​Kuvendi voton rialokimin e 2.3 milionë euro nga marrëveshja IPA 2017

Aktuale

​Kuvendi voton rialokimin e 2.3 milionë euro nga marrëveshja IPA 2017

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 12:58
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës me 86 vota ka miratuar projektligjin për ratifikimin e amendamentimit numër një të marrëveshjes financiare IPA 2017 pjesa e parë ndërmjet Kosovës dhe BE-së, përmes të cilit mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara.

Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka arsyetuar këtë projektligj, derisa ka treguar se çka do të përfitohet me anë të saj.

Bislimi: Të mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara

“Qëllimi i amendamentimit të marrëveshjes në fjalë është që të mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara dhe kursime në kuadër të veprimit të programit, përkatësisht instrumentit të përafrimit e Bashkimit Evropian dhe përmes kësaj të mundësohet kontraktimi i kësaj shume në kontrata ekzistuese brenda afatit kontraktual prej tre viteve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes origjinale e që data origjinale ka qenë 22 tetor 2018. Rialokimi do të shtojë 2.3 milionë euro në veprimin numër një instrumenti i përafrimit dhe Bashkimit Evropian, nga veprimi numër dy mbështetja në pjesëmarrje të programeve të BE-së dhe atë në shumën e 300 mijë eurove. Nga veprimi numër tre, mbështetja e Bashkimit Evropian për përparësitë politike dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit në shumën e 1.9 milionë eurove dhe nga veprimi numër pesë mbështetja e Bashkimit Evropian për sistemin e të drejtave të pronësisë intelektuale në Kosovë 0.1 milion euro”, tha ai.

Bislimi tha se shumat e marra nga këto projekte janë kursime dhe do të përdoren për të mbështetur zbatimin e projekteve tjera, siç është ndërrimi i filtrave të Kosovës B dhe për ndërtimin e shkollave të parapara me marrëveshjen financiare paraprake.

Mbështetje i kanë dhënë edhe partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat