Edhe Presidentja Osmani pranon raportin e KE-së, kërkon sqarim për këtë gjë

Aktuale

Edhe Presidentja Osmani pranon raportin e KE-së, kërkon sqarim për këtë gjë

Nga: A.M Më: 19 tetor 2021 Në ora: 19:40
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Tomáš Szunyog

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pranuar “Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën” nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, shkruan "Bota sot".

Presidentja Osmani ka nënvizuar se Republika e Kosovës e ka prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, ajo ka theksuar se asgjë dhe askush nuk do të mund të ndalë vendosmërinë e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe për të mbrojtur integritetin e institucioneve. Presidentja më tej potencoi se në kuadër të kompetencave kushtetuese do të jetë garantuese e realizimit të këtyre prioriteteve, ashtu siç ka qenë edhe deri më tash.

Gjatë takimit, Presidentja kërkoi sqarime për moskonsultimin e institucionit të Presidencës në fazën përpara para hartimit të raportit, siç janë konsultuar të gjitha institucionet e tjera dhe shoqëria civile. Ajo potencoi rëndësinë që raporti i ardhshëm të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektoj kontributin e Presidencës për arritjet gjatë periudhës raportuese.

Presidentja Osmani ka vlerësuar se angazhimi në rritje i institucioneve të Kosovës për zbatimin e reformave evropiane duhet të përcillet me diskutime me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së për fillimin e procesit të negociatave për anëtarësim në BE. Ajo potencoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, është veprim jo vetëm i drejtë, por  do të shërbejë si shtysë për realizimin e reformave të brendshme dhe do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit në rajon.

Presidentja Osmani ka mirëpritur rikonfirmimin e mbështetjes së Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si reflektim i përmbushjes së të gjitha kërkesave që burojnë nga procesi formal i vlerësimit të veprimeve të institucioneve te Kosovës. Ajo theksoi se liberalizimi i vizave është qenësor për ruajtjen e kredibilitetit të BE-së në raport me zbatimin efektiv të politikës së zgjerimit të bazuar në meritat dhe rezultatet e angazhimeve të shteteve kandidate.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat