​Kuvendi miraton 15 projektligje për shëndetësi, ish-ministri Zemaj i quan improvizime

Aktuale

​Kuvendi miraton 15 projektligje për shëndetësi, ish-ministri Zemaj i quan improvizime

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 16:52
Kuvendi i Kosovës

Në vazhdimin e seancës, kuvendi i Kosovës ka miratuar veç e veç 15 projektligje të sektorit të shëndetësisë që janë në harmonizim me Ligjin për kundërvajtje.

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku e cila ka prezantuar këto projektligje në pako, tha se ndryshimet mundësojnë një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit publik.

Ndonëse, ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se sjellja e 15 ligjeve për plotësim ndryshim për këtë sektor është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor.

Gexha-Bunjaku: Ndryshimi ligjeve krijon një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit publik

“Projektligjet e sektorit të shëndetësisë, kanë për qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore konform nenit 167 të Ligjit për kundërvajtje, me të cilin është përcaktuar që me hyrjen në fuqi të Ligjit për kundërvajtje të gjitha institucionet kanë pasur për obligim që brenda afatit prej një viti, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji në vitin 2017 të harmonizohen ligjet përkatëse. Prej vitit 2018, Ministria e Shëndetësisë një gjë të tillë nuk e ka realizuar. Andaj, me qëllim të adresimit të obligimit ligjor është bërë harmonizimi i projektligjeve në fushën e shëndetësisë, i cili do të fuqizojë mekanizmat e kontrollit të mbikëqyrjes në shqiptimin e sanksioneve kundërvajtës nga inspektorati shëndetësore, ai farmaceutik, dhe inspektorati sanitar në pajtim me ligjin për kundërvajtje. Miratimi projektligjeve për plotësim ndryshimin e ligjeve në sektorin e shëndetësisë do të krijoj një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit përmes së cilës nga inspektoratet relevante, do të ndëshkohet personi fizik, dhe personi përgjegjës i pësonit juridik”, tha ajo.

Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti aktual Armend Zemaj ka thënë se qeveria duhet t’i kthehet seriozitetit të punës, dhe jo improvizimeve sidomos në fushën e shëndetësisë.

Zemaj: Sjellja e 15 ligjeve për plotësim ndryshim është më shumë improvizim

“Sjellja e 15 ligjeve për plotësim ndryshim në sektorin e shëndetësisë është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor, edhe I cili do të avanconte shërbimet shëndetësore apo edhe ruajtjen e shëndetit publik. Qeveria duhet t’i kthehet seriozitetit të punës, dhe jo improvizimeve sidomos në fushën e shëndetësisë”, tha ai.

Ani se ka mbështetur këtë pako për ndryshim plotësim të këtyre ligjeve në sistemin e shëndetësisë, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ka nevojë për një reformë më të thellë në sistemin shëndetësor.

Tahiri: Plotësim ndryshimi i ligjit për sëmundjet e ngjitëse është i nevojshëm

“Këtu po shohim projektligje tejet të rëndësishme, siç është edhe projektligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Jemi duke kaluar në një kohë pandemie ku besoj që pikërisht ndërhyrjet në këtë ligj janë tejet të nevojshme në mënyrë që ta bëjmë edhe më të zbatueshëm dhe të jemi më efikas në parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19. Pastaj, është edhe projektligji për sigurime shëndetësore. Këtu na duhet një debat më I thellë pasi qytetarët e vendit tash e një kohë të gjatë I presin”, tha ai.

15 projektligjet që kanë kaluar sot në kuvend, janë disa prej tyre: Projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për shëndetësi, Projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për sëmundjet ngjitëse, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetësi publike, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbimin mjekësor emergjent, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transplantimin e indeve dhe qelizave, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjak dhe përbërës të gjakut, projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërprerjen e shtatzënësisë, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetin riprodhues, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin sanitar të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat