Reagon Bekim Jashari: Të turpëruar duhet të ndihen vetëm ata që nuk lanë gurë pa lëvizur...

Aktuale

Reagon Bekim Jashari: Të turpëruar duhet të ndihen vetëm ata që nuk lanë gurë pa lëvizur...

Nga: A.M. Më: 19 tetor 2021 Në ora: 20:32
Bekim Jashari

Bekim Jashari, rikandidoi edhe për një mandat për kryetar të komunës së Skenderajt në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Por, ai nuk arriti që të rizgjidhet kryetar i komunës që e drejtoi për 4 vite.

Jashari ka bërë një reagim në Facebook, duke i falënderuar bashkëpunëtorët e tij për punën e bërë gjatë katër vitetve.

“Të turpëruar duhet të ndihen vetëm ata që nuk lanë gurë pa lëvizur e metodë antiligjore pa përdorur për të marrë peng votën e qytetarëve, ata që ju bënë presion votuesve, ata që iu shkuan në shtëpi një ditë para votimit, ata që i ndalën votuesit para qendrave të votimit duke i shantazhuar e mashtruar, ata që vodhën vullnetin e lirë të qytetarëve e ata që festuan si festuan për një “fitore” që as vet nuk e kishin pritur”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, mbështetës të Idealit tonë të përbashkët,

Ju faleminderit mijëra herë nga zemra për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjatë qeverisjes sime 4 vjeçare, duke realizuar së bashku qindra projekte milionëshe që kanë ngritur mirëqenien e qytetarëve të Skenderajt dhe të cilat do të mbahen mend gjatë nga të gjithë.

Jam jashtëzakonisht i lumtur që me vullnetin më të madh, pavarësisht shumë sfidave, me angazhim maksimal bashkë me qytetarët instaluam një qeverisje të mirë dhe transparente, një standart të ri të qeverisje për qytetarët tonë.

Sot duhet të ndihemi krenar secili nga Ne që punuam me tërë mundin në këto 4 vite për qytetarët, për fushatën shembull që zhvilluam, për programin zhvillimor që ofruam, për ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve, për respektimin e ligjeve dhe institucioneve tona të ndërtuara me shumë mund e sakrificë.

Të turpëruar duhet të ndihen vetëm ata që nuk lanë gurë pa lëvizur e metodë antiligjore pa përdorur për të marrë peng votën e qytetarëve, ata që ju bënë presion votuesve, ata që iu shkuan në shtëpi një ditë para votimit, ata që i ndalën votuesit para qendrave të votimit duke i shantazhuar e mashtruar, ata që vodhën vullnetin e lirë të qytetarëve e ata që festuan si festuan për një “fitore” që as vet nuk e kishin pritur.

Të gjitha këto i dinë shumë mirë qytetarët e vendit tonë, këto sot fliten gjithandej dhe tashmë çdo gjë dihet për manipulimin e këtyre zgjedhjeve.

Të dashur qytetarë, duke besuar fuqishëm në drejtësinë tonë kemi bërë mbi 10 ankesa në lidhje me manipulimin e procesit zgjedhor dhe presim që të zbardhet e vërteta edhe nëse duhet të hapet e të verifikohet çdo kuti e votimit.

As këto zgjedhje, as manipulimet e shumta dhe as asgjë tjetër nuk mund të ndalë angazhimin tonë të përbashkët për qytetarët dhe vendin tonë të shenjtë.

Fitues të vërtetë të këtyre zgjedhjeve jemi vetëm Ne qytetarë të dashur, numrat e vjedhur e manipuluar nuk mund t’i mbulojnë veprat dhe sjelljet e tyre antiligjore dhe anti morale.

Shihemi së shpejti bashkë për Idealin tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat