti tha se e ka sqaruar dhe po e risqaron se granti i MÇ-së nuk është humbur dhe se i njëjti nuk ishte i dedikuar vetëm për infrastrukturë gazi, prandaj edhe kanë vendosur që ta shfrytëzojnë në aspekte të tjera energjetike.

“Së pari fizibiliteti bëhet që të kuptohet se kur çka është më së miri, prandaj edhe bëhet fizibiliteti. Ne e kemi qartësuar disa herë dhe nuk është hera e parë që i përgjigjem pyetjes së njëjtë, granti nuk është humbur dhe as nuk ka qenë në rrezik që të humbet në asnjë moment. E kemi qartësuar gjithashtu se granti deri në 200 milionë dollarë nuk është ndarë për infrastrukturë gazi specifikisht, megjithëse ky opsion ka qenë duke u studiuar, sepse përndryshe do t’i kishim humbur fondet. Ne kemi vendosur që grantin ta shfrytëzojmë për investime të tjera”.

“Qeveria e Kosovës nuk ka vënë kushte sa i përket këtij projekti, e as MÇ-ja nuk i ka vënë kushte qeverisë. Ka qenë dhe mbetet partneritet mes qeverisë dhe MÇ-së ku së bashku janë trajtuar çështje si dizajni teknik dhe fizibiliteti ekonomik. Qeveria e Kosovës thjesht e ka vlerësuar me kujdes projektin dhe ndikimin në çmimet e energjisë. Kriza energjetike botërore e cila parashikohet nga ekspertë se do të zgjasë deri nga mesi i vitit tjetër nuk ka të bëjë asgjë me këtë projekt dhe as me gazin. Termocentrali me gaz i paraparë në atë projekt do të hynte në përdorim pas tetë vjetësh, as tetë jave e as tetë muaj, por tetë vite. Ju po flisni për një krizë e cila parashikohet të përfundojë pas tetë muajsh. Oferta e pamjaftueshme për gaz dhe çmimet e larta të gazit në fakt janë ndër shkaktarët kyçë të kësaj krize. Sikur ne sot të kishim termocentral me gaz do të duhej ta pezullonim përdorimin e tij për shkak të çmimit të lartë, siç po ndodh gjithandej në Evropë. Çmimi i gazit është trefishuar në Evropë e në disa vende si Polonia është shtatëfishuar, prandaj po ta kishim do të duhej ta ndalnim. Ne jemi të përgjegjshëm”.

***

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë përplasur mes vete në pjesën e parë të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj e ka pyetur Albin Kurtin në fillim se pse siguria në veri është në gjendje më të keqe pas operacioneve të policisë së Kosovës, ndërsa përgjigja e Kurtit ishte e ashpër.

Kurti i tha Haradinajt se siguria është në nivelin më të mirë që nga shpallja e pavarësisë, dhe ia ka përmendur këtij të fundit një takim të tij me Milan Radojiçiqin në zyrën e tij.

Për më tëpër, Kurti e ka akuzuar Haradinajn se po i sulmon në moralin e tyre policinë e Kosovës.

“Në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani e sot se kurdoherë tjetër që nga shpallja e Pavarësisë, asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës. Ka punë e sfida dhe janë të trashëgruara, por do t’i zgjidhim. Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj priste në zyrë kriminelin Radojiçiq, nuk e rrezikon veriun policia, por kriminelët dhe bashkëpunimi i deputetëve me ta.  Fjala e deputetit Haradinaj është sulm moral ndaj policit të Kosovës, por kot e keni z.Haradinaj, morali i policit të Kosovës është shumë i lartë. Edhe atëherë kur shkon me Njësinë Speciale për ta ndihmuar policinë kufitare. Ju po përpiqeni ta sulmoni moralin e policisë tonë kur të shkojë në veri”, tha Kurti.

Haradinaj ka thënë se diskutimi po devijon e ka akuzuar Kurtin se po tenton ta dorëzojë veriun e Kosovës.

“Është interesant, po dojnë me e kthy diskutimin te morali i trupave në terren. Unë nuk e kom qëllimin te morali it rupave sepse i besoj policisë së Kosovës, ushtarit të Kosovës, unë frikësohem nga ti sepse mendoj që i ke marrë dy veprime me e dorëzu veriun, unë mendoj se është skenar i yti”, tha Haradinaj.

Pas kësaj, Kurti sërish u përgjigj duke thënë se strukturat ilegale në veri asnjëherë nuk kanë qenë më të frikësuara.

“Kriminelët në veri, strukturat ilegale kurrë nuk kanë qenë më të frikësuara se kaq, nuk dorëzohet veriu, mos m’u frikësoni mua, por mos ngjallni dilema te polici që kur të shkojë në veri se “Kushedi pse të ka çu Albini atje”, kjo është e dëmshme”, tha Kurti.

Një polemikë e tillë mes Kurtit e Haradinajt nuk është e re sot, Haradinaj vazhdimisht ka kritikuar Kurtin për qasjen e tij ndaj veriut të Kosovës.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj sot, sesa kurdo herë tjetër që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Këtë deklaratë e bëri Kurti, pas akuzave të Haradinajt, se ekziston një plan për ta dorëzuar Veriun, nga dy operacionet e fundit.

“Asnjë barrikadë nuk ka në Veri, a ka shumë punë e sfida? Po, se janë të trashëguara, por një nga një dhe krejt do t’i zgjidhim. Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Radojqiq, atëherë ka qenë i rrezikuar, nuk e rrezikon veriun policia, veriun e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanë të të gjitha ngjyrave, dhe kjo ka ndodh në korrik të vitit 2018”, tha Kurti

Selmanaj: Nëse Qeveria s’e shqyrton marrëveshjen e gazsjellësit, Kosova mund të mbetet e vetmja pa qasje në të

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë që nëse Qeveria s’e shqyrton marrëveshjen e gazsjellësit, Kosova mund të mbetet e vetmja pa qasje në të.

“Nëse Qeveria e Kosovës nuk e rishqyrton urgjentisht vendimin e saj të gabuar – Kosova mund të përfundojë si shteti i vetëm në rajon pa qasje në gaz dhe në pozitë tejet të vështirë në rrugën e saj për fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar”.

“Nisma e projektit të gazit ka nisur më 2016 dhe më 2018 është nënshkruar marrëveshja për projektin për ndërtimit të infrastrukturës së gazit me Maqedoninë e Veriut”.

“Cilat do të ishin përfitimet e Republikës  sonë në rastin e ndërtimit të këtij rrjeti për të cilin Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar? Në rend të parë prodhimi i energjisë elektrike, në rend të dytë industria dhe në rend të tretë amvisëritë”.

Tutje Selmanaj ka thënë që mbi të gjitha këto përfitime “Kosova këtë projekt duhet ta shohë në kontekstin e sigurisë dhe pozicionimit dhe rreshtimit përkrah interesave tona shtetërore dhe gjeopolitike të aleatëve tanë kryesore”

Shala për “Ferronikelin”: E rëndë të mendosh se qeveria i trajton ndërmarrjet mbi bazat e zonave elektorale

Ferat Shala nga PDK-ja ka thënë se Kosova e ka kaluar edhe një provim me mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

“Në emër të Grupit Parlamenar të PDK-së t’iu falënderoj përzërmërsisht për kulturën e lartë të treguar në zgjedhjet e fundit. Kjo kulturë na bën të dinjitetshëm si shtet dhe komb, një kulturë që do t’ia dëshiroja shumë edhe institucioneve, qeverisë së këtij vendi. Konsideroj se kemi dhënë një provim të përbasshëkt të madh para opinionit vendor dhe ndërkombëtar e të cilën e kemi obligim ta ruajmë dhe kultivojmë në shkallën më të lartë të mundshme”.

Ai ka ngritur edhe çështjen e gjigantit metalurgjik “Ferronikeli” duke ngritur dyshime se i njëjti u mbyll përkohësisht për shkak të shantazhimit, siç e quan ai, nga qeveria për atë rajon.

“Para pak ditësh, saktësisht në kohën e fushatës zgjedhore, një metalurgjik “Ferronikeli” me mbi 1000 punëtorë falimentoi apo u mbyll përkohësisht. Ku është qeveria në këtë relacion? 1000 punëtorë të cilët në kohë pandemie dhe krize, për koincidencë edhe kohë fushate, janë në shtëpitë e tyre. Është një problem i madh social para së cilit qeveria jo vetëm që hesht, por nuk do të dëgjojë. A ka ndodhur diku që 1000 punëtorë të shkojnë në shtëpi dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë hesht para një gjiganti të tillë industrial që ka qenë krenari rajonale, dhe ndoshta edhe evropiane. Si ka mundësi që qeveria t’i klasifikojë ndërmarrjet private dhe publike në kohë pandemie? Si ka mundësi që qeveria përkundër miratimit të Pakos Ekonomike të subvencionojë dhe mbështet ndërmarrjet dhe ekonominë e vendit të jetë kaq indiferente para një rajoni të tërë?”.

“Duhet ta dini që 1000 punëtorë vijnë kryesisht nga Drenasi, Skenderaj, Mitrovica dhe një pjesë e tyre nga Prishtina. Si ka mundësi që gjiganti “Ferronikeli” së paku dy herë ka kërkuar takim me institucionet e shtetit për të bashkërenduar dhe për të gjetur zgjidhje alternative për të dalë nga kjo krizë dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje as pozitive dhe as negative nga institucionet e shtetit karshi zhvillimit të tillë ekonomik në qendër të Kosovës. Heshtje totale, apo dënim nga institucionet që i bëjnë ekonomisë veçanërisht rajonit të Drenasit që i ka dhënë shumë shtetit të Kosovës dhe ka qenë bartës i të gjitha zhvillimeve sociale, ekonomike dhe historike. Është e rëndë të mendosh se qeveria i trajton ndërmarrjet mbi bazat e zonave elektorale. Gabim i madh nëse mendohet se Drenasi, qytetarët dhe punëtorët e “Ferronikelit” mund të shantazhohen me indiferencë dhe çështje të tilla. Nuk shantazhohen dhe nuk ndryshojnë qëndrim politik Drenasi dhe Drenica, pavarësisht veprimeve indiferente dhe shantazhuese të qeverisë”, tha Shala në seancën e sotme në Kuvend.

Haradinaj për dy operacionet e fundit të policisë: Po bëhet qëllimshëm për me dorëzuar Veriun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për dy operacionet e fundit nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

Haradinaj tha në Kuvend se pas këtyre dy aksioneve, ka ndodhur përkeqësim i gjendjes dhe dobësim i shtetit ligjor.

“Besoj që të gjithë ata që janë të fushës mund ta jepin këtë vlerësim. Pas dy herë që ka operuar policia e Kosovës në veri të vendit, kemi dalë më të dobët. Herën e parë na është mbajtur policia peng në pikat doganore, edhe një i sëmurë polic nuk ka mundur të bartet dhe të shkojë në spital. Herën e dytë policia jonë ka arritur mjaftueshëm të jetë në konflikt me grupe kriminale, operacioni blic me ndodh në shpejtësi me u kthy dhe me e lënë terrenin në dorën e kriminelëve”.

“Po bëhet qëllimshëm me e dorëzua veriun, është projekt diku. Nuk e di pse ndodh kështu, ata që merren me këtë e dinë që Kosova është me dobët në veri pas këtyre dy operacioneve. Kërkoj sqarim të detajuar pse duhet të dobësohet shteti ligjor në veri, pas këtyre proceseve që i kemi kaluar. Pasi që iu paguhet rryma në veri, pse duhet policia të mbahet peng prej grupeve kriminale, pse duhet të merremi vesh me ata për t’u tërhequr. Pse kur shkojmë të operojmë përballemi me ta”, tha Haradinaj,

Deputetët mbështesin iniciativën e Vasfije Krasniqit për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Deputetët i bashkohen Vasfije Krasniqit në thirrjen për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Thirrjes për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale të deputetes së Vetëvendosjes, Vasfije Krasniqi i janë bashkuar deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi në seancën e sotme ka mbajtur në dorë një fletë me mbishkrimin “realllyforherjustice”, iniciativë kjo që kërkon për dhunimet seksuale gjatë luftërave në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.

Një fotografoi të përbashkët Vasfije Krasniqi e bëri me bashkëpartiaken Shqipe-Mehmeti-Selimi, si dhe deputetët e tjerë në këtë Kuvend.

Një fotografi me këtë mbishkrim e ka shkrepur edhe deputeti njëherit lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj.

***

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se zgjedhjet e 17 shkurti, qytetarët kanë treguar kulturë të lartë qytetare, por që tha se dalja e tyre ishte më e vogël se ajo e 14 shkurtit. 

Më 17 tetor qytetarët dëshmuan kulturë. Dalja e votuesve ishte më e vogël por mjaftueshëm për të pasur kredibil për kandidatët. Respektuam masat anti-Covid dhe i inkurajojmë që edhe më 17 nëntor të dalin në zgjedhje. Kemi pasur një ulje të rasteve dhe ngrirje të atyre që janë vaksinuar. Këto statistika nuk duhet të na japin shpresë se e kemi kaluar këta sfidë”, tha ajo.

Tutje, ajo foli edhe për aksionin kundër kontrabandës, i zhvilluar në gjashtë lokacione.

Image
Mimoza Kusari-Lila

Gjatë aksionit kundër kontrabandës janë arrestuar gjashtë persona, ku ka pasur në gjashtë lokacione, por që vetëm në veri pati probleme. E gjithë kjo solli probleme pasi që thatë se mund të kryheshin pas zgjedhjeve. Na vend se të kritikohen, lufta ndaj kontrabandës nuk pret”.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në seancën e re plenare, që pritet të nis në orën 10:00.

Në rendin e ditës janë 20 projektligje, të cilat do të jenë në shqyrtim për herë të parë.

Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020, si dhe raportin vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2020.

Rendi i ditës:

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-036 për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Jashtë Vendit,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-020 për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-026 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-213 për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale,

Shqyrtimi i parë i Projekt-kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-037 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-76 për shëndetin riprodhues,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-038 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-192 për transplantimin e indeve dhe qelizave,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-039 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-024 për shërbimin mjekësor emergjent,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-040 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-041 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-023 për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-042 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-249 për sigurimin shëndetësor,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-043 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-125 për shëndetësi,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-044 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-110 për ndërprerjen e shtatzënësisë,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-045 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-042 për gjak dhe përbërës të gjakut,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-048 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-78 për shëndetësi publike,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-049 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-38 për Inspektoratin shëndetësor,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-050 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/22 për Inspektoratin sanitar të Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-051 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/38 për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve të Kosovës në sistemin shëndetësor,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat