Seanca e Gucatit dhe Haradinajt/Detajet se çfarë po dëshmon dëshmitarja e parë

Aktuale

Seanca e Gucatit dhe Haradinajt/Detajet se çfarë po dëshmon dëshmitarja e parë

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 12:43

(E plot​ësuar 17.23) Përfundon seanca në Hagë, dëshmitarja e parë e ZPS-së do të dëgjohet edhe nesër

Dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se është përfshirë në kontrollin e çështjes nga 25 shtatori 2020.

Deri në këtë periudhë, ajo ka thënë se nuk e di se kush ka qenë hetuesi që është marrë me çështjen OVL-UÇK.

Dëshmitarja Zenka Pumper, koordinatore e hetimeve në ZPS, ka thënë se nuk është në dijeni nëse është zhvilluar hetim në terren më 7 shtator 2020, ditën e parë kur në OVL-UÇK kishin arritur disa pako me dokumente.

Në pjesën e fundit të seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshmitarja Pumper i është përgjigjur pyetjeve të avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees.

Pyetjet e avokatit Rees dhe përgjigjet e dëshmitares Pumper

Avokati Rees: A e dini se kush përgjigjej në teren nga data 7 shtator, si hetues gjithmonë flas për të filluar hetimin në atë që ka ndodhur atë ditë, 7 shtator dita e parë, kur ZPS pretendon se mori dijeni për dokumentet që kanë arritur në OVL-UÇK, që ishte në fakt edhe tema e konferencës së shtypit që u mbajt atë ditë?

Dëshmitarja Pumper: Nuk kam njohuri nëse është zhvilluar një hetim në teren në atë ditë.

Avokati Rees: A mund t’i kontrolloni dokumentet gjatë natës që të na ndihmoni në këtë pikë nesër në mëngjes?

Prokurorja Bolici: Kundërshtoj për këto pyetje, hetueses nuk mund t’i kërkohet të kontrolloj dokumentet që nuk i ka në posedimin e saj.

Avokati Rees: A mund t’i kontrolli këto dokumente që të na ndihmoni në pyetje nesër në mëngjes?

Dëshmitarja Pumper: Të nderuar gjykatës, unë nuk besoj që ka dokumente që unë mund t’i kontrolloj për të parë nëse është zhvilluar ndonjë hetim në terren në atë kohë.

Në këtë seancë është bërë e ditur se dëshmitarja Zenka Pumper ka punuar për EULEX-in nga 2009 për pesë vjet ku në një periudhë e ka pasur qendrën në Prishtinë.

Zenka Pumper, hetuese në ZPS, ka filluar dëshminë e saj në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UCK më 18 tetor 2021.

Dëgjimi i saj do të vazhdojë edhe nesër me pyetjet e avokatëve mbrojtës. Zenka Pumper është dëshmitari i parë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

***

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmitari i parë i Zyrës së Prokurorit të specializuar kundër ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Zenka Pumper, që është koordinatore e hetimit në ZPS, është përgjigjur sot rreth paketës numër 3 e cila përmbante dokumentet e sekuestruara nga OVL-UÇK për të cilën ka thënë se ka pasur emra e prova që kanë të bëjnë me dëshmitarë të cilët ishin objekt i masave mbrojtëse.

Dëshmitarja ka thënë se “Paketa 3” përfshinte referenca ndaj intervistave të dëshmitarëve, të cilat ishin kryer nga Task Forca Speciale Hetimore dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sipas saj, aty ka pasur emra të dëshmitarëve dhe data kur janë realizuar intervistat.

Prokurorja Valeria Bolici: Hetuese, kur keni shqyrtuar “Paketën 3” a keni verifikuar nëse kjo paketë përfshinte referenca ndaj intervistave të dëshmitarëve të cilat ishin kryer ose nga Task Forca Speciale Hetimore ose ZPS?

Dëshmitarja Zenka Pumper: Po

Prokurorja Valeria Bolici: A e mbani mend se si përmenden këto intervista të dëshmitarëve, përfshirë edhe emrin e dëshmitarit?

Dëshmitarja Zenka Pumper: Përgjithësisht po, e kishin edhe emrin e dëshmitarit.

Prokuorja Valeria Bolici: Referencat ndaj datave kur janë bërë intervistat a ishin aty

Dëshmitarja Zenka Pumper: Po ishin të kombinuara, disa kishin data.

Dëshmitarja ka dhënë përgjigje në pyetjet e prokurores Valeria Bolici ku ndër të tjera ka thënë se paketa 3 përfshinte referenca, emra, pseudonime dhe prova që kanë të bëjnë me dëshmitarë që ishin objekt i masave mbrojtëse.

Pumper: “Paketa 3” përmbante emra të individëve ndaj të cilëve kishte vendime për masa mbrojtëse

Mua më është dhënë nga prokuroria, më janë dhënë emrat specifik, dhe këto emra i kam kontrolluar në bazën tonë të brendshme të të dhënave dhe e kam parë aplikimet, kërkesat e prokurorisë dhe rregullat e gjykatës të cilët japin urdhra mbrojtës për individ të cilët janë identifikuar në paketën 3. Është pak e vështirë për mua që të konfirmoj se cilat janë dokumentet të cilat kam parë dhe kam kontrolluar. Ajo çfarë mund të them unë është që kam përcaktuar qartë nëse personat të cilët kanë qenë pjesë e paketës numër 3 ishin apo jo pjesë e urdhrit për dhënien e masave mbrojtëse për këta individë”, ka thënë ajo.

Sipas saj këtu bëhet fjalë për tre dëshmitarë.

Zenka Pumper ka thënë se “Paketa 3” përmbante informacion që i ishte dhënë ZPS-së nga organizata ndërkombëtare.

Pumper: “Paketa 3” ka përmbajtur informacione që i janë dhënë ZPS-së nga organizatat ndërkombëtare

Unë kam marrë emrat e individëve dhe më pas këto emra janë konfirmuar në paketën 3, kam shqyrtuar dokumentet të cilat lidhen me të njëjtit individë nga organizata ndërkombëtare të cilat kanë vendosur kufizime në nxjerrjen e materialeve apo deklaratave individuale të cilat janë dhënë për ZPS-në nga organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Prokurorja Valeria Bolici edhe gjatë kësaj seance i ka paraqitur disa dokumente dëshmitares, për të cilat kjo e fundit ka konfirmuar se i ka shkruar.

Për disa prej këtyre dokumenteve, prokurorja ka kërkuar nga trupi gjykues që të regjistrohen si prova materiale.

Një pjesë e seancës ishte e mbyllur.

Zenka Pumper është dëshmitari i parë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt që po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat