Krasniqi thotë se nuk mund të rrinte PDK-ja pa kandiduar në Skenderaj

Aktuale

Krasniqi thotë se nuk mund të rrinte PDK-ja pa kandiduar në Skenderaj

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 21:20
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se gara në Skenderaj s’ishte e dëshiruar, por e imponuar. Sipas tij PDK-ja nuk mundi ta shmangte garën në Skenderaj – bastion i partisë së tij.

Krasniqi tha se për PDK-në Skenderaj gjithmonë ka qenë i rëndësishëm, edhe pse në zgjedhjet para këtyre të fundit, kjo parti e mbështeti Bekim Jasharin, pasi ky garoi si i pavarur.

S’ka qenë garë që kemi dëshiruar, ka qenë një garë është imponuar. Nuk kemi mundur që ta shmangim, sepse Skenderaj për PDK-në ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Ndërlidhet me trashëgiminë dhe historinë tonë. Në katër vitet e kaluara e kemi mbështetur Jasharin edhe pse ka kandiduar si i pavarur”, është shprehur Krasniqi.

E pas katër viteve, Krasniqi thotë se nuk mund të rrinte PDK-ja pa kandiduar në Skenderaj.

“Por, këtë herë dhe në këtë situatë nuk mund të rrimë dhe ta lëmë anash dhe pa adresë një bastion si Skenderaj”, tha Krasniqi.

“Në momentin kur u pamundësua kandidimi i Lushtakut normalisht që zgjidhja ishte tek Nura, meqenëse ky ka qenë nënkryetar i komunës, pastaj deputet i votuar në Skenderaj. Një djalë jashtëzakonisht i përgatitur dhe me cilësi absolute që i nevojitet një kryetari”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, Krasniqi foli edhe për festimet në sheshin e Skenderajt, për të cilat tha se aktivistët e PDK-së e kanë të drejtën të jenë të ekzaltuar pas një fitoreje si ajo e natës së 17 tetorit.

“Ne s’jemi në garë kundër askujt, por për të ardhmen tonë. Ka qenë e domosdoshme që PDK-ja të jetë fituese në Skenderaj, në bastionin e saj tradicional. Ndërsa festimet kanë qenë për gëzimet për Skenderajn dhe për komunat tjera. Aktivistët e PDK-së nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatin nga viti 2019, apo 2017, rrjedhimisht kanë të drejtë të jenë pak të ekzaltuar”, shtoi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat